Ndaj kujt duhet të jesh besnik?
Ndaj kujt duhet të jesh besnik?
«Atdheu ynë: . . . Pastë gjithmonë të drejtë; por, e ka drejt apo gabim mbetet atdheu ynë.»—Stivën Dikejtëri, oficer marine i SHBA-së, 1779-1820.
BESNIKËRIA pa diskutim ndaj kombit nga shumë shihet si një detyrim thelbësor. Të tjerë do t’i riformulonin fjalët e Stivën Dikejtërit: ‘Feja ime, pastë gjithmonë të drejtë; por, e ka drejt apo gabim mbetet feja ime.’
Ç’është e vërteta, kombi ose feja,të cilat kërkojnë besnikërinë tonë shpesh përcaktohen nga vendi ku lindim, por vendimi se kujt duhet t’i qëndrojmë besnikë është shumë i rëndësishëm për t’ia lënë në dorë rastësisë. Gjithsesi, hedhja poshtë e besnikërisë ndaj gjërave me të cilat dikush është rritur kërkon guxim dhe përbën sfida.
Një sprovë për besnikërinë
Një grua që u rrit në Zambie thotë: «Isha e prirur për gjërat fetare që në moshë të re. Lutja e përditshme në vendin e shenjtë të shtëpisë, respektimi i ditëve fetare dhe pjesëmarrja e rregullt në faltore ishin pjesë e edukimit tim. Feja dhe
adhurimi im ndërthureshin ngushtë me kulturën, komunitetin dhe familjen.»Por, kur ishte në fund të adoleshencës, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe pak kohë më pas vendosi të ndryshonte fenë. A ishte ky një veprim jobesnikërie?
Zlatkoja u rrit në Bosnjë dhe për njëfarë kohe luftoi në konfliktin që gllabëroi vendin e tij. Edhe ai filloi të studiojë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Tani ai nuk pranon të marrë armët kundër askujt. A po tregohet jobesnik?
Përgjigjja që jepni për këto pyetje varet nga pikëpamja që keni. Gruaja e përmendur më parë thotë: «Në komunitetin tim ndërrimi i fesë sjell me vete një njollë turpi që është e pafalshme dhe konsiderohet një akt jobesnikërie, tradhti ndaj familjes dhe komunitetit.» Në mënyrë të ngjashme, ish-shokët e ushtrisë së Zlatkos e shihnin si tradhtar këdo që nuk pranonte të luftonte krah për krah me ta. Por si kjo grua, ashtu dhe Zlatkoja e kuptojnë se një formë më e lartë besnikërie—besnikëria ndaj Perëndisë—i motivon veprimet e tyre. Ç’është më e rëndësishmja, si i shikon Perëndia ata që duan t’i qëndrojnë besnikë?
Besnikëria e vërtetë—Një shprehje e dashurisë
Mbreti David i tha Perëndisë Jehova: «Me dikë besnik ti do të veprosh me besnikëri.» (2 Samuelit 22:26, BR) Fjala hebraike e përkthyer këtu «besnikëri» përcjell idenë e dashamirësisë që me dashuri lidhet pas një objekti derisa qëllimi që ka për të të përmbushet. Ashtu si nëna që lidhet me foshnjën e gjirit, me të njëjtin qëndrim, Jehovai lidhet me dashuri pas atyre që i qëndrojnë besnikë. Shërbëtorëve të tij besnikë në Izraelin e lashtë, Jehovai u tha: «A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të harroj.» (Isaia 49:15) Ata që dëshirojnë ta vendosin mbi çdo gjë besnikërinë ndaj Perëndisë, janë të sigurt për kujdesin e tij të dashur.
Besnikëria ndaj Jehovait bazohet në dashurinë. Ajo e nxit një person të dojë gjërat që Jehovai do dhe të urrejë gjërat e liga që Jehovai urren. (Psalmi 97:10) Cilësia kryesore e Jehovait është dashuria. Si rrjedhim, besnikëria ndaj Perëndisë e ndihmon një person që të mos veprojë në mënyrë jo të dashur me të tjerët. (1 Gjonit 4:8) Prandaj nëse, për shkak të besnikërisë ndaj Perëndisë, dikush ndryshon bindjet fetare, nuk do të thotë se nuk ka më dashuri për familjen e tij.
Besnikëria ndaj Perëndisë—Një forcë dobiprurëse
Gruaja e përmendur më parë i shpjegon veprimet e saj në këtë mënyrë: «Nga studimi i Biblës arrita ta njoh Jehovain si Perëndinë e vërtetë, dhe zhvillova një marrëdhënie personale me të. Jehovai është ndryshe nga çdo perëndi që kam adhuruar më parë. Ai është në mënyrë të përsosur i ekuilibruar në dashuri, drejtësi, mençuri dhe fuqi. Meqenëse Jehovai kërkon përkushtim të veçantë, duhej t’i braktisja perënditë e tjerë.
Vazhdimisht prindërit më thoshin se ishin shumë të pakënaqur me mua dhe se po i zhgënjeja. Ishte shumë e vështirë, pasi miratimi i prindërve ka shumë vlerë për mua. Por, duke u rritur dalëngadalë në njohurinë e së vërtetës së Biblës, zgjedhja u bë e qartë për mua. Nuk mund t’i ktheja krahët Jehovait.
Edhe pse kam zgjedhur t’i qëndroj besnike Jehovait dhe jo traditave fetare nuk do të thotë se nuk po i qëndroj besnike familjes. Përpiqem t’ua tregoj me fjalë dhe me vepra se i kuptoj se si ndihen. Por nëse nuk i qëndroj besnike Jehovait nuk do t’i jap mundësi familjes të arrijë ta njohë atë, dhe ky do të ishte një akt i vërtetë jobesnikërie.»
Po ashtu një njeri nuk është tradhtar kur besnikëria ndaj Perëndisë i kërkon që të qëndrojë asnjanës politikisht dhe të mos marrë armë kundër të tjerëve. Ja si i shpjegon Zlatkoja veprimet e tij: «Edhe pse u rrita si i krishterë formal, u martova me dikë që nuk ishte e krishterë. Kur shpërtheu lufta të dyja palët kërkonin besnikërinë time. U detyrova të zgjidhja se në cilin krah të luftoja. Mora pjesë në luftë për tre vjet e gjysmë. Së fundi, bashkë me gruan u larguam për në Kroaci, ku takuam Dëshmitarët e Jehovait.
Nga studimi i Biblës arritëm të kuptonim se Jehovai është i pari të cilit duhet t’i qëndrojmë besnikë dhe dëshiron që ta duam të afërmin pavarësisht se cilës fe ose racë i përket. Tani bashkë me gruan jemi të bashkuar në adhurimin e Jehovait dhe kam mësuar se nuk mund t’i qëndroj besnik Perëndisë e të luftoj të afërmin.»
Besnikëri e modeluar nga njohuria e saktë
Jehovai është Krijuesi ynë, prandaj, me të drejtë, besnikëria ndaj tij ka përparësi mbi të gjitha pretendimet e tjera për besnikëri. (Zbulesa 4:11) Megjithatë, për të mos lënë që besnikëria ndaj Perëndisë të kthehet në një forcë fanatike dhe shkatërruese, duhet ta modelojmë sipas njohurisë së saktë. Bibla na nxit: ‘Rinohuni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj e . . . vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në . . . besnikëri të vërtetë.’ (Efesianëve 4:23, 24) Njeriu i famshëm që shkroi këto fjalë të frymëzuara kishte guximin të hidhte poshtë besnikërinë ndaj gjërave me të cilat ishte rritur. Shqyrtimi që bëri çoi në një transformim dobiprurës.
Po, Sauli hasi një sprovë besnikërie, ashtu si shumë veta në kohën tonë. Sauli u rrit në familje me tradita të rrepta dhe u bë jashtëzakonisht besnik ndaj fesë që kishte trashëguar. Besnikëria për qëllimet fetare e nxiti madje të kryente veprime të dhunshme ndaj atyre që nuk kishin të njëjtat pikëpamje me të. Sauli njihej si njeri që bastiste shtëpitë e të krishterëve dhe që i merrte zvarrë për t’i dënuar e madje për t’i vrarë.—Veprat 22:3-5; Filipianëve 3:4-6.
Por, pasi Sauli fitoi njohuri të saktë nga Bibla bëri gjëra që shumë nga bashkëmoshatarët e tij i shihnin si të pamendueshme. Ndryshoi fenë. Sauli, i cili më vonë u bë i njohur si apostulli Pavël, vendosi të ishte besnik ndaj Perëndisë dhe jo ndaj traditave. Besnikëria ndaj Perëndisë e bazuar në njohurinë e saktë, e nxiti Pavlin të ishte tolerant, i dashur dhe ndërtues, ndryshe nga sjellja e mëparshme shkatërrimtare e fanatike.
Pse të jemi besnikë?
Duke lejuar që besnikëria jonë të modelohet nga parimet e Perëndisë, përfitimet që do të kemi do të jenë të qarta. Për shembull, në vitin 1999, në një raport të Institutit Australian të Studimeve Familjare thuhej se midis gjërave thelbësore për martesa të kënaqshme e që zgjatin gjatë janë «besimi dhe besnikëria . . . [dhe] një vetëdije për gjendjen frymore». I njëjti studim zbuloi se «martesat e qëndrueshme e të kënaqshme» i ndihmojnë burrat dhe gratë që të
jenë më të lumtur, më të shëndetshëm e të jetojnë më gjatë. Martesat e qëndrueshme u japin fëmijëve një mundësi më të mirë për të gëzuar jetë të lumtur.Në botën e sotme të pasigurt, besnikëria është si një litar shpëtimi në të cilin kapet notari që po lufton për të arritur varkën e shpëtimit. Nëse «notari» nuk ka besnikëri do të lëvizë sa andej-këtej si nga dallgët, ashtu edhe era. Por nëse besnikëria e tij vendoset në vend të gabuar, është sikur litari i tij i shpëtimit të kapej pas një varke që po fundoset. Ashtu si Sauli mund ta gjejë veten të tërhequr në vepra shkatërrimtare. Por, besnikëria ndaj Jehovait e bazuar në njohurinë e saktë është një litar shpëtimi që na jep qëndrueshmëri dhe na çon në shpëtim.—Efesianëve 4:13-15.
Jehovai u bën këtë premtim atyre që janë besnikë ndaj tij: «Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët [besnikët, BR] e tij: ata do të ruhen përjetë.» (Psalmi 37:28) Së shpejti të gjithë ata që i qëndrojnë besnikë Jehovait do të hyjnë në një tokë parajsore. Atje, do të gëzojnë liri nga brenga e dhembja e do të gjejnë kënaqësi në marrëdhëniet e qëndrueshme pa ndarjet fetare dhe politike.—Zbulesa 7:9, 14; 21:3, 4.
Që tani miliona individë në mbarë globin kanë zbuluar se lumturia e vërtetë vjen vetëm nga besnikëria e tyre ndaj Jehovait. Pse të mos i lejosh Dëshmitarët e Jehovait që të të ndihmojnë të shqyrtosh pikëpamjet e tua mbi besnikërinë nën dritën e së vërtetës së Biblës? Bibla na thotë: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»—2 Korintasve 13:5.
Duhet guxim për të vënë në dyshim besimin tonë si dhe përse jemi besnikë ndaj tij. Por për shpërblimet që kemi mund t’ia vlejnë përpjekjet, kur si përfundim i afrohemi më shumë Perëndisë Jehova. Gruaja e cituar më parë shpreh ndjenjat e shumë njerëzve kur thotë: «Kam mësuar se të jemi besnikë ndaj Jehovait dhe ndaj parimeve të tij na ndihmon të jemi të ekuilibruar në marrëdhëniet me pjesëtarët e familjes, dhe të jemi anëtarë më të mirë të komunitetit. Pavarësisht se sa të vështira janë sprovat nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait ai do të jetë gjithnjë besnik ndaj nesh.»
[Figurat në faqen 6]
Njohuria e saktë e nxiti Saulin të ndryshonte objektin e besnikërisë së tij
[Figura në faqen 7]
Pse të mos shqyrtosh nën dritën e së vërtetës së Biblës ndaj kujt je besnik?
[Burimet e figurave në faqen 4]
Çërçilli, sipër nga e majta: Foto nga arkivat kombëtare të SHBA-së; Xhozef Gobëllsi, djathtas në cep: Biblioteka e Kongresit