Joga: A është thjesht një tërësi ushtrimesh fizike apo diçka më shumë?
Joga: A është thjesht një tërësi ushtrimesh fizike apo diçka më shumë?
SOT njerëzit shqetësohen shumë që të kenë një trup të hollë dhe të shëndetshëm. Kjo ka bërë që shumë veta t’u drejtohen për ndihmë palestrave dhe qendrave sportive. Për të njëjtën arsye, mijëra njerëz në vendet perëndimore i janë drejtuar artit lindor të jogës.
Edhe njerëzit që vuajnë nga stresi, depresioni dhe ankthi i janë drejtuar jogës për ngushëllim dhe zgjidhje. Veçanërisht që nga vitet 60 të shekullit të 20-të—dhjetëvjeçari i grupeve hipí dhe i «bijve të luleve»—është treguar interesim për fetë e Lindjes dhe praktikat e tyre mistike janë përhapur anembanë Perëndimit. Meditimin transhendental, një degëzim të afërt me jogën, e kanë bërë të njohur yjet e kinemasë dhe muzikantët e rrokut. Duke parë që interesi për jogën është rritur, mund të pyesim: ‘A është joga vetëm një rutinë ushtrimesh që e ndihmojnë praktikuesin të ketë një trup të hollë e të shëndetshëm dhe njëfarë paqeje mendore? A mund të praktikohet ajo pa pasur ndonjë ngjyrim fetar? A është e përshtatshme për të krishterët?’
Historia e jogës
Fjala origjinale për ‘joga’ në gjuhën sanskritishte mund të ketë kuptimin bashkoj a vë bashkë nën një zgjedhë ose sjell nën një zgjedhë, mbreh ose mbaj nën kontroll. Për një hinduist, joga është një teknikë ose një disiplinë që e çon atë në bashkimin me një forcë ose frymë të madhe të mbinatyrshme. Ajo është përshkruar si «vënia nën një zgjedhë me Perëndinë e të gjitha forcave të trupit, të mendjes dhe të shpirtit».
Sa e vjetër është joga? Pamje me njerëz të ulur në pozicione të ndryshme joge, shihen në vulat e gjetura në luginën e Indit, në Pakistanin e sotëm. Qytetërimi i luginës së Indit datohet nga arkeologët midis mijëvjeçarit të tretë dhe të dytë p.e.s., shumë afër periudhës së kulturës së Mesopotamisë. Punimet e gjetura në këto dy zona paraqesin një njeri, i cili përfaqëson një hyjni dhe Zanafilla 10:8, 9) Hinduistët pohojnë se figurat që paraqiten të ulura në pozicione joge, tregojnë perëndinë Siva, zotëri të kafshëve dhe zotëri të jogës, i cili shpesh adhurohet me anë të lingamit, një simbol i organit mashkullor. Prandaj, libri Hindu World (Bota hinduiste) e quan jogën «një kod praktikash asketike, kryesisht me prejardhje paraariane, i cili përmban relike të shumë koncepteve dhe riteve primitive».
ka një kurorë me brirë kafshësh e është i rrethuar nga kafshë, gjëra që të sjellin në mendje Nimrodin, ‘gjahtarin e fuqishëm’. (Në fillim metodat e jogës u përcollën gojarisht. Pastaj u hodhën në formë të shkruar me hollësi nga filozofi indian i jogës Patanxhali. Këto njihen si Joga Sutra, i cili mbetet libri kryesor i jogës me udhëzimeve. Sipas Patanxhalit, joga është «një përpjekje metodike për të arritur përsosmërinë, duke mbajtur nën kontroll elementë të ndryshëm të natyrës njerëzore, si ato fizike ashtu edhe psikike». Që nga fillimet e saj e deri në kohën e sotme, joga ka qenë pjesë përbërëse e feve të Lindjes, tani veçanërisht e hinduizmit, e jainizmit dhe e budizmit. Disa praktikues të jogës besojnë se ajo do t’i bëjë që të arrijnë mokshan ose çlirimin, duke u bërë një me një frymë që të pushton plotësisht.
Kështu, le të bëjmë edhe një herë pyetjen: ‘A mund të praktikohet joga thjesht si një ushtrim fizik që shërben për të pasur trup të shëndetshëm dhe mendje të qetë, por pa u përfshirë në të feja?’ Nisur nga historia e jogës, përgjigjja duhet të jetë jo.
Çfarë qëllimi ka joga?
Qëllimi i jogës si disiplinë, është që ta çojë individin drejt përvojës frymore të «vënies nën një zgjedhë» ose të bërjes njësh me një frymë mbinjerëzore. Por cila do të ishte kjo frymë?
Në librin Hindu World (Bota hinduiste), autori Benxhamin Uollker thotë për jogën: «Ajo mund të ketë qenë një sistem i hershëm i ritualeve magjike dhe vazhdon të përmbajë ende në domethënien e saj një ngjyrim okultizmi dhe shtrigërie.» Filozofët hinduistë pranojnë se praktika e jogës mund të japë fuqi të mbinatyrshme, megjithëse ata zakonisht pohojnë se kjo gjë nuk është qëllimi përfundimtar i jogës. Për shembull, ish-presidenti i Indisë, dr. S. Radhakrishnani, në librin Indian Philosophy (Filozofia indiane) thotë për praktikuesin e jogës se «duke e mbajtur nën kontroll trupin me anë të pozicioneve, si rrjedhim, mund të shpërfillë caqet e të nxehtit dhe të të ftohtit. . . . Praktikuesi i jogës mund të shohë dhe të dëgjojë në largësi . . . Përcjellja e mendimit nga një individ te tjetri pa ndërhyrjen e funksioneve normale të komunikimit është plotësisht e mundur. . . . Praktikuesi i jogës mund ta bëjë trupin e tij të padukshëm».
Për disa, kur shohin një praktikues të jogës, i cili fle mbi majat e gozhdëve ose që ecën mbi qymyr të ndezur, mund të duket se është një mashtrim dhe për të tjerë një shaka. Por këto janë ngjarje të zakonshme në Indi, ashtu siç është edhe qëndrimi me një këmbë duke parë ngultas diellin për orë të tëra. Tjetër veprim është edhe mbajtja nën kontroll e frymëmarrjes, e cila e lejon një individ që të qëndrojë i zhytur në rërë për periudha të gjata kohe. Në qershor të vitit 1995, në gazetën The Times of India raportohej se një vajzë 3 vjeç e gjysmë dergjej si në hipnozë, kur u lejua të kalonte mbi barkun e saj një makinë që peshonte më shumë se 750 kg. Për habinë e turmës, kur u zgjua nuk ishte dëmtuar fare. Në raport shtohej: «Ajo ishte fuqi e mirëfilltë joge.»
Pa dyshim, asnjë njeri normal nuk është i aftë të kryejë ndonjë nga këto gjëra. Prandaj, një i krishterë duhet t’i bëjë pyetje vetes: Çfarë tregojnë këto vepra? A vijnë nga Perëndia Jehova «Shumë i Larti mbi gjithë dheun» apo vijnë nga ndonjë burim tjetër? (Psalmi 83:18) Bibla është e qartë në këtë pikë. Kur izraelitët ishin gati të hynin në Tokën e Premtuar, e cila ishte e pushtuar nga kananejtë, Jehovai u tha bijve të Izraelit nëpërmjet Moisiut: «Nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve.» Pas cilave ‘vepra të neveritshme’? Moisiu paralajmëroi kundër ‘ndonjërit që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji’. (Ligji i përtërirë 18:9, 10) Këto gjëra janë të neveritshme për Perëndinë, sepse ato janë vepra të demonëve dhe të mishit mëkatar.—Galatasve 5:19-21.
Nuk është e përshtatshme për të krishterët
Çfarëdo gjëje që mund të thonë instruktorët e fizkulturës, në kundërshtim me atë që u tha më lart, është e qartë se joga nuk është thjesht tërësi ushtrimesh fizike. Libri Hindu Manners, Customs and Ceremonies (Sjelljet, zakonet dhe ceremonitë hinduiste) rrëfen përvojat e dy praktikuesve fillestarë të jogës, të cilët udhëhiqeshin nga një guru. Njëri citohet të ketë thënë: «Bëra përpjekje mbinjerëzore për ta mbajtur frymën sa më shumë që të mundja dhe mora frymë vetëm kur po më binte të fikët. . . . Një ditë, në mesditë, m’u duk sikur pashë një hënë të shndritshme që dukej sikur lëvizte dhe lëkundej sa andej-këtej. Një herë tjetër, në mes të ditës, m’u duk sikur isha i rrethuar nga errësira e dendur. Udhëheqësi im . . . ishte shumë i kënaqur kur ia përmenda këto vegime. . . . Ai më siguroi që, meqenëse po e mundoja veten, shumë shpejt do të kisha arritje edhe më befasuese.» Burri tjetër tregon: «Ai më detyronte të shikoja ngultas qiellin çdo ditë pa lëvizur qepallat ose pa ndryshuar pozicion. . . . Ndonjëherë më dukej sikur shihja shkëndija zjarri në ajër; herë të tjera më dukej sikur shihja rruzuj të zjarrtë dhe meteorë të ndryshëm. Mësuesi im ishte shumë i kënaqur me suksesin e përpjekjeve të mia.»
Pamjet e çuditshme ishin me sa duket ato që gurutë i mendonin si arritje të përshtatshme përgjatë udhës drejt synimit të vërtetë të ushtrimeve të jogës. Po, synimi përfundimtar i jogës është moksha, e shpjeguar si bërja njësh me ndonjë frymë të madhe abstrakte. Përshkruhet si «ndalja (e qëllimshme) e veprimtarisë së vetvetishme të mendjes». Kjo është në mënyrë të qartë kundër synimit që kanë të krishterët, të cilëve u jepet paralajmërimi: «Paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar. Dhe mjaft u formuat sipas këtij sistemi, por transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.»—Romakëve 12:1, 2.
Çdo individ zgjedh vetë se çfarë ushtrimi fizik dëshiron të bëjë. Megjithatë, të krishterët nuk do të lejonin asgjë: qoftë stërvitjen e trupit, ngrënien, pirjen, veshjen, argëtimin ose ndonjë gjë tjetër, që të prishte marrëdhënien e tyre me Perëndinë Jehova. (1 Korintasve 10:31) Për ata që bëjnë ushtrime thjesht për arsye shëndeti, ka shumë mënyra në dispozicion, të cilat nuk janë nën ndikimin e rreziqeve të spiritizmit dhe të okultizmit. Duke u mbajtur të pastër nga praktikat dhe besimet që janë të rrënjosura në fenë e rreme, mund të presim me padurim bekimin e Perëndisë për një sistem të ri e të drejtë ku mund të gëzojmë shëndet të përsosur në trup dhe në mendje, për tërë përjetësinë.—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
[Figurat në faqen 22]
Shumë njerëz kënaqen me veprimtari të shëndetshme që nuk janë nën ndikimin e spiritizmit