Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’ju mbrojë aftësia për të menduar?

Si mund t’ju mbrojë aftësia për të menduar?

Si mund t’ju mbrojë aftësia për të menduar?

DALLGËT e larta janë një pamje mbresëlënëse, por për detarët ato nënkuptojnë rreziqe. Këto dallgë të mëdha mund t’u kushtojnë atyre jetën.

Në mënyrë të ngjashme, shërbëtorët e Perëndisë mund të hasin presione gjithnjë e në rritje, të cilat mund t’i dërrmojnë. Ndoshta keni vërejtur që dallgët e sprovave dhe të tundimeve ushtrojnë presion mbi të krishterët. Sigurisht dëshironi që t’i përballoni pa u lëkundur, të vendosur për të shmangur anijethyerjen tuaj frymore. (1 Timoteut 1:19) Aftësia për të menduar është një pjesë jetësore e mbrojtjes suaj. Çfarë është kjo aftësi dhe si fitohet?

Fjala hebraike e përkthyer «aftësi për të menduar», mezimmah’, vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «të planifikosh ose të hartosh». (Fjalët e urta 1:4) Për këtë arsye, disa versione të Biblës e përkthejnë këtë fjalë si «maturi» ose «aftësi për të parashikuar». Dijetarët biblikë Xheimsën, Foset dhe Braun e përshkruajnë fjalën mezimmah’ si «kujdes për të shpëtuar nga e keqja e për të gjetur të mirën». Kjo gjë nënkupton që të marrim parasysh se nga veprimet tona mund të kemi pasoja edhe afatgjata, edhe të menjëhershme. Nëse kemi aftësi për të menduar, do të shqyrtojmë me kujdes mundësitë para se të veprojmë, veçanërisht kur duhet të marrim vendime të rëndësishme.

Kur një burrë me aftësi për të menduar merr vendime për të ardhmen ose për rrethanat në të cilat gjendet, së pari analizon rreziqet ose kurthet e mundshme. Pasi ka identifikuar këto rreziqe, ai punon se si t’i shmangë ato duke marrë parasysh ndikimin e mjedisit dhe të shoqërisë. Në këtë mënyrë ai planifikon një drejtim në jetë që do të sjellë përfundime të mira, e ndoshta edhe bekime hyjnore. Le të shqyrtojmë disa shembuj praktikë që ilustrojnë këtë proces.

Shmangni grackën e imoralitetit seksual

Kur era fryn përballë, formon dallgë të fuqishme që përplasen drejt e në bashin e anijes. Nëse detarët nuk manovrojnë me mjeshtëri për t’i pritur dallgët drejtpërdrejt, anija rrezikon të përmbyset.

Duke jetuar në një botë të marrosur pas seksit, ne hasim një situatë të ngjashme. Çdo ditë përballemi me dallgët e ideve dhe imazheve sensuale. Nuk mund ta shpërfillim ndikimin që këto mund të kenë në dëshirat normale seksuale. Duhet të përdorim aftësinë për të menduar e ta përballojmë me vendosmëri tundimin, në vend që thjesht të shkasim në situata të rrezikshme.

Për shembull, burrat e krishterë shpesh punojnë me disa që kanë pak respekt për gratë, duke i quajtur ato vetëm si objekte seksuale. Shokët e punës mund të futin në bisedat e tyre shaka të pista dhe aluzione për seksin. Kjo atmosferë së fundi mund të mbjellë ide imorale në mendjen e një të krishteri.

Vështirësi mund të përjetojë edhe një grua e krishterë së cilës i duhet të punojë. Në punë mund të jetë bashkë me burra e gra që nuk kanë të njëjtat norma morale me të sajat. Ndoshta një nga kolegët e saj tregon interes për të. Në fillim ai mund ta trajtojë me konsideratë, madje mund ta respektojë për pikëpamjet e saj fetare. Kujdesi dhe prania e tij e vazhdueshme mund ta nxitin të dëshirojë shoqëri më të ngushtë.

Si të krishterë, si mund të na ndihmojë aftësia për të menduar, në rrethana të tilla? Së pari, mund të na paralajmërojë ndaj rreziqeve frymore. Së dyti, mund të na motivojë që të përcaktojmë kursin e duhur që duhet të ndjekim. (Fjalët e urta 3:21-23) Në raste të tilla, kolegëve të punës duhet t’u drejtohet një mesazh i qartë se normat tona janë të ndryshme për shkak të bindjeve tona biblike. (1 Korintasve 6:18) Të folurit dhe sjellja jonë mund ta përforcojnë këtë mesazh. Për më tepër, mund të jetë e nevojshme të vendosim kufij në marrëdhëniet me disa kolegë.

Megjithatë, presionet imorale nuk kufizohen vetëm në vendin e punës. Ato mund të lindin edhe nëse një çift i martuar lejon që problemet të minojnë unitetin e tyre. Një shërbëtor udhëtues vërejti: «Prishja e një martese nuk ndodh menjëherë. Dalëngadalë çifti mund të ndahet emocionalisht e të flasin rrallë me njëri-tjetrin ose të kalojnë rrallë kohë së bashku. Mund të rendin pas zotërimeve materiale për të mbushur boshllëkun e martesës. E për shkak se rrallë i bëjnë komplimente njëri-tjetrit, mund të ndihen të tërhequr ndaj personave të tjerë të seksit të kundërt.»

Ky shërbëtor me përvojë vazhdoi të thoshte: «Bashkëshortët duhet të ulen e të shqyrtojnë rregullisht, nëse diçka po dëmton marrëdhënien e tyre. Duhet të planifikojnë se si mund të studiojnë, të luten e të predikojnë së bashku. Do të nxjerrin shumë dobi duke folur me njëri-tjetrin ‘në shtëpi, kur ecin rrugës, kur bien në shtrat dhe kur çohen’, ashtu siç bëjnë prindërit dhe fëmijët.»​—Ligji i përtërirë 6:7-9.

Bëjini ballë sjelljes jo të krishtere

Përveçse na ndihmon të përballojmë me sukses tundimet imorale, aftësia për të menduar mund të na ndihmojë edhe të përballojmë problemet lidhur me të krishterët e tjerë. Kur era fryn drejt kiçit, formon dallgë që lëvizin në të njëjtin drejtim me anijen. Këto dallgë mund ta ngrenë kiçin dhe ta zhvendosin anash. Kjo e lë pjesën anësore të anijes në të njëjtin drejtim me dallgët dhe krijon mundësinë që ajo të dëmtohet prej tyre.

Edhe ne mund të jemi të zbuluar ndaj rrezikut që vjen nga një drejtim i papritur. Ne i shërbejmë Jehovait «sup më sup» bashkë me shumë të krishterë besnikë, vëllezër e motra. (Sofonia 3:9, BR) Nëse ndonjë prej tyre vepron në një mënyrë jo të krishterë, mund të duket si një thyerje besimi dhe mund të na shkaktojë dhembje të thellë. Si mund të na ndihmojë aftësia për të menduar që të mos jemi të paekuilibruar e të dëmtohemi tepër?

Kujtoni se «nuk ka njeri që nuk mëkaton». (1 Mbretërve 8:46) Prandaj nuk duhet të habitemi, nëse ndonjëherë një vëlla i krishterë mund të na zemërojë ose mund të na fyejë. Duke e ditur një gjë të tillë, mund të përgatitemi dhe mund të meditojmë se si duhet të reagojmë. Si u përgjigj apostulli Pavël kur disa nga vëllezërit e tij të krishterë folën keq dhe me përbuzje për të? Në vend që të humbiste ekuilibrin frymor, ai përfundoi duke thënë se të fitosh miratimin e Jehovait është më e rëndësishme se të fitosh miratimin e njerëzve. (2 Korintasve 10:10-18) Një qëndrim i tillë do të na ndihmojë të shmangim një reagim të nxituar kur na provokojnë.

Kjo është pak a shumë sikur të godasësh gishtin e këmbës. Kur ndodh kjo gjë, për një ose dy minuta mund të mos mendojmë me qetësi. Por pasi kalon dhembja, mund të arsyetojmë e të veprojmë normalisht. Në mënyrë të ngjashme nuk duhet të reagojmë menjëherë ndaj një vërejtjeje ose ndaj një veprimi të pasjellshëm. Në vend të kësaj, duhet të ndalemi e të shqyrtojmë pasojat e një shpagimi të pamenduar.

Malkolmi, një misionar nga shumë kohë, shpjegon se çfarë bën kur ndihet i fyer. «Si fillim i bëj vetes këto pyetje: A jam i zemëruar me këtë vëlla sepse personalitetet tona bien ndesh me njëra-tjetrën? A është vërtet e rëndësishme ajo që ai tha? A po m’i acaron ndjenjat ndikimi që malaria ka mbi nervat e mia? A do t’i shoh gjërat ndryshe pas disa orësh?» Ashtu siç ndodh shpesh me Malkomin mosmarrëveshja është e parëndësishme dhe mund të shpërfillet. *

Malkolmi shton: «Ka raste kur me gjithë përpjekjet për ta sqaruar çështjen, qëndrimi i vëllait tjetër mbetet jomiqësor. Përpiqem të mos lejoj që kjo gjë të më shqetësojë. Pasi kam bërë gjithçka që kam pasur mundësi, e shoh çështjen me një sy tjetër. E vë çështjen mënjanë në mendje si diçka që mund të zgjidhet me kalimin e kohës, në vend që ta shoh atë si diçka që duhet ta zgjidh vetë. Nuk kam për të lejuar që të më rëndojë frymësisht ose të ndikojë në marrëdhënien time me Jehovain dhe me vëllezërit.»

Ashtu si Malkolmi, nuk duhet të lejojmë që sjellja e gabuar e dikujt të na shqetësojë së tepërmi. Në çdo kongregacion ka shumë motra dhe vëllezër të këndshëm e besnikë. Është një kënaqësi të ecim në udhën e krishterë «krah për krah» me ta. (Filipianëve 1:27) Duke kujtuar mbështetjen e dashur të Atit tonë qiellor, do të ndihmohemi gjithashtu që t’i shohim objektivisht gjërat.​—Psalmi 23:1-3; Fjalët e urta 5:1, 2; 8:12.

Të mos kemi dashuri për gjërat e botës

Aftësia për të menduar mund të na ndihmojë të përballojmë një presion tjetër tinëzar. Kur era i shtyn dallgët drejt gjerësisë ose pjesës anësore të anijes, njihet si det me valë të vogla. Në kushte atmosferike normale një det i tillë mund ta shtyjë pak nga pak anijen larg nga kursi i saj. Ndërsa gjatë një stuhie, ky lloj deti mund të bëjë që anija të përmbyset.

Ngjashëm, nëse iu dorëzohemi presioneve për të gëzuar të gjitha ato që na ofron kjo botë e ligë, kjo mënyrë materialiste e jetësës mund të bëjë që të shmangemi nga drejtimi frymor që kemi. (2 Timoteut 4:10) Së fundi, nëse dashuria për botën nuk kontrollohet, mund të bëjë që të braktisim plotësisht udhën e krishterë. (1 Gjonit 2:15) Si mund të na vijë në ndihmë aftësia për të menduar?

Së pari, do të na ndihmojë të llogaritim se cilat rreziqe mund të ndeshim. Për të na joshur, bota përdor çdo dredhi të imagjinueshme që lidhet me tregun. Bota nxit vazhdimisht një mënyrë jetese që duhet të ndiqet gjoja nga çdo njeri​—mënyrën tërheqëse të jetësës së të pasurve, të atyre që janë magjepsës dhe që «kanë sukses». (1 Gjonit 2:16) Ajo na premton admirimin dhe miratimin e të gjithëve, veçanërisht të moshatarëve dhe të fqinjëve. Aftësia për të menduar do të na ndihmojë t’i kundërvihemi kësaj propagande, duke na kujtuar se sa e rëndësishme është që ‘të mos kemi dashuri për para’, pasi Jehovai ka premtuar se ‘kurrsesi nuk do të na lërë’.​—Hebrenjve 13:5.

Së dyti, aftësia për të menduar do të na pengojë të ndjekim ata që kanë «devijuar nga e vërteta». (2 Timoteut 2:18) Është shumë e vështirë të kundërshtojmë ata që i kemi pëlqyer dhe besuar. (1 Korintasve 15:12, 32-34) Edhe nëse ndikohemi sadopak nga ata që e kanë braktisur udhën e krishterë, përparimi ynë frymor mund të pengohet dhe së fundi mund të vihemi në rrezik. Mund të ishim si një anije që, edhe pse shmanget vetëm pak nga kursi i duhur, gjatë një udhëtimi të gjatë, largohet shumë nga vendmbërritja e saj.​—Hebrenjve 3:12.

Aftësia për të menduar mund të na ndihmojë që të përcaktojmë se ku jemi në kuptimin frymor e se ku po shkojmë. Ndoshta e pranojmë nevojën që kemi për të marrë pjesë më plotësisht në veprimtaritë e krishtere. (Hebrenjve 6:11, 12) Vini re se si aftësia për të menduar e ndihmoi një Dëshmitar të ri për të ndjekur synime frymore: «Kam pasur mundësi të ndiqja një karrierë në gazetari. Kjo gjë më tërhiqte shumë, por kujtoja vargun e Biblës që thoshte se ‘bota po kalon’, kurse ‘ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë’. (1 Gjonit 2:17) Arsyetova se ajo që bëja me jetën duhej të pasqyronte bindjet e mia. Prindërit e mi e kishin braktisur besimin e krishterë dhe nuk dëshiroja të ndiqja shembullin e tyre. Prandaj vendosa të bëja një jetë me qëllim dhe fillova shërbimin e plotkohor si pionier i rregullt. Pas katër vitesh të gëzueshme e di që kam bërë zgjedhjen e duhur.»

Të përballojmë me sukses stuhitë frymore

Përse është urgjente të ushtrojmë që sot aftësinë për të menduar? Detarët duhet të jenë të ndjeshëm ndaj shenjave që paraqesin rreziqe, veçanërisht kur përgatiten stuhi. Nëse temperatura bie dhe era bëhet e fortë, detarët mbyllin kapakët e hambarit të anijes dhe bëhen gati për kushtet më të këqija. Në të njëjtën mënyrë, duhet të përgatitemi për të përballuar presione shumë të rënda ngjashëm stuhive, teksa ky sistem i lig i afrohet fundit. Vlerat morale të shoqërisë po bien dhe ‘njerëzit e ligj po shkojnë keq e më keq’. (2 Timoteut 3:13) Ashtu si detarët e dëgjojnë rregullisht parashikimin e motit, edhe ne duhet t’u vëmë veshin paralajmërimeve profetike të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.​—Psalmi 19:7-11.

Kur përdorim aftësinë për të menduar zbatojmë njohurinë që të çon në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Mund t’u paraprijmë problemeve dhe të vendosim se si t’i kapërcejmë ato. Kështu do të marrim vendim që të mos lëkundemi nga udha e krishterë dhe mund të hedhim «një themel të shkëlqyer për të ardhmen» duke vënë e duke ndjekur synime frymore.​—1 Timoteut 6:19.

Nëse e ruajmë mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar, nuk duhet të ‘kemi frikë nga asgjë e tmerrshme dhe e beftë’. (Fjalët e urta 3:21, 25, 26, BR) Në vend të kësaj, mund të gjejmë ngushëllim në premtimin e Perëndisë: «Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit [aftësia për të menduar, BR] do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë.»​—Fjalët e urta 2:10, 11.

[Shënimi]

^ par. 19 Në harmoni me këshillën që gjendet te Mateu 5:23, 24, të krishterët duhet të përpiqen të bëjnë paqe. Nëse çështja përfshin mëkate të rënda, ata duhet të përpiqen ta fitojnë vëllanë siç tregohet në Mateun 18:15-17. Shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 1999, faqet 17-22.

[Figura në faqen 23]

Komunikimi i rregullt e ndërton martesën