Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E moshuar dhe e ngopur me vite

E moshuar dhe e ngopur me vite

Jetëshkrim

E moshuar dhe e ngopur me vite

TREGUAR NGA MJURIËL SMITH

Një trokitje e fortë shkundi portën. Sapo isha kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë pas mëngjesit të zënë në veprën e predikimit. Siç e kisha zakon, po zieja ujë për një filxhan çaj dhe po përgatitesha që të shtrihesha për të pushuar gjysmë ore. Trokitja vazhdoi me shumë ngulm dhe ndërsa ecja drejt derës, pyesja veten se kush po më vizitonte në këtë orë. Shpejt e zbulova. Dy burrat në prag të portës u prezantuan si policë. Ata thanë se kishin ardhur për të kontrolluar shtëpinë për literaturë të prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait​—një organizatë e ndaluar.

Pse ishin nën ndalim Dëshmitarët e Jehovait në Australi dhe si u bëra një prej tyre? Gjithçka nisi me një dhuratë nga mamaja në vitin 1910, kur isha në moshën dhjetë vjeç.

FAMILJA ime jetonte në shtëpizë prej druri në rrethinën Krouz-Nest të Sidneit Verior. Një ditë kur po kthehesha nga shkolla, gjeta mamanë që po fliste me një burrë te porta. Isha kureshtare të dija se kush ishte ky burrë i çuditshëm, i cili kishte veshur kostum dhe mbante një çantë plot me libra. Kërkova ndjesë me ndrojtje dhe hyra në shtëpi. Por, vetëm pesë minuta më vonë, më thirri mamaja. Ajo tha: «Ky burri ka disa libra të bukur dhe flasin të gjithë rreth Biblës. Tani, meqë së shpejti do të kesh ditëlindjen, mund të zgjedhësh ose një fustan të ri ose këta libra. Çfarë të pëlqen?

​—Oh mami, faleminderit, do të marr librat,​—u përgjigja.

Kështu, në moshën dhjetë vjeçare kisha tri vëllimet e para të librit Studime mbi Shkrimet, të Çarlz Tejz Rasëllit. Burri te porta i shpjegoi mamasë se ajo duhej të më ndihmonte që t’i kuptoja librat, pasi ndoshta do të ishin tepër të vështirë për mua. Mamaja tha se do ta bënte këtë me kënaqësi. Në mënyrë të trishtueshme, shpejt pas kësaj ngjarjeje, mamaja vdiq. Babai u kujdes shumë për vëllanë tim, motrën time dhe për mua, por tani kisha për të mbajtur më shumë përgjegjësi dhe këto sikur më mbytën. Megjithatë, shpejt do të ndodhte një tragjedi tjetër.

Lufta e Parë Botërore shpërtheu më 1914 dhe vetëm një vit më vonë babai ynë i dashur u vra. Tashmë të mbetur jetim, vëllanë dhe motrën i dërguan që të jetonin me farefisin, ndërsa mua më dërguan në një kolegj katolik me konvikt. Ndonjëherë vuaja nga vetmia. Sidoqoftë, jam mirënjohëse për mundësinë që m’u dha që të realizoja ëndrrën time për muzikën, veçanërisht për pianon. Vitet kaluan dhe u diplomova në kolegj. Në vitin 1919, u martova me Roi Smithin, shitës veglash muzikore. Në vitin 1920, na lindi një fëmijë dhe sërish isha e zënë me hallet e përditshme të jetës. Por ç’ndodhi me ato libra?

Një fqinjë ndan me mua të vërtetën frymore

Gjatë gjithë atyre viteve, i kisha me vete «librat e Biblës». Edhe pse në të vërtetë nuk i kisha lexuar kurrë, brenda meje e dija se mesazhi që ato përmbanin ishte i rëndësishëm. Kështu një ditë, në fund të viteve 20, erdhi për vizitë Lili Bimsoni, fqinja jonë. Shkuam në dhomën e ndenjes, u ulëm dhe po pinim çaj.

​—Oh, ti i paske këta libra!​—thirri ajo papritur.

​—Çfarë librash?​—pyeta e çuditur.

Ajo u drejtua nga Studime mbi Shkrimet të vendosur në bibliotekë. Atë ditë Lili m’i kërkoi hua dhe i mori në shtëpi e i lexoi me etje. Ngazëllimi i saj për atë që lexoi u bë shpejt shumë i dukshëm. Lili mori më shumë literaturë nga Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Për më tepër, ajo nuk mund të përmbahej që të na thoshte gjërat që po mësonte. Një nga librat që mori ishte Harpa e Perëndisë dhe shpejt ai përfundoi në shtëpinë tonë. Së fundi, karriera ime në shërbimin e Jehovait filloi kur lashë kohë mënjanë për të lexuar këtë botim të bazuar në Bibël. Më në fund gjeta përgjigjen e pyetjeve themelore të cilave kisha ime nuk kishte qenë në gjendje të m’i jepte.

Lumturisht, Roi i kushtoi vëmendje të veçantë mesazhit të Biblës dhe që të dy u bëmë studiues të etur të saj. Më parë, Roi kishte qenë anëtar i organizatës së masonerisë. Tashmë familja jonë ishte e bashkuar në adhurimin e vërtetë dhe dy herë në javë një vëlla drejtonte studimin biblik me të gjithë familjen. Morëm më shumë nxitje kur filluam të ndiqnim mbledhjet që mbaheshin nga Studentët e Biblës. Vendi ku mbaheshin mbledhjet në Sidnei ishte një sallë e vogël me qira në rrethinën e Njutaunit. Në atë kohë kishte më pak se 400 Dëshmitarë në krejt vendin, kështu që për shumicën e vëllezërve ndjekja e mbledhjeve nënkuptonte udhëtim mjaft të gjatë.

Për familjen tonë, ndjekja e mbledhjeve do të thoshte të kalonim rregullisht Limanin e Sidneit. Përpara se të ndërtohej Ura e Limanit të Sidneit në vitin 1932, çdo kalim duhej bërë me traget. Megjithë kohën dhe koston e këtij udhëtimi, u përpoqëm të mos humbitnim asnjë nga vaktet frymore që na siguronte Jehovai. Përpjekjet për të qëndruar të fortë në të vërtetën ia vlejtën pasi po ziente Lufta e Dytë Botërore dhe çështja e asnjanësisë do të ndikonte drejtpërdrejt në familjen tonë.

Kohë sprovash dhe bekimesh

Fillimet e viteve 30 qenë kohë emocionuese për mua dhe familjen time. U pagëzova më 1930 dhe më 1931 isha e pranishme në atë kongres të paharrueshëm kur të gjithë u ngritëm në këmbë dhe njëzëri pranuam emrin e bukur, Dëshmitarët e Jehovait. Roi dhe unë u përpoqëm të jetonim në lartësinë e këtij emri duke marrë pjesë në të gjitha llojet e predikimit dhe në fushatat për të cilat na nxiste organizata. Për shembull, më 1932 u angazhuam në një fushatë të veçantë me fletushka, e cila u përgatit për të arritur masën e madhe të njerëzve që erdhën për të parë inaugurimin e Urës së Limanit të Sidneit. Ngjarje e veçantë për ne qe përdorimi i makinave me altoparlant dhe patëm privilegjin që të pajisnim makinën tonë familjare me altoparlant. Me këtë teknologji, mbushëm rrugët e Sidneit me fjalime biblike të regjistruara të vëlla Radhërfordit.

Megjithatë, kohët po ndryshonin përsëri dhe po bëheshin gjithnjë e më të vështira. Rreth vitit 1932 Kriza e Madhe ndikoi rëndë mbi Australinë, ndaj për këtë arsye Roi dhe unë vendosëm ta bënim jetën më të thjeshtë. Për ta arritur këtë u transferuam më pranë kongregacionit e në këtë mënyrë pakësuam ndjeshëm koston e udhëtimeve. Sidoqoftë, presionet ekonomike dukeshin të parëndësishme kur tmerri i Luftës II Botërore pushtoi rruzullin.

Duke qenë se po i bindeshin urdhrit të Jezuit për të mos qenë pjesë e botës, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën u bënë shënjestër e përndjekjeve dhe Australia nuk bëri përjashtim. Të acaruar nga histeria e luftës, disa na vunë etiketën si komunistë. Duke gënjyer këta kundërshtarë thanë se Dëshmitarët e Jehovait po përdornin katër stacionet radiofonike që ata zotëronin në Australi për t’i dërguar mesazhe ushtrisë japoneze.

Vëllezërit e rinj në moshë, të cilët u thirrën për shërbimin ushtarak, hasën shumë presione për të bërë kompromis. Jam e lumtur të them se të tre djemtë tanë morëm qëndrim për bindjet e tyre dhe mbetën asnjanës. Djali më i madh, Riçardi, u dënua me 18 muaj burg. I dyti, Kevini, mundi të regjistrohej si kundërshtar për arsye ndërgjegjeje. Megjithatë, në mënyrë të trishtueshme më i vogli, Stjuarti, vdiq në një aksident me motor, kur po shkonte për t’u paraqitur në gjykatë në lidhje me çështjen e asnjanësisë. Kjo tragjedi qe vërtet stresuese. Por, duke u mbajtur të përqendruar te Mbretëria dhe te premtimi i Jehovait për ringjalljen u ndihmuam që ta përballonim.

Ata nuk gjetën gjënë më të çmuar

Në janar të vitit 1941, Dëshmitarët e Jehovait në Australi u vunë nën ndalim. Por ashtu siç bënë apostujt e Jezuit, edhe Roi e unë iu bindëm Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve dhe për dy vjet e gjysmë vazhduam të punonim në fshehtësi. Pikërisht gjatë kësaj kohe dy policët pa uniformë, të cilët i përmenda në fillim, trokitën te porta. Çfarë ndodhi?

I ftova brenda. Kur u futën në shtëpi, i pyeta: «A ju vjen keq sa të mbaroj filxhanin me çaj para se të kontrolloni shtëpinë?» Për çudi, pranuan dhe unë shkova në kuzhinë që t’i lutesha Jehovait e të kthjelloja mendimet. Kur u ktheva, njëri nga policët hyri në vendin e studimit dhe mori gjithçka që mundi të shihte me shenjën Watchtower, përfshirë literaturën që kisha në çantën e shërbimit dhe Biblën time.

​—A je e sigurt se nuk ke ndonjë literaturë tjetër të fshehur në kuti kartoni?​—pyeti pastaj ai.​—Kemi informata se ti ndjek një mbledhje çdo javë te një sallë në fund të kësaj rruge dhe se merr shumë literaturë atje.

​—Kjo është e vërtetë,​—u përgjigja,​—por tani nuk gjendet atje.

​—Po, e dimë këtë, zonja Smith,​—tha ai. ​—Dimë edhe që literatura ruhet në shtëpitë e njerëzve rrotull zonës.

Në dhomën ku flinte djali, gjetën pesë kuti kartoni me kopje të fletushkës Freedom or Romanism.

​—A je e sigurt se nuk ke asgjë tjetër në garazh?​—pyeti ai.

​—Jo, s’ka asgjë atje,​—thashë.

Pastaj ai hapi një dollap në dhomën e ngrënies. Gjeti formularë bosh, të cilët përdoreshin për të plotësuar raportin e kongregacionit. I mori dhe pastaj nguli këmbë që të shihte në garazh.

​—Ejani këtej atëherë!​—u thashë.

Ata më ndoqën jashtë për te garazhi dhe pasi e kontrolluan, më në fund u larguan.

E pra, ata policë menduan se ato pesë kuti kartoni ishin me shumë vlerë. Por, ata lanë gjënë më të çmuar. Në atë kohë unë shërbeja si sekretare e kongregacionit dhe në shtëpi kisha listën e lajmëtarëve të kongregacionit e informata të tjera të rëndësishme. Lumturisht, vëllezërit na kishin paralajmëruar që të ishim të përgatitur për kontrolle të tilla dhe unë i kisha fshehur me kujdes këto dokumente. I kisha futur në zarfe dhe i kisha vënë në fund të kutive të çajit, të sheqerit dhe të miellit. Kisha ruajtur disa edhe në kafazin që ishte pranë garazhit. Kështu policët kishin kaluar pikërisht pranë informatave të sakta që ata donin.

Filloj shërbimin e plotkohor

Rreth vitit 1947, djemtë kishin krijuar familje. Në këtë periudhë, Roi dhe unë vendosëm se ishte brenda mundësive tona të fillonim shërbimin e plotkohor. Kishte nevojë në Australinë Jugore, kështu që shitëm shtëpinë dhe blemë një rulotë ose dhomë rimorkio së cilës i vumë emrin Mizpah, që do të thotë «Kulla e Rojës». Kjo mënyrë jetese na lejoi që të predikonim në zona të largëta. Shpesh, punonim në territor të pacaktuar në fshatra. Kam shumë kujtime të dashura për atë kohë. Një prej studimeve që drejtova ishte një grua e re që quhej Bevërli. Përpara se të përparonte drejt pagëzimit, ajo u largua nga zona. Përfytyroni gëzimin tim kur disa vite më vonë në një kongres m’u afrua një motër dhe më tha se ishte Bevërli! Sa lumturi ndjeva që pas aq vitesh ta shihja duke i shërbyer Jehovait bashkë me burrin dhe fëmijët e saj.

Më 1979, pata privilegjin të ndiqja Shkollën e Shërbimit për Pionierë. Midis gjërave që u theksuan në atë shkollë, ishte se për të qëndruar në shërbimin e pionierit duhej të kishim një rutinë të mirë të studimit personal. Zbulova se me të vërtetë është ashtu. Studimi, mbledhjet dhe shërbimi kanë qenë e gjithë jeta ime. E quaj një privilegj që kam shërbyer si pioniere e rregullt për më shumë se 50 vjet.

U bëj ballë problemeve të shëndetit

Megjithatë në dhjetëvjeçarët e fundit më janë paraqitur disa sfida të veçanta. Më 1962, u diagnostikova me glaukomë. Në atë kohë, trajtimi mjekësor në dispozicion ishte deri diku i kufizuar dhe shikimi m’u keqësua shumë shpejt. Edhe Roi ra nga shëndeti dhe më 1983 i ra hemorragji e rëndë cerebrale që e la pjesërisht të paralizuar dhe të paaftë për të folur. Vdiq më 1986. Ai më kishte dhënë shumë mbështetje praktike gjatë shërbimit tim të plotkohor dhe me të vërtetë më mungon.

Megjithë këto disfata, u përpoqa të mbaja një rutinë të mirë frymore. Bleva një makinë të fortë, të përshtatshme për shërbimin në fushë në zonën tonë gjysmë fshatare dhe vazhdova si pioniere me ndihmën e vajzës sime Xhois. Pak nga pak shikimi m’u keqësua derisa e humba atë plotësisht në njërin sy. Doktorët ma zëvendësuan syrin me sy prej xhami. Prapëseprapë, me ndihmën e një xhami zmadhues dhe të literaturës me shkronja të mëdha, mund të studioja tri deri në pesë orë në ditë me anë të shikimit të pakët që më kishte mbetur në njërin sy.

Koha e studimit ka qenë gjithmonë shumë e çmuar për mua. Prandaj mund ta përfytyroni se sa tronditje e madhe qe kur, ndërsa po studioja një pasdite, krejt papritur nuk munda të shihja më asgjë. Ishte sikur dikush më fiku dritën. Tani shikimi më kishte ikur përfundimisht. Si kam vazhduar të studioj? Edhe pse tani jam pothuajse e shurdhër, mbahem e fortë frymësisht me anë të audiokasetave dhe të përkrahjes së dashur të familjes sime.

Duke qëndruar deri në fund

Tani, meqenëse jam njëqindvjeçare, kam edhe probleme të tjera me shëndetin dhe më është dashur ta ngadalësoj ndjeshëm ritmin. Ndonjëherë ndihem pak e çorientuar. Në të vërtetë, tani që nuk mund të shoh fare, nganjëherë jam e çorientuar, sepse nuk gjej dot rrugën! Do të doja të kisha përsëri disa studime biblike, por me shëndetin që kam nuk mundem më të dal e t’i gjej. Fillimisht, kjo gjë më dëshpëroi. M’u desh që të mësoja të pranoja kufizimet e mia dhe të kënaqesha duke bërë aq sa kisha mundësi. Nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, çfarë privilegji është që çdo muaj, mund të raportoj atë pak kohë që kam kaluar duke folur për Perëndinë tonë të madh, Jehovain. Kur më jepen rastet për të folur rreth Biblës, si për shembull kur vijnë në shtëpi infermieret, tregtarët dhe të tjerë, përfitoj për t’u folur, natyrisht me takt.

Një prej bekimeve më shpërblyese është të shoh katër breza të familjes sime që i shërbejnë me besnikëri Jehovait. Disa prej tyre kanë synuar që të shërbejnë si pionierë në vendet ku nevoja është e madhe, si pleq ose si shërbëtorë ndihmës, si edhe në Bethel. Sigurisht, që ashtu si shumë të tjerë të brezit tim, mendoja se fundi i këtij sistemi do të kishte ardhur shumë kohë më parë. Por çfarë rritjeje kam parë gjatë shtatëdhjetë vjetëve në shërbim! Ndiej shumë kënaqësi që kam marrë pjesë në diçka kaq madhështore.

Infermieret që më vizitojnë thonë se duhet të jetë besimi ai që vazhdon të më mbajë gjallë. Jam në një mendje me to. Të qenët aktiv në shërbimin e Jehovait bën të mundur pasjen e jetës më të lumtur. Ashtu si mbreti David, mund të them me të vërtetë se jam e moshuar dhe e ngopur me vite.​—1 Kronikave 29:28.

(Motra Mjuriël Smith vdiq më 1 prill 2002, ndërsa po përfundohej ky artikull. Edhe një muaj do të mbushte 102 vjeç, ajo ishte vërtet shembullore në besim dhe në qëndrueshmëri.)

[Figurat në faqen 24]

Kur isha rreth 5 vjeçe dhe në moshën 19 vjeçe kur u njoha me burrin tim, Roin

[Figura në faqen 26]

Makina jonë dhe rulota, së cilës i vumë emrin Mizpah

[Figura në faqen 27]

Me burrin, Roin, më 1971