Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të nxitur nga «gjërat madhështore të Perëndisë»

Të nxitur nga «gjërat madhështore të Perëndisë»

Të nxitur nga «gjërat madhështore të Perëndisë»

«Ne i dëgjojmë të flasin në gjuhët tona për gjërat madhështore të Perëndisë.»​—VEPRAT 2:11.

1, 2. Ç’gjë mahnitëse ndodhi në Jerusalem në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?

NJË mëngjes pranvere në vitin 33 të e.s., diçka mahnitëse ndodhi me një grup burrash e grash, dishepuj të Jezu Krishtit që ishin mbledhur në një shtëpi në Jerusalem. «Befas nga qielli u bë një zhurmë si ajo e një ere të fortë që fryn furishëm dhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur ata. E atyre iu bënë të dukshme gjuhë si prej zjarri . . . dhe të gjithë ata u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme.»​—Veprat 2:2-4, 15.

2 Një turmë e madhe u mblodh para shtëpisë. Mes tyre kishte judenj të lindur në vende të huaja, «njerëz plot nderim për Perëndinë» që kishin ardhur në Jerusalem për të kremtuar Festën e Ditës së Pesëdhjetë. Ata u befasuan, sepse gjithsecili i dëgjonte dishepujt të flitnin në gjuhën e vet «për gjërat madhështore të Perëndisë». Si ishte e mundur kjo, duke qenë se ata që flitnin ishin të gjithë galileas?​—Veprat 2:5-8, 11.

3. Cilin mesazh i shpalli apostulli Pjetër turmës në Festën e Ditës së Pesëdhjetë?

3 Një nga këta galileas ishte apostulli Pjetër. Ai shpjegoi se disa javë më parë, Jezu Krishti ishte vrarë nga njerëz të padrejtë. Megjithatë, Perëndia e kishte sjellë përsëri në jetë Birin e tij. Pas kësaj, Jezui u ishte shfaqur shumë dishepujve të tij, duke përfshirë Pjetrin dhe të tjerë që ishin të pranishëm aty. Vetëm dhjetë ditë më parë Jezui ishte ngritur në qiell. E kishte derdhur ai frymën e shenjtë mbi dishepujt. A kishte ndonjë rëndësi kjo për ata që po kremtonin Festën e Ditës së Pesëdhjetë? Sigurisht që po. Vdekja e Jezuit u siguronte bazën që të merrnin faljen e mëkateve dhe «dhuratën falas të frymës së shenjtë», po të ushtronin besim tek ai. (Veprat 2:22-24, 32, 33, 38) Pasi dëgjuan këto ‘gjëra madhështore të Perëndisë’ si reaguan ata të pranishëm? Veç kësaj, si mund të na ndihmojë ky tregim që të përcaktojmë se çfarë shërbimi po i bëjmë Jehovait?

Të nxitur që të vepronin!

4. Cila profeci e Joelit u përmbush në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?

4 Pasi kishin marrë frymën e shenjtë, dishepujt në Jerusalem menjëherë filluan t’u jepnin të tjerëve lajmin e mirë të shpëtimit, duke filluar me turmën që ishte mbledhur atë mëngjes. Predikimi i tyre përmbushi një profeci shumë të njohur, të shkruar tetë shekuj më përpara nga Joeli, biri i Petuelit: «Unë do të përhap frymën time mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret . . . para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit.»​—Joeli 1:1; 2:28, 29, 31; Veprat 2:17, 18, 20.

5. Në cilin kuptim profetizuan të krishterët e shekullit të parë? (Shih shënimin.)

5 A donte të thoshte kjo se Perëndia do të ngrinte një brez të tërë profetësh, burra e gra, si Davidi, Joeli dhe Debora, që t’i përdorte për të parathënë ngjarje të ardhshme? Jo. ‘Bij e bija, shërbëtorë e shërbëtore’ të krishterë do të profetizonin në kuptimin që do të ndiheshin të nxitur nga fryma e Jehovait për të shpallur «gjërat madhështore» që Jehovai kishte bërë e do të bënte ende. Pra, do të shërbenin si zëdhënës të Më të Lartit. * Por, si reagoi turma?​—Hebrenjve 1:1, 2.

6. Çfarë u ndien të nxitur të bënin shumë veta nga turma, pasi dëgjuan fjalimin e Pjetrit?

6 Pasi dëgjuan shpjegimin e Pjetrit, shumë veta nga turma u ndien të nxitur që të vepronin. Ata «e përqafuan me zemër fjalën e tij» e «u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirtra». (Veprat 2:41) Duke qenë judenj të lindur dhe prozelitë judenj, ata e kishin tashmë një njohuri themelore për Shkrimet. Kjo njohuri, bashkë me besimin në atë që mësuan nga Pjetri, siguroi bazën që të pagëzoheshin «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mateu 28:19) Pasi u pagëzuan, «ata vazhduan t’i kushtoheshin mësimit të apostujve». Në të njëjtën kohë filluan t’u flitnin të tjerëve për besimin që sapo kishin gjetur. Në të vërtetë, «ditë për ditë ishin vazhdimisht të pranishëm në tempull në një mendje të vetme, . . . duke lëvduar Perëndinë e duke gjetur pëlqim te të gjithë njerëzit». Si rrjedhim i kësaj vepre të dëshmisë, «Jehovai vazhdonte të bashkonte përditë me ta ata që shpëtonin». (Veprat 2:42, 46, 47) Kongregacione të krishtere u formuan në shumë vende ku jetonin këta besimtarë të rinj. Pa dyshim që kjo rritje u detyrohej, të paktën pjesërisht, përpjekjeve të zellshme që bënë ata për të predikuar ‘lajmin e mirë’ kur u kthyen në shtëpi.​—Kolosianëve 1:23.

Fjala e Perëndisë ushtron fuqi

7. (a) Çfarë i tërheq sot në organizatën e Jehovait shumë njerëz nga të gjitha kombet? (b) Cilën mundësi për rritje të mëtejshme shihni në shkallë mbarëbotërore dhe në vendin tuaj? (Shih shënimin.)

7 Ç’të themi për ata që sot dëshirojnë të bëhen shërbëtorë të Perëndisë? Edhe ata duhet ta studiojnë me kujdes Fjalën e Perëndisë. Gjatë këtij studimi arrijnë ta njohin Jehovain si një Perëndi që është «i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri». (Eksodi 34:6; Veprat 13:48) Mësojnë për masën e dashur të shpërblesës që ka marrë Jehovai nëpërmjet Jezu Krishtit, gjaku i derdhur i të cilit mund t’i pastrojë nga çdo mëkat. (1 Gjonit 1:7) Gjithashtu, janë mirënjohës që mësojnë për qëllimin e Perëndisë që të bëjë ‘një ringjallje të të drejtëve dhe të të padrejtëve’. (Veprat 24:15) Zemra u mbushet me dashuri për Burimin e këtyre ‘gjërave madhështore’ dhe ndihen të nxitur që t’i predikojnë këto të vërteta të çmuara. Kështu bëhen shërbëtorë të kushtuar e të pagëzuar të Perëndisë dhe vazhdojnë ‘të rriten në njohurinë e saktë të Perëndisë’. *​—Kolosianëve 1:10b; 2 Korintasve 5:14.

8-10. (a) Si e tregon përvoja e një gruaje të krishterë se Fjala e Perëndisë «ushtron fuqi»? (b) Çfarë ju ka mësuar kjo përvojë për Jehovain dhe për mënyrën se si vepron me shërbëtorët e tij? (Eksodi 4:12)

8 Njohuria që marrin shërbëtorët e Perëndisë nga studimi i Biblës nuk është sipërfaqësore. Kjo njohuri i nxit në zemër, u ndryshon mënyrën e të menduarit dhe bëhet pjesë e tyre. (Hebrenjve 4:12) Për shembull, një grua me emrin Kamila u punësua që të kujdesej për të moshuarit. Një nga të moshuarit për të cilët duhej të kujdesej ishte Marta, një Dëshmitare e Jehovait. Meqë vuante nga një formë e rëndë e demencës, Marta kishte vazhdimisht nevojë për mbikëqyrje. Duhet ta kujtonin që të hante e madje edhe që ta gëlltiste ushqimin. Por kishte një gjë që Martës i ishte ngulitur thellë në mendje, siç do ta shohim.

9 Një ditë, Marta e pa Kamilën që qante e pikëlluar nga disa probleme që kishte. Ajo i hodhi duart në qafë Kamilës dhe e ftoi që të studionin Biblën bashkë. Por, në kushtet që ndodhej, a mund të drejtonte Marta një studim biblik? Po, mundej! Ndonëse kishte humbur një pjesë të mirë të kujtesës, Marta nuk e kishte harruar Perëndinë e saj madhështor e as nuk i kishte harruar të vërtetat e çmuara që kishte mësuar nga Bibla. Gjatë studimit, Marta i thoshte Kamilës që të lexonte paragrafët, të kërkonte Shkrimet që ishin cituar, të lexonte pyetjet në fund të faqes dhe pastaj të përgjigjej. Kjo vazhdoi për ca kohë dhe, me gjithë kufizimet e Martës, Kamila përparoi në njohurinë biblike. Marta e kuptonte se Kamila duhej të shoqërohej me të tjerë që ishin të interesuar për t’i shërbyer Perëndisë. Prandaj i dha studentes së saj një fustan dhe një palë këpucë, me qëllim që Kamila të kishte diçka të përshtatshme për të veshur kur të ndiqte mbledhjen e parë në Sallën e Mbretërisë.

10 Kamilës i la mbresa të thella interesimi i dashur, shembulli dhe besimi i Martës. Nxori përfundimin se ajo që Marta po përpiqej t’i mësonte nga Bibla ishte me rëndësi jetësore, pasi ajo e kishte harruar pothuajse çdo gjë, por jo atë që kishte mësuar nga Shkrimet. Më vonë, kur u transferua në një institucion tjetër, Kamila e kuptoi se ishte koha që të vepronte. Me rastin e parë që iu krijua, shkoi në Sallën e Mbretërisë, e veshur me fustanin dhe këpucët që i kishte dhënë Marta dhe kërkoi një studim biblik. Kamila bëri përparim të mirë dhe u pagëzua.

Të nxitur që të pasqyrojnë normat e Jehovait

11. Përveçse të jemi të zellshëm në veprën e predikimit, si mund të tregojmë se mesazhi i Mbretërisë na ka prekur thellë?

11 Sot ka më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait që, ashtu si Marta e tani edhe Kamila, po predikojnë në mbarë botën ‘lajmin e mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Sikurse të krishterët e shekullit të parë, edhe ata preken thellë nga «gjërat madhështore të Perëndisë». E kuptojnë se janë të privilegjuar të mbajnë emrin e Jehovait dhe se ai ka derdhur frymën e tij mbi ta. Për pasojë, bëjnë çdo përpjekje që të ‘ecin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqejnë plotësisht atij’, duke i zbatuar normat e tij në çdo fushë të jetës. Ndër të tjera, kjo përfshin të respektojnë normat e Perëndisë për mënyrën se si vishen e rregullohen.​—Kolosianëve 1:10a; Titit 2:10.

12. Cilën këshillë specifike gjejmë te 1 Timoteut 2:9, 10 për mënyrën se si vishemi dhe rregullohemi?

12 Po, Jehovai ka vënë norma për sa i përket paraqitjes sonë të jashtme. Apostulli Pavël foli për disa kërkesa të Perëndisë në këtë drejtim. «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele gërshetash dhe me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë sem nderojnë thellësisht Perëndinë, domethënë, me anë të veprave të mira.» * Çfarë mund të mësojmë nga këto fjalë?​—1 Timoteut 2:9, 10.

13. (a) Çfarë nënkuptohet me «veshje të rregullta»? (b) Pse mund të themi që normat e Jehovait janë të arsyeshme?

13 Fjalët e Pavlit tregojnë se të krishterët duhet të «stolisen me veshje të rregullta». Paraqitja e tyre e jashtme nuk duhet të jetë e shkujdesur, e hallakatur ose e çrregullt. Kushdo, duke përfshirë këtu edhe ata me të ardhura të kufizuara, mund t’i plotësojë këto norma të arsyeshme, duke u siguruar që rrobat t’i ketë të rregullta, të pastra dhe të paraqitshme. Për shembull, çdo vit për të ndjekur kongresin krahinor Dëshmitarët në një vend të Amerikës së Jugut udhëtojnë në këmbë me kilometra të tëra përmes xhunglës e më pas udhëtojnë me orë të tëra me kanoe. Ndodh që ndonjëri prej tyre bie në lumë ose i gris rrobat në ndonjë shkurre gjatë udhëtimit. Prandaj, kur kongresistët mbërrijnë në zonën ku do të mbahet kongresi, nga paraqitja e jashtme janë shpesh disi të çrregullt. Kështu që harxhojnë ca kohë për të qepur kopsat, për të rregulluar zinxhirët e rrobave dhe për të larë e për të hekurosur rrobat që do të veshin në kongres. E vlerësojnë shumë ftesën për t’u ushqyer në tryezën e Jehovait dhe duan të jenë të veshur në mënyrë të përshtatshme.

14. (a) Çfarë do të thotë të vishemi me «modesti dhe mendje të shëndoshë»? (b) Çfarë përfshin për ne të vishemi ‘si njerëz që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë’?

14 Më tej Pavli tregoi se duhet të vishemi me «modesti dhe mendje të shëndoshë». Kjo do të thotë se paraqitja jonë e jashtme nuk duhet të jetë gjëja e parë që bie në sy, nuk duhet të jetë e çuditshme, provokuese, të zbulojë pjesë të papërshtatshme të trupit ose të tregojë se jemi shumë të dhënë pas modës. Veç kësaj, duhet të vishemi në një mënyrë që tregon ‘nderim të thellë për Perëndinë’. Kjo gjë na bën të mendohemi, apo jo? Puna nuk është vetëm që të vishemi në mënyrë të përshtatshme kur ndjekim mbledhjet e kongregacionit e pastaj të jemi të shkujdesur në rastet e tjera. Paraqitja jonë e jashtme duhet të pasqyrojë gjithnjë një qëndrim plot nderim për Perëndinë, sepse jemi të krishterë dhe shërbëtorë 24 orë në ditë. Është e qartë se rrobat e punës ose të shkollës do të jenë të përshtatura me natyrën e punës që do të bëjmë. Megjithatë, duhet të vishemi me modesti dhe me dinjitet. Në qoftë se veshja jonë pasqyron gjithnjë besimin te Perëndia, do ta kemi të lehtë të japim dëshmi çdo herë që na jepet rasti, sepse nuk do të jemi në siklet për paraqitjen tonë të jashtme.​—1 Pjetrit 3:15.

‘Mos kini dashuri për botën’

15, 16. (a) Pse është e rëndësishme që të mos imitojmë botën për sa i përket mënyrës se si vishemi dhe rregullohemi? (1 Gjonit 5:19) (b) Për cilën arsye praktike duhet t’i shmangim trillet e modës për sa i përket veshjes dhe rregullimit?

15 Këshilla që gjejmë te 1 Gjonit 2:15, 16 siguron po ashtu udhëheqje për të zgjedhur se në ç’mënyrë të vishemi e të rregullohemi. Lexojmë: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të; sepse gjithçka që është në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës nuk vjen nga Ati, por nga bota.»

16 Sa e kohës që është kjo këshillë! Në një epokë kur presioni nga bashkëmoshatarët është më i fortë se kurrë, nuk duhet të lejojmë që bota të na diktojë mënyrën se si të vishemi. Mënyra se si vishen dhe rregullohen njerëzit është keqësuar shumë vitet e fundit. Madje edhe stili i veshjes i njerëzve të biznesit dhe të profesioneve të ndryshme nuk siguron gjithnjë një normë të besueshme se çfarë është e përshtatshme për të krishterët. Kjo është një arsye e mëtejshme pse duhet të jemi gjithnjë të vetëdijshëm për nevojën që të ‘mos formohemi më sipas këtij sistemi’, në qoftë se duam të jetojmë sipas normave të Perëndisë e në këtë mënyrë, ‘në çdo gjë të stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’.​—Romakëve 12:2; Titit 2:10.

17. (a) Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë kur duam të blejmë rroba ose kur zgjedhim një stil veshjeje? (b) Pse kryefamiljarët duhet të interesohen për paraqitjen e jashtme të pjesëtarëve të familjes?

17 Para se të vendosësh nëse do ta blesh ose jo një veshje, është e mençur të pyesësh veten: ‘Pse më tërheq ky stil? A është stili i rrobave që vesh ndonjë artist i njohur, ndonjë që unë e admiroj? A e kanë përdorur si stilin e tyre anëtarët e ndonjë bande ose ndonjë grup që nxit frymën e pavarur dhe rebele?’ Veç kësaj, duhet ta shohim më me hollësi veshjen. Po qe se është një fustan ose një fund, ç’gjatësi ka? Po prerja? A është veshja modeste, e përshtatshme ose dinjitoze apo të rri e ngushtë, është provokuese ose të rri shumë e gjerë? Pyet veten: ‘Në qoftë se unë vesh këtë rrobë, a do të jetë shkak pengese për disa?’ (2 Korintasve 6:3, 4) Përse duhet të na interesojë kjo? Sepse Bibla thotë: «Edhe Krishti nuk kënaqi veten.» (Romakëve 15:3) Kryefamiljarët e krishterë duhet të interesohen për paraqitjen e jashtme të familjarëve të tyre. Nga respekti për Perëndinë e lavdishëm që adhurojnë, kryefamiljarët nuk duhet të ngurrojnë të japin këshilla të prera e të dashura kur të jetë e nevojshme.​—Jakovit 3:13.

18. Çfarë na motivon që t’i kushtojmë vëmendje të kujdesshme mënyrës se si vishemi dhe rregullohemi?

18 Mesazhi që kemi vjen nga Jehovai, i cili është vetë personifikimi i dinjitetit dhe i shenjtërisë. (Isaia 6:3) Bibla na nxit që ta imitojmë «si bij të dashur». (Efesianëve 5:1) Mënyra se si vishemi e rregullohemi mund të ndikojë për mirë ose për keq në emrin e Atit tonë qiellor. Sigurisht që ne, nga ana jonë, duam t’ia gëzojmë zemrën atij!​—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.

19. Çfarë dobish vijnë duke u bërë të njohur të tjerëve «gjërat madhështore të Perëndisë»?

19 Si ndiheni për «gjërat madhështore të Perëndisë» që keni mësuar? Me të vërtetë, sa të privilegjuar jemi që kemi mësuar të vërtetën! Na janë falur mëkatet sepse ushtrojmë besim në gjakun e derdhur të Jezu Krishtit. (Veprat 2:38) Si rrjedhim, mund të flasim lirshëm me Perëndinë. Nuk kemi frikë nga vdekja, si ata që nuk kanë asnjë shpresë. Përkundrazi, Jezui na ka dhënë sigurinë se një ditë, «të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Jehovai është treguar hirmadh që na ka zbuluar gjithë këto gjëra. Përveç kësaj, ka derdhur frymën e tij mbi ne. Prandaj mirënjohja për të gjitha këto dhurata të mira duhet të na shtyjë që t’i respektojmë normat e tij të larta dhe ta lavdërojmë me zell, duke ua shpallur të tjerëve këto ‘gjëra madhështore’.

[Shënimet]

^ par. 5 Kur caktoi Moisiun dhe Aaronin që t’i flitnin faraonit për popullin e Tij, Jehovai i tha Moisiut: «Unë po të bëj si perëndi për faraonin dhe vëllai yt Aaroni do të jetë profeti yt.» (Eksodi [Dalja] 7:1) Aaroni shërbeu si profet jo në kuptimin që paratha ngjarje të ardhshme, por u bë zëdhënësi i Moisiut, duke folur në emër të tij.

^ par. 7 Nga ajo shumicë njerëzish që ishte e pranishme në kremtimin vjetor të Darkës së Zotërisë që u mbajt më 28 mars 2002, miliona prej tyre ende nuk i shërbejnë Jehovait në mënyrë aktive. Lutemi që së shpejti zemra e shumë të interesuarve të tillë të nxitet e të synojnë për privilegjin që të jenë lajmëtarë të lajmit të mirë.

^ par. 12 Edhe pse fjalët e Pavlit u drejtoheshin grave të krishtere, të njëjtat parime zbatohen për burrat dhe të rinjtë e krishterë.

Si do të përgjigjeshit?

• Cilat ‘gjëra madhështore’ dëgjuan njerëzit në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. dhe si u përgjigjën?

• Si bëhet dikush dishepull i Jezu Krishtit dhe çfarë përfshin të qenët dishepull?

• Përse është e rëndësishme që t’i kushtojmë vëmendje mënyrës se si vishemi e rregullohemi?

• Cilët faktorë duhen marrë parasysh kur vendosim nëse një veshje ose një stil rrobash është i përshtatshëm?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Pjetri njoftoi se Jezui ishte ringjallur

[Figurat në faqen 17]

A ka paraqitja jote e jashtme një ndikim të mirë në emrin e Perëndisë që adhuron?

[Figurat në faqen 18]

Prindërit e krishterë duhet të interesohen për paraqitjen e jashtme të familjarëve të tyre