Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ka ndodhur me zjarrin e ferrit?

Çfarë ka ndodhur me zjarrin e ferrit?

Çfarë ka ndodhur me zjarrin e ferrit?

ÇFARË përfytyrimi ju krijon në mendje fjala «ferr»? A e mendoni ferrin si një vend të mirëfilltë me zjarr e squfur, me mundime e vuajtje të pafundme? Apo ndoshta për ju ferri është një përshkrim simbolik për një gjendje të caktuar?

Për shekuj të tërë, udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim kanë përshkruar një ferr të zjarrtë me mundime të padurueshme si fatin e padiskutueshëm të mëkatarëve. Kjo ide është ende e përhapur në shumë grupe të tjera fetare. «Krishterimi mund të ketë qenë ai që e bëri fjalën ferr një fjalë shumë të njohur,​—thuhet në U.S.News & World Report,​—por nuk e ka më monopolin mbi këtë doktrinë. Rreziku i ndëshkimit me mundime në jetën e përtejme ka barasvlerësit e tij pothuajse në çdo fe kryesore të botës, si edhe në disa fe më të vogla.» Hinduistët, budistët, myslimanët, jainistët dhe taoistët besojnë që të gjithë në ndonjë lloj ferri.

Gjithsesi, në përfytyrimet moderne ferri ka marrë një pamje tjetër. «Ndonëse përfytyrimi tradicional i një ferri të zjarrtë tërheq ende besimtarë,​—thuhet në gazetën e sipërpërmendur,​—tani po fillojnë të dalin përfytyrime të reja të dënimit të përjetshëm si një izolim veçanërisht i pakëndshëm, duke dhënë idenë se ferri mund të mos jetë fundja një vend me zjarr.»

Në gazetën jezuite La Civiltà Cattolica thuhej: «Është pështjelluese . . . të mendosh se Perëndia, me anë të demonëve, u shkakton të dënuarve mundime të frikshme si mundimi me zjarr.» Në të shtohej: «Ferri ekziston, jo si një vend por si një gjendje, një mënyrë ekzistence e personit që vuan nga angështia mendore e ndarjes nga Perëndia.» Papa Gjon Pali II tha në vitin 1999: «Ferri nuk tregon një vend, por gjendjen e atyre që largohen vullnetarisht dhe në mënyrë përfundimtare nga Perëndia, nga burimi i gjithë jetës e i çdo gëzimi.» Për sa u përket përfytyrimeve të ferrit si një vend i zjarrtë, ai tha: «Ato tregojnë zhgënjimin dhe boshllëkun e plotë të jetës pa Perëndinë.» Historiani i fesë Martin Marti tha që sikur papa ta kishte përshkruar ferrin si një vend me «flakë dhe me një djall të kuq me sfurk, njerëzit nuk do ta besonin këtë».

Ndryshime të ngjashme po ndodhin edhe në fe të tjera. Në një raport nga komisioni i doktrinave në Kishën Anglikane thuhej: «Ferri nuk është mundimi i përjetshëm, por zgjedhja përfundimtare dhe e pakthyeshme e asaj që është në kundërshtim me Perëndinë, në një mënyrë kaq të plotë e kaq absolute, saqë fundi i vetëm është mosekzistenca e plotë.»

Katekizmi i Kishës Episkopale të Shteteve të Bashkuara e përkufizon ferrin si «vdekja e përjetshme ngaqë hedhim poshtë Perëndinë». Në U.S.News & World Report thuhet që një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po përkrahin idenë se «fundi i të ligjve është shkatërrimi, jo vuajtjet e përjetshme. . . . [Ata] pohojnë se personat që përfundimisht hedhin poshtë Perëndinë thjesht do të zhduken nga ekzistenca me anë të ‘zjarrit konsumues’ të ferrit».

Ndonëse njerëzit sot po priren ta mënjanojnë idenë e ferrit si vend me zjarr e squfur, shumë veta vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë bindjes se ferri është një vend i mirëfilltë mundimi. «Shkrimet flasin qartë për ferrin si një vend fizik torturash të zjarrta»,​—thotë Albert Mohleri, nga Seminari Teologjik Jugor Baptist në Luisvil, Kentaki, SHBA. Po ashtu, në raportin The Nature of Hell, i përgatitur nga Komisioni i Aleancës Evangjeliste, thuhet: «Ferri është një përvojë e vetëdijshme e mohimit dhe e mundimit.» Aty shtohet: «Në ferr ka masa të ndryshme ndëshkimesh dhe vuajtjesh në bazë të shkallës së mëkateve të kryera në tokë.»

Edhe një herë, a është ferri një vend i zjarrtë mundimi të përjetshëm apo është një vend asgjësimi? Apo thjesht është një gjendje ndarjeje nga Perëndia? Çfarë është në të vërtetë ferri?

[Kutia dhe figurat në faqen 4]

Shkurtimisht mbi prejardhjen e zjarrit të ferrit

KUR e përvetësuan besimin te zjarri i ferrit ata që pohojnë se janë të krishterë? Kjo ndodhi shumë kohë pas epokës së Jezu Krishtit dhe apostujve të tij. Në Encyclopædia Universalis, një enciklopedi franceze, thuhet se «libri Apokalipsi i Pjetrit (i shekullit të dytë të e.s.) ishte vepra e parë [apokrife] e krishterë që përshkroi ndëshkimin dhe torturat e mëkatarëve në ferr».

Mirëpo, ndër Etërit e hershëm të Kishës kishte mospajtime për sa i përket ferrit. Justin Martiri, Klementi i Aleksandrisë, Tertuliani dhe Cipriani besonin se ferri ishte një vend i zjarrtë. Origjeni dhe teologu Gregori i Nisës e mendonin ferrin si një vend të ndarjes nga Perëndia, një vend me vuajtje shpirtërore. Nga ana tjetër, Agustini i Hipos mendonte se vuajtjet në ferr ishin edhe shpirtërore, edhe fizike, dhe kjo pikëpamje e tij u pranua gjerësisht. «Në shekullin e pestë, doktrina e rreptë se mëkatarët nuk do të kenë asnjë mundësi të dytë pas kësaj jete dhe se zjarri që do t’i përpijë nuk do të shuhet kurrë, ishte e përhapur kudo»,​—shkroi profesor Xh.N.D. Keli.

Në shekullin e 16-të kishte disa reformues protestantë, si Martin Luteri dhe Xhon Kalvini, të cilët e kuptonin mundimin e zjarrtë në ferr si një simbol që nënkuptonte ta kaloje përjetësinë i ndarë nga Perëndia. Megjithatë, në dy shekujt që pasuan ideja e ferrit si një vend mundimi u rikthye. Predikuesi protestant Xhonatan Eduards e kishte zakon që t’i fuste frikën në zemër popullsisë koloniale amerikane të shekullit të 18-të duke bërë përshkrime të gjalla të ferrit.

Pak kohë më pas, megjithatë, flakët e ferrit filluan të veniteshin e të shuheshin. Në U.S.News & World Report thuhet se «shekulli i 20-të shënoi pothuajse vdekjen e ferrit».

[Figurat]

Justin Martiri besonte se ferri ishte një vend i zjarrtë

Agustini i Hipos mësonte se vuajtjet në ferr ishin edhe shpirtërore, edhe fizike