A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Çfarë është empatia dhe pse duhet ta kultivojnë të krishterët?
Është aftësia për ta vënë veten në vend të tjetrit, si për shembull, të ndiejmë dhembjen e tjetrit në zemrën tonë. Të krishterët këshillohen që të tregojnë ‘ndjenja të përbashkëta, përzemërsi vëllazërore dhe dhembshuri’. (1 Pjetrit 3:8) Jehovai na ka lënë një shembull që ta ndjekim përsa i përket shfaqjes së empatisë. (Psalmi 103:14; Zakaria 2:8) Mund ta rritim ndjeshmërinë tonë për këtë duke dëgjuar, duke vëzhguar dhe duke përdorur imagjinatën.—15/4, faqet 24-26.
• Pse për të arritur lumturinë e vërtetë duhet të vijë shërimi frymor më parë se zgjidhja përfundimtare e gjymtimeve fizike?
Shumë njerëz që janë të shëndetshëm fizikisht, nuk janë të lumtur e janë të mbingarkuar me probleme. Ndryshe prej tyre, të krishterët që sot janë fizikisht të gjymtuar, ndihen shumë të lumtur që i shërbejnë Jehovait. Ata që nxjerrin dobi nga shërimi frymor do të kenë mundësinë të shohin zhdukjen e gjymtimeve fizike në botën e re.—1/5, faqet 6-7.
• Pse Hebrenjve 12:16 e rendit Esaun në të njëjtën kategori me kurvarët?
Ngjarja biblike tregon se Esau shfaqi një mënyrë të menduari që përqendrohej te përfitimet e çastit dhe i shpërfilli gjërat e shenjta. Nëse sot dikush zhvillon një mënyrë të tillë të menduari, kjo do ta çonte në mëkate të rënda, të tilla, si kurvëria.—1/5, faqet 10-11.
• Kush ishte Tertuliani dhe për çfarë shquhet ai?
Tertuliani ishte një shkrimtar dhe teolog, i cili jetoi në shekullin e dytë dhe të tretë të e.s. Ai shquhet pasi ka bërë një sërë veprash letrare në mbrojtje të krishterimit formal. Ndërkohë që bënte këtë mbrojtje, ai paraqiti ide dhe koncepte filozofike që hodhën themelin për doktrina të shtrembëruara, siç ishte për shembull Triniteti.—15/5, faqet 29-31.
• Pse faktorët gjenetikë nuk janë plotësisht përgjegjës për sëmundjet, sjelljen dhe vdekjen e njerëzve?
Shkencëtarët kanë nxjerrë përfundimin se, me sa duket, ka një shkak gjenetik për sëmundje të ndryshme njerëzore dhe disa besojnë se gjenet përcaktojnë sjelljen tonë. Megjithatë, Bibla na jep kuptueshmëri të thellë për origjinën e njerëzimit, si dhe për mënyrën se si u prek ai nga mëkati dhe papërsosmëria. Ndonëse gjenet mund të luajnë një rol në formimin e personalitetit tonë, papërsosmëria dhe mjedisi që na rrethon ushtrojnë gjithashtu një ndikim të madh.—1/6, faqet 9-11.
• Si hedh dritë mbi përdorimin e emrit të Perëndisë një fragment nga papirusi i gjetur në Oksirinkus të Egjiptit?
Ky fragment nga Jobi 42:11, 12 në Septuagintën greke përmban Tetragramin (katër shkronjat hebreje të emrit të Perëndisë). Kjo është edhe një dëshmi tjetër se emri i Perëndisë në hebraisht shfaqej në Septuagintë, i cituar shpesh nga shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke.—1/6, faqja 30.
• Me cilat sporte që shikohen në ditët tona janë krahasuar ndeshjet e dhunshme dhe vdekjeprurëse të gladiatorëve në Perandorinë Romake?
• Një ekspozitë e kohëve të fundit në Koloseun e Romës, në Itali, tregonte paralelet moderne të tyre, duke përfshirë edhe pjesë të filmuara nga ndeshjet me dema, boksi profesionist, garat me makina e motoçikleta, si dhe përleshjet e shikuesve në veprimtari të tjera sportive të ditëve tona. Të krishterët e hershëm e morën për zemër faktin që Jehovai nuk e do dhunën dhe njerëzit e dhunshëm, prandaj as të krishterët e sotëm nuk duhet ta duan dhunën. (Psalmi 11:5)—15/6, faqja 29.
• Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Ezdrës, ndërsa përpiqemi të bëhemi mësues të efektshëm?
Ezdra 7:10 nxjerr në pah katër gjëra që ai bëri, të cilat mund të përpiqemi t’i imitojmë. Aty thuhet: «Ezdra e kishte [1] përgatitur zemrën e tij [2] për të kërkuar në ligjin e Jehovait, [3] për ta zbatuar atë dhe [4] për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë.» (BR)—1/7, faqja 20.
• Cilat janë dy fushat e veprimtarive ku është e përshtatshme që një grua e krishterë ta ketë kokën të mbuluar?
Njëra është në rrethanat që krijohen brenda familjes. Mbulimi i kokës tregon se e pranon që bashkëshorti i saj është përgjegjës për të përfaqësuar në lutje dhe për të marrë drejtimin në mësimin e Biblës. Fusha tjetër është në veprimtaritë e kongregacionit, ku ajo tregon se pranon që burrat e pagëzuar janë të autorizuar nga Shkrimet për të mësuar e drejtuar. (1 Korintasve 11:3-10)—15/7, faqet 26-27.
• Pse të krishterët pranojnë që joga përfshin shumë më tepër sesa vetëm një tërësi ushtrimesh fizike dhe se është e rrezikshme?
Synimi i jogës si një disiplinë, është që ta çojë dikë të bëhet njësh me një frymë mbinjerëzore. Në kundërshtim me udhëzimet e Perëndisë, joga përfshin ndalimin e të menduarit të vetvetishëm. (Romakëve 12:1, 2) Joga mund ta vërë dikë para rrezikut të okultizmit dhe të spiritizmit. (Ligji i përtërirë 18:10, 11)—1/8, faqet 20-22.