Ku kanë përfunduar fqinjët e vërtetë?
Ku kanë përfunduar fqinjët e vërtetë?
«Në shoqërinë e sotme nuk ekziston më fqinjësia.»—Beniamin Disraeli, burrë shteti anglez i shekullit të 19-të.
KUBANËT e moshuar për të rritur mirëqenien kanë një mënyrë të pazakontë: grupet e fqinjëve ose círculos de abuelos (grupet e gjyshërve), siç i quajnë ata. Sipas një raporti të vitit 1997, rreth 1 në 5 kubanë të moshuar i përkasin këtyre grupeve, në të cilat ata gjejnë shoqëri, mbështetje dhe ndihmë praktike për të mbajtur një mënyrë jetese të shëndetshme. «Sa herë që mjekët e familjeve kanë nevojë për ndihmë gjatë një fushate vaksinimi,—vëren revista World-Health,—te grupet e gjyshërve ata gjejnë njerëz të gatshëm e të aftë.»
Por, në mënyrë të trishtueshme në shumë vende të botës nuk ka më bashkësi të tilla me njerëz që kujdesen për fqinjët e tyre. Shqyrtoni për shembull rastin tragjik të Volfgang Dirksit, i cili banonte në një apartament në Evropën Perëndimore. Para disa vitesh, në gazetën The Canberra Times raportohej që edhe pse 17 familjet që banonin në të njëjtën ndërtesë me Volfgangun e kishin vënë re mungesën e tij, «askujt nuk i ra ndër mend që t’i binte ziles». Kur pronari i ndërtesës më në fund erdhi, «ai zbuloi një skelet të ulur përballë televizorit». E shpalosur mbi prehrin e skeletit gjendej një fletë me programe televizive, e cila mbante datën 5 dhjetor 1993. Volfgangu kishte vdekur prej pesë vjetësh. Çfarë dëshmie e trishtueshme e humbjes së interesimit dhe të kujdesit midis fqinjëve! Nuk është çudi që një eseist pohoi në revistën The New York Times Magazine se fqinjët e tij, ashtu si edhe të shumë të tjerëve, ishin bërë «një bashkësi të huajsh». A janë po kështu fqinjët tuaj?
Është e vërtetë se disa bashkësi fshatare kanë ende ndjenjën e fqinjësisë së mirë e të çiltër dhe se disa bashkësi qytetare po përpiqen që të tregojnë më shumë interes për fqinjët. Megjithatë, shumë banorë të qytetit ndihen të veçuar dhe të pambrojtur nga fqinjët. Ata ndihen të veçuar për shkak se nuk njihen me fqinjët e tyre. Në ç’mënyrë?
Të veçuar nga mosnjohja
Shumica prej nesh sigurisht që kemi fqinjë që banojnë pranë. Regëtima e dritës së një televizori, hijet që lëvizin pas dritares, dritat që ndizen e fiken, zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë, hapat në korridor, çelësat që hapin e mbyllin dyert janë të gjitha shenja se fqinjët janë «gjallë». Sidoqoftë, çdo ndjenjë e vërtetë e fqinjësisë së mirë zbehet kur njerëzit që banojnë pranë njëri-tjetrit qëndrojnë të panjohur ose shpërfillin njëri-tjetrin si pasojë e një mënyre të ethshme jetese. Njerëzit mund të mendojnë se nuk ka nevojë që të përzihen me fqinjët apo që në ndonjë mënyrë të kenë ndonjë detyrim ndaj tyre. Në gazetën australiane Herald Sun thuhet: «Individët janë më shumë të panjohur për fqinjët që i rrethojnë dhe si pasojë janë më pak nën shtrëngimin e detyrimeve shoqërore. Tani është më e lehtë të shpërfillësh ose të mënjanosh njerëzit që nuk janë tërheqës për shoqërinë.»
Një zhvillim i tillë nuk duhet të na çudisë. Në një botë ku njerëzit janë «të dashuruar pas vetes», fqinjët po korrin pasojat e mënyrës egoiste të jetesës së këtyre njerëzve. (2 Timoteut 3:2) Pasojat janë vetmia dhe veçimi aq të përhapur. Veçimi çon në mosbesim, veçanërisht atëherë kur dhuna dhe krimi kërcënojnë pareshtur fqinjët. Nga ana tjetër, shpejt mosbesimi e mpin dhembshurinë njerëzore.
Sido që të jenë fqinjët tuaj, pa dyshim jeni të një mendjeje se fqinjët e mirë janë të dobishëm për bashkësinë. Kur njerëzit punojnë për një qëllim të përbashkët bëhen shumë gjëra. Fqinjët e mirë mund të jenë edhe një bekim. Artikulli vijues do të na e tregojë këtë.