Altar kushtuar një hyjnie të paemër
Altar kushtuar një hyjnie të paemër
APOSTULLI Pavël shkoi në Greqi rreth vitit 50 të e.s., ku vizitoi edhe Athinën. Atje pa një altar kushtuar një perëndie të panjohur dhe më vonë e përmendi kur po jepte një dëshmi të shkëlqyer për Jehovain.
Në fillim të fjalimit që mbajti në kodrën e Marsit ose në Areopag, Pavli tha: «Burra të Athinës, unë shoh se në gjithçka ju dukeni se jeni më të dhënë se të tjerët pas frikës prej hyjnive. Për shembull, tek ecja e vështroja me vëmendje objektet tuaja të përnderimit, gjeta edhe një altar, mbi të cilin ishte mbishkruar: ‘Për një Perëndi të Panjohur.’ Prandaj, atë të cilit ju pa e njohur po i jepni devocion hyjnor, këtë po ju shpall.»—Veprat 17:22-31.
Ndonëse ky altar athinas nuk është gjetur kurrë, altarë të ngjashëm ekzistonin në pjesë të tjera të Greqisë. Për shembull, Pausani, gjeograf grek i shekullit të dytë, përmendi altarët e «perëndive të quajtur të Panjohur» në Faleron, jo larg Athinës. (Përshkrim i Greqisë, Atika I, 4) Sipas së njëjtës vepër, në Olimp kishte «një altar për perënditë e Panjohura».—Eleia I, XIV, 8.
Në veprën e tij The Life of Apollonius of Tyana (Libri VI, kapitulli III), shkrimtari grek Filostratus (rreth 170-rreth 245 të e.s.) thoshte se në Athinë «ngrihen altarë edhe në nder të perëndive të panjohura». Po ashtu, në veprën Lives of Philosophers (Libri 1, paragrafi 110), Diogjen Laerti (rreth 200-250 të e.s.) shkruante se në pjesë të ndryshme të Athinës shiheshin «altarë të paemër».
Edhe romakët ngrinin altarë për hyjni të paemra. Këtu tregohet një altar i tillë, i cili daton nga shekulli i parë ose i dytë p.e.s. dhe ruhet në Muzeun e Antikave Palatino në Romë, Itali. Mbishkrimi në latinisht tregon se ky altar ishte shenjtëruar në emër të «një perëndie ose një perëndeshe», frazë kjo «që shpesh gjendet në lutjet ose në formulat e kushtimit nëpër mbishkrime dhe në tekstet letrare».
«Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të» mbetet ende i panjohur për shumë veta. Por, siç u tha Pavli athinasve, ky Perëndi, Jehovai, «nuk është larg nga secili prej nesh».—Veprat 17:24, 27.
[Burimi i figurës në faqen 32]
Altar: Soprintendenza Archeologica di Roma