Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Magjepsja pas «shenjtorëve» në kohën e sotme

Magjepsja pas «shenjtorëve» në kohën e sotme

Magjepsja pas «shenjtorëve» në kohën e sotme

«A ju kujtohet koha kur mendonim se ishim mërzitur së dëgjuari për heronjtë? Kjo me sa duket nuk ndikoi te 4,2 milionë amerikanë që panë ceremoninë e varrimit të nënë Terezës më 13 shtator. Që nga dita e vdekjes së saj, më 5 shtator, njerëzit e kanë bombarduar Vatikanin me kërkesa për ta shpallur zyrtarisht shenjtore. Pak njerëz e vënë në dyshim që nuk do të ndodhë.»​—Gazeta Sun-sentinel, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 3 tetor 1997.

VEPRA humanitare dhe bamirëse e misionares katolike Nënë Tereza shihet nga shumë njerëz si thelbi i shenjtërisë së vërtetë. Figura heroike ka edhe në fetë e tjera. Gjithsesi, ndoshta asnjë prej këtyre feve nuk i ka njohur ato zyrtarisht, ashtu siç bën Kisha Katolike e Romës duke i shpallur shenjtorë.

Papa Gjon Pali II ka shpallur shenjtorë më shumë se 450 individë gjatë kohës që ka qenë papë; më shumë sesa numri i përgjithshëm i shenjtorëve të shpallur nga të gjithë papët e tjerë të shekullit të 20-të. * Përse vazhdon të ekzistojë një përkushtim i tillë ndaj «shenjtorëve», shumë prej të cilëve janë pak të njohur për katolikët në përgjithësi?

Teologu Lorens Kaningem në Universitetin e qytetit Notrë-Dejm shpjegon: «Njerëzit i tërheq mendimi se ekziston shenjtëri në botë. Pranimi i faktit që ka shenjtorë tregon se edhe sot është e mundur një jetë heroike.» Veç kësaj thuhet se «shenjtorët» kanë komunikim të veçantë me Perëndinë, gjë që i bën ata ndërmjetës të efektshëm për të gjallët. Kur gjenden sende ose eshtra të «shenjtorëve», ato përnderohen me besimin se prej tyre del fuqi.

Në katekizmin e Këshillit të Trentos, të botuar në shekullin e 16-të, për të ripohuar një dogmë katolike dekretohej: «Kemi arsye të përfundojmë se të nderosh shenjtorët ‘të cilët flenë në Zotërinë’, të lutesh për ndërmjetësinë e tyre dhe të përnderosh sendet e tyre të shenjta e hirin e trupave të tyre të shenjtë, jo vetëm që nuk e pakëson lavdinë e Perëndisë, por përkundrazi priret ta rritë jashtëzakonisht atë në një masë të tillë që shpresa e krishterë gjallërohet dhe forcohet dhe vetë i krishteri nxitet të imitojë virtytet e shenjtorëve.» (The Catechism of the Council of Trent, 1905) Sigurisht që të krishterët e vërtetë duan të bëjnë jetë të virtytshme, t’i afrohen në mënyrë të përshtatshme Perëndisë dhe të marrin ndihmë prej tij. (Jakovit 4:7, 8) Atëherë, cilët kualifikohen si shenjtorë të vërtetë sipas Fjalës së Perëndisë? Çfarë roli kanë ata?

[Shënimi]

^ par. 4 Ligji për shpalljen e shenjtorëve njeh zyrtarisht një katolik të vdekur, të shpallur shenjtor, si të denjë për përnderim universal dhe të detyrueshëm.