Të rinj që janë freskues si pika vese
«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»
Të rinj që janë freskues si pika vese
JEZU KRISHTI pa dyshim përfshiu edhe ithtarët e tij më të rinj në moshë kur tha: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.» (Mateu 11:28) Kur njerëzit filluan të sillnin fëmijët e tyre tek ai, dishepujt u munduan t’i ndalnin. Por, Jezui tha: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.» Madje Jezui «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte». (Marku 10:14-16) S’ka dyshim që të rinjtë ishin shumë të çmuar për Jezuin.
Bibla flet për të rinj dhe të reja besnike, po ashtu edhe për adoleshentë e për fëmijë të vegjël, të cilët lanë një shembull të shkëlqyer në shërbimin ndaj Perëndisë. Në librin e Psalmeve parathuhet ‘shoqëria e të rinjve’ që është freskuese si pikat e vesës. Aty flitet edhe për «të rinj» dhe «virgjëresha» që lavdërojnë emrin e Jehovait.—Psalmi 110:3; 148:12, 13, BR.
Një vend ku të rinjtë rriten të mbarë
Krahasimi si pika vese është i përshtatshëm, sepse vesa lidhet me bollëkun dhe bekimin. (Zanafilla 27:28) Pikat e vesës janë të buta dhe freskuese. Në këtë kohë të pranisë së Krishtit, një numër i madh të rinjsh të krishterë vullnetarisht dhe me zell po japin veten e tyre. Pikërisht si pika vese freskuese, shumë të rinj e të reja i shërbejnë Perëndisë tërë gëzim dhe mbështetin bashkadhuruesit.—Psalmi 71:17.
Të rinjtë e krishterë nuk janë freskues vetëm për të tjerët, por edhe ata vetë gjejnë freskim në shërbimin e tyre. Organizata e Perëndisë u siguron mjedisin ku mund të rriten të mbarë. Duke mbajtur norma të larta morale, të rinjtë dhe të rejat gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. (Psalmi 119:9) Brenda kongregacionit, ata përfshihen gjithashtu në veprimtari të shëndetshme dhe gjejnë miq të mirë—faktorë që ndikojnë për një jetë të kënaqshme dhe kuptimplotë.
‘Shërim dhe freskim’
Po të rinjtë e krishterë nga ana e tyre a ndihen si «pika vese»? Njihuni me Tanian, një e re që merr pjesë aktivisht në kongregacion dhe që me kënaqësi i kushton shërbimit më shumë se 70 orë çdo muaj. Si ndihet? «Ndihem e freskuar dhe me moralin të ngritur—thotë ajo.—Jehovai e organizata e tij tokësore, si pjesë të jetës sime, kanë qenë ‘shërim dhe freskim’ për mua.»—Fjalët e urta 3:8.
Arieli, një e re tjetër, shërbëtore në kohë të plotë, e çmon shumë ushqimin frymor që merr në kongregacion. «Kur shkoj në mbledhjet e krishtere, në Jakovit 2:23.
kongrese dhe në asamble e kam mundësi të marr pjesë në banketin frymor të Jehovait, kjo më freskon me të vërtetë frymësisht,—vëren ajo.—Dhe më ngre moralin dijenia se kudo përreth botës kam bashkëpunëtorë.» Duke përshkruar burimin kryesor të freskimit, ajo thotë: «Është kaq freskuese të kem Jehovain si mik, veçanërisht kur shoh ose dëgjoj për pasojat e tmerrshme që ka ky sistem te njerëzit.»—Abishai 20-vjeçar shërben si ungjillëzues në kohë të plotë dhe shërbëtor ndihmës në kongregacion. Ai e përshkruan përvojën e tij me këto fjalë: «Ndihem i freskuar se di si të përballoj problemet e shumta që hasin të rinjtë sot. E vërteta biblike më ka ndihmuar të përqendrohem në atë që duhet të bëj për t’i shërbyer Jehovait me gjithë shpirt.»
Në fillim të adoleshencës, Antuani ishte gjaknxehtë si natyrë. Një herë goditi një shok klase me karrige dhe një nxënës tjetër e shpoi me laps. Vështirë të thuash se Antuani ishte një njeri freskues. Por, mësimet e Biblës i ndryshuan sjelljen. Tani është 19 vjeç dhe shërben si shërbëtor ndihmës e shërbëtor në kohë të plotë në kongregacion. Ai thotë: «Falënderoj Jehovain që më lejoi të merrja njohuri për të dhe që më ndihmoi të kuptoja nevojën për të ushtruar vetëkontroll dhe të ndryshoja sjelljen time. Në këtë mënyrë kam shmangur shumë probleme.»
Të tjerët e vërejnë sjelljen freskuese të të rinjve të krishterë. Mateoja është një i ri Dëshmitar në Itali. Mësuesja e tij vendosi që kushdo në klasë që përdorte një fjalë të pistë do të paguante një gjobë të vogël. Pas ca kohësh fëmijët kërkuan që ky rregull të hiqej fare sepse, siç thanë ata, «është e pamundur të mos përdorësh gjuhë të ndyrë». «Por,—shpjegon Mateoja,—mësuesja tha se nuk ishte ashtu dhe si shembull më përdori mua, një Dëshmitar të Jehovait, duke më lavdëruar para tërë klasës për të folurit tim të pastër.»
Në Tajlandë, në një klasë me nxënës të çrregullt, mësuesja e nxori 11-vjeçarin Raçja para klasës dhe e lavdëroi për sjelljen e tij, duke thënë: «Pse nuk merrni të gjithë shembull prej tij? Është i zellshëm në mësime dhe sillet mirë.» Pastaj ajo u tha nxënësve: «Mendoj se edhe ju duhet të bëheni Dëshmitarë të Jehovait si Raçja që të përmirësoni sjelljen.»
Është një kënaqësi të shohësh mijëra të rinj të krishterë që rritin njohurinë e tyre për Jehovain dhe bëjnë vullnetin e tij. Të rinj të tillë të shkëlqyer tregohen më të mençur për moshën që kanë. Perëndia mund t’i ndihmojë të kenë sukses në jetën e tanishme, si edhe u jep një të ardhme të lavdishme në botën e re që po vjen. (1 Timoteut 4:8) Në shkretëtirën frymore të këtij sistemi të tanishëm gjërash, plot me të rinj të pakënaqur dhe të zhgënjyer, ata janë vërtet freskues!