«Nuk do të ndryshoja asgjë!»
Jetëshkrim
«Nuk do të ndryshoja asgjë!»
TREGUAR NGA GLEDIS ALENI
Ndonjëherë më pyesin: «Nëse do të të duhej ta jetoje jetën nga e para, çfarë do të ndryshoje?» Me të vërtetë mund të përgjigjem: «Nuk do të ndryshoja asgjë.» Më lini t’ju shpjegoj pse mendoj kështu.
VERËN e vitit 1929, kur isha dy vjeçe, diçka e mrekullueshme i ndodhi babait tim, Methju Alenit. Ai mori broshurën Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë, botuar nga Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Pasi kishte përpirë vetëm disa faqe të fletushkës, babai thirri: «Kjo është gjëja më e shkëlqyer që kam lexuar ndonjëherë!»
Shumë shpejt pas kësaj babai mori botime të tjera të Studentëve të Biblës. Pa humbur kohë ai filloi të ndajë me të gjithë fqinjët atë që kishte mësuar. Megjithatë, në bashkësinë tonë fshatare nuk kishte asnjë kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Në vitin 1935, duke e kuptuar nevojën për t’u shoqëruar rregullisht me të krishterët babai e zhvendosi familjen në Orinxhvil të Ontarios, Kanada, sepse atje kishte një kongregacion.
Në atë kohë fëmijët jo gjithmonë nxiteshin të merrnin pjesë në mbledhjet e kongregacionit. Zakonisht ata rrinin jashtë vendit të mbledhjes dhe luanin derisa të rriturit mbaronin. Babait nuk i pëlqente kjo. Ai arsyetonte: «Nëse mbledhjet janë të mira për mua, janë të mira edhe për fëmijët e mi.» Kështu, ndonëse sapo ishte lidhur me kongregacionin, babai mësoi vëllanë tim Bobin, mua dhe motrat e mia Elën dhe Rubin që të bashkoheshim me të rriturit në mbledhje dhe ashtu bëmë. Së shpejti, edhe fëmijët e Dëshmitarëve të tjerë ndiqnin mbledhjet. Pjesëmarrja në mbledhje dhe
komentet u bënë pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë.Babai e donte Biblën dhe kishte një mënyrë fantastike për t’i bërë të gjalla tregimet biblike. Me anë të tyre nguliti mësime jetësore në zemrën tonë të vogël. Ende mund t’i kujtoj ato me ëndje të madhe. Një mësim që më vjen ndër mend tani është se Jehovai i bekon ata që i binden atij.
Gjithashtu, babai na mësoi të përdornim Biblën për të mbrojtur besimin tonë. Bënim një si lojë. Babai thoshte: «Unë besoj se do të shkoj në qiell kur të vdes. Tani ju më tregoni që nuk do të shkoj.» Rubi dhe unë gërmonim në renditësin alfabetik që të gjenim shkrimet që mund të përdornim për të hedhur poshtë atë mësim. Pasi lexonim shkrimet që kishim gjetur, babai thoshte: «Kjo është interesante, por prapë nuk u binda.» Kështu i ktheheshim sërish renditësit alfabetik. Shpesh kjo vazhdonte për orë të tëra, derisa babai të mbetej i kënaqur me përgjigjet që i jepnim. Si rrjedhim, Rubi dhe unë u aftësuam shumë për të shpjeguar bindjet tona dhe për të mbrojtur besimin tonë.
Kapërcej frikën nga njeriu
Me gjithë stërvitjen e shkëlqyer që mora në shtëpi dhe në mbledhjet e kongregacionit, më duhet ta pranoj se për disa gjëra më dukej sfidues të qenët e krishtere. Ashtu si shumë të rinjve, nuk më pëlqente të isha e ndryshme nga të tjerët, veçanërisht nga shokët e klasës. Ato që ne i quanim marshimet informuese përbënë një provë të hershme të besimit tim.
Ideja ishte që një grup vëllezërish dhe motrash të ecnin ngadalë nëpër rrugët kryesore të qytetit duke bartur tabela me parulla. Të gjithë e njihnim njëri-tjetrin në qytetin tonë me afro 3.000 banorë. Gjatë një marshimi informues po ecja në fund të rreshtit duke bartur një tabelë ku lexohej: «Feja është një lak dhe një mashtrim.» Disa nga shokët e shkollës më panë dhe pa humbur kohë u vunë në rresht pas meje, duke kënduar himnin kombëtar «Perëndia e ruajttë Mbretin». Si e përballova? U luta me zjarr për forcë që të vazhdoja të ecja. Kur më në fund marshimi mbaroi, nxitova për në Sallën e Mbretërisë që të riktheja tabelën time dhe të shkoja në shtëpi. Por, ai që ishte përgjegjës më tha se do të nisnim një marshim tjetër dhe se nevojitej edhe një njeri tjetër për të bartur një tabelë. Kështu dola prapë jashtë dhe si kurrë ndonjëherë u luta me shumë zjarr. Gjithsesi, kësaj here shokët e klasës ishin lodhur dhe kishin ikur në shtëpi. Lutjet e mia për forcë u kthyen në lutje falënderimesh.—Fjalët e urta 3:5
Shërbëtorët në kohë të plotë ishin gjithmonë të mirëpritur në shtëpinë tonë. Ata ishin një grup i lumtur dhe ishte kënaqësi t’i mikpritje. Me aq sa mbaj mend prindërit e mi gjithnjë na e paraqitnin ne fëmijëve shërbimin në kohë të plotë si karrierën më të mirë të mundshme.
Duke vepruar sipas nxitjes së tyre fillova karrierën time në shërbimin në kohë të plotë në vitin 1945. Më vonë u bashkova me motrën time, Elën, e cila po shërbente si pioniere në Landën të Ontarios. Atje, m’u paraqit një mënyrë shërbimi, të cilin mendoja se nuk do të isha kurrë në gjendje ta bëja. Vëllezërit shkonin nga tavolina në tavolinë nëpër pijetore duke u ofruar klientëve kopje të revistës Kulla e
Rojës dhe Ngushëllimi (tani Zgjohuni!). Lumturisht, vepra bëhej të shtunave pasdite, kështu që kisha gjithë javën për t’u lutur për forcë që të dilja në shërbim. Jo, vepra nuk ishte e lehtë për mua, por ishte shpërblyese.Nga ana tjetër, mësova madje si të shpërndaja numra të veçantë të Ngushëllimit, të cilët flitnin për përndjekjen e vëllezërve tanë në kampet naziste të përqendrimit, sidomos kur kontaktoja me biznesmenë të rëndësishëm kanadezë, përfshirë edhe presidentë të firmave të mëdha. Gjatë viteve kam parë se Jehovai gjithmonë na përkrah për aq kohë sa mbështetemi tek ai për forcë. Siç thoshte babai, Jehovai i bekon ata që i binden Atij.
I përgjigjem thirrjes për të shërbyer në Kuebek
Më 4 korrik 1940 vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada u ndalua. Më vonë ndalimi u hoq, por ne përsëri na përndiqnin në provincën katolike të Kuebekut. U ndërmor një fushatë speciale për të tërhequr vëmendjen ndaj keqtrajtimit të vëllezërve tanë në atë vend. Për këtë u përdorën fjalët e fuqishme të fletushkës Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut për Perëndinë, për Krishtin dhe për lirinë është turpi i gjithë Kanadasë. Nejthën H. Nori, një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, u takua me qindra pionierë në qytetin e Monrealit për të shpjeguar çfarë përfshihej në atë që do të bënim. Vëlla Nori na tha se mund të pritnim të na arrestonin e të na futnin në burg, nëse pranonim të merrnin pjesë në fushatë. Sa e vërtetë doli kjo! Për ca kohë u arrestova 15 herë. Kur dilnim në shërbim siguroheshim që kishim marrë me vete furçën e dhëmbëve dhe krehërin, në rast se duhej ta kalonim natën në burg.
Fillimisht e kryenim pjesën më të madhe të veprës gjatë natës kështu që për aq sa ishte e mundur nuk tërhiqnim vëmendjen. Mbaja me vete fletushka rezervë në një çantë, të cilën e varja në qafë, poshtë palltos. Çanta plot me fletushka ishte shumë e fryrë, prandaj dukesha si shtatzënë. Kjo ishte në dobinë time kur, për të shkuar në territor, hipja në një tramvaj përplot me njerëz. Shpesh ndonjë zotëri i sjellshëm ngrihej dhe lironte vendin e tij që të ulej zonja «shtatzënë».
Me kalimin e kohës filluam të merrnim pjesë në veprën e shpërndarjes gjatë ditës. Linim fletushkat në tri ose katër dyer dhe pastaj vazhdonim në një territor tjetër. Kjo zakonisht ecte mirë. Sidoqoftë, nëse një prift katolik merrte vesh se ishim në zonë mund të prisnim telashe. Një herë, një prift nxiti një turmë me 50 a 60 të rritur dhe fëmijë që të na gjuanin me domate dhe me vezë. U strehuam në shtëpinë e një motre të krishtere ku na u desh të kalonim natën duke fjetur në dysheme.
Kishte nevojë të madhe për pionierë që t’u predikonin njerëzve frëngjishtfolës në Kuebek, kështu në dhjetor të 1958-s unë dhe motra ime Rubi filluam të studionim gjuhën frënge. Pas kësaj u caktuam në disa zona të provincës ku flitej frëngjishtja. Secili caktim solli me vete një përvojë të pakrahasueshme. Në një vend shkuam nga shtëpia në shtëpi tetë orë në ditë për dy vjet rresht, pa gjetur askënd që të na përgjigjej. Njerëzit vetëm vinin te dera dhe pastaj ulnin grilat. Por, nuk u dorëzuam. Sot në atë qytet ka dy kongregacione që lulëzojnë.
Jehovai më mbështeti në të gjitha mënyrat
Filluam të shërbenim si pioniere speciale në vitin 1965. Në një nga caktimet si pioniere speciale arritëm të kuptonim rëndësinë e plotë të fjalëve të Pavlit, siç regjistrohen tek 1 Timoteut 6:8: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» Duhej të harxhonim pak para, në mënyrë që të mbulonim shpenzimet tona. Kështu hoqëm mënjanë paratë për ngrohjen, qiranë, elektricitetin dhe për ushqimin. Duke hequr këto, kishim një çerek dollari për pjesën tjetër të muajit që mund ta shpenzonim si të donim.
Me fondet e kufizuara që kishim mund të përballonim ta mbanim ngrohësen ndezur vetëm për pak orë gjatë natës. Kështu, në dhomën e gjumit temperatura nuk ishte kurrë mbi Psalmit 37:25: «Nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë»!
15 gradë Celsius dhe shpesh ishte edhe më e ulët. Pastaj një ditë na bëri një vizitë djali i njërës prej studimeve biblike të Rubit. Ai duhet të ketë shkuar në shtëpi dhe t’i ketë thënë së ëmës që ne po ngrinim së ftohti, sepse pas kësaj ajo na dërgonte dhjetë dollarë çdo muaj për të blerë gaz, kështu mund ta linim ngrohësen ndezur gjithë kohës. Nuk ndiem në asnjë mënyrë se na mungonte diçka. Nuk ishim të pasura, por kishim gjithmonë gjërat e nevojshme. E ndienim se çdo gjë që tepronte ishte një dhuratë. Sa të vërteta janë fjalët eMe gjithë kundërshtimin që hasëm, pata kënaqësinë të shihja shumë njerëz me të cilët kam drejtuar studime biblike të fitonin njohurinë për të vërtetën. Disa e bënë shërbimin në kohë të plotë karrierën e tyre, e kjo më solli gëzim të veçantë.
Përballoj me sukses sfida të reja
Kornuelli në Ontario ishte caktimi ynë i ri në vitin 1970. Një vit pasi kishim ardhur në Kornuell, mamaja u sëmur. Babai kishte vdekur në 1957-ën dhe unë me dy motrat e mia u kujdesëm me radhë për mamanë derisa ajo vdiq më 1972. Shoqet tona të shërbimit si pioniere speciale, Ela Lizitsa dhe An Koalenkoja kishin një ndikim të qëndrueshëm dhe na dhanë mbështetje të dashur në këtë kohë. Ato u kujdesën për studimet tona biblike dhe përgjegjësitë e tjera gjatë mungesës sonë. Sa i vërtetë është shkrimi i Fjalëve të urta 18:24: «Është një mik që është më i lidhur se një vëlla.»
Sigurisht, jeta është plot me sfida. Por kam qenë në gjendje t’i përballoj ato, sepse dora e dashur e Jehovait më ka mbështetur. Ende jam duke shërbyer me gëzim në kohë të plotë. Bobi, i cili vdiq më 1993, kaloi më shumë se 20 vjet në veprën e pionierit, kjo përfshinte edhe 10 vjet të çmuara që shërbeu si pionier së bashku me të shoqen, Dollin. Motra ime më e madhe Ela, e cila vdiq në tetor të 1998-s, shërbeu si pioniere më shumë se 30 vjet dhe mbajti gjithmonë frymën e pionierit. Më 1991 motra tjetër, Rubi, u zbulua nga mjekët se kishte kancer. Prapëseprapë ajo përdorte forcën e saj të kufizuar për të predikuar lajmin e mirë. Gjithashtu, ruajti ndjenjën e humorit deri mëngjesin që vdiq, më 26 shtator 1999. Edhe pse nuk kam më motrat e mia, kam
një familje frymore me vëllezër e motra që më ndihmojnë të ruaj ndjenjën e humorit.Kur kthej kokën pas të shoh jetën time, çfarë do të ndryshoja? Nuk u martova kurrë, por u bekova me prindër të dashur, me një vëlla dhe me motra që vunë të vërtetën në vend të parë në jetën e tyre. Po pres me padurim t’i takoj të gjithë së shpejti kur të ringjallen. Që tani ndiej babanë që më shtrëngon fort në krahë dhe shoh lotët në sytë e mamasë teksa përqafojmë me ngrohtësi njëra-tjetrën. Ela, Rubi dhe Bobi do të kërcejnë nga gëzimi.
Ndërkohë, jam e vendosur të përdor çfarë më ka mbetur nga shëndeti dhe energjitë e mia për të lavdëruar dhe për të nderuar Jehovain. Jeta në shërbim në kohë të plotë si pioniere është e mrekullueshme dhe shpërblyese. Është madje ashtu si tha psalmisti për ata që ecin në udhët e Jehovait: «Do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.»—Psalmi 128:1, 2.
[Figurat në faqen 26]
Babai e donte Biblën. Na mësoi ta përdornim atë për të mbrojtur besimin tonë
[Figura në faqen 28]
Nga e majta në të djathtë: Rubi, unë, Bobi, Ela, mamaja dhe babai në 1947
[Figura në faqen 28]
Rreshti i parë, nga e majta në të djathtë: unë, Rubi dhe Ela në një Kongres Krahinor, më 1998