Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një botë me pikëpamje të shtrembra për besnikërinë

Një botë me pikëpamje të shtrembra për besnikërinë

Një botë me pikëpamje të shtrembra për besnikërinë

NJË të premte, në një mbrëmje të ngrohtë në Tel-Aviv, Izrael, një i ri u bashkua me një grup të rinjsh që po pritnin jashtë një klubi nate. Disa çaste më vonë një shpërthim shkretues çau turmën.

Një tjetër kamikaz kishte dhënë jetën dhe u kishte marrë dhunshëm jetën 19 të rinjve të tjerë. «Gjithandej kishte pjesë trupash, të gjithë ishin të rinj, tepër të rinj​—ishte skena më e tmerrshme që kam parë ndonjëherë»,​—u tha më vonë gazetarëve një mjek.

«Ka cilësi që të gjithë i admirojnë, të tilla si besnikëria, . . . që mund t’i bëjnë luftërat më të prirura për të filluar dhe më të vështira për të përfunduar»,​—shkroi Tharstën Brjun në revistën The Lancet. Po, që nga kryqëzatat e të ashtuquajturit krishterim e deri te masakrat e organizuara të Gjermanisë naziste, historia njerëzore është përgjakur nga kasaphanat e kryera në emër të besnikërisë.

Shtohen viktimat e jobesnikërisë

Pa dyshim, besnikëria fanatike mund të jetë shkatërrimtare, por edhe mungesa e besnikërisë mund ta copëtojë shoqërinë. Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, të jesh besnik do të thotë të ndjekësh pa u lëkundur një tjetër, me të cilin të lidh një ideal a një qëllim i përbashkët. Të jesh besnik do të thotë gjithashtu që nuk tradhëton; që nuk i ndryshon ndjenjat dhe qëndrimin ndaj dikujt a diçkaje. Ndërkohë që shumica e njerëzve thonë se e admirojnë këtë lloj besnikërie, shoqëria po vuan nga një mungesë e theksuar besnikërie në nivelin më kryesor të saj, brenda rrethit familjar. Për shkak të theksit që i vihet vetëkënaqësisë, për shkak të streseve dhe tensioneve të jetës së përditshme, si dhe nga shtimi i rasteve të tradhtisë bashkëshortore, përqindja e divorceve është rritur tej mase. Dhe ashtu si të vrarët e shpërthimit në Tel-Aviv, në shumë raste viktimat e pafajshme janë të rinjtë.

Në një raport thuhet: «Shpesh familjet nuk janë të qëndrueshme, dhe kjo ndikon për keq në edukatën e një fëmije. Familjet janë të paqëndrueshme për shkak të divorcit, ndarjes dhe mungesës së njërit prind.» Djemtë që kanë vetëm nënën duket se rrezikojnë më shumë që të mos edukohen siç duhet, të kryejnë vetëvrasje dhe të jenë në rrezik nga krimet e të rinjve të tjerë. Çdo vit, në Shtetet e Bashkuara një milion fëmijë përjetojnë divorcin e prindërve. Gjithashtu në këtë vend, çdo vit, gjysma e fëmijëve të lindur nga prindër të martuar ka të ngjarë që të jenë viktima të divorcit kur arrijnë moshën 18 vjeç. Statistikat tregojnë se e ardhmja është po aq e zymtë edhe për shumë të rinj në pjesë të tjera të botës.

Besnikëria: A është një normë tepër e lartë?

Kriza e sotme e besnikërisë tradicionale i bën fjalët e mbretit David të duken më të përshtatshme se kurrë më parë: «Më shpëto o Jehova, sepse njeriu besnik ka marrë fund; sepse njerëzit besnikë janë zhdukur nga bijtë e njerëzve.» (Psalmi 12:1, BR) Përse kjo mungesë e përhapur besnikërie? Roxher Rozënblati, duke shkruar në revistën Time, komenton: «Sado që besnikëria është një normë fisnike, në natyrën tonë ka tepër frikë, mungesë sigurie te vetja, oportunizëm e ambicie dhe nuk mund të pritet që raca e brishtë njerëzore t’i përmbahet kësaj norme.» Duke përshkruar kohën në të cilën jetojmë, Bibla thotë hapur: «Njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, . . . të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme.»​—2 Timoteut 3:1-5.

Duke parë ndikimin e fuqishëm që besnikëria​—ose mungesa e saj​—ka në mënyrën e të menduarit dhe veprimet e dikujt, mund të pyesim: ‘Kush e meriton me të drejtë besnikërinë tonë? Shqyrtoni se si do t’i përgjigjet artikulli tjetër kësaj pyetjeje.

[Burimi i figurës në faqen 3]

Fotoja sipër: © AFP/CORBIS