Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni Mësuesin e Madh

Imitoni Mësuesin e Madh

Imitoni Mësuesin e Madh

«Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve . . . , duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»​—MATEU 28:19, 20.

1, 2. (a) Si mund të jemi të gjithë në njëfarë kuptimi mësues? (b) Kur bëhet fjalë për mësimdhënien, cilën përgjegjësi të veçantë kanë të krishterët e vërtetë?

A JE mësues? Në njëfarë kuptimi, që të gjithë jemi. Sa herë që i japim udhëzime dikujt që ka humbur rrugën, sa herë i tregojmë një kolegu se si ta bëjë një punë të veçantë ose i shpjegojmë një fëmije se si t’i lidhë këpucët, jemi duke i mësuar. Ndihma që u japim të tjerëve në mënyra të tilla na sjell njëfarë kënaqësie, apo jo?

2 Kur bëhet fjalë për mësimdhënien, të krishterët e vërtetë kanë një përgjegjësi të veçantë. Na është caktuar detyra që ‘të bëjmë dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve . . . , duke i mësuar’. (Mateu 28:19, 20) Edhe brenda kongregacionit kemi rast për të mësuar. Burra të kualifikuar caktohen që të shërbejnë si «barinj e mësues», me synimin që të ndërtojnë kongregacionin. (Efesianëve 4:11-13) Në veprimtaritë e përditshme të krishtere, gratë e pjekura duhet të jenë «mësuese të së mirës» për gratë më të reja. (Titit 2:3-5) Që të gjithë jemi të nxitur që t’u japim zemër bashkëbesimtarëve dhe këtë këshillë mund ta zbatojmë duke e përdorur Biblën për të ndërtuar të tjerët. (1 Selanikasve 5:11) Ç’privilegj është të jemi mësues të Fjalës së Perëndisë dhe t’u japim të tjerëve gjëra me vlerë frymore që mund të kenë dobi afatgjata!

3. Si mund ta përmirësojmë efektshmërinë si mësues?

3 Por, si mund ta përmirësojmë efektshmërinë tonë si mësues? Pikësëpari duke imituar Mësuesin e Madh, Jezuin. ‘Por, si mund ta imitojmë Jezuin?​—mund të pyesin disa.​—Ai ishte i përsosur.’ Vërtet që s’mund të jemi mësues të përsosur. Megjithatë, pavarësisht nga aftësitë që kemi, mund të bëjmë çmos që të imitojmë mënyrën se si i mësonte Jezui të tjerët. Le të shqyrtojmë se si mund të përdorim katër nga metodat e tij: thjeshtësinë, pyetjet e efektshme, arsyetimin logjik dhe ilustrimet e përshtatshme.

Të mësojmë me thjeshtësi

4, 5. (a) Përse thjeshtësia është një tipar kryesor i së vërtetës biblike? (b) Përse është e rëndësishme të bëjmë kujdes me fjalorin që përdorim, për të mësuar me thjeshtësi?

4 Të vërtetat themelore të Fjalës së Perëndisë nuk janë të ndërlikuara. Në lutje Jezui tha: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, . . . sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e intelektualëve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Mateu 11:25) Jehovai ka bërë që qëllimet e tij t’u zbulohen atyre që kanë zemër të çiltër e të përulur. (1 Korintasve 1:26-28) Prandaj thjeshtësia është një tipar kryesor i së vërtetës biblike.

5 Si mund të mësosh me thjeshtësi kur drejton një studim biblik në shtëpi ose kur bën rivizita te të interesuarit? Mirë, pra, çfarë mësuam nga Mësuesi i Madh? Për t’u kuptuar nga dëgjuesit e tij, shumë prej të cilëve ishin «të pashkolluar e të thjeshtë», Jezui përdori një gjuhë të thjeshtë të cilën ata mund ta kuptonin. (Veprat 4:13) Atëherë, për të mësuar me thjeshtësi, kërkesa e parë është të bëjmë kujdes me fjalorin që përdorim. S’ka nevojë të përdorim fjalë ose shprehje shumë të mëdha për t’ua bërë më bindëse të tjerëve të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Kjo «epërsi fjalësh» do t’i trembte njerëzit, e sidomos ata që kanë arsimim ose aftësi të kufizuara. (1 Korintasve 2:1, 2) Shembulli i Jezuit tregon se fjalët e thjeshta, të zgjedhura me kujdes, mund ta përcjellin me shumë forcë të vërtetën.

6. Si t’ia bëjmë që të mos e ngarkojmë studentin biblik me tepër informacion?

6 Për të mësuar me thjeshtësi duhet të jemi të kujdesshëm edhe të që mos e ngarkojmë një student biblik me tepër informacion. Jezui i merrte parasysh kufizimet e dishepujve të tij. (Gjoni 16:12) Edhe ne duhet të kemi parasysh studentët tanë. Për shembull, kur drejtojmë një studim me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme nuk ka nevojë të shpjegojmë çdo hollësi. * As nuk është e nevojshme ta trajtojmë nxitimthi materialin, sikur gjëja më e rëndësishme të ishte të trajtonim një sasi të caktuar materiali. Në vend të kësaj, është e mençur të lëmë që të jenë nevojat dhe aftësitë e studentit ato që përcaktojnë ritmin e studimit. Synimi ynë është ta ndihmojmë studentin që të bëhet dishepull i Krishtit dhe adhurues i Jehovait. Duhet të përdorim aq kohë sa është e nevojshme për ta ndihmuar studentin e interesuar që ta kuptojë qartë atë që po mëson. Kështu që e vërteta mund t’i prekë zemrën dhe ta shtyjë që të veprojë.​—Romakëve 12:2.

7. Cilat sugjerime mund të na ndihmojnë të mësojmë me thjeshtësi kur mbajmë fjalime në kongregacion?

7 Si mund të flasim në një mënyrë që ‘kuptohet lehtësisht’ kur mbajmë fjalime në kongregacion, sidomos nëse në auditor ka njerëz që vijnë për herë të parë? (1 Korintasve 14:9) Të shqyrtojmë tri sugjerime që mund të na ndihmojnë. Së pari, duhet të shpjegojmë ndonjë term të panjohur që na duhet të përdorim. Kuptueshmëria e Fjalës së Perëndisë na ka dhënë një fjalor të veçantë. Në qoftë se përdorim shprehje si «skllavi i besueshëm dhe i matur», ‘delet e tjera’ dhe «Babilonia e Madhe», mund të na duhet t’i shpjegojmë me shprehje të thjeshta për ta bërë të qartë kuptimin e tyre. Së dyti, nuk duhet të përdorim tepër fjalë. Fjalët e tepërta të thëna në mënyrë shumë të ndërlikuar mund ta hutojnë auditorin. Qartësia vjen duke hequr fjalët dhe shprehjet e panevojshme. Së treti, nuk duhet të përpiqemi të trajtojmë tepër material. Kërkimet që bëjmë mund të nxjerrin shumë hollësi interesante. Por është më mirë ta përmbledhim materialin në disa pika kryesore, duke përdorur vetëm informacionin që mbështet ato pika dhe që arrijmë ta zhvillojmë qartë brenda kohës së caktuar.

Përdorimi me efektshmëri i pyetjeve

8, 9. Si mund të zgjedhim një pyetje që i përshtatet interesit të të zotit të shtëpisë? Jepni shembuj.

8 Kujtoni se Jezui i përdorte me mjeshtëri pyetjet për t’i bërë dishepujt të shprehnin çfarë kishin në mendje dhe për të nxitur e për të stërvitur aftësinë e tyre për të menduar. Me pyetjet që bënte, Jezui me butësi arrinte deri në zemrën e tyre dhe ndikonte tek ajo. (Mateu 16:13, 15; Gjoni 11:26) Si mund t’i përdorim me efektshmëri pyetjet, ashtu si Jezui?

9 Kur predikojmë nga shtëpia në shtëpi, mund t’i përdorim pyetjet për të nxitur interesin, duke hapur rrugën që të flasim për Mbretërinë e Perëndisë. Si të zgjedhim një pyetje që i përshtatet interesave të të zotit të shtëpisë? Ji vëzhgues. Kur i afrohesh një shtëpie, hidh sytë përreth. A ka lodra në oborr, shenjë kjo që tregon se në shtëpi ka fëmijë? Nëse po, mund të bësh pyetjen: ‘A e keni pyetur ndonjëherë veten si do të jetë bota kur të rriten fëmijët tuaj?’ (Psalmi 37:10, 11) A ka disa brava në derën kryesore ose a ka ndonjë sistem alarmi? Mund të bëjmë pyetjen: ‘A mendoni se do të vijë ndonjëherë koha kur do të ndihemi të sigurt në shtëpi dhe në rrugë?’ (Mikea 4:3, 4) A ka diçka që tregon se në atë shtëpi ka një njeri të sëmurë? Mund të pyesim: ‘A do të vijë ndonjëherë një kohë kur të gjithë njerëzit të kenë shëndet të mirë?’ (Isaia 33:24) Shumë sugjerime mund t’i gjejmë në librin Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve. *

10. Si mund të përdorim pyetjet për të ‘nxjerrë’ mendimet dhe ndjenjat nga zemra e studentit të Biblës, por, çfarë nuk duhet të harrojmë?

10 Si mund t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur drejtojmë studime biblike? Ndryshe nga Jezui, ne nuk e lexojmë dot zemrën. Por pyetjet e bëra me takt e të përshtatura sipas rrethanës mund të na ndihmojnë që të ‘nxjerrim’ mendimet dhe ndjenjat që ka në zemër studenti. (Proverbat [Fjalët e urta] 20:5, BR) Për shembull, të mendojmë sikur po studiojmë kapitullin «Pse një jetë e devotshme sjell lumturi?» në librin Njohuria. Aty flet për pikëpamjen e Perëndisë lidhur me pandershmërinë, imoralitetin e gjëra të tjera. Studenti mund t’u përgjigjet drejt pyetjeve në fund të paragrafëve, por, a i pranon ato që po mëson? Mund ta pyesim: ‘A të duket e arsyeshme pikëpamja e Jehovait për këto gjëra?’ ‘Si mund t’i zbatosh këto parime biblike në jetën tënde?’ Gjithsesi, të mos harrojmë se duhet të tregojmë respekt, duke i dhënë dinjitet studentit. Nuk duam të bëjmë pyetje që e vënë në siklet ose e ulin studentin.​—Fjalët e urta 12:18.

11. Në ç’mënyrë mund t’i përdorin me efektshmëri pyetjet oratorët publikë?

11 Edhe oratorët publikë mund t’i përdorin me efektshmëri pyetjet. Pyetjet retorike, për të cilat nuk presim ndonjë përgjigje me zë nga dëgjuesit, mund ta ndihmojnë auditorin që të mendojë e të arsyetojë. Në disa raste, Jezui përdori pyetje të tilla. (Mateu 11:7-9) Veç kësaj, pas komenteve hyrëse, një orator mund t’i përdorë pyetjet për të treguar pikat kryesore që do të trajtojë. Ndoshta mund të thotë: «Në pjesën e sotme, do të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve . . . » Pastaj, në përfundim, mund t’i përsëritë ato pyetje për të rishikuar pikat kryesore.

12. Jepni një shembull që tregon se si mund t’i përdorin pyetjet pleqtë e krishterë për ta ndihmuar një bashkëbesimtar që të gjejë ngushëllim nga Fjala e Perëndisë.

12 Në veprën e tyre baritore, pleqtë e krishterë mund t’i përdorin pyetjet për ta ndihmuar një ‘shpirt të ligështuar’ që të gjejë ngushëllim nga Fjala e Jehovait. (1 Selanikasve 5:14) Për shembull, për të ndihmuar dikë që ndihet i brengosur, një plak mund ta drejtojë vëmendjen te Psalmi 34:18. Aty thuhet: «Jehovai është pranë atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (BR) Për t’u siguruar se i shkurajuari e kupton se si zbatohet kjo për të personalisht, plaku mund ta pyesë: ‘Pranë kujt është Jehovai? A ndihesh ndonjëherë ‘me zemër të thyer’ ose ‘me frymë të dërrmuar’? Në qoftë se, siç thotë Bibla, Jehovai është pranë këtyre njerëzve, a nuk do të thotë kjo se ai është pranë teje?’ Një ngushëllim i tillë i përzemërt mund t’ia rigjallërojë frymën atij që e ka lëshuar zemra.​—Isaia 57:15.

Arsyetim logjik

13, 14. (a) Si mund të arsyetojmë me dikë që thotë se nuk beson dot te një Perëndi që s’e sheh? (b) Përse nuk duhet të presim që çdokush të bindet?

13 Në shërbimin tonë, duam të arrijmë zemrën e njerëzve duke përdorur arsyetimin e shëndoshë dhe bindës. (Veprat 19:8; 28:23, 24) A do të thotë kjo se duhet të mësojmë të përdorim një logjikë të ndërlikuar për t’i bindur të tjerët për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë? Aspak. Arsyetimi i shëndoshë s’ka pse të jetë i ndërlikuar. Argumentimet logjike të paraqitura në mënyrë të thjeshtë shpesh janë ato më të efektshmet. Shqyrto një shembull.

14 Si mund të përgjigjemi kur dikush thotë se nuk beson dot te një Perëndi që nuk mund ta shohë? Mund të arsyetojmë rreth ligjit fizik të shkakut e të pasojës. Kur vëmë re një pasojë, e pranojmë se duhet të ketë një shkak. Mund të themi: ‘Po të ishit në një zonë të largët dhe t’ju dilte përpara një shtëpi e ndërtuar mirë dhe e mbushur me ushqime (pasoja), do ta pranonit menjëherë se dikush (shkaku) e ndërtoi atë shtëpi dhe mbushi dollapët me ushqime. Po kështu, kur shohim projektin që duket qartë në natyrë dhe bollëkun e ushqimit në «depozitën» e tokës (pasoja), a nuk është logjike të pranojmë se Dikush (shkaku) është përgjegjës për to?’ Argumentimi që përdor Bibla e shpjegon më së miri këtë: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Megjithatë, sado i shëndoshë të jetë arsyetimi ynë, jo çdokush do të bindet prej tij. Bibla na kujton se vetëm ata që janë «të prirur» do të bëhen besimtarë.​—Veprat 13:48; 2 Selanikasve 3:2.

15. Cilin arsyetim mund të përdorim për të nxjerrë në pah cilësitë dhe mënyrën e të vepruarit të Jehovait e cilët janë dy shembuj që tregojnë se si mund ta përdorim këtë arsyetim?

15 Në mësimdhënien tonë, qoftë në shërbimin në fushë, qoftë në kongregacion, mund ta përdorim arsyetimin logjik për të nxjerrë në pah cilësitë dhe mënyrën e të vepruarit të Jehovait. Sidomos e efektshme është mënyra e të arsyetuarit me shprehjen «sa më shumë», të cilën e përdori edhe Jezui në disa raste. (Luka 11:13; 12:24) I bazuar në dallime, ky lloj arsyetimi mund të lërë mbresa të thella. Për të nxjerrë në pah se sa absurde është doktrina e zjarrit të ferrit, mund të themi: ‘Asnjë baba i dashur nuk do ta ndëshkonte fëmijën e tij duke ia mbajtur dorën mbi zjarr. Sa më shumë duhet të jetë e neveritshme edhe vetë ideja e zjarrit të ferrit për Atin tonë të dashur qiellor!’ (Jeremia 7:31) Për t’u mësuar të tjerëve se Jehovai kujdeset për shërbëtorët e tij si individë, mund të themi: ‘Nëse Jehovai njeh me emër secilin nga miliarda yjet, sa më shumë duhet të kujdeset për njerëzit që e duan dhe që janë blerë me gjakun e çmuar të Birit të tij!’ (Isaia 40:26; Veprat 20:28) Ky arsyetim i fuqishëm mund të na ndihmojë të arrijmë zemrën e të tjerëve.

Ilustrime të përshtatshme

16. Përse ilustrimet janë të vlefshme kur mësojmë të tjerët?

16 Ilustrimet e efektshme janë si erëzat që mund t’ua bëjnë më të shijshme të tjerëve mësimdhënien tonë. Përse janë të vlefshme ilustrimet kur mësojmë të tjerët? Një arsimtar komentoi: «Aftësia për të menduar në mënyrë abstrakte është një nga gjërat më të vështira për njeriun.» Ilustrimet ngulitin përfytyrime domethënëse në mendje, duke na ndihmuar që t’i kuptojmë më plotësisht idetë e reja. Jezui ishte i veçantë në përdorimin e ilustrimeve. (Marku 4:33, 34) Le të shqyrtojmë se si mund ta përdorim këtë metodë mësimdhënieje.

17. Cilët janë katër faktorë që e bëjnë të efektshëm një ilustrim?

17 Çfarë e bën të efektshëm një ilustrim? Së pari duhet t’i përshtatet auditorit tonë, pra duhet të merret nga rrethana që dëgjuesit tanë mund t’i kuptojnë menjëherë. Mos harroni se shumë nga ilustrimet e tij Jezui i mori nga jeta e përditshme e atyre që po e dëgjonin. Së dyti, ilustrimi duhet të jetë në mënyrë të arsyeshme paralel me atë që duam të theksojmë. Nëse krahasimi nuk është tamam i goditur, ilustrimi vetëm sa do t’i shpërqendrojë dëgjuesit. Së treti, një ilustrim nuk duhet të jetë i ngjeshur me hollësi të panevojshme. Kujtoni se Jezui i përfshiu hollësitë e nevojshme, por i hoqi ato që s’duheshin. Së katërti, kur përdorim një ilustrim, duhet të sigurohemi se zbatimi i tij është i qartë. Përndryshe, disa mund të mos e kuptojnë se ku duam të dalim.

18. Si mund të gjejmë ilustrime të përshtatshme?

18 Si mund të gjejmë ilustrime të përshtatshme? S’ka nevojë të mendojmë për histori të gjata e të ndërlikuara. Ilustrimet e shkurtra mund të jenë shumë të efektshme. Thjesht përpiquni të mendoni disa shembuj për pikën që po shqyrtoni. Për shembull, mendoni sikur po trajtojmë temën e faljes nga ana e Perëndisë dhe duam të ilustrojmë atë që thuhet te Veprat 3:19, pra, se Jehovai ‘i fshin’ mëkatet tona. Kjo, në vetvete, është një figurë letrare mjaft e gjallë, por, cilin shembull konkret mund të përdorim për ta ilustruar këtë​—një gomë, një sfungjer? Mund të themi: ‘Kur Jehovai na i fal mëkatet, i fshin ato sikur të përdorte një sfungjer (ose një gomë).’ Vështirë të mos kapet kuptimi i këtij ilustrimi të thjeshtë.

19, 20. (a) Ku mund të gjejmë ilustrime të mira? (b) Cilët janë disa shembuj të ilustrimeve të efektshme që janë botuar në literaturën tonë? (Shih edhe kutinë.)

19 Ku mund të gjeni ilustrime të përshtatshme, duke përfshirë edhe shembuj të jetës reale? Kërkojini në jetën tuaj ose në kulturat dhe përvojat e ndryshme të bashkëbesimtarëve. Ilustrimet mund të zgjidhen nga shumë burime të tjera, duke përfshirë objekte me dhe pa jetë, sende shtëpie ose një ngjarje të fundit që njihet në lagjen tuaj. Çelësi për të gjetur ilustrime të mira është të jeni syçelë, ‘të vështroni me vëmendje’ rrethanat e përditshme që keni përreth. (Veprat 17:22, 23) Një vepër referimi për sa i përket oratorisë shpjegon: «Oratori që vëzhgon jetën e njerëzve dhe veprimtaritë e ndryshme që bëjnë; që flet me çdo lloj njeriu; që i shqyrton nga afër gjërat dhe bën pyetje derisa t’i kuptojë ato, do të mbledhë material me shumicë për ilustrime, që do t’i hyjnë në punë kur të ketë nevojë.»

20 Ka edhe një burim tjetër plot me ilustrime të efektshme: Kulla e Rojës, Zgjohuni! dhe literatura tjetër që botojnë Dëshmitarët e Jehovait. Mund të mësoni shumë duke vënë re se si i përdorin ilustrimet këto botime. * Merrni, për shembull, ilustrimin e përdorur në paragrafin 11 të kapitullit 17, në librin Njohuria. I krahason personalitetet e ndryshme në kongregacion me shumëllojshmërinë e automjeteve që udhëtojnë përbri jush në rrugë. Çfarë e bën të efektshëm ilustrimin? Vini re se është i bazuar në rrethanat e përditshme, është shumë i ngjashëm me atë që po theksohet dhe zbatimi është i qartë. Mund t’i përdorim në mësimdhënien tonë ilustrimet e botuara, ndoshta duke i përshtatur sipas nevojave të një studenti të Biblës ose për t’i përdorur në një fjalim.

21. Cilat shpërblime vijnë kur jemi mësues të efektshëm të Fjalës së Perëndisë?

21 Shpërblimet që vijnë kur jemi mësues të efektshëm janë të mëdha. Kur mësojmë, jemi duke u dhënë të tjerëve, po u japim një pjesë të vetes sonë për t’i ndihmuar. Kjo dhënie sjell lumturi, sepse Bibla thotë: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Për mësuesit e Fjalës së Perëndisë, kjo lumturi është gëzimi që vjen kur e dimë se po japim diçka me vlerë reale e të qëndrueshme​—të vërtetën për Jehovain. Mund të kemi edhe kënaqësinë që vjen kur e dimë se po imitojmë Mësuesin e Madh, Jezu Krishtin.

[Shënimet]

^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 Shih pjesën «Hyrje për t’i përdorur në shërbimin në fushë», në faqet 9-15.​—Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

^ par. 20 Për të gjetur shembuj, shih Treguesin e botimeve Watch Tower 1986-2000, te nëntitulli «Ilustrime».​—Botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Si mund të mësojmë me thjeshtësi kur drejtojmë një studim biblik në shtëpi? Kur mbajmë një fjalim në kongregacion?

• Si mund t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur predikojmë nga shtëpia në shtëpi?

• Si mund ta përdorim arsyetimin logjik për të theksuar cilësitë dhe mënyrën e të vepruarit të Jehovait?

• Ku mund të gjejmë ilustrime të përshtatshme?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 23]

A ju kujtohen këto ilustrime?

Më poshtë vijojnë disa ilustrime të efektshme. Përse të mos shihni artikujt nga të cilët janë marrë dhe të vëreni se si ilustrimi ndihmoi për të theksuar pikën që po shqyrtohej?

• Ashtu si trapezistët ose çiftet e patinatorëve, ata që duan të kenë një martesë të mirë varen shumë nga gjetja e një partneri të mirë.​—Kulla e Rojës, 15 maj 2001, faqja 16.

• Të shprehësh ndjenjat është si të hedhësh një top. Mund ta hedhësh me butësi ose mund ta flakësh me aq forcë, sa të shkaktojë dëmtime.​—Zgjohuni!, janar 2001, faqja 10.

• Të mësosh të shprehësh dashurinë është si të mësosh një gjuhë të re.​—Kulla e Rojës, 15 shkurt 1999, faqet 18, 22-23.

• Mëkati i trashëguar mund të krahasohet me atë që ndodh kur ‘dokumentet’ elektronike të një kompjuteri prishen nga një virus.​—A ka një Krijues që interesohet për ju?, faqja 156.

• Spiritizmi është po aq i dobishëm për demonët, sa është edhe karremi për gjuetarët. Ai tërheq prenë.​—Njohuria që të çon në jetën e përhershme, faqja 111.

• Mënyra se si i shpëtoi Jezui pasardhësit e Adamit mund të krahasohet me një mirëbërës të pasur i cili paguan borxhin e një kompanie (borxh i shkaktuar nga një administrator jo i ndershëm) dhe hap përsëri fabrikën, duke u sjellë dobi punonjësve të shumtë të saj.​—Kulla e Rojës, 15 shkurt 1999, faqja 16.

[Figurat në faqen 20]

Të krishterët e vërtetë janë mësues të Fjalës së Perëndisë

[Figura në faqen 21]

Pleqtë mund t’i përdorin pyetjet për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët që të nxjerrin ngushëllim nga Fjala e Perëndisë