Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fqinjët e mirë janë të dobishëm

Fqinjët e mirë janë të dobishëm

Fqinjët e mirë janë të dobishëm

«Është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.»​—Fjalët e urta 27:10.

NJË studiues në shekullin e parë të e.s. e pyeti Jezuin: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Duke u përgjigjur Jezui nuk i tha se kush ishte i afërmi i tij, por çfarë bën një i afërm i vërtetë. Ndoshta e njihni mirë ilustrimin e Jezuit. Ai njihet nga shumë njerëz si shëmbëlltyra e samaritanit të mirë dhe është e dokumentuar në Ungjillin e Lukës. Ja se si e tregoi Jezui historinë:

«Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra mes kusarëve që e zhveshën e i hynë në dru dhe ikën, duke e lënë gjysmë të vdekur. Tani, rastësisht, një prift po zbriste nëpër atë rrugë, por kur e pa, vazhdoi në anën tjetër. Po ashtu, edhe një levit, kur mbërriti në atë vend dhe e pa, vazhdoi në anën tjetër. Por një samaritan që po kalonte në atë rrugë, i erdhi pranë dhe kur e pa, u shty nga keqardhja. Kështu, iu afrua dhe ia lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj dhe verë. Pastaj, e hipi mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdes për të. Dhe të nesërmen nxori dy denarë, ia dha hanxhiut dhe tha: ‘Kujdesu për të dhe çfarëdo që të shpenzosh më tepër, do të ta paguaj kur të kthehem këtu.’ Cili prej këtyre të treve të duket se u bë i afërm i njeriut që ra mes kusarëve?»​—Luka 10:29-36.

Studiuesi me sa duket e kapi thelbin e shëmbëlltyrës. Pa ngurruar, ai përcaktoi drejt se kush ishte i afërmi i të plagosurit: «Ai që veproi në mënyrë të mëshirshme ndaj tij.» Atëherë, Jezui i tha: «Shko e bëj njëlloj edhe ti.» (Luka 10:37) Çfarë ilustrimi i fuqishëm se ç’do të thotë të jesh një i afërm i vërtetë! Madje shëmbëlltyra e Jezuit mund të na nxisë që të pyesim veten: ‘Çfarë lloj i afërmi jam unë? A ndikon prejardhja ime raciale apo kombëtare që të përcaktoj se kush janë të afërmit e mi? A e kufizojnë këta faktorë detyrimin që kam për të ndihmuar cilindo individ tjetër kur e shoh në telashe? A bëj më shumë përpjekje sesa zakonisht që të jem një fqinj i mirë?’

Nga t’ia nisim?

Nëse mendojmë se kemi nevojë që të përmirësojmë në këtë drejtim, duhet të fillojmë me qëndrimin tonë mendor. Shqetësimi ynë duhet të përqendrohet në atë që të jemi fqinj të mirë. Kjo gjë mund të na ndihmojë edhe që të kemi fqinjë të mirë. Gati dy mijë vjet më parë, Jezui i vuri theksin këtij parimi të rëndësishëm të marrëdhënieve njerëzore në Predikimin e tij të famshëm në Mal. Ai tha: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Kur i trajton të tjerët me respekt, me dinjitet dhe me dashamirësi, i nxit ata që të të trajtojnë në të njëjtën mënyrë.

Në artikullin «Të doni fqinjët tuaj», që shfaqej në revistën The Nation Since 1865 (Kombi që prej vitit 1865), gazetarja dhe autorja Liza Funderburg përmendi disa gjëra të thjeshta që mund të nxitin fqinjësinë e mirë. Ajo shkroi: «Dua . . . lidhjet midis fqinjëve që shprehen me shumë veprime të vogla dashamirësie që bëjnë për njëri-tjetrin, si për shembull t’u mbajnë fëmijët, t’u marrin diçka në dyqan. Dua këtë lloj marrëdhënieje në një botë gjithnjë e më të veçuar, ku bashkësitë bëhen të brishta prej frikës dhe krimit.» Pastaj ajo shton: «Duhet filluar me dikë, e ky mund të jetë edhe fqinji në derën ngjitur.»

Po ashtu revista Canadian Geographic vinte në dukje një pikë të dobishme që mund t’i ndihmojë fqinjët të zhvillojnë një qëndrim të shëndoshë ndaj njëri-tjetrit. Shkrimtarja Marni Xhekson vërejti: «Fqinjët, ashtu si edhe familja, janë ata lloj njerëzish në jetën tuaj që nuk mund t’i zgjidhni gjithmonë. Marrëdhëniet kanë nevojë për takt, për një farë mirësjelljeje dhe për tolerancë.»

Fqinjët e mirë janë dhënës të gatshëm

Është e vërtetë se shumë prej nesh mund të ngurrojnë t’i afrohen fqinjëve. Mund të duket më e lehtë që t’i shmangim lidhjet dhe të veçohemi. Megjithatë Bibla thotë se «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh». (Veprat 20:35) Prandaj një fqinj i mirë provon të bëjë një përpjekje për t’u njohur me njerëzit që janë përreth tij. Edhe pse mund të mos dëshirojë që të zhvillojë miqësi të ngushta, ai përpiqet të shkëmbejë herë pas here ca fjalë, ndoshta duke filluar thjesht me një buzëqeshje ose me një gjest miqësor.

Siç u tha më sipër, ato që kanë vërtet rëndësi për të vendosur dhe për të mbajtur marrëdhënie fqinjësie janë «shumë veprime të vogla dashamirësie». Prandaj është dobiprurëse që të përpiqeni t’i shfaqni një fqinji shprehje të vogla dashamirësie, sepse kjo shpesh do të nxitë një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Për më tepër, duke vepruar në këtë mënyrë do të ndjekim këshillën e Biblës: «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.»​—Fjalët e urta 3:27; Jakovit 2:14-17.

Fqinjët e mirë janë marrës mirënjohës

Do të ishte diçka shumë e mirë nëse do të mund të thoshim se të gjithë marrin ndihmë dhe dhurata me një qëndrim mirënjohës. Mjerisht nuk është gjithmonë kështu. Shumë veta janë pritur aq me mosmirënjohje kur kanë dhënë ndihmë dhe dhurata me qëllim të mirë, saqë dhënësi i sinqertë mund të ketë menduar: ‘Kjo është hera e fundit që e bëj këtë!’ Ndonjëherë edhe pse mund të bëni të gjitha përpjekjet për të përshëndetur me fjalë ose me gjeste fqinjët, mund të merrni si përgjigje vetëm një tundje koke pa shumë dëshirë.

Megjithatë, në shumë raste marrësi në të vërtetë nuk është mosmirënjohës, edhe pse mund të duket kështu në pamje të parë. Ndoshta për shkak të prejardhjes kulturore ai është ngurrues ose mëdyshas dhe vepron në një mënyrë të ftohtë, jomiqësore në dukje. Nga ana tjetër, në këtë botë mosmirënjohëse, disa njerëz mund të mendojnë se ndjenja juaj e miqësisë është e pazakontë ose madje mund të dyshojnë për arsyen pse veproni kështu. Ata mund të kenë nevojë që të ndihen të sigurt. Pra, për të vendosur marrëdhënie miqësore mund të kërkohet kohë dhe durim. Sidoqoftë, fqinjët që mësojnë artin se si të jenë dhënës të gatshëm dhe marrës mirënjohës do të ndihmojnë në nxitjen e një atmosfere fqinjësie paqësore dhe të lumtur.

Kur godet një katastrofë

Një fqinj i mirë është një burim i çmuar veçanërisht kur godet një katastrofë. Fryma e vërtetë e fqinjësisë së mirë tregohet gjatë katastrofave. Ka shumë tregime për veprat altruiste të kryera nga fqinjët gjatë katastrofave. Tragjedia e përbashkët duket se i bën fqinjët që të bashkëpunojnë vetvetiu dhe të mundohen fort për njëri-tjetrin. Edhe ata me pikëpamje të kundërta shpesh punojnë së bashku.

Për shembull, në gazetën The New York Times raportohej se kur një tërmet shkretues goditi Turqinë në vitin 1999, ata që ishin prej kohësh armiq shfaqën solidaritet prej fqinji. «Na është mësuar prej vitesh që t’i urrejmë turqit,​—shkroi gazetarja greke Ana Sterju në një gazetë të Athinës.​—Por dhembja e tyre e jashtëzakonshme nuk na sjell gëzim. Kur pamë foshnjat e vdekura u prekëm; qamë sikur urrejtja e vjetër të ishte zhdukur.» Kur operacionet e shpëtimit u ndalën zyrtarisht, skuadra greke e shpëtimit nuk pranoi të mos vazhdonte kërkimet për të mbijetuarit.

Angazhimi në veprën e shpëtimit pasi godasin katastrofat natyrisht që është një akt fisnik dhe heroik kundrejt fqinjëve. Megjithatë, të shpëtosh jetën e një fqinji duke e paralajmëruar atë përpara katastrofës sigurisht që mund të quhet një akt edhe më me vlerë. Mjerisht historia zbulon se ata që paralajmërojnë fqinjët për ardhjen e katastrofave shpesh nuk mirëpriten, për sa kohë që paralajmërimi, d.m.th. katastrofa që kanoset, nuk është menjëherë i dallueshëm. Ata që shpallin një paralajmërim shpesh priten me mosbesim. Duhet shumë ngulmim dhe vetëmohim nga ana e cilitdo që po përpiqet të ndihmojë individët që nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e pasigurt.

Vepra më e madhe ndaj fqinjëve

Në ditët tona mbi njerëzimin po afrohet diçka shumë më e madhe sesa një fatkeqësi natyrore. Është vepra e parathënë e Perëndisë së Plotfuqishëm, i cili do të shfarosë nga toka krimet, ligësinë dhe problemet që i shoqërojnë. (Zbulesa 16:16; 21:3, 4) Kjo ngjarje vendimtare nuk është një mundësi e paktë, por një gjë e sigurt! Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm t’ua shpërndajnë sa më shumë njerëzve të jetë e mundur, njohurinë që nevojitet për të mbijetuar nga kjo ngjarje që kanoset të tronditë të gjithë botën. Ja përse anembanë botës angazhohen me aq ngulm në veprimtarinë e tyre të mirënjohur të predikimit. (Mateu 24:14) Ata e bëjnë këtë vullnetarisht, nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin.

Prandaj, mos lejoni që paragjykimi apo bezdia t’ju pengojë që të mos i dëgjoni Dëshmitarët kur ata vijnë në derën tuaj ose kur ju afrohen në ndonjë vend tjetër. Ata po përpiqen të jenë fqinjë të mirë. Prandaj pranoni ofertën e tyre për të studiuar Biblën me ju. Mësoni se si Fjala e Perëndisë na siguron se është afër një e ardhme kur fqinjët do të jetojnë së bashku të gëzuar. Në atë kohë, dallimet raciale, fetare ose klasore nuk do t’i prishin marrëdhëniet e përzemërta që shumica prej nesh me të vërtetë i dëshirojmë.

[Figurat në faqet 6, 7]

Është dobiprurëse që të shfaqni shprehje dashamirësie ndaj fqinjëve

[Burimi]

Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.