‘Të kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht’
‘Të kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht’
«E kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që dëgjuam, që të mos na marrë kurrë rryma.»—HEBRENJVE 2:1.
1. Ilustroni se si shpërqendrimi mund të çojë në katastrofë.
AKSIDENTET automobilistike u marrin jetën afro 37.000 njerëzve në vit vetëm në Shtetet e Bashkuara. Specialistët thonë se shumë nga këto vdekje mund të ishin shmangur sikur shoferët t’i kishin kushtuar më shumë vëmendje rrugës. Disa shoferë shpërqendrohen nga tabelat rrugore dhe reklamat ose ngaqë përdorin celularin. Ka edhe nga ata që i vënë ushqimet në sediljen e përparme ose afër timonit dhe hanë ndërkohë që i japin makinës. Në të gjitha këto rrethana, shpërqendrimi mund të çojë në katastrofë.
2, 3. Cilën këshillë u dha Pavli të krishterëve hebrenj dhe pse ishte e përshtatshme këshilla e tij?
2 Rreth 2.000 vjet para se të shpikeshin automobilat, apostulli Pavël foli për një lloj shpërqendrimi që po u sillte katastrofë disa të krishterëve hebrenj. Pavli theksoi se Jezu Krishtit të ringjallur iu dha një pozitë më e lartë se të gjithë engjëjve, sepse u ul në të djathtën e Perëndisë. Më pas apostulli tha: «Për këtë arsye e kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që dëgjuam, që të mos na marrë kurrë rryma.»—Hebrenjve 2:1.
3 Përse të krishterët hebrenj duhej ‘t’u kushtonin më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që kishin dëgjuar’ për Jezuin? Sepse kishin kaluar pothuajse 30 vjet që kur Jezui ishte larguar nga toka. Gjatë mungesës së Zotërisë së tyre disa të krishterë hebrenj po fillonin të largoheshin nga besimi i vërtetë. Po i shpërqendronte judaizmi, forma e mëparshme e adhurimit.
Duhej të kushtonin më shumë vëmendje
4. Përse disa të krishterë hebrenj mund të jenë tunduar që të ktheheshin prapë në judaizëm?
4 Përse mund të ishte tunduar një i krishterë që të kthehej përsëri në judaizëm? Po ja, nën Ligj sistemi i adhurimit kishte të bënte me gjëra që dukeshin. Njerëzit mund t’i shihnin priftërinjtë dhe mund t’i nuhatnin flijimet që digjeshin. Megjithatë, në disa drejtime, krishterimi ishte krejt i ndryshëm. Të krishterët kishin një Kryeprift, Jezu Krishtin, por ai kishte tre dhjetëvjeçarë që s’ishte parë në tokë. (Hebrenjve 4:14) Kishin një tempull, por vendi i tij i shenjtë ishte vetë qielli. (Hebrenjve 9:24) Ndryshe nga rrethprerja fizike që bëhej nën Ligj, rrethprerja e krishterë ishte «ajo e zemrës, nëpërmjet frymës». (Romakëve 2:29) Prandaj, ndoshta krishterimi kishte filluar t’u dukej paksa abstrakt të krishterëve hebrenj.
5. Si e tregoi Pavli se sistemi i adhurimit i themeluar nga Jezui ishte më i lartë se ai nën Ligj?
5 Të krishterët hebrenj duhej të kuptonin diçka shumë domethënëse lidhur me sistemin e adhurimit që themeloi Krishti. Ai bazohej më shumë në besimin, sesa në atë që shihej, e megjithatë ishte një sistem më i lartë se Ligji që ishte dhënë nëpërmjet profetit Moisi. «Nëse gjaku i cjepve dhe i demave, si dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi ata që janë ndotur, shenjtëron aq sa pastron mishin,—shkroi Pavli,—sa më shumë gjaku i Krishtit, që nëpërmjet një fryme të përhershme ia ofroi veten të patëmetë Perëndisë, do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura, që ne t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë të gjallë?» (Hebrenjve 9:13, 14) Po, falja që u bë e mundur nëpërmjet besimit në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit është në shumë mënyra shumë më e lartë se ajo që siguronin flijimet e bëra nën Ligj.—Hebrenjve 7:26-28.
6, 7. (a) Cila situatë e bënte urgjente që të krishterët hebrenj ‘t’u kushtonin më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që kishin dëgjuar’? (b) Sa kohë i kishte mbetur Jerusalemit kur Pavli u shkroi letrën hebrenjve? (Shih shënimin.)
6 Kishte edhe një arsye tjetër pse të krishterët hebrenj duhej t’u kushtonin vëmendje të madhe gjërave që kishin dëgjuar për Jezuin. Ai kishte parathënë se Jerusalemi do të shkatërrohej. Fjalët e Jezuit ishin: «Mbi ty do të vijnë ditët kur armiqtë e tu do të të ndërtojnë përreth një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të rrethojnë dhe do të të shkaktojnë vuajtje nga çdo anë, do të të shembin përtokë ty dhe fëmijët brenda teje e nuk do të lënë te ti gur mbi gur, sepse nuk e dallove kohën kur u hetove.»—Luka 19:43, 44.
7 Kur do të ndodhte kjo? Jezui nuk e tha ditën dhe orën. Në vend të kësaj, dha udhëzimin: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë, ata në Jude le të fillojnë të ikin në male dhe ata në mes të saj le të tërhiqen, dhe ata nëpër katunde le të mos hyjnë në të.» (Luka 21:20, 21) Gjatë 30 vjetëve pasi Jezui kishte thënë këto fjalë, disa të krishterë në Jerusalem e kishin humbur ndjenjën e urgjencës dhe ishin shpërqendruar. Si të thuash, i kishin larguar sytë nga rruga. Po të mos e ndreqnin mënyrën e të menduarit, i priste me siguri katastrofa. Sido që ta mendonin ata, shkatërrimi i Jerusalemit ishte shumë afër! * Shpresojmë që këshilla e Pavlit të ketë qenë një sinjal zgjimi për të krishterët në Jerusalem që po dremitnin frymësisht.
Të kushtojmë «më shumë vëmendje se zakonisht» sot
8. Përse duhet «t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht» të vërtetave të Fjalës së Perëndisë?
8 Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, edhe ne duhet «t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht» të vërtetave të Fjalës së Perëndisë. Përse? Sepse edhe ne gjendemi përpara një shkatërrimi që është shumë afër, shkatërrim jo vetëm i një kombi, por i një sistemi të tërë. (Zbulesa 11:18; 16:14, 16) Sigurisht, nuk e dimë ditën dhe orën e saktë kur do ta bëjë Jehovai këtë. (Mateu 24:36) Megjithatë, jemi dëshmitarë okularë të përmbushjes së profecive të Biblës që në mënyrë të qartë tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) Prandaj duhet të jemi vigjilentë ndaj çdo gjëje që mund të na shpërqendrojë. Duhet t’i kushtojmë vëmendje Fjalës së Perëndisë dhe të mbajmë një ndjenjë të fortë urgjence. Vetëm duke vepruar kështu ‘do t’ia dalim mbanë të shpëtojmë nga të gjitha këto gjëra që kanë për të ndodhur’.—Luka 21:36.
9, 10. (a) Si mund të tregohemi të vëmendshëm ndaj gjërave frymore? (b) Në ç’mënyrë fjala e Perëndisë është ‘një llambë në këmbët tona’ dhe ‘një dritë në shtegun tonë’?
9 Si mund ta tregojmë se po u kushtojmë «më shumë vëmendje se zakonisht» gjërave frymore në këto kohë kritike? Një mënyrë është duke ndjekur rregullisht mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere. Duhet të jemi edhe studiues të zellshëm të Biblës, me qëllim që t’i afrohemi Autorit të saj, Jehovait. (Jakovit 4:8) Në qoftë se marrim njohuri për Jehovain me anë të studimit personal dhe mbledhjeve, do të jemi si psalmisti që i tha Perëndisë: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
10 Bibla shërben si ‘dritë në shtegun tonë’ kur na tregon qëllimet e Perëndisë për të ardhmen. Por është edhe ‘një llambë në këmbën tonë’. Me fjalë të tjera, mund të na ndihmojë për të bërë hapin tjetër kur hasim probleme shqetësuese në jetë. Ja përse është jetësore që ‘të kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht’ kur mblidhemi me bashkëbesimtarët për të marrë udhëzime dhe kur e lexojmë personalisht Fjalën e Perëndisë. Informacioni që marrim do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura e të dobishme që i pëlqejnë Jehovait dhe ia gëzojnë zemrën. (Fjalët e urta [Proverbat] 27:11; Isaia 48:17) Si ta shtojmë kohën e përqendrimit në mbledhje dhe kur bëjmë studimin personal, me qëllim që të nxjerrim sa më shumë dobi nga masat frymore që ka marrë Perëndia?
Të përmirësojmë përqendrimin në mbledhje
11. Përse disa herë është një sfidë të jemi të vëmendshëm në mbledhjet e kongregacionit?
11 Disa herë mund të jetë një sfidë të jemi të vëmendshëm në mbledhjet e krishtere. Mendja mund të shpërqendrohet lehtë, ndoshta nga një fëmijë që qan ose nga një njeri që ka ardhur vonë e po kërkon vend për t’u ulur. Pas një dite të gjatë pune thjesht mund të jemi të lodhur. Ai që po flet nga podiumi ndoshta nuk është oratori më interesant dhe, si pa e kuptuar, mund të jemi duke ëndërruar me sy hapur ose edhe duke u përgjumur. Duke pasur parasysh materialin jetësor që po paraqitet, do të bënim mirë të përmirësonim aftësinë e përqendrimit në mbledhjet e kongregacionit. Por, si mund ta bëjmë këtë?
12. Çfarë mund të na e bëjë më të lehtë të jemi të vëmendshëm në mbledhje?
12 Zakonisht është më e lehtë të kushtojmë vëmendje në mbledhje po të jemi përgatitur mirë. Atëherë, përse të mos lëmë mënjanë kohë për të menduar që më përpara për materialin që do të trajtohet? Duhen vetëm disa minuta në ditë për të lexuar një pjesë nga kapitujt e caktuar për leximin javor të Biblës dhe për të medituar rreth saj. Me pak planifikim mund të gjejmë kohë edhe që të përgatitemi për Studimin e Librit të Kongregacionit dhe për Studimin e Kullës së Rojës. Çfarëdo programi që të zgjedhim, një gjë është e sigurt: përgatitja do të na ndihmojë t’i kushtojmë vëmendje materialit që trajtohet në mbledhjet e kongregacionit.
13. Çfarë mund të na ndihmojë që të vazhdojmë të jemi të përqendruar në materialin që trajtohet në mbledhje?
Psalmi 26:12; Luka 2:36, 37) Mbledhjet janë një mënyrë e rëndësishme me të cilën ushqehemi frymësisht. (Mateu 24:45-47) Për më tepër, ato na japin mundësi ‘të nxitim njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’.—Hebrenjve 10:24, 25.
13 Përveçse të jenë të përgatitur mirë, disa shohin se janë më të vëmendshëm në mbledhje kur ulen në rreshtat e parë në Sallën e Mbretërisë. Mënyra të tjera për ta penguar mendjen që të shpërqendrohet janë: të mbajmë kontakt pamor me oratorin, të ndjekim në Bibël kur lexohen shkrime dhe të mbajmë shënime. Megjithatë, të kemi një zemër të përgatitur është shumë më e rëndësishme se çdo teknikë e veçantë përqendrimi. Duhet të kuptojmë qëllimin përse mblidhemi së bashku. Mblidhemi me bashkëbesimtarët kryesisht për të adhuruar Jehovain. (14. Çfarë e bën vërtet të suksesshme një mbledhje?
14 Disa mund të kenë prirjen ta gjykojnë cilësinë e një mbledhjeje nga aftësitë e mësimdhënies së atyre që kanë pjesë në të. Po qe se oratorët janë shumë të aftë, mund të quhet një mbledhje e mirë. Por nëse duket se mungon mësimdhënia e efektshme, këta persona e shohin me sy tjetër mbledhjen. Është e vërtetë se ata që kanë pjesë në program duhet të bëjnë çmos që të përdorin artin e mësimdhënies e sidomos që të arrijnë zemrën. (1 Timoteut 4:16) Por ne që po dëgjojmë nuk duhet të jemi tepër kritikues. Ndonëse është e rëndësishme që pjesëmarrësit të kenë aftësinë e mësimdhënies, nuk është ky i vetmi faktor që e bën të suksesshme një mbledhje. A nuk jeni të një mendjeje se gjëja që na intereson në radhë të parë duhet të jetë jo se sa mirë e mban fjalimin një orator, por sa mirë dëgjojmë ne? Kur i ndjekim mbledhjet dhe i kushtojmë vëmendje asaj që po thuhet, po e adhurojmë Perëndinë në harmoni me vullnetin e tij. Kjo është ajo që e bën të suksesshme mbledhjen. Po të jemi të zellshëm për të marrë njohuri për Perëndinë, do të nxjerrim dobi nga mbledhjet, pavarësisht nga aftësia e oratorit. (Fjalët e urta 2:1-5) Atëherë le të jemi me çdo kusht të vendosur që ‘të kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht’ në mbledhjet tona.
Të nxjerrim plotësisht dobi nga studimi personal
15. Si mund të na sjellë dobi studimi dhe meditimi?
15 Kur «kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht» gjatë studimit personal dhe meditimit nxjerrim shumë dobi. Leximi i Biblës dhe i botimeve të krishtere, si edhe meditimi rreth tyre, do të na japin mundësi të çmuara për t’i ngulitur në zemër të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Kjo nga ana e vet do të ketë një ndikim të thellë në mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë. Në të vërtetë, do të na ndihmojë të gjejmë kënaqësi duke bërë vullnetin e Jehovait. (Psalmi 1:2; 40:8) Prandaj duhet ta zhvillojmë aftësinë e përqendrimit në mënyrë që të na sjellë dobi kur studiojmë. Është kaq e lehtë të shpërqendrohemi! Ndërprerje të vogla, si një telefonatë ose një zhurmë, mund të na bëjnë ta humbasim përqendrimin. Ose mund të jemi edhe vetë ne që nuk përqendrohemi dot për shumë kohë. Mbase ulemi me qëllimin e mirë për t’u ushqyer frymësisht, por s’kalon shumë dhe mund të na kullotë mendja gjetkë. Si mund të «kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht» gjatë studimit personal të Fjalës së Perëndisë?
16. (a) Përse është e rëndësishme që të programojmë kohë për studimin personal? (b) Si keni gjetur kohë për të studiuar Fjalën e Perëndisë?
16 Është e dobishme të bëjmë një program dhe të zgjedhim një vend që na ndihmon të studiojmë. Për shumicën prej nesh, të gjejmë kohë vetëm për veten tonë është gjë e rrallë. Mund të ndihemi sikur vrulli i ngjarjeve të përditshme po na merr përpara, ashtu si rrjedha e ujit të rrëmbyeshëm merr përpara një degë peme. Si të thuash, na duhet të notojmë kundër rrymës dhe të kërkojmë një kohë të qetë për vete. Nuk mund të rrimë e të presim që të na dalë vetë përpara mundësia për të studiuar. Në vend të kësaj, duhet ta marrim nën kontroll situatën duke blerë kohë për studimin. (Efesianëve 5:15, 16) Disa veta lënë mënjanë pak kohë në mëngjes, kur mund të ketë më pak shpërqendrime. Të tjerëve mbrëmja u jep mundësi më të mira. Puna është se nuk duhet ta shpërfillim nevojën jetësore për të marrë njohuri të saktë për Perëndinë dhe Birin e tij. (Gjoni 17:3) Prandaj le të programojmë kohë për studimin personal dhe pastaj t’i përmbahemi këtij programi.
17. Çfarë është meditimi dhe si mund të na sjellë dobi?
17 Meditimi, pra, procesi për të bluar në mendje atë që kemi mësuar gjatë studimit, është shumë i vlefshëm. Ai na ndihmon t’i nxjerrim mendimet e Perëndisë nga faqja e shtypur e t’i çojmë drejt e në zemër. Na ndihmon të kuptojmë se si duhet ta zbatojmë një këshillë biblike, me qëllim që të bëhemi «zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues». (Jakovit 1:22-25) Për më tepër, meditimi na ndihmon të afrohemi gjithnjë e më shumë me Jehovain, pasi na jep mundësi të mendojmë rreth cilësive të tij dhe rreth mënyrës si janë theksuar ato në materialin që shqyrtojmë gjatë studimit.
18. Çfarë kushtesh nevojiten për të bërë një meditim të frytshëm?
18 Për të nxjerrë plotësisht dobi nga studimi dhe meditimi, duhet ta ruajmë mendjen që të mos shpërqendrohet. Për të bërë vend për informacionet e reja kur meditojmë, duhet t’i lëmë jashtë shpërqendrimet që sjell jetesa në ditët e sotme. Kjo kërkon kohë dhe vetmi, por, sa freskuese është të marrim ushqimin frymor dhe
ujërat e së vërtetës që gjenden në Fjalën e Perëndisë!19. (a) Çfarë i ka ndihmuar disa që ta rritin kohën e përqendrimit në studimin personal? (b) Cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj studimit dhe ç’dobi mund të marrim nga kjo veprimtari e rëndësishme?
19 Po sikur të mos rrimë dot shumë kohë të përqendruar dhe mendja të fillojë të endet pasi kemi bërë vetëm pak studim? Disa kanë parë se mund ta shtojnë aftësinë e përqendrimit kur studiojnë duke filluar me një kohë më të shkurtër studimi dhe duke e zgjatur dalëngadalë këtë kohë. Synimi ynë duhet të jetë të qëndrojmë mjaft kohë në studim e jo ta kalojmë shpejt e shpejt atë. Duhet të kultivojmë një interes të gjallë për temën që po shqyrtojmë. Mund të bëjmë kërkime të mëtejshme, duke përdorur bollëkun e materialeve që ka siguruar klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur. Ka shumë vlerë të ndalemi e të shohim «gjërat e thella të Perëndisë». (1 Korintasve 2:10) Kjo na jep mundësi ta shtojmë njohurinë për Perëndinë dhe të zhvillojmë aftësitë perceptuese. (Hebrenjve 5:14) Po të jemi studiues të zellshëm të Fjalës së Perëndisë, do të jemi edhe «të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar të tjerët».—2 Timoteut 2:2.
20. Si mund të zhvillojmë e të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova?
20 Duke ndjekur mbledhjet e krishtere dhe duke bërë studimin personal do të ndihmohemi shumë që të zhvillojmë e të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Me sa duket, ishte kështu me psalmistin, i cili i tha Perëndisë: «Sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.» (Psalmi 119:97) Atëherë le t’i ndjekim me çdo kusht rregullisht mbledhjet, asambletë dhe kongreset! Veç kësaj, le të blejmë kohë për të bërë studimin e Biblës dhe meditimin! Bekime të shumta na presin ngaqë i kemi kushtuar «më shumë vëmendje se zakonisht» Fjalës së Perëndisë.
[Shënimi]
^ par. 7 Ka të ngjarë që letra drejtuar hebrenjve të jetë shkruar në vitin 61 të e.s. Po të ketë qenë kështu, vetëm pesë vjet më vonë Jerusalemi u rrethua nga ushtritë e fushuara të Cest Galit. Jo shumë kohë më pas këto ushtri u tërhoqën, duke u dhënë mundësi të krishterëve syçelë që të iknin. Katër vjet më vonë qyteti u shkatërrua nga ushtritë romake nën komandën e gjeneral Titit.
A ju kujtohet?
• Përse disa të krishterë hebrenj po largoheshin nga besimi i vërtetë?
• Si mund të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm në mbledhjet e krishtere?
• Çfarë do të na ndihmojë të nxjerrim dobi nga studimi personal i Biblës dhe nga meditimi?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 11]
Të krishterët hebrenj duhej të ishin syçelë ndaj shkatërrimit që po i afrohej Jerusalemit
[Figura në faqen 13]
Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të nxjerrin dobi nga mbledhjet e krishtere