Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është në të vërtetë ferri?

Çfarë është në të vërtetë ferri?

Çfarë është në të vërtetë ferri?

ÇFARËDO përfytyrimi që të të krijojë ty në mendje fjala «ferr», në përgjithësi njerëzit e mendojnë ferrin si një vend ndëshkimi për mëkatet. Për mëkatin dhe për atë që erdhi si pasojë, Bibla thotë: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Shkrimet thonë gjithashtu: «Paga që paguan mëkati është vdekja.» (Romakëve 6:23) Duke qenë se ndëshkimi për mëkatin është vdekja, pyetja themelore për të përcaktuar domethënien e vërtetë të ferrit është: Çfarë ndodh me ne kur vdesim?

A vazhdon pas vdekjes ndonjë lloj jete në ndonjë formë? Çfarë është ferri dhe cilët njerëz shkojnë atje? A ka ndonjë shpresë për ata që janë në ferr? Bibla jep përgjigje të vërteta dhe të kënaqshme për këto pyetje.

A ka jetë pas vdekjes?

A ka ndonjë gjë brenda nesh, si shpirt ose frymë, që jeton pas vdekjes së trupit? Shqyrtoni se si erdhi në jetë njeriu i parë, Adami. Bibla thotë: «Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete.» (Zanafilla 2:7) Ndonëse jeta e tij mbështetej nga frymëmarrja, vënia e ‘frymës së jetës’ në hundë nënkuptonte shumë më tepër sesa vetëm t’i fryhej ajër në mushkëri. Do të thoshte që Perëndia futi në trupin e pajetë të Adamit shkëndijën e jetës, domethënë ‘forcën e jetës’, e cila vepron te të gjitha krijesat tokësore. (Zanafilla 6:17, BR; 7:22, BR) Bibla e quan këtë forcë jete «frymë». (Jakovit 2:26) Kjo frymë mund të krahasohet me rrymën elektrike që vë në punë një makineri ose një pajisje dhe i jep mundësi të funksionojë. Ashtu si rryma nuk merr kurrë veçoritë e pajisjes që vë në punë, forca e jetës nuk merr ndonjë nga tiparet e krijesave të cilave u jep jetë. Nuk ka personalitet e as aftësi për të menduar.

Çfarë ndodh me frymën, kur një njeri vdes? Te Psalmi 146:4 thuhet: «Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.» Kur një njeri vdes, fryma e tij jopersonale nuk vazhdon të ekzistojë në ndonjë sferë tjetër si krijesë frymore. Ajo «i kthehet Perëndisë që e ka dhënë». (Predikuesi 12:7) Kjo do të thotë se çdo shpresë për jetën e ardhme për atë njeri tani varet plotësisht nga Perëndia.

Filozofët e lashtë grekë Sokrati dhe Platoni mendonin se ka një shpirt brenda njeriut që mbijeton pas vdekjes dhe nuk vdes kurrë. Çfarë mëson Bibla për shpirtin? Adami «u bë një shpirt i gjallë»,​—thuhet te Zanafilla 2:7, BR. Ai nuk mori një shpirt, por ishte një shpirt, pra një person i plotë. Shkrimet përmendin që shpirtrat lindin, hidhërohen, gjenden ngushtë, qajnë e kështu me radhë. (Zanafilla 46:18, DSF; Jobi 19:2; Jonai 2:7, DSF; Psalmi 119:28, DSF ) Po, vetë njeriu është një shpirt. Kur një njeri vdes, ai shpirt vdes.​—Ezekieli 18:4.

Por, atëherë, cila është gjendja e të vdekurve? Kur po jepte dënimin e tij për Adamin, Jehovai tha: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Ku ishte Adami, para se Perëndia ta krijonte nga pluhuri i tokës dhe t’i jepte jetë? Thjesht nuk ekzistonte fare. Kur vdiq, Adami u rikthye në atë gjendje krejtësisht të pajetë. Gjendja e të vdekurve shpjegohet qartë te Predikuesi 9:5, 10, ku lexojmë: «Të vdekuritë nukë dinë asgjë . . . Nukë ka punë, as mendim, as dituri, as urtësi, ndë varrt ndë të cilët vete.» (Shoqëria Biblike për n’Angli dhe jashtë) Sipas Biblës, vdekja është një gjendje mosekzistence. Të vdekurit nuk kanë as vetëdije, as ndjenja, as mendime.

Mundim i pafund apo varr i përbashkët?

Meqë të vdekurit nuk kanë një ekzistencë të vetëdijshme, ferri nuk mund të jetë një vend i zjarrtë mundimesh ku vuajnë të ligjtë pas vdekjes. Atëherë, çfarë është ferri? Shqyrtimi i asaj që ndodhi me Jezuin pasi vdiq na ndihmon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Shkrimtari biblik Luka tregon: «[Jezui] as nuk u braktis në Hades [ferr, King James Version] e as mishi i tij nuk pa prishje.» * (Veprat 2:31) Ku ishte ferri në të cilin shkoi edhe vetë Jezui? Apostulli Pavël shkroi: «Ju transmetova . . . se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve; se u varros, po, se u ngrit ditën e tretë sipas Shkrimeve.» (1 Korintasve 15:3, 4) Pra, Jezui ishte në ferr, në varr, por nuk u braktis atje, pasi u ngrit ose u ringjall.

Shqyrto edhe rastin e njeriut të drejtë Job, i cili vuajti shumë. Duke dashur t’i shpëtonte gjendjes së tij të mjeruar, ai u lut: «Kush do të më japë këtë, që të më mbroje në ferr [Sheol] dhe të më fshihje derisa të kalonte zemërimi yt?» * (Jobi 14:13, Douay Version) Sa e paarsyeshme do të ishte të mendonim se Jobi dëshironte të shkonte në një vend të zjarrtë për mbrojtje! Për Jobin, «ferri» ishte thjesht varri, ku vuajtjet e tij do të mbaronin. Pra, ferri biblik është varri i përbashkët i njerëzimit, ku shkojnë edhe njerëzit e mirë, edhe të këqinjtë.

A është shkatërrimtar zjarri i ferrit?

Mos ndoshta zjarri i ferrit simbolizon shkatërrimin e plotë? Duke bërë dallimin mes zjarrit dhe Hadesit ose ferrit, Shkrimet thonë: «Vdekja dhe Hadesi u hodhën në liqenin e zjarrit.» ‘Liqeni’ i përmendur këtu është simbolik, pasi vdekja dhe ferri (Hadesi) që hidhen në të nuk mund të digjen në kuptimin e mirëfilltë. «Kjo [liqeni i zjarrit] do të thotë vdekja e dytë», vdekje nga e cila nuk ka shpresë për t’u rikthyer në jetë.​—Zbulesa 20:14.

Liqeni i zjarrit ka kuptim të ngjashëm me atë të «Gehenës së zjarrtë [zjarrit të ferrit, King James Version]» për të cilën foli Jezui. (Mateu 5:22; Marku 9:47, 48) Në Shkrimet e Krishtere Greke, Gehena përmendet 12 herë dhe ka të bëjë me luginën e Hinomit që gjendet jashtë mureve të Jerusalemit. Kur ishte Jezui në tokë, kjo luginë përdorej si vend grumbullimi për plehra, «ku hidheshin trupat e vdekur të kriminelëve, si edhe kufomat e kafshëve e çdo lloj tjetër ndyrësie». (Smith’s Dictionary of the Bible) Zjarri mbahej i ndezur duke i shtuar squfur për të djegur mbeturinat. Atë luginë Jezui e përdori si një simbol të përshtatshëm të shkatërrimit të përhershëm.

Ashtu si Gehena, edhe liqeni i zjarrit simbolizon shkatërrimin e përhershëm. Vdekja dhe Hadesi ‘hidhen në’ këtë liqen, në kuptimin që do të zhduken kur njerëzimi të lirohet nga mëkati dhe nga dënimi i vdekjes. Mëkatarët e vullnetshëm e të papenduar do të kenë ‘pjesën’ e tyre në këtë liqen. (Zbulesa 21:8) Edhe ata do të asgjësohen përgjithmonë. Nga ana tjetër, ata që janë në kujtesën e Perëndisë e që ndodhen në ferr, domethënë në varrin e përbashkët të njerëzimit, kanë një të ardhme të mrekullueshme.

Ferri do të boshatiset!

Te Zbulesa 20:13 thuhet: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.» Po, ferri biblik do të boshatiset. Siç e premtoi Jezui, «po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Ndonëse tani për tani nuk ekzistojnë më në asnjë lloj forme, miliona të vdekur që janë në kujtesën e Perëndisë Jehova do të ringjallen ose do të rikthehen në jetë, në një parajsë tokësore të rivendosur.​—Luka 23:43; Veprat 24:15.

Në botën e re që do të sjellë Perëndia, njerëzit e ringjallur që e vënë jetën në përputhje me ligjet e tij të drejta nuk do të vdesin kurrë më. (Isaia 25:8) Jehovai «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». Në të vërtetë, «gjërat e mëparshme [do të kenë] kaluar». (Zbulesa 21:4) Çfarë bekimi i pret ata që janë në ferr, në «varret përkujtimore»! Ky bekim është vërtet një arsye e mjaftueshme që të marrim më shumë njohuri për Perëndinë Jehova dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin.​—Gjoni 17:3.

[Shënimet]

^ par. 10 Në Biblën King James Version, fjala greke Hades përkthehet «ferr» në secilin nga dhjetë rastet kur shfaqet në Shkrimet e Krishtere Greke. Përkthimi te Luka 16:19-31 përmend mundimin, por i gjithë tregimi ka domethënie simbolike. Shih kapitullin 88 të librit Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 11 Fjala hebraike Sheol gjendet 65 herë në Shkrimet Hebraike dhe është përkthyer «ferr», «varr» dhe «gropë» në Biblën King James Version.

[Figura në faqen 5]

Jobi u lut për të gjetur mbrojtje në ferr

[Figura në faqen 6]

Gehena e zjarrtë​—një simbol i shkatërrimit të përhershëm

[Figura në faqen 7]

‘Ata që janë në varret përkujtimore do të dalin’