Ata vazhdojnë të ecin në të vërtetën
Ata vazhdojnë të ecin në të vërtetën
«Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3 GJONIT 4.
1. Mbi çfarë përqendrohet ‘e vërteta e lajmit të mirë’?
JEHOVAI miraton vetëm ata që e adhurojnë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Ata i binden së vërtetës, duke i pranuar të gjitha mësimet e krishtere që bazohen në Fjalën e Perëndisë. Kjo ‘e vërtetë e lajmit të mirë’ përqendrohet te Jezu Krishti dhe te shfajësimi i sovranitetit të Jehovait me anë të Mbretërisë. (Galatasve 2:14) Perëndia lejon që mbi ata që pëlqejnë më shumë mashtrimin të veprojë «një ndikim devijimi», kurse shpëtimi varet nga besimi që kemi në lajmin e mirë dhe nga ecja në të vërtetën.—2 Selanikasve 2:9-12; Efesianëve 1:13, 14.
2. Për çfarë ishte veçanërisht mirënjohës apostulli Gjon dhe ç’lloj lidhjeje kishte ai me Gajin?
2 Lajmëtarët e Mbretërisë janë «bashkëpunëtorë në të vërtetën». Ashtu si apostulli Gjon dhe miku i tij Gaji, me vendosmëri ata mbahen fort pas së vërtetës dhe ecin në të. Duke pasur në mendje Gajin, Gjoni shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3 Gjonit 3-8) Edhe sikur Gaji të mos e kishte marrë të vërtetën nga Gjoni i moshuar, mosha e shkuar e apostullit, pjekuria e krishterë dhe përzemërsia e tij atërore e bënin të përshtatshme që ky burrë, me sa duket më i ri, të shihej si një nga fëmijët frymorë të Gjonit.
E vërteta dhe adhurimi i krishterë
3. Ç’qëllim e ç’dobi kishin mbledhjet që mbanin të krishterët e hershëm?
3 Për të mësuar të vërtetën të krishterët e hershëm mblidheshin si kongregacione, shpesh duke përdorur shtëpi private. (Romakëve 16:3-5) Në këtë mënyrë merrnin zemër nga njëri-tjetri dhe nxiteshin për dashuri e për vepra të shkëlqyera. (Hebrenjve 10:24, 25) Lidhur me ata që në kohët e mëvonshme pohonin se ishin të krishterë, Tertuliani (rreth 155-pas 220 të e.s.) shkruante: «Mblidhemi për të lexuar librat e Perëndisë . . . Me ato fjalë të shenjta ushqejmë besimin tonë, mbajmë lart shpresën që kemi dhe përforcojmë sigurinë.»—Apologji, kapitulli 39.
4. Çfarë roli kanë luajtur këngët në mbledhjet e krishtere?
4 Me sa duket, këngët ishin pjesë e mbledhjeve të krishtere në kohët e hershme. (Efesianëve 5:19; Kolosianëve 3:16) Profesori Henri Çaduik shkruan se Celsusi, një kritik i shekullit të dytë, mendonte se himnet me sa duket melodike që përdornin të krishterët ishin «kaq të bukura, saqë i vinte inat për ndikimin emocional që kishin tek ai». Çaduiku shton: «Klementi i Aleksandrisë është shkrimtari i parë i krishterë që trajton se çfarë lloj muzike është e përshtatshme të përdoret nga të krishterët. Ai udhëzon se nuk duhet të jetë lloji i muzikës që lidhet me muzikën e vallëzimeve erotike.» (The Early Church, faqet 274-275) Ashtu si të krishterët e hershëm, të cilët nga sa duket këndonin kur mblidheshin bashkë, edhe Dëshmitarët e Jehovait shpesh këndojnë këngë të bazuara në Bibël, të cilat përfshijnë himne të fuqishme ku i thuret lavdi Perëndisë dhe Mbretërisë.
5. (a) Si sigurohej drejtimi frymor në kongregacionet e hershme të krishtere? (b) Si i kanë zbatuar të krishterët e vërtetë fjalët e Jezuit që i gjejmë te Mateu 23:8, 9?
5 Në kongregacionet e hershme të krishtere, mbikëqyrësit mësonin të vërtetën dhe shërbëtorët ndihmës i ndihmonin bashkëbesimtarët në mënyra të ndryshme. (Filipianëve 1:1) Udhëheqja frymore sigurohej nga një trup udhëheqës, i cili mbështetej në Fjalën e Perëndisë dhe në frymën e shenjtë. (Veprat 15:6, 23-31) Nuk përdoreshin tituj fetarë, sepse Jezui i kishte urdhëruar dishepujt: «Mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori.» (Mateu 23:8, 9) Në këto aspekte, si edhe në shumë të tjera, ka ngjashmëri ndërmjet të krishterëve të hershëm dhe Dëshmitarëve të Jehovait.
Të përndjekur se predikojnë të vërtetën
6, 7. Si janë trajtuar të krishterët e vërtetë ndonëse shpallin një mesazh paqësor?
6 Ndonëse shpallnin mesazhin paqësor të Mbretërisë, të krishterët e hershëm u përndoqën, ashtu si kishte ndodhur me Jezuin. (Gjoni 15:20; 17:14) Historiani Xhon L. fon Moshaim i quante të krishterët e shekullit të parë «një grup njerëzish me karakterin më të butë e të padëmshëm në botë, të cilët kurrë nuk ushqenin në mendje ndonjë dëshirë ose mendim armiqësor ndaj mirëqenies së shtetit». Ky historian thoshte se ajo që «i acaronte romakët kundër të krishterëve ishte thjeshtësia e adhurimit të tyre, e cila nuk i ngjante asgjëkundi riteve fetare të ndonjë populli tjetër». Ai shtonte: «Ata nuk kishin flijime, tempuj, shëmbëlltyra, orakuj ose urdhra priftërorë; kjo ishte më se e mjaftueshme për të sjellë mbi ta mospëlqimin e një shumice njerëzish të paditur, të cilët mendonin se nuk mund të kishte fe pa këto gjëra. Prandaj, të krishterët i shihnin si të ishin ateistë dhe, sipas ligjeve romake, ata që akuzoheshin si ateistë shpalleshin si murtaja e shoqërisë njerëzore.»
7 Priftërinjtë, zejtarët dhe të tjerë që e fitonin jetesën nga idhujtaria e nxitnin popullin kundër të krishterëve, pasi këta nuk përdornin praktika idhujtare. (Veprat 19:23-40; 1 Korintasve 10:14) Tertuliani shkroi: «I quajnë të krishterët si shkaku i çdo katastrofe që i ndodh shtetit, i çdo fatkeqësie që u ndodh njerëzve. Po qe se lumi Tiber arrin lartësinë e mureve të qytetit, po qe se Nili nuk vërshon për të vaditur arat, po qe se nuk bie shi ose po qe se toka lëviz, po qe se ka zi buke, po qe se ka ndonjë murtajë, menjëherë dëgjohet thirrja: ‘T’ua hedhim të krishterët luanit!’» Pavarësisht nga pasojat, të krishterët e vërtetë ‘ruhen nga idhujt’.—1 Gjonit 5:21.
E vërteta dhe kremtimet fetare
8. Përse ata që ecin në të vërtetën nuk i festojnë Krishtlindjet?
8 Ata që ecin në të vërtetën i shmangin kremtimet jobiblike, sepse ‘drita nuk ka pjesë me errësirën’. (2 Korintasve 6:14-18) Për shembull, nuk festojnë Krishtlindjet që mbahen në 25 dhjetor. «Askush nuk e di datën e saktë të lindjes së Krishtit»,—pranon The World Book Encyclopedia. Një enciklopedi tjetër, The Encyclopedia Americana (1956 Edition), thotë: «Saturnalet, një festë romake që festohej nga mesi i dhjetorit, shërbyen si model për shumë zakone festive të Krishtlindjeve.» Edhe një enciklopedi tjetër, Cyclopædia nga Meklintoku dhe Strongu, komenton: «Kremtimi i Krishtlindjeve nuk është caktuar nga Perëndia dhe as nuk është me origjinë nga B[esëlidhja] e R[e].» Po ashtu, libri Daily Life in the Time of Jesus (Jeta e përditshme në kohën e Jezuit) vëren: «Kopetë . . . e kalonin dimrin në strehime; mjafton vetëm kjo për të kuptuar se data që kanë vendosur për Krishtlindjet, pra në dimër, nuk mund të jetë e saktë, pasi Ungjilli thotë se barinjtë ishin në fusha.»—Luka 2:8-11.
9. Përse shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën dhe sot nuk i kanë festuar Pashkët?
9 Pashkët njihen si festa për të përkujtuar ringjalljen e Krishtit. Por burime të besueshme e lidhin këtë festë me adhurimin e rremë. Një fjalor, The Westminster Dictionary of the Bible, thotë se Pashkët [në anglisht Easter] ishin «fillimisht festa e pranverës për nder të perëndeshës teutone të dritës dhe të pranverës, e njohur në zonën anglo-saksone si Eastre» ose Eostre. Sidoqoftë, Encyclopædia Britannica (Botimi i 11-të) thotë: «Në Besëlidhjen e Re nuk ka asnjë tregues se festa e Pashkëve kremtohej.» Pashkët nuk festoheshin nga të krishterët e hershëm dhe nuk festohen nga populli i Jehovait sot.
10. Cilin kremtim themeloi Jezui dhe cilët e kanë përkujtuar atë siç duhet?
10 Ithtarëve të tij Jezui nuk u dha urdhër që të përkujtonin as lindjen dhe as ringjalljen e tij, por ai vetë themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij flijuese. (Romakëve 5:8) Në të vërtetë, kjo është e vetmja ngjarje që i urdhëroi dishepujt të kremtonin. (Luka 22:19, 20) E quajtur edhe Darka e Zotërisë, kjo ngjarje vjetore kremtohet ende nga Dëshmitarët e Jehovait.—1 Korintasve 11:20-26.
E vërteta shpallet në mbarë tokën
11, 12. Si e kanë mbështetur gjithnjë veprën e predikimit ata që ecin në të vërtetën?
11 Ata që e njohin të vërtetën e quajnë privilegj që t’i kushtojnë veprës së predikimit të lajmit të mirë kohën, energjitë dhe burimet e tjera që kanë. (Marku 13:10) Vepra e krishterë e predikimit në kohët e hershme mbështetej me kontribute vullnetare. (2 Korintasve 8:12; 9:7) Tertuliani shkroi: «Edhe pse ka një lloj kutie, në të nuk janë paratë që paguhen për t’u regjistruar, sikur feja të ishte një punë kontrate. Gjithsecili sjell ndonjë sasi të vogël parash një herë në muaj ose kurdo që dëshiron, nëse dëshiron dhe nëse mundet; asnjëri nuk detyrohet të japë diçka; është një dhuratë vullnetare.»—Apologji, kapitulli 39.
12 Vepra mbarëbotërore e predikimit të Mbretërisë që kryhet nga Dëshmitarët e Jehovait mbështetet po ashtu me kontribute vullnetare. Përveç vetë Dëshmitarëve, edhe njerëz të interesuar
që janë mirënjohës e quajnë privilegj të japin kontribute për të mbështetur këtë vepër. Ja edhe një ngjashmëri tjetër ndërmjet të krishterëve të parë dhe Dëshmitarëve të Jehovait.E vërteta dhe sjellja individuale
13. Cilës këshillë të Pjetrit ia vënë veshin Dëshmitarët e Jehovait për sa i përket sjelljes së tyre?
13 Duke qenë se ecnin në të vërtetën, të krishterët e hershëm vepronin sipas këshillës së apostullit Pjetër: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve, me qëllim që, për atë që thonë kundër jush si keqbërës, ata t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhojë e veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» (1 Pjetrit 2:12) Dëshmitarët e Jehovait ua vënë veshin këtyre fjalëve.
14. Cila është pikëpamja e krishterë për zbavitjen imorale?
14 Edhe pasi midis tyre kishte depërtuar apostazia, ata që pohonin se ishin të krishterë i shmangnin veprimtaritë imorale. U. D. Killeni, profesor i historisë së kishës, shkroi: «Në shekullin e dytë dhe të tretë, teatri ishte një qendër argëtimi në çdo qytet të madh. Ndonëse në përgjithësi aktorët ishin njerëz shumë të shthurur, loja e tyre dramatike ishte gjithnjë joshëse për dëshirat e degjeneruara të asaj epoke. . . . Të gjithë të krishterët e vërtetë e shihnin me neveri teatrin. . . . Ata i urrenin gjërat e ndyra që bëheshin aty, dhe thirrjet e vazhdueshme që u drejtoheshin perëndive e perëndeshave pagane i shkelnin rëndë bindjet e tyre fetare.» (The Ancient Church, faqet 318-319) Edhe sot ithtarët e vërtetë të Jezuit i shmangin format e zbavitjes që janë të ndyra dhe të degjeneruara nga ana morale.—Efesianëve 5:3-5.
E vërteta dhe ‘autoritetet më të larta’
15, 16. Kush janë ‘autoritetet më të larta’ dhe ç’pikëpamje kanë pasur për këto autoritete ata që ecin në të vërtetën?
15 Me gjithë sjelljen e shkëlqyer të të krishterëve të hershëm, shumica e perandorëve romakë u binin më qafë kot. Historiani E. Xh. Hardi thotë se perandorët i shihnin të krishterët si «ca fanatikë të rëndomtë». Letërkëmbimet midis Plinit të Ri që ishte guvernator i Bitinisë dhe perandorit Trajan tregojnë se, në përgjithësi, klasat sunduese nuk e njihnin natyrën e vërtetë të krishterimit. Ç’pikëpamje kanë të krishterët për shtetin?
16 Ashtu si ithtarët e hershëm të Jezuit, Dëshmitarët e Jehovait u nënshtrohen në mënyrë relative «autoriteteve më të larta» qeverisëse. (Romakëve 13:1-7) Po të ketë ndonjë mospajtim midis një kërkese njerëzore dhe vullnetit hyjnor, ata marrin qëndrimin: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.» (Veprat 5:29) Në librin After Jesus—The Triumph of Christianity (Pas Jezuit—ngadhënjimi i krishterimit) thuhet: «Edhe pse mund të mos kenë marrë pjesë në adhurimin e perandorit, të krishterët nuk ishin agjitatorë dhe feja e tyre, ndonëse e çuditshme dhe disa herë fyese nga pikëpamja pagane, nuk përbënte ndonjë kërcënim real për perandorinë.»
17. (a) Përkrahës të cilës qeveri ishin të krishterët e hershëm? (b) Si i kanë zbatuar fjalët e Isaisë 2:4 në jetën e tyre ithtarët e vërtetë të Krishtit?
17 Ashtu si patriarkët Abraham, Isak dhe Jakob ushtruan besim në premtimin për ‘qytetin e bërë nga Perëndia’, edhe të krishterët e hershëm ishin përkrahës të Mbretërisë së Perëndisë. (Hebrenjve 11:8-10) Sikurse Zotëria i tyre, dishepujt e Jezuit ‘nuk ishin pjesë e botës’. (Gjoni 17:14-16) E për sa u përket luftërave dhe konflikteve njerëzore, e përkrahnin paqen duke ‘i farkëtuar shpatat për t’i kthyer në plugje’. (Isaia 2:4) Duke vënë re një ngjashmëri interesante, profesori i historisë së kishës Xhefri F. Nutoll komentoi: «Edhe pse e kemi të vështirë ta pranojmë, qëndrimi i të krishterëve të hershëm ndaj luftës ngjante shumë me qëndrimin e njerëzve që e quajnë veten Dëshmitarë të Jehovait.»
18. Përse asnjë qeveri s’ka arsye të ketë frikë nga Dëshmitarët e Jehovait?
18 Si individë asnjanës, të cilët i nënshtroheshin «autoriteteve më të larta», të krishterët e hershëm nuk përbënin asnjë kërcënim për ndonjë fuqi politike dhe as Dëshmitarët e Jehovait nuk përbëjnë një kërcënim. Një gazetar në Amerikën e Veriut shkroi: «Duhet një fantazi e bazuar në paragjykime dhe mosbesim që të mendosh se Dëshmitarët e Jehovait përbëjnë një kërcënim për ndonjë regjim politik. Ata janë një grup fetar joarmiqësor dhe paqedashës.» Autoritetet që janë të informuara mirë e dinë se s’kanë përse të kenë frikë nga Dëshmitarët e Jehovait.
19. Ç’mund të thuhet për të krishterët e hershëm dhe për Dëshmitarët e Jehovait, për sa u përket taksave?
19 Një mënyrë në të cilën të krishterët e hershëm treguan respekt për ‘autoritetet më të larta’ ishte duke paguar taksat. Duke i shkruar perandorit romak Antonio Pio (138-161 i e.s.), Justin Martiri tha se të krishterët i paguanin taksat «më me gatishmëri se gjithë të tjerët». (First Apology, kapitulli 17) Po ashtu, Tertuliani u tha sundimtarëve romakë se taksambledhësit e tyre «duhej t’u ishin mirënjohës të krishterëve», sepse këta të fundit i paguanin me ndërgjegje taksat. (Apology, kapitulli 42) Të krishterët nxirrnin dobi nga Pax Romana ose Paqja Romake, e cila siguronte rendin Marku 12:17) Sot populli i Jehovait e ndjek këtë këshillë dhe ka marrë lavdërime për ndershmërinë që tregon, si për shembull në pagimin e taksave.—Hebrenjve 13:18.
dhe ligjet, rrugë të mira për të udhëtuar dhe udhëtime pak a shumë të sigurta me anije. Duke e kuptuar borxhin që i kishin shoqërisë, ata ua vinin veshin fjalëve të Jezuit: «Paguajini Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (E vërteta—një lidhje bashkimi
20, 21. Çfarë ka qenë e vërtetë si për të krishterët e hershëm, ashtu edhe për shërbëtorët e sotëm të Jehovait për sa i përket vëllazërisë paqësore?
20 Duke qenë se ecnin në të vërtetën, të krishterët e hershëm ishin të lidhur së bashku në një vëllazëri paqësore, siç janë Dëshmitarët e Jehovait sot. (Veprat 10:34, 35) Një letër e botuar në gazetën The Moscow Times thoshte: «[Dëshmitarët e Jehovait janë] shumë të njohur si njerëz miqësorë, të përzemërt e të butë, me të cilët e ke shumë të lehtë të shkosh mirë, pasi nuk u bëjnë asnjëherë presion njerëzve të tjerë dhe gjithnjë kërkojnë paqen në marrëdhëniet me të tjerët . . . Mes tyre nuk ka nga ata që marrin ryshfete, që dehen ose që marrin drogë. Arsyeja për këtë është shumë e thjeshtë: në çdo gjë që bëjnë ose që thonë ata përpiqen thjesht të udhëhiqen nga bindjet e tyre të bazuara në Bibël. Sikur të gjithë njerëzit në botë të bënin të paktën përpjekje që të jetonin sipas Biblës ashtu si bëjnë Dëshmitarët e Jehovait, bota jonë mizore do të ishte krejtësisht ndryshe.»
21 Një enciklopedi, Encyclopedia of Early Christianity, thotë: «Kisha e hershme e shihte veten si një shoqëri e re njerëzore në të cilën hebrenjtë dhe johebrenjtë, grupe që më parë kishin qenë armiqësore, mund të jetonin së bashku në paqe.» Edhe Dëshmitarët e Jehovait përbëjnë një vëllazëri ndërkombëtare paqedashëse, vërtet një shoqëri të re botërore. (Efesianëve 2:11-18; 1 Pjetrit 5:9; 2 Pjetrit 3:13) Kur shefi i sigurisë në Sheshin e Panaireve të Pretorias në Afrikën e Jugut pa se si Dëshmitarë të të gjitha racave u mblodhën aty së bashku si delegatë në një kongres, tha: «Respekti që treguan e që tregojnë, mirësjellja me të cilën i flasin njëri-tjetrit, qëndrimi që shfaqën në këto ditë që kaluan—të gjitha këto dëshmojnë për nivelin e lartë moral të anëtarëve të shoqatës suaj dhe se të gjithë jetojnë së bashku si një familje e lumtur.»
Të bekuar sepse u mësojnë të tjerëve të vërtetën
22. Çfarë po ndodh për shkak se të krishterët e kanë shfaqur të vërtetën?
22 Pavli dhe të krishterët e tjerë e ‘shfaqnin të vërtetën’ me sjelljen dhe me veprën e tyre të predikimit. (2 Korintasve 4:2) A nuk jeni të mendimit se Dëshmitarët e Jehovait po bëjnë të njëjtën gjë dhe po u mësojnë të gjitha kombeve të vërtetën? Njerëz rreth e qark tokës po përqafojnë adhurimin e vërtetë dhe po vërshojnë në ‘malin e shtëpisë së Zotit’ në një numër gjithnjë e më të madh. (Isaia 2:2, 3) Çdo vit, mijëra veta pagëzohen duke simbolizuar kushtimin e tyre ndaj Perëndisë dhe kjo bën që të formohen shumë kongregacione të reja.
23. Ç’pikëpamje keni për ata që po u mësojnë të gjitha kombeve të vërtetën?
23 Edhe pse kanë formime të ndryshme, shërbëtorët e Jehovait janë të bashkuar në adhurimin e vërtetë. Dashuria që shfaqin i identifikon si dishepuj të Jezuit. (Gjoni 13:35) A e dalloni se ‘Perëndia është vërtet mes tyre’? (1 Korintasve 14:25) A jeni radhitur në anën e atyre që po u mësojnë të gjitha kombeve të vërtetën? Në qoftë se po, tregofshi vazhdimisht çmueshmëri për të vërtetën dhe qofshi të privilegjuar të ecni përgjithmonë në të!
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë ngjashmërish ka midis të krishterëve të hershëm dhe Dëshmitarëve të Jehovait për sa i përket mënyrës së adhurimit?
• Cili është i vetmi kremtim fetar i mbajtur nga ata që ecin në të vërtetën?
• Kush janë ‘autoritetet më të larta’ dhe ç’pikëpamje kanë të krishterët për këto autoritete?
• Në ç’mënyrë e vërteta është një lidhje bashkimi?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 21]
Mbledhjet e krishtere kanë qenë gjithnjë një bekim për ata që ecin në të vërtetën
[Figurat në faqen 23]
Jezui i urdhëroi ithtarët që të kremtonin Përkujtimin e vdekjes së tij flijuese
[Figura në faqen 24]
Sikurse të krishterët e hershëm, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë respekt për ‘autoritetet më të larta’