Të lumtur që mësuan të lexojnë!
Të lumtur që mësuan të lexojnë!
NË DISA pjesë të Ishujve Solomon deri 80 për qind të atyre që tani janë Dëshmitarë të Jehovait u është dashur të luftojnë me analfabetizmin. Kjo jo vetëm që e kufizonte pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet javore të kongregacionit, por e bënte edhe më të vështirë t’u mësonin të tjerëve të vërtetat e Mbretërisë. A është vërtet e mundur për të rriturit që nuk kanë mbajtur kurrë një laps në dorë të bëhen njerëz që dinë shkrim e lexim?
Broshura Të mësojmë lexim dhe shkrim, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, është përdorur në klasat ku mësohet shkrim e lexim pothuajse në çdo kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Ishujt Solomon. Përvojat e mëposhtme tregojnë se me anë të këtij programi qindra veta janë ndihmuar të arrijnë një shkallë më të lartë të aftësive të tyre. Ç’është më e rëndësishmja, duke mësuar të lexojnë janë bërë të aftë të japin dëshmi më të mirë për besimin e tyre.—1 Pjetrit 3:15.
Një misionare, e cila ishte caktuar në një kongregacion me më shumë se njëqind lajmëtarë të Mbretërisë, vuri re se në studimin javor të Biblës ku përdoret Kulla e Rojës pak veta e kishin kopjen e tyre të revistës e edhe më pak veta komentonin. Arsyeja? Analfabetizmi. Kur kongregacioni njoftoi hapjen e një shkolle për të mësuar shkrim dhe lexim, misionarja me gëzim doli vullnetare për të qenë një prej mësuesve. Në fillim erdhën shumë pak nxënës, por shpejt filluan të merrnin pjesë mbi 40 njerëz nga të gjitha moshat.
Cilat ishin përfundimet? Misionarja rrëfen: «Pak kohë pasi u hap klasa e shkrimit dhe e leximit shkova në treg në orën gjashtë të mëngjesit për të blerë ushqim për shtëpinë misionare. Atje pashë disa nga nxënësit, madje edhe më të vegjlit, që shitnin arra kokosi dhe perime. Pse? Sepse donin të kishin mjaft para për të blerë një stilolaps dhe një fletore për t’i përdorur në orën e
mësimit të shkrimit dhe leximit. Ndjekja e kësaj ore mësimi ishte edhe një nxitje për të pasur kopjen vetjake të revistës Kulla e Rojës.» Ajo shton: «Tani, gjatë studimit të Kullës së Rojës në kongregacion marrin pjesë si të rinj e të moshuar dhe diskutimet tona janë të gjalla.» Kjo misionare u lumturua sidomos kur katër pjesëtarë të klasës pyetën nëse mund të merrnin pjesë në veprën e predikimit publik sepse, siç u shprehën ata, «tani nuk kishin më frikë».Ndikimet pozitive te nxënësit e këtyre klasave nuk kufizohen vetëm te mësimi i leximit e i shkrimit. Për shembull, për shumë vjet gruaja jobesimtare e një Dëshmitari ishte burim shqetësimesh për kongregacionin. Ajo i gjuante njerëzit me gurë për provokimin më të vogël dhe madje sulmonte gratë e tjera me një copë dru. Kur ndonjëherë me raste merrte pjesë në mbledhjet e krishtere me të shoqin, ishte aq xheloze për të, saqë atij iu desh të vinte syze dielli, kështu ajo nuk mund ta akuzonte se po u hidhte sytë grave të tjera.
Megjithatë, pak kohë pasi ishin hapur klasat për të mësuar shkrim dhe lexim, kjo grua me qetësi pyeti: «A mund të futem dhe unë në këtë klasë?» Përgjigjja ishte po. Që atëherë ajo nuk humbi kurrë një orë mësimi ose një mbledhje kongregacioni. Bëri shumë përpjekje për të mësuar si të lexonte dhe bëri përparim mahnitës, gjë që e lumturoi shumë. Kërkesa tjetër e saj ishte: «A mund të kem një studim biblik?» I shoqi me gëzim filloi të studionte me të dhe ajo vazhdon të përparojë në aftësinë e saj për të shkruar e për të lexuar dhe në njohurinë për Biblën.
Për një 50-vjeçar që nuk ka zënë kurrë një laps me dorë, vetëm të mbajë një stilolaps dhe të shkruajë shkronjat e alfabetit mund të jetë një pengesë sa një mal. Disave u bëhen flluska në gishtërinj, sepse i rëndojnë shumë lapsit dhe letrës gjatë fazave fillestare të mësimit. Pas disa javë përpjekjesh për të mbajtur dhe për të drejtuar lapsin, disa nxënës thonë me zë të lartë duke shfaqur një gëzim të madh: «Mund ta rrëshqas me lehtësi dorën mbi letër!» Edhe mësuesit ndihen të lumtur, teksa shohin përparimin e nxënësve. Një mësuese tha: «Të japësh një orë mësimi është një kënaqësi e madhe dhe çmueshmëria e sinqertë e nxënësve për këtë masë që vjen nga Jehovai shpesh shprehet me duartrokitje kur mbaron ora e mësimit.»
Këta Dëshmitarë që tani dinë të shkruajnë e të lexojnë, gëzojnë së bashku me misionarët. Pse? Sepse tani mund t’i përdorin aftësitë e tyre në shkrim e lexim për të nderuar Jehovain.
[Figurat në faqet 8, 9]
Si të rinjtë, edhe të moshuarit i çmojnë shumë orët ku mësohet shkrim e lexim