Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Unë ju dhashë modelin»

«Unë ju dhashë modelin»

«Unë ju dhashë modelin»

«Duhej të ishit mësues, duke pasur parasysh kohën.»​—HEBRENJVE 5:12.

1. Përse është e natyrshme që fjalët e Hebrenjve 5:12 mund ta bëjnë një të krishterë të ndihet disi i shqetësuar?

A SHQETËSOHESH disi për veten ndërsa lexon fjalët e frymëzuara të shkrimit kryesor të këtij artikulli? Nëse po, nuk je i vetmi. Si ithtarë të Krishtit, e dimë se duhet të jemi mësues. (Mateu 28:19, 20) E dimë se në kohët që po jetojmë është urgjente t’i mësojmë të tjerët sa më mirë që të mundemi. E dimë edhe se mënyra si i mësojmë të tjerët mund të nënkuptojë për ta jetë ose vdekje. (1 Timoteut 4:16) Atëherë, mund të na vijë natyrshëm pyetja: ‘A jam vërtet ai mësues që duhet të jem? Si mund të përmirësohem?’

2, 3. (a) Si e shpjegoi një mësues bazën për të qenë një mësues i mirë? (b) Cilin model na dha Jezui për sa i përket mësimdhënies?

2 S’kanë pse të na shkurajojnë shqetësime të tilla. Po ta mendojmë mësimdhënien vetëm si diçka që kërkon ndonjë metodë të veçantë të studiuar mirë, mund të na trembë ideja se duhet të bëjmë përmirësime. Mirëpo baza për të qenë mësues i mirë nuk është metoda e përdorur, por diçka shumë më e rëndësishme. Vër re se çfarë shkroi në një libër që fliste për këtë temë një mësues me përvojë: «Mësimdhënia e mirë nuk varet nga teknikat ose metodat e veçanta, nga programet a procedurat. . . . Të mësosh është kryesisht e lidhur me dashurinë.» Sigurisht, ai i shihte gjërat nga këndvështrimi i një arsimtari. Por, përfundimi që nxori ai mund të zbatohet shumë më tepër për mësimdhënien që bëjmë ne si të krishterë. Në ç’mënyrë?

3 Modeli për ne si mësues është Jezu Krishti, i cili u tha ithtarëve të tij: «Unë ju dhashë modelin.» (Gjoni 13:15) Është e qartë se në atë rast ai e kishte fjalën për shembullin që la duke treguar përulësi. Por, gjithsesi, modeli që dha Jezui për ne përfshin edhe veprën kryesore që bëri kur ishte njeri në tokë: t’u mësonte njerëzve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Luka 4:43) Tani, po të të duhej të zgjidhje një fjalë të vetme për të përshkruar se çfarë e karakterizonte shërbimin e Jezuit, ka shumë të ngjarë të zgjidhje fjalën «dashuri», apo jo? (Kolosianëve 1:15; 1 Gjonit 4:8) Dashuria që kishte Jezui për Atin e tij qiellor, Jehovain, ishte mbi gjithçka. (Gjoni 14:31) Megjithatë, si mësues, Jezui shfaqi dashuri edhe në dy drejtime të tjera. Ai kishte dashuri për të vërtetat që u mësonte të tjerëve dhe për njerëzit që mësonte. Le të përqendrohemi më nga afër në këto dy veçori të modelit që na dha Jezui.

Një dashuri për të vërtetat hyjnore që zgjat prej kohësh

4. Si e zhvilloi Jezui dashurinë për mësimet e Jehovait?

4 Qëndrimi që ka mësuesi ndaj lëndës që po mëson ka ndikim mjaft të madh në cilësinë e mësimdhënies së tij. Çfarëdo mungese interesi të tregojë ai, do të bjerë në sy e do t’u ngjitet edhe studentëve të tij. Jezui nuk u tregua indiferent ndaj të vërtetave të çmuara që u mësonte të tjerëve për Jehovain dhe për Mbretërinë e Tij. Dashuria që kishte për këtë temë ishte e thellë. E kishte zhvilluar këtë dashuri që kur kishte qenë student. Gjatë gjithë epokave të ekzistencës së tij paranjerëzore, Biri i vetëmlindur ishte një student i zellshëm. Tek Isaia 50:4, 5 gjejmë këto fjalë me vend: «Vetë Zotëria Sovran Jehova më ka dhënë gjuhën e të mësuarve, që të di si t’i përgjigjem të lodhurit me një fjalë. Ai zgjon mëngjes për mëngjes; zgjon veshin tim për të dëgjuar si ata që janë të mësuar. Vetë Zotëria Sovran Jehova ka hapur veshin tim, dhe unë, nga ana ime, nuk kam qenë rebel. Nuk jam kthyer në drejtimin e kundërt.»​—BR.

5, 6. (a) Cilën përvojë pati me sa duket Jezui në kohën që u pagëzua dhe ç’ndikim pati tek ai? (b) Çfarë dallimi vërejmë midis Jezuit dhe Satanait në mënyrën se si e përdornin Fjalën e Perëndisë?

5 Gjatë kohës që rritej si njeri në tokë, Jezui vazhdoi ta donte mençurinë hyjnore. (Luka 2:52) Pastaj, në kohën që u pagëzua, pati një përvojë të veçantë. Te Luka 3:21 thuhet: «Qielli u hap.» Me sa duket, në atë çast Jezui pati mundësi të kujtonte ekzistencën e tij paranjerëzore. Pas kësaj kaloi 40 ditë në shkretëtirë duke agjëruar. Duhet të ketë provuar shumë kënaqësi duke medituar për periudhat e shumta që kishte kaluar në qiell tek mësohej nga Jehovai. Megjithatë, s’do të kalonte shumë dhe dashuria e tij për të vërtetat e Perëndisë do të vihej në provë.

6 Kur Jezui ishte i lodhur e i uritur, Satanai u përpoq ta tundonte. Sa i madh është dallimi ndërmjet këtyre dy bijve të Perëndisë! Që të dy cituan nga Shkrimet Hebraike, por me një frymë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Satanai e shtrembëroi Fjalën e Perëndisë, duke e përdorur pa respekt për qëllimet e tij egoiste. Në të vërtetë, ai rebel ndiente veçse përbuzje për të vërtetat hyjnore. Nga ana tjetër, Jezui i citoi Shkrimet me një dashuri që binte në sy, duke e përdorur me kujdes Fjalën e Perëndisë në çdo përgjigje. Jezui kishte ekzistuar shumë kohë para se të shkruheshin ato fjalë të frymëzuara, e prapëseprapë kishte respekt të thellë për to. Ishin të vërteta të çmuara që vinin nga Ati i tij qiellor. Ai i tha Satanait se këto fjalë nga Jehovai ishin më jetësore se ushqimi. (Mateu 4:1-11) Po, Jezui i donte të gjitha të vërtetat që i kishte mësuar Jehovai. Por, si e shprehu këtë dashuri në rolin e mësuesit?

Dashuri për të vërtetat që u mësonte të tjerëve

7. Përse Jezui nuk mësonte idetë e tij personale?

7 Dashuria e Jezuit për të vërtetat që u mësonte të tjerëve ishte gjithnjë e dukshme. Në fund të fundit, ai fare lehtë mund të kishte përhapur idetë e tij. Zotëronte një bagazh të madh njohurie dhe mençurie. (Kolosianëve 2:3) Megjithatë, u bënte vazhdimisht të qartë dëgjuesve të tij se çdo gjë që u mësonte nuk vinte nga ai vetë, por nga Ati i tij qiellor. (Gjoni 7:16; 8:28; 12:49; 14:10) I donte të vërtetat hyjnore aq shumë, sa nuk i shkonte kurrë në mendje t’i zëvendësonte me mendimet e tij.

8. Si dha Jezui modelin duke u mbështetur te Fjala e Perëndisë në kohën që filloi shërbimin?

8 Kur filloi shërbimin e tij publik, Jezui dha menjëherë modelin. Shqyrto mënyrën se si ia shpalli fillimisht popullit të Perëndisë se ishte Mesia i premtuar. A e bëri këtë duke dalë para turmave, duke e shpallur veten Krisht dhe duke kryer mrekulli mahnitëse për ta provuar këtë? Jo. Shkoi në sinagogë, ku populli i Perëndisë e kishte zakon të lexonte Shkrimet. Atje lexoi para të gjithëve profecinë e Isaisë 61:1, 2 dhe shpjegoi se ato të vërteta profetike gjenin zbatim tek ai. (Luka 4:16-22) Mrekullitë e shumta që kreu e ndihmuan për të bërë të qartë se kishte përkrahjen e Jehovait. Megjithatë, kur mësonte të tjerët, ai mbështetej gjithnjë te Fjala e Perëndisë.

9. Si e tregoi Jezui dashurinë e tij besnike për Fjalën e Perëndisë kur kishte të bënte me farisenjtë?

9 Kur e sfiduan kundërshtarët fetarë, Jezui nuk hyri me ta në ndonjë garë zgjuarsie, ndonëse mund t’i kishte mundur fare lehtë. Përkundrazi, la që Fjala e Perëndisë të ishte ajo që do t’i nxirrte në gabim. Për shembull, ju kujtohet kur farisenjtë hodhën akuzën se ithtarët e Jezuit kishin shkelur ligjin e sabatit, duke këputur disa kallinj gruri e duke i ngrënë ndërsa po kalonin përmes arave? Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe ata që ishin me të?» (Mateu 12:1-5) Ata njerëz që e mbanin veten për të drejtë sigurisht që mund ta kishin lexuar këtë tregim të frymëzuar që gjendet te 1 Samuelit 21:1-6. Nëse po, nuk kishin nxjerrë mësimin e rëndësishëm që gjendej aty. Kurse Jezui nuk ishte mjaftuar vetëm duke e lexuar tregimin. Kishte menduar për të dhe e kishte pranuar mesazhin që përcillte. Ai i donte parimet që Jehovai u kishte mësuar të tjerëve me anë të asaj pjese. Prandaj e përdori atë tregim, si edhe një shembull nga Ligji i Moisiut, për të zbuluar frymën e ekuilibruar të Ligjit. Në mënyrë të ngjashme, dashuria besnike e shtyu Jezuin që ta mbronte Fjalën e Perëndisë nga përpjekjet e udhëheqësve fetarë, të cilët donin ta shtrembëronin për qëllimet e tyre ose ta mbulonin nën një mori traditash njerëzore.

10. Si i përmbushi Jezui profecitë për cilësinë e mësimdhënies së tij?

10 Dashuria për të vërtetën që u mësonte të tjerëve nuk do ta lejonte kurrë Jezuin që ta bënte këtë mekanikisht, në mënyrë të mërzitshme ose të ftohtë. Në profecitë e frymëzuara ishte parathënë se Mesia do të fliste me ‘buzë plot nur’, duke përdorur «fjalë të bukura». (Psalmi 45:2; Zanafilla 49:21) Jezui i përmbushi këto profeci duke e bërë gjithnjë mesazhin e tij interesant e të gjallë, duke përdorur ‘fjalë plot hir’ kur u mësonte të tjerëve të vërtetat që i donte aq shumë. (Luka 4:22) Pa dyshim që entuziazmi ia çelte fytyrën dhe sytë i shndritnin nga interesi i gjallë që kishte për këto të vërteta. Ç’kënaqësi duhet të ketë qenë ta dëgjoje Jezuin dhe ç’model i shkëlqyer për t’u ndjekur kur u flasim të tjerëve për atë që kemi mësuar!

11. Përse aftësitë e Jezuit si mësues nuk e bënë asnjëherë të krekosej?

11 Jezui kishte kuptueshmëri të jashtëzakonshme për të vërtetat hyjnore dhe një të folur tërheqës, por, a e bënë këto të krekosej? Kjo ndodh shpesh me mësuesit njerëzorë. Por, mos harroni se mençuria e Jezuit pasqyronte përkushtimin e tij ndaj Perëndisë. Kjo mençuri nuk lë vend për të qenë fodull, pasi «mençuria është me modestët». (Proverbat [Fjalët e urta] 11:2, BR) Kishte edhe diçka tjetër që nuk e linte Jezuin të bëhej krenar ose fodull.

Jezui i donte njerëzit që mësonte

12. Si e tregoi Jezui se nuk donte t’i bënte ithtarët që të ndiheshin më të ulët?

12 Dashuria e thellë që kishte Jezui për njerëzit bëhej gjithnjë e qartë në mënyrën se si i mësonte. Ndryshe nga sa veprojnë njerëzit krenarë, mënyra se si mësonte Jezui nuk i bënte kurrë njerëzit të ndiheshin më të ulët. (Predikuesi [Eklisiastiu] 8:9) Pasi kishte qenë dëshmitar okular i një prej mrekullive të Jezuit, Pjetri u mahnit jashtë mase dhe i ra në gjunjë atij. Por Jezui nuk donte që ithtarët e tij ta kishin frikë. Me mirëdashje ai i tha Pjetrit: «Mos ki më frikë.» Pastaj i tregoi për veprën entuziazmuese të bërjes së dishepujve, vepër në të cilën do të merrte pjesë edhe Pjetri. (Luka 5:8-10) Jezui donte që dishepujt e tij të motivoheshin nga dashuria që kishin për të vërtetat e çmuara lidhur me Perëndinë, jo nga frika e madhe prej mësuesit të tyre.

13, 14. Në ç’mënyra shfaqi empati Jezui për njerëzit?

13 Dashuria që ndiente Jezui për njerëzit që mësonte ishte e dukshme edhe nga empatia që kishte për ta. «Duke parë turmat, ai ndjeu keqardhje për to, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari.» (Mateu 9:36) Ndjeu keqardhje për gjendjen e mjerueshme në të cilën ishin dhe u nxit që t’i ndihmonte.

14 Vini re empatinë që tregoi Jezui në një rast tjetër. Një grua që kishte rrjedhje gjaku iu afrua në mes të një turme, i preku thekun e rrobës dhe u shërua në mënyrë të mrekullueshme. Jezui e ndjeu se prej tij doli fuqi, por nuk e pa kush ishte shëruar. Nguli këmbë që ta gjente atë grua. Përse? Jo për ta kritikuar se kishte shkelur Ligjin ose rregullat e skribëve dhe të farisenjve, siç mund të ketë pasur frikë ajo. Përkundrazi ai i tha: «Bijë, besimi yt të ka kthyer shëndetin. Shko në paqe dhe qofsh mirë me shëndet nga sëmundja jote e rëndë!» (Marku 5:25-34) Vini re se sa empati ka në këto fjalë! Ai nuk i tha thjesht «Shërohu», por i tha: «Qofsh mirë me shëndet nga sëmundja jote e rëndë!» Këtu Marku përdor një fjalë që në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «fshikullim», një formë rrahjeje me kamxhik që shpesh përdorej si mjet torture. Pra Jezui e kuptonte se sëmundja i kishte shkaktuar vuajtje asaj gruaje, ndoshta dhembje të mëdha fizike dhe emocionale. Ndiente empati për të.

15, 16. Cilat ngjarje në shërbimin e Jezuit treguan se kërkonte të gjente anët e mira te njerëzit?

15 Jezui e tregoi dashurinë për njerëzit edhe duke kërkuar të gjente anët e mira të tyre. Shqyrto se çfarë ndodhi kur takoi Natanaelin, i cili më vonë u bë apostull. «Jezui e pa Natanaelin duke ardhur drejt tij dhe tha për të: ‘Shihni, pa dyshim një izraelit, në të cilin nuk ka mashtrim.’» Në mënyrë të mrekullueshme, Jezui kishte parë zemrën e Natanaelit, duke mësuar shumë për të. Sigurisht që Natanaeli nuk ishte i përsosur. Kishte të metat e tij, si të gjithë ne. Madje, kur dëgjoi për Jezuin, ai bëri një koment paksa të prerë: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?» (Gjoni 1:45-51) Sidoqoftë, nga të gjitha gjërat që mund të thuheshin për Natanaelin, Jezui zgjodhi diçka pozitive tek e cila të përqendrohej, domethënë ndershmërinë e atij njeriu.

16 Në mënyrë të ngjashme, kur Jezuit iu afrua një centurion​—ndoshta një johebre, një romak​—dhe i kërkoi t’i shëronte skllavin e sëmurë, Jezui e dinte se ushtari kishte të meta. Në ato kohë, një centurion ndoshta kishte një të kaluar plot me vepra dhune, gjakderdhjeje dhe adhurimi të rremë. E megjithatë Jezui u përqendrua te diçka e mirë, pra, te besimi i jashtëzakonshëm i atij njeriu. (Mateu 8:5-13) Më vonë, kur foli me keqbërësin që ishte varur në shtyllë pranë tij, Jezui nuk e qortoi për të kaluarën e tij si kriminel, por i dha zemër duke i dhënë një shpresë për të ardhmen. (Luka 23:43) Jezui e dinte mirë se po të mbante një qëndrim negativ e kritik ndaj të tjerëve, kjo vetëm sa do t’i shkurajonte. Pa dyshim, përpjekjet e tij për të gjetur anët e mira te të tjerët i nxitën shumë veta që të përmirësoheshin.

Gatishmëri për t’u shërbyer njerëzve

17, 18. Si tregoi Jezui gatishmëri për t’u shërbyer të tjerëve, duke pranuar caktimin për të ardhur në tokë?

17 Një tregues tjetër i fuqishëm i dashurisë së Jezuit për njerëzit që mësonte ishte gatishmëria e tij për t’u shërbyer. Në jetën e tij paranjerëzore, Biri i Perëndisë i kishte pasur gjithnjë për zemër bijtë e njerëzve. (Fjalët e urta 8:30, 31) Si «Fjala» ose zëdhënësi i Jehovait, ai mund të ketë pasur shumë të bënte me njerëzit. (Gjoni 1:1) Megjithatë, pjesërisht edhe për ta mësuar njerëzimin më drejtpërdrejt, ai «e zbrazi veten dhe mori formën e një skllavi», duke lënë pozitën e lartë që kishte në qiell. (Filipianëve 2:7; 2 Korintasve 8:9) Kur ishte në tokë, Jezui nuk priste nga njerëzit që t’i shërbenin. Përkundrazi tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave.» (Mateu 20:28) Ai jetoi plotësisht në lartësinë e këtyre fjalëve.

18 Me përulësi Jezui ua plotësoi nevojat atyre që mësonte, duke e shpenzuar veten me gatishmëri për ta. I ra në këmbë kryq e tërthor Tokës së Premtuar, duke ecur për qindra kilometra në udhëtime predikimi, në përpjekje për të takuar sa më shumë njerëz që ishte e mundur. Ndryshe nga farisenjtë dhe skribët krenarë, ai mbeti i përulur dhe një njeri që mund t’i afroheshe me lehtësi. Tek ai shkonte me dëshirë e pa frikë çdo lloj njeriu: funksionarë, ushtarë, avokatë, gra, fëmijë, të varfër, të sëmurë, e madje edhe ata që i shihnin si llumin e shoqërisë. Ndonëse ishte i përsosur, Jezui ishte prapëseprapë njeri, kështu që lodhej dhe e merrte uria. Por edhe kur ishte i lodhur a kur i duhej pak pushim ose kohë e qetë për t’u lutur, ai i vinte nevojat e të tjerëve para të tijave.​—Marku 1:35-39.

19. Si na dha një model Jezui duke i trajtuar dishepujt me përulësi, me durim e me mirëdashje?

19 Jezui ishte po njësoj i gatshëm t’u shërbente edhe vetë dishepujve të tij. Këtë e bëri duke i mësuar me mirëdashje e me durim. Kur nuk i kuptonin menjëherë disa mësime jetësore, ai nuk hiqte dorë, nuk e humbte qetësinë e nuk i qortonte ashpër. Vazhdoi të gjente mënyra të tjera për t’ua bërë të qartë atë që donte t’u mësonte. Për shembull, mendoni pak se sa shpesh grindeshin mes tyre dishepujt se kush ishte më i madhi. Vazhdimisht, deri natën para se ta ekzekutonin, Jezui gjeti mënyra të ndryshme për t’i mësuar që të silleshin me përulësi me njëri-tjetrin. Për sa i përket përulësisë, si edhe për çdo gjë tjetër, Jezui mundi të thoshte me të drejtë: «Unë ju dhashë modelin.»​—Gjoni 13:5-15; Mateu 20:25; Marku 9:34-37.

20. Cila metodë mësimdhënieje e dalloi Jezuin nga farisenjtë dhe përse kjo metodë ishte e efektshme?

20 Vini re se Jezui jo vetëm që u tha dishepujve se cili ishte modeli, por ‘u dha modelin’. I mësoi me anë të shembullit të tij. Nuk u foli pa i begenisur e duke i parë nga lart poshtë, sikur ai të mendonte për veten se qëndronte më sipër se ata e të mos kishte nevojë t’i zbatonte gjërat që po u thoshte të bënin. Kështu vepronin farisenjtë. «Ata thonë, por nuk kryejnë»,​—tha Jezui për ta. (Mateu 23:3) Me përulësi, Jezui u tregoi qartë studentëve të tij se çfarë donin të thoshin mësimet e tij duke jetuar sipas këtyre mësimeve, pra duke i zbatuar ato. Prandaj, kur i nxiti ithtarët që të bënin një jetë të thjeshtë, jo materialiste, ata nuk e kishin të vështirë të kuptonin se çfarë donte të thoshte ai. E kishin parë me sytë e tyre realitetin e fjalëve të tij: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë ku të pushojnë, por Biri i njeriut s’ka ku ta mbështetë kokën.» (Mateu 8:20) Jezui u shërbeu dishepujve të tij duke u dhënë me përulësi modelin.

21. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

21 S’ka asnjë dyshim se Jezui ishte Mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë! Dashuria për atë që u mësonte të tjerëve dhe dashuria për njerëzit që mësonte ishte e dukshme për të gjithë njerëzit me zemër të ndershme që e panë dhe e dëgjuan. Kjo dashuri është po aq e dukshme për ne sot që studiojmë modelin që na ka dhënë ai. Por, si mund ta ndjekim ne shembullin e përsosur të Krishtit? Kjo pyetje do të trajtohet në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Cila është baza për të qenë mësues i mirë e kush e tregoi këtë me shembullin e tij?

• Në cilat mënyra e shfaqi Jezui dashurinë për të vërtetat që u mësonte të tjerëve?

• Si tregoi dashuri Jezui për njerëzit që mësonte?

• Cilët shembuj tregojnë gatishmërinë e përulur të Jezuit për t’u shërbyer atyre që mësonte?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 12]

Si e tregoi Jezui se i donte parimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë?