«Pa ilustrim s’u fliste atyre»
«Pa ilustrim s’u fliste atyre»
«Gjithë këto gjëra Jezui ua tha turmave me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrim s’u fliste atyre.»—MATEU 13:34.
1, 2. (a) Përse ilustrimet e efektshme nuk harrohen lehtë? (b) Çfarë formash merrnin ilustrimet që përdori Jezui dhe cilat pyetje lindin rreth përdorimit të ilustrimeve nga ana e tij? (Shih edhe shënimin.)
A MUND të kujtoni ndonjë ilustrim që e keni dëgjuar ndoshta në ndonjë fjalim publik shumë vjet më parë? Ilustrimet e efektshme nuk harrohen shpejt. Një autor komentoi se ilustrimet «i kthejnë tingujt në pamje dhe u japin liri dëgjuesve që të krijojnë përfytyrime në mendje». Duke qenë se shpesh mendojmë më mirë duke pasur përfytyrime në mendje, ilustrimet mund t’i bëjnë konceptet më të lehta për t’u kuptuar. Ilustrimet mund t’u japin jetë fjalëve, duke na dhënë mësime që na nguliten në kujtesë.
2 Asnjë mësues në tokë nuk ka qenë më i aftë se Jezu Krishti në përdorimin e ilustrimeve. Shëmbëlltyrat e shumta të Jezuit kujtohen me lehtësi edhe afro dy mijë vjet pasi janë thënë. * Përse Jezui u mbështet kaq shumë te kjo metodë e veçantë mësimdhënieje? Çfarë i bënte kaq të efektshme ilustrimet e tij?
Përse Jezui mësonte me ilustrime?
3. (a) Cila është një arsye pse Jezui përdori ilustrimet, sipas Mateut 13:34, 35? (b) Çfarë tregon se Jehovai e vlerëson këtë metodë mësimdhënieje?
3 Bibla jep dy arsye të vlefshme për të cilat Jezui përdori ilustrime. Së pari, duke bërë kështu ai përmbushi profecitë. Mateu, një apostull, shkroi: «Gjithë këto gjëra Jezui ua tha turmave me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrim s’u fliste atyre; që të përmbushej ç’ishte folur nëpërmjet profetit, që tha: ‘Do ta hap gojën time me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga themelimi.’» (Mateu 13:34, 35) ‘Profeti’ që citoi Mateu ishte kompozitori i Psalmit 78:2. Ai psalmist shkroi i frymëzuar nga fryma e Perëndisë shekuj para lindjes së Jezuit. A nuk është e jashtëzakonshme që qindra vjet më përpara, Jehovai përcaktoi se Biri i tij do të mësonte me ilustrime? Patjetër që Jehovai e vlerëson këtë metodë mësimdhënieje!
4. Si e shpjegoi Jezui arsyen për të cilën përdorte ilustrime?
Mateu 13:2, 10, 11, 13-15; Isaia 6:9, 10.
4 Së dyti, vetë Jezui e shpjegoi se i përdorte ilustrimet për të veçuar ata që e kishin zemrën të pandjeshme. Pasi u tregoi ‘turmave të mëdha’ shëmbëlltyrën e mbjellësit, dishepujt e pyetën: «Përse u flet duke përdorur ilustrime?» Jezui u përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve, por atyre nuk u është lejuar. Ja përse u flas duke përdorur ilustrime, sepse duke shikuar shikojnë më kot dhe duke dëgjuar, dëgjojnë më kot e as nuk e kapin kuptimin e saj; dhe në ta po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘Duke dëgjuar, do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do ta kapni kuptimin e saj; dhe duke shikuar, do të shikoni, por kurrsesi nuk do të shihni. Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme.’»—5. Në ç’mënyrë ilustrimet e Jezuit i veçonin dëgjuesit e përulur nga ata me zemër krenare?
5 Çfarë kishte në ilustrimet e Jezuit që i ndante njerëzit? Në disa raste, dëgjuesit duhej të gërmonin për të kapur kuptimin e plotë të fjalëve që thoshte. Individët e përulur nxiteshin që të kërkonin më shumë të dhëna. (Mateu 13:36; Marku 4:34) Pra, ilustrimet e Jezuit ua zbulonin të vërtetën atyre individëve zemra e të cilëve ishte e etur për të dhe, në të njëjtën kohë, ua fshihnin të vërtetën atyre që kishin zemër krenare. Ç’mësues mahnitës që ishte Jezui! Le të shqyrtojmë tani disa nga faktorët që i bënin kaq të efektshme ilustrimet e tij.
Përzgjedhës në përdorimin e hollësive
6-8. (a) Cilën përparësi nuk e kishin ende dëgjuesit e Jezuit në shekullin e parë? (b) Cilët shembuj tregojnë se Jezui ishte përzgjedhës në përdorimin e hollësive?
6 A keni pyetur ndonjëherë veten si duhet të ketë qenë situata për ata dishepuj të shekullit të parë që e dëgjonin drejtpërdrejt Jezuin të mësonte? Sado të privilegjuar të ishin që dëgjonin zërin e Jezuit, ata nuk e kishin ende përparësinë që të kërkonin në ndonjë dokumentim të shkruar, i cili t’u rikujtonte gjërat që kishte thënë ai. Në vend të kësaj, duhej t’i mbanin në mendje e në zemër fjalët e Jezuit. Duke përdorur me mjeshtëri ilustrimet, Jezui ua bëri më të lehtë që t’i mbanin mend ato që u mësonte. Në ç’mënyrë?
7 Jezui ishte përzgjedhës kur përdorte hollësitë. Kur këto hollësi ishin të rëndësishme për një histori ose të nevojshme për të theksuar, ai sigurohej që t’i përfshinte ato. Kështu për shembull e tha me saktësi se sa dele la pronari prapa për të kërkuar një që kishte humbur rrugën, sa orë punuan mëditësit në vresht dhe sa talenta u lanë në mirëbesim.—Mateu 18:12-14; 20:1-16; 25:14-30.
8 Në të njëjtën kohë, Jezui la jashtë hollësi që s’ishin thelbësore, të cilat mund të na pengonin të kapnim kuptimin e ilustrimeve. Për shembull, në shëmbëlltyrën e skllavit të pamëshirshëm, nuk dha asnjë shpjegim se si ia kishte bërë ai skllav të binte në një borxh prej 60.000.000 denarësh. Jezui po theksonte nevojën për të falur. Ajo që kishte rëndësi nuk ishte se si ra në borxh skllavi, por si iu fal borxhi dhe se si e trajtoi ai më pas një skllav tjetër që i kishte borxh pak denarë. (Mateu 18:23-35) Në mënyrë të ngjashme, në ilustrimin e birit plëngprishës, Jezui nuk dha ndonjë shpjegim se përse biri më i ri kërkoi papritur trashëgiminë e tij dhe përse e bëri rrush e kumbulla atë. Por tregoi me hollësi se si u ndie dhe si u përgjigj babai kur i biri pati një ndryshim të zemrës dhe u kthye prapë në shtëpi. Këto hollësi lidhur me reagimin e babait ishin thelbësore për pikën që po trajtonte Jezui, domethënë që Jehovai fal «në një masë të madhe».—Isaia 55:7, BR; Luka 15:11-32.
9, 10. (a) Ku u përqendrua Jezui kur përshkruante personazhet e ilustrimeve të tij? (b) Si ua bëri Jezui më të lehtë dëgjuesve të tij dhe të tjerëve që t’i kujtonin ilustrimet e tij?
9 Jezui ishte po ashtu i matur në mënyrën se si i paraqiste personazhet në shëmbëlltyrat që tregonte. Në vend që të bënte përshkrime Luka 10:29, 33-37.
të hollësishme për paraqitjen e jashtme të personazheve, Jezui shpesh përqendrohej në atë që bënin ose se si reagonin ndaj ngjarjeve që tregonte. Kështu, në vend që të përshkruante se ç’pamje kishte samaritani i mirë, Jezui tregoi diçka shumë më të rëndësishme, se si me dhembshuri samaritani i erdhi në ndihmë një judeu të plagosur që dergjej në rrugë. Ai siguroi hollësitë që nevojiteshin për të mësuar se dashuria për të afërmin nuk u duhej treguar vetëm njerëzve të racës ose kombësisë së cilës i përkasim.—10 Fakti që Jezui i përdori me kujdes hollësitë ndihmoi që ilustrimet e tij të ishin të përmbledhura dhe jo të mbingarkuara. Në këtë mënyrë, ua bëri më të lehtë dëgjuesve në shekullin e parë, si edhe shumë të tjerëve që më vonë do të lexonin Ungjijtë e frymëzuar, t’i kujtonin ato ilustrime dhe mësimet e vlefshme që përmbanin.
Të marra nga jeta e përditshme
11. Jepni shembuj se si shëmbëlltyrat e Jezuit pasqyrojnë gjëra që ai pa dyshim i kishte vënë re ndërsa rritej në Galile.
11 Jezui ishte mjeshtër në përdorimin e ilustrimeve që kishin të bënin me jetën e njerëzve. Shumë nga shëmbëlltyrat e tij pasqyrojnë gjëra që pa dyshim i kishte vënë re ndërsa rritej në Galile. Mendoni një çast për fëmijërinë e tij. Sa shpesh e kishte parë nënën të përgatiste bukë të mbrujtur duke marrë një copë brumi të fermentuar, të ruajtur nga hera e fundit që kishte pjekur bukë dhe duke e përdorur si maja? (Mateu 13:33) Sa herë i kishte parë peshkatarët që hidhnin rrjetat në ujërat e kthjellëta dhe të kaltra të detit të Galilesë? (Mateu 13:47) Sa shpesh i kishte parë fëmijët që luanin në sheshin e pazarit? (Mateu 11:16) Ndoshta Jezui kishte vënë re edhe gjëra të tjera të zakonshme që u bënë pjesë e ilustrimeve të tij: mbjelljen e farërave, gosti dasme të gëzueshme dhe ara me grurë që piqej në diell.—Mateu 13:3-8; 25:1-12; Marku 4:26-29.
12, 13. Si tregon shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrave se Jezui i njihte mirë kushtet e vendit?
12 Nuk habitemi, atëherë, që rrethanat dhe situatat e jetës së përditshme gjenden kudo në ilustrimet e shumta të Jezuit. Prandaj, për të kuptuar më plotësisht mjeshtërinë e tij në përdorimin e kësaj metode mësimdhënieje, është e dobishme të shqyrtojmë se çfarë nënkuptonin fjalët e tij për dëgjuesit judenj. Le të shqyrtojmë dy shembuj.
13 Së pari, në shëmbëlltyrën e grurit dhe të Mateu 13:1, 2, 24-30.
egjrave, Jezui tregoi për një njeri që kishte mbjellë farë të shkëlqyer në arë, por «një armik» kishte shkuar në arë dhe kishte mbjellë në të egjra. Përse Jezui zgjodhi në veçanti atë veprim armiqësor? Po ja, mbani në mendje se ai e tregoi ilustrimin afër detit të Galilesë dhe zanati kryesor i galileasve ishte me sa duket bujqësia. Çfarë mund ta dëmtonte më shumë një bujk sesa një armik që vinte fshehurazi në arë dhe mbillte nëpër grurë egjra të dëmshme? Ligjet shtetërore që ishin në fuqi në atë kohë tregonin se sulme të tilla ndodhnin vërtet. A nuk është e qartë se Jezui përdori një situatë që dëgjuesit mund ta kuptonin?—14. Në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, përse është domethënëse që Jezui përdori rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko» për të bërë të qartë pikën?
14 Së dyti, sillni ndër mend shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë. Jezui filloi duke thënë: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra mes kusarëve që e zhveshën e i hynë në dru dhe ikën, duke e lënë gjysmë të vdekur.» (Luka 10:30) Është domethënëse se Jezui përdori rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko» për të theksuar atë që donte të thoshte. Kur po tregonte shëmbëlltyrën, ai ishte në Jude, jo larg Jerusalemit, kështu ka të ngjarë që dëgjuesit e njihnin rrugën në fjalë. Ajo rrugë në veçanti ishte famëkeqe sepse ishte e rrezikshme, sidomos për atë që udhëtonte vetëm. Ajo gjarpëronte nëpër një terren të vetmuar e prandaj, kishte shumë vende ku grabitësit zinin pusi.
15. Përse askush nuk mund ta justifikonte me të drejtë indiferencën e priftit dhe të levitit në ilustrimin e samaritanit të mirë?
15 Ka diçka tjetër që ia vlen të përmendet për faktin që Jezui foli për rrugën që «zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko». Sipas tregimit, në fillim një prift e pastaj një levit po udhëtonin po nëpër atë rrugë, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ndaloi për të ndihmuar viktimën. (Luka 10:31, 32) Priftërinjtë shërbenin në tempull në Jerusalem dhe levitët i ndihmonin. Kishte shumë priftërinj e levitë që banonin në Jeriko në periudhën kur nuk punonin në tempull, pasi qyteti ndodhej vetëm 23 kilometra larg Jerusalemit. Prandaj, pa dyshim që kishin rast të udhëtonin nëpër atë rrugë. Vini re, gjithashtu, se prifti dhe leviti po udhëtonin nëpër rrugën që zbriste «nga Jerusalemi», pra duke u larguar nga tempulli. * Kështu, askush nuk mund ta justifikonte me të drejtë indiferencën e këtyre burrave me arsyetimin: ‘E shmangën njeriun e plagosur, sepse ai dukej sikur kishte vdekur dhe, po të preknin një kufomë, ata do të ishin bërë përkohësisht të padenjë për të shërbyer në tempull.’ (Levitiku 21:1; Numrat 19:11, 16) A nuk është e qartë se ilustrimi i Jezuit fliste për gjëra që ishin të njohura nga dëgjuesit?
Të marra nga krijimi
16. Përse nuk është e çuditshme që Jezui e njihte kaq mirë krijimin?
16 Shumë ilustrime dhe shëmbëlltyra të Jezuit zbulojnë se kishte njohuri për bimët, kafshët dhe elementet e natyrës. (Mateu 6:26, 28-30; 16:2, 3) Ku e mori një njohuri të tillë? Ndërsa rritej në Galile, pa dyshim kishte mjaft mundësi për të vëzhguar krijimin e Jehovait. Për më tepër, Jezui është «i parëlinduri i gjithë krijimit» dhe Jehovai e përdori si «kryemjeshtër» për të krijuar gjithë gjërat. (Kolosianëve 1:15, 16; Proverbat [Fjalët e urta] 8:30, 31, BR) A është e çuditshme që Jezui e njihte kaq mirë krijimin? Le të shohim se si e përdori me mjeshtëri këtë njohuri në mësimdhënien e tij.
17, 18. (a) Si e zbulojnë fjalët e Jezuit në kapitullin 10 të Gjonit se ai i njihte mirë karakteristikat e deleve? (b) Çfarë kanë vënë re vizitorët e rajoneve biblike për sa i përket lidhjes që ekziston ndërmjet barinjve dhe deleve të tyre?
17 Një ndër ilustrimet më të ndiera të Jezuit është ai që gjendet në kapitullin 10 të Gjonit, ku ai e krahason marrëdhënien e ngushtë që kishte me ithtarët e tij me atë të një bariu me delet. Fjalët e Jezuit zbulojnë se ai i njihte mirë karakteristikat e deleve. Ai tregoi se delet lejojnë që dikush t’i drejtojë dhe se e ndjekin me besnikëri bariun e tyre. (Gjoni 10:2-4) Lidhja e veçantë që ekziston ndërmjet barinjve dhe deleve është vënë re nga ata që kanë vizituar rajonet biblike. Në shekullin e 19-të, natyralisti H. B. Tristram komentoi: «Një herë vura re një bari që po luante me kopenë e tij. Bënte sikur ikte me vrap dhe delet e ndiqnin dhe e rrethonin. . . . Në fund, e gjithë kopeja formoi një rreth, duke lodruar përreth tij.»
18 Përse delet e ndjekin bariun e tyre? «Sepse e njohin zërin e tij»,—tha Jezui. (Gjoni 10:4) A e njohin vërtet delet zërin e bariut të tyre? Nga vëzhgimet që kishte bërë vetë, Xhorxh A. Smithi shkroi në librin e tij The Historical Geography of the Holy Land (Gjeografia historike e Tokës së Shenjtë): «Nganjëherë pushonim në mesditë afër ndonjë pusi në Jude, tek i cili vinin tre ose katër barinj me kopetë e tyre. Kopetë përziheshin me njëra-tjetrën dhe ne pyetnim veten se si do t’i merrte secili bari delet e tij. Por, pasi delet mbaronin së piri ujë e së luajturi, barinjtë një nga një shkonin në anë të ndryshme të luginës dhe secili thërriste në mënyrën e vet të veçantë; delet e secilit shkëputeshin nga tufa e shkonin te bariu i tyre, dhe kopetë largoheshin po aq me rregullsi sa edhe kishin ardhur.» Vështirë se Jezui mund të kishte gjetur një mënyrë më të mirë për ta ilustruar atë që donte të theksonte. Nëse i njohim dhe u bindemi mësimeve të tij dhe nëse e ndjekim drejtimin e tij, mund të marrim kujdesin e dashur e të butë të ‘bariut të shkëlqyer’.—Gjoni 10:11.
Të marra nga ngjarje që dëgjuesit i njihnin
19. Si e përdori me efektshmëri Jezui një tragjedi që kishte ndodhur në atë vend, për të hedhur poshtë një koncept të rremë?
19 Ilustrimet e efektshme mund të marrin formën e përvojave ose të shembujve nga të cilat mund të nxirren mësime. Në një rast, Jezui përdori një ngjarje që kishte ndodhur në ato kohë për të hedhur poshtë konceptin e rremë se tragjeditë u ndodhin atyre që e meritojnë. Ai tha: «Mos vallë kujtoni se ata të tetëmbëdhjetë mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, kishin dalë më shumë borxhlinj [mëkatarë] se gjithë njerëzit e tjerë që banonin në Jerusalem?» (Luka 13:4) Jezui argumentoi me forcë kundër arsyetimeve fataliste. Ata 18 shpirtra nuk vdiqën për shkak të ndonjë mëkati që shkaktoi pakënaqësinë hyjnore. Në të vërtetë, vdekja e tyre tragjike ishte pasojë e kohës dhe e ngjarjes së paparashikuar. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11) Në këtë mënyrë, ai hodhi poshtë një mësim të rremë duke përmendur një ngjarje që dëgjuesit e njihnin mirë.
20, 21. (a) Përse i dënuan farisenjtë dishepujt e Jezuit? (b) Cilin tregim biblik përdori Jezui për të ilustruar se Jehovai nuk kishte kurrë si qëllim një zbatim të ngurtë të ligjit të sabatit? (c) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
20 Kur mësonte, Jezui përdorte edhe shembuj biblikë. Kujtoni rastin kur farisenjtë dënuan dishepujt e tij se kishin këputur grurë dhe e kishin ngrënë në sabat. Në të vërtetë dishepujt nuk kishin shkelur Ligjin e Perëndisë, por interpretimin e rreptë të farisenjve për atë që ishte punë jo e ligjshme në sabat. Për të ilustruar se Perëndia nuk kishte kurrë si qëllim që ligji i sabatit të zbatohej në një mënyrë kaq të ngurtë, Jezui foli për një rast që gjendet te 1 Samuelit 21:3-6. Kur ishin të uritur, Davidi dhe të tjerët që ishin me të ndaluan në tabernakull dhe hëngrën bukët e paraqitjes të cilat tashmë ishin hequr e ishin zëvendësuar me të tjera. Bukët që hiqeshin zakonisht liheshin mënjanë që t’i hanin priftërinjtë. Megjithatë, në ato rrethana, Davidi dhe të tjerët që ishin me të nuk u dënuan për shkak se i hëngrën. Është për t’u vënë re se ky tregim është i vetmi rast i shkruar në Bibël që flet për përdorimin e bukëve të zëvendësuara nga njerëz që nuk ishin priftërinj. Jezui e dinte tamam se kë tregim të përdorte dhe dëgjuesit judenj pa dyshim që e njihnin mirë atë tregim.—Mateu 12:1-8.
21 Vërtet, Jezui ishte një Mësues i Madh! Nuk mund të mos mahnitemi nga aftësia e tij e pashoqe për të përcjellë të vërteta të rëndësishme në një mënyrë që dëgjuesit t’i kuptonin. Por, si mund ta imitojmë ne kur mësojmë të tjerët? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 2 Ilustrimet e Jezuit merrnin shumë forma, duke përfshirë shembujt, krahasimet, ngjashmëritë dhe metaforat. Ai njihet më shumë për përdorimin e shëmbëlltyrave, të cilat janë përkufizuar si «tregim i shkurtër alegorik që përmban një mësim moral ose një të vërtetë fetare».
^ par. 15 Jerusalemi ishte më lart se Jerikoja për sa i përket lartësisë mbi nivelin e detit. Prandaj, kur udhëtonte «nga Jerusalemi për në Jeriko», siç përmendet në shëmbëlltyrë, një udhëtar do të ishte duke ‘zbritur’.
A ju kujtohet?
• Përse Jezui mësonte me ilustrime?
• Cili shembull tregon se Jezui përdori ilustrime që dëgjuesit e shekullit të parë mund t’i kuptonin?
• Si e përdori Jezui me mjeshtëri në ilustrimet e tij njohurinë që kishte për krijimin?
• Në cilat mënyra i përdori Jezui ngjarjet që dëgjuesit i njihnin?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 15]
Jezui tregoi për një skllav që refuzoi të falte një borxh relativisht të vogël dhe për një baba që fali të birin i cili e kishte bërë rrush e kumbulla tërë trashëgiminë e tij
[Figura në faqen 16]
Çfarë donte të theksonte Jezui me shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë?
[Figura në faqen 17]
A e njohin vërtet delet zërin e bariut?