‘Falni bujarisht njëri-tjetrin’
‘Falni bujarisht njëri-tjetrin’
A BESONI se Perëndia jua ka falur mëkatet? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se shumica e të rriturve e besojnë këtë. Dr. Loren Tusani, autori kryesor i një studimi të drejtuar në institutin e kërkimeve sociale pranë Universitetit të Miçiganit, raporton se nga 1.423 amerikanë të anketuar, rreth 80 për qind e të rriturve të moshës mbi 45 vjeç thanë se Perëndia ua kishte falur mëkatet.
Megjithatë, është interesante se vetëm 57 për qind e të anketuarve thanë se ata vetë kishin falur të tjerët. Statistika na kujton fjalët e Jezuit në Predikimin në Mal: «Po t’ua falni njerëzve shkeljet e tyre, Ati juaj qiellor do t’ju falë edhe juve; ndërsa, po të mos ua falni njerëzve shkeljet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.» (Mateu 6:14, 15) Po, falja nga ana e Perëndisë për mëkateve tona kushtëzohet deri në një farë mase nga gatishmëria jonë për të falur të tjerët.
Apostulli Pavël ua kujtoi këtë parim të krishterëve në Kolose. Ai i nxiti: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu.» (Kolosianëve 3:13) Është e vërtetë se kjo nuk është gjithmonë e lehtë për t’u bërë. Për shembull, kur dikush flet ndaj jush me fjalë të pamenda ose të pasjellshme, mund të jetë e vështirë për ta falur.
Sidoqoftë, dobitë e faljes janë të shumta. Dr. Dejvid R. Uilliamsi, një sociolog, tha në lidhje me kërkimin e tij: «Midis amerikanëve të moshës së mesme dhe atyre të moshuar shohim se ka një lidhje veçanërisht të fortë ndërmjet faljes së të tjerëve dhe shëndetit mendor.» Kjo është në përputhje me fjalët e mbretit të mençur Solomon, i cili rreth 3.000 vjet më parë shkroi: «Një zemër e shëndoshë [e qetë, BR] është jetë për trupin.» (Fjalët e urta 14:30) Meqenëse një frymë faljeje nxit marrëdhënie të mira me Perëndinë e të afërmin, kemi arsye të vlefshme që të jemi të gatshëm për të falur bujarisht njëri-tjetrin me gjithë zemër.—Mateu 18:35.