Jehovai i bekon dhe i mbron ata që janë të bindur
Jehovai i bekon dhe i mbron ata që janë të bindur
«Sa për atë që më dëgjon, ai do të banojë në siguri dhe i patrazuar nga tmerri i gjëmës.»—PROVERBAT 1:33, BR.
1, 2. Përse bindja ndaj Perëndisë është e rëndësishme? Ilustrojeni.
ZOGJTË pushverdhë të pulës janë të zënë duke çukitur nëpër bar për të gjetur ushqim, pa e ditur fare se një skifter po sillet rrotull tyre lart në qiell. Papritur klloçka lëshon një britmë rrëqethëse e të mprehtë paralajmëruese dhe hap krahët. Zogjtë e vegjël vrapojnë tek ajo dhe brenda pak sekondash janë shëndoshë e mirë të fshehur poshtë pendëve të saj. Skifteri e ndërpret sulmin. * Cili është mësimi? Bindja të shpëton jetën!
2 Ky mësim është veçanërisht i rëndësishëm për të krishterët e sotëm, pasi Satanai po përpiqet me të gjitha forcat që t’i bëjë prenë e tij shërbëtorët e Perëndisë. (Zbulesa 12:9, 12, 17) Synimi i tij është që të na e shkatërrojë besimin dhe marrëdhënien me Jehovain, në mënyrë që të humbasim miratimin e Jehovait dhe shpresën e jetës së përhershme. (1 Pjetrit 5:8) Megjithatë, po të qëndrojmë afër Perëndisë dhe po t’i përgjigjemi menjëherë drejtimit që marrim nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij, mund të jemi të sigurt se ai do të kujdeset e do të na mbrojë. Psalmisti shkroi: «Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij.»—Psalmi 91:4.
Një komb i pabindur bie pre
3. Cila ishte pasoja e mosbindjes së vazhdueshme të Izraelit?
3 Kur i bindej Jehovait, kombi i Izraelit nxirrte gjithnjë dobi nga kujdesi i tij vigjilent. Mirëpo shumë shpesh populli e braktiste Bërësin e tij dhe u kthehej perëndive prej druri e guri, ‘gjërave të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë’. (1 Samuelit 12:21) Pasi ky rebelim kishte zgjatur me shekuj, kombi si i tërë ishte zhytur kaq shumë në apostazi, saqë nuk mund të ndreqej më. Prandaj, Jezui tha përvajshëm: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që të janë dërguar,—sa herë desha t’i mbledh së bashku fëmijët e tu, ashtu siç i mbledh klloçka së bashku zogjtë e saj nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj ju është braktisur.»—Mateu 23:37, 38.
4. Si u bë e dukshme në vitin 70 të e.s. se Jehovai e kishte braktisur Jerusalemin?
4 Fakti që Jehovai e kishte braktisur Izraelin renegat u bë i dukshëm në një mënyrë të dhembshme në vitin 70 të e.s. Atë vit, ushtritë romake, duke mbajtur lart flamujt e tyre me stemën e shqiponjës, u vërsulën mbi Jerusalemin për të bërë një kasaphanë të tmerrshme. Në atë kohë qyteti ishte plot e përplot me njerëz që kishin ardhur për të festuar Pashkën. Flijimet e tyre të shumta nuk i ndihmuan që të 1 Samuelit 15:22, BR.
fitonin miratimin e Perëndisë. Ky ishte një përkujtues tragjik i fjalëve që i tha Samueli mbretit të pabindur Saul: «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa me bindjen ndaj zërit të Jehovait? Ja, të bindesh është më mirë se flijimi, dhe të kushtosh vëmendje është më mirë se dhjami i deshve.»—5. Cilën lloj bindjeje kërkon Jehovai dhe si e dimë se kjo bindje është e mundur?
5 Megjithëse e kërkon me vendosmëri bindjen, Jehovai i njeh mirë kufizimet e njerëzve të papërsosur. (Psalmi 130:3, 4) Ai kërkon një zemër të çiltër dhe një bindje të bazuar në besim, dashuri dhe frikë të shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi. (Ligji i përtërirë 10:12, 13; Fjalët e urta [Proverbat] 16:6; Isaia 43:10; Mikea 6:8; Romakëve 6:17) Që kjo bindje është e mundur u tregua nga ‘një re e madhe dëshmitarësh të kohëve para krishterimit’, të cilët qëndruan besnikë edhe përballë sprovave të tmerrshme e madje përballë vdekjes. (Hebrenjve 11:36, 37; 12:1) Sa ia gëzuan zemrën Jehovait këta dëshmitarë! (Fjalët e urta 27:11) Por pati edhe disa të tjerë që ishin besnikë në fillim, por nuk vazhduan të ishin të bindur. Një prej tyre ishte mbreti Jehoas i Judës së lashtë.
Një mbret që u rrënua nga shoqëritë e këqija
6, 7. Çfarë lloj mbreti ishte Jehoasi kur ishte gjallë Jehojada?
6 Mbreti Jehoas i shpëtoi për një fije vrasjes, kur ishte foshnjë. Pasi ai arriti moshën shtatëvjeçare, kryeprifti Jehojada me guxim e nxori nga vendi ku e kishte fshehur dhe e bëri mbret. Duke qenë se Jehojada me frikë Perëndie ishte si një baba dhe këshilltar për Jehoasin, sundimtari i ri «bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada».—2 Kronikave 22:10–23:1, 11; 24:1, 2.
7 Veprat e mira që bëri Jehoasi përfshinin meremetimin e tempullit të Jehovait, një veprim të cilin «Jehoasi e pati shumë për zemër». Ai i rikujtoi kryepriftit Jehojada nevojën për të mbledhur taksën e tempullit nga Juda dhe nga Jerusalemi, siç kishte ‘urdhëruar Moisiu’, në mënyrë që të financonin punën e meremetimit. Me sa duket, Jehojada ia kishte dalë mbanë ta inkurajonte mbretin e ri që të studionte Ligjin e Perëndisë dhe t’i bindej këtij ligji. Për pasojë, puna për tempullin dhe enët e tij përfundoi shpejt.—2 Kronikave 24:4, 6, 13, 14, BR; Ligji i përtërirë 17:18.
8. (a) Çfarë ndikoi kryesisht në rënien frymore të Jehoasit? (b) Çfarë arriti të bënte përfundimisht mbreti si pasojë e mosbindjes?
8 Mjerisht, bindja e Jehoasit ndaj Jehovait nuk zgjati shumë. Përse? Fjala e Perëndisë na thotë: «Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët [princat, BR] e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi. Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jerusalemin.» Ndikimi i keq i princave të Judës e bëri mbretin edhe që të mos ua vinte veshin profetëve të Perëndisë, njëri prej të cilëve ishte Zakaria, bir i Jehojadës, i cili me guxim e qortoi Jehoasin dhe popullin për mosbindjen e tyre. Në vend që të pendohej, Jehoasi urdhëroi që Zakarinë ta vritnin me gurë. Sa njeri zemërgur dhe i 2 Kronikave 24:17-22; 1 Korintasve 15:33.
pabindur që ishte bërë Jehoasi, e gjithë kjo sepse kishte rënë pre e ndikimit të shoqërive të këqija!—9. Në ç’mënyrë e thekson përfundimi i Jehoasit dhe i princave se sa e pamend është mosbindja?
9 Çfarë përfundimi patën Jehoasi dhe shokët e tij të ligj, princat, duke qenë se e kishin braktisur Jehovain? Forcat ushtarake siriane, vetëm ‘një numër i vogël burrash’, pushtuan Judën dhe «shkatërruan mes popullit gjithë princat». Gjithashtu, pushtuesit e detyruan mbretin t’u dorëzonte zotërimet e tij, si edhe arin e argjendin e shenjtërores. Ndonëse mbijetoi, Jehoasi mbeti një njeri i dobët e i sëmurë. Jo shumë kohë më pas, disa shërbëtorë të tij komplotuan dhe e vranë. (2 Kronikave 24:23-25, BR; 2 Mbretërve 12:17, 18) Sa të vërteta dolën fjalët që Jehovai i tha Izraelit: «Në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij . . . , mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë.»—Ligji i përtërirë 28:15.
Një sekretar shpëton për shkak të bindjes
10, 11. (a) Përse është e dobishme të meditojmë për këshillën që i dha Jehovai Barukut? (b) Cila ishte këshilla që i dha Jehovai Barukut?
10 A ndiheni ndonjëherë të shkurajuar ngaqë pak njerëz nga ata që takoni në shërbimin e krishterë tregojnë interes për lajmin e mirë? A ndieni ndonjëherë pak zili ndaj njerëzve të pasur dhe ndaj mënyrës se si jetojnë ata duke rendur pas kënaqësive? Në qoftë se po, meditoni për Barukun, sekretarin e Jeremisë dhe për këshillën e dashur që i dha Jehovai.
11 Baruku ishte duke shkruar një mesazh profetik kur ai vetë u bë qendra e vëmendjes së Jehovait. Përse? Sepse Baruku filloi të ndiente keqardhje për shortin e tij në jetë dhe të dëshironte diçka më të mirë sesa privilegji i tij i veçantë i shërbimit ndaj Perëndisë. Duke vënë re këtë ndryshim në qëndrimin e Barukut, Jehovai i tha këshilla të qarta, por të dashura, duke i thënë: «Ti kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko sepse, ja, unë do të sjell fatkeqësi mbi çdo mish, . . . por ty do të të jap jetën tënde si pre në tërë vendet ku do të shkosh.»—Jeremia 36:4; 45:5.
12. Përse nuk duhet të kërkojmë «gjëra të mëdha» për veten në sistemin e tanishëm?
12 A e kuptoni nga fjalët që Jehovai i tha Barukut interesimin e thellë të Tij për këtë njeri të mirë, i cili i kishte shërbyer atij me kaq besnikëri dhe guxim përkrah Jeremisë? Po kështu edhe sot, Jehovai interesohet shumë për ata që tundohen të kërkojnë mundësi më të mira, siç mendojnë ata, në këtë sistem. Lumturisht, ashtu si Baruku, shumë prej tyre i janë përgjigjur ndreqjes së dashur nga vëllezër frymorë të pjekur. (Luka 15:4-7) Po, të gjithë ne duhet ta kuptojmë se s’ka asnjë të ardhme për ata që kërkojnë «gjëra të mëdha» për veten në këtë sistem. Këta njerëz jo vetëm që nuk e gjejnë lumturinë e vërtetë, por, më keq akoma, së shpejti do të kalojnë bashkë me këtë botë dhe me gjithë dëshirat e saj egoiste.—Mateu 6:19, 20; 1 Gjonit 2:15-17.
13. Cilin mësim për sa i përket përulësisë na jep tregimi për Barukun?
13 Tregimi për Barukun na jep edhe një mësim të shkëlqyer për sa i përket përulësisë. Vini re se Jehovai nuk e këshilloi drejtpërdrejt Barukun, por foli nëpërmjet Jeremisë, papërsosmëritë dhe huqet e të cilit ka të ngjarë që Baruku t’i njihte shumë mirë. (Jeremia 45:1, 2) Megjithatë Baruku nuk u mposht nga krenaria. Me përulësi e pranoi se burimi i vërtetë i këshillës ishte Jehovai. (2 Kronikave 26:3, 4, 16; Fjalët e urta 18:12; 19:20) Prandaj, në qoftë se ‘hedhim ndonjë hap të gabuar përpara se të jemi të vetëdijshëm për këtë’ dhe marrim këshillat e nevojshme nga Fjala e Perëndisë, le të imitojmë pjekurinë, aftësinë dalluese frymore dhe përulësinë e Barukut.—Galatasve 6:1.
14. Përse është e dobishme që të jemi të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes nesh?
14 Një qëndrim i tillë i përulur nga ana jonë ndihmon edhe ata që japin këshillën. Te Hebrenjve 13:17 thuhet: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» Shumë shpesh pleqtë i hapin zemrën Jehovait, duke iu lutur për të pasur guximin, mençurinë dhe taktin e nevojshëm që të përmbushin këtë aspekt të vështirë të veprës së tyre baritore. Le ‘t’i pranojmë këta lloj njerëzish’!—1 Korintasve 16:18.
15. (a) Si e tregoi Jeremia besimin që kishte te Baruku? (b) Si u shpërblye Baruku për bindjen e tij të përulur?
15 Është e qartë se Baruku e ndreqi mënyrën e tij të të menduarit, sepse më tej Jeremia i dha atij një caktim shumë sfidues: të shkonte në tempull dhe të lexonte me zë mesazhin e gjykimit që vetë ai kishte shkruar, nën diktimin e Jeremisë. A u bind Baruku? Po, ai bëri «tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia». Madje u lexoi të njëjtin mesazh edhe princave të Jerusalemit, gjë që pa dyshim kërkonte mjaft guxim. (Jeremia 36:1-6, 8, 14, 15) Kur qyteti ra në duart e babilonasve rreth 18 vjet më vonë, përfytyroni sa mirënjohës duhet të ketë qenë Baruku që mbijetoi, sepse ia vuri veshin paralajmërimit të Jehovait dhe nuk kërkoi më «gjëra të mëdha» për vete!—Jeremia 39:1, 2, 11, 12; 43:6.
Bindja gjatë një rrethimi shpëtoi jetë
16. Si tregoi dhembshuri Jehovai për judenjtë në Jerusalem gjatë rrethimit babilonas në vitin 607 p.e.s.?
16 Kur Jerusalemit i erdhi fundi në vitin 607 p.e.s., dhembshuria e Perëndisë për njerëzit e bindur doli përsëri në pah. Në pikën kulmore të rrethimit, Jehovai u tha judenjve: «Ja, unë vë para jush rrugën e jetës dhe rrugën e vdekjes. Ai që mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria dhe nga murtaja; por ai që ka për të dalë dhe do t’u dorëzohet kaldeasve që ju rrethojnë ka për të jetuar dhe do të ketë si pre jetën e tij.» (Jeremia 21:8, 9) Ndonëse banorët e Jerusalemit meritonin shkatërrimin, Jehovai tregoi dhembshuri për ata që iu bindën, edhe në këtë kohë kritike të vonë. *
17. (a) Cilat ishin dy mënyra se si bindja e Jeremisë u vu në provë, kur Jehovai e udhëzoi t’u thoshte judenjve të rrethuar që ‘të kalonin në anën e kaldeasve’? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli që la Jeremia duke u bindur me guxim?
17 T’u thoshte judenjve që të dorëzoheshin do të vinte në provë me siguri edhe bindjen e Jeremisë. Pikësëpari ai ishte xheloz për emrin e Perëndisë. Nuk donte që ky emër të shahej nga armiqtë, të cilët do t’ua jepnin idhujve të pajetë meritën për fitoren e tyre. (Jeremia 50:2, 11; Vajtimet 2:16) Veç kësaj, Jeremia e dinte se duke u thënë njerëzve të dorëzoheshin, po vinte në rrezik të madh vetë jetën e tij, pasi shumë do t’i merrnin fjalët e tij si nxitje për kryengritje. Megjithatë, nuk u spraps nga frika, por duke u bindur njoftoi shpalljet e Jehovait. (Jeremia 38:4, 17, 18) Ashtu si Jeremia, edhe ne shpallim një mesazh që nuk pëlqehet shumë. Është i njëjti mesazh për të cilin e përbuzën Jezuin. (Isaia 53:3; Mateu 24:9) Prandaj të mos ‘frikësohemi para njerëzve’, por, ashtu si Jeremia, t’i bindemi me guxim Jehovait, duke besuar plotësisht tek ai.—Fjalët e urta 29:25.
Bindje përballë sulmit të Gogut
18. Çfarë sprovash të ardhshme që kanë të bëjnë me bindjen do të hasin shërbëtorët e Jehovait?
18 Së shpejti, i gjithë sistemi i lig i Satanait do të shkatërrohet në një ‘shtrëngim të madh’ të paparë ndonjëherë. (Mateu 24:21) Pa dyshim, para dhe gjatë asaj periudhe populli i Perëndisë do të ketë sprova të mëdha besimi dhe bindjeje. Për shembull, Bibla na thotë se Satanai, në rolin e tij si ‘Gogu i vendit të Magogut’, do të bëjë një sulm të përgjithshëm kundër shërbëtorëve të Jehovait, duke mobilizuar hordhitë që janë përshkruar si «një ushtri e fuqishme . . . , si një re që mbulon vendin». (Ezekieli 38:2, 14-16) I paktë në numër dhe i paarmatosur, populli i Perëndisë do të kërkojë strehim te ‘pendët’ e Jehovait, të cilat ai i shtrin për të mbrojtur ata që i binden.
19, 20. (a) Përse bindja nga ana e Izraelit ishte me rëndësi jetësore kur ata ishin në Detin e Kuq? (b) Si mund të nxjerrim dobi sot, duke medituar në lutje për tregimin e Detit të Kuq?
19 Kjo situatë na kujton Daljen e Izraelit nga Egjipti. Pasi e goditi Egjiptin me dhjetë plagë shkretuese, Jehovai e udhëhoqi popullin e tij jo nëpër rrugën më të shkurtër drejt Tokës së Premtuar, por për nga Deti i Kuq, ku me lehtësi mund të ziheshin ngushtë dhe të sulmoheshin. Nga pikëpamja ushtarake, kjo dukej një lëvizje shkatërrimtare. Po të kishit qenë atje, a do t’i ishit bindur fjalës së Jehovait të thënë nëpërmjet Moisiut dhe a do të kishit marshuar drejt Detit të Kuq me bindje të plotë, duke e ditur se Toka e Premtuar gjendej në një drejtim paksa të ndryshëm?—Eksodi (Dalja) 14:1-4.
20 Duke lexuar më tej në kapitullin 14 të Eksodit, shohim se si e çliroi Jehovai popullin e tij, duke bërë një shfaqje të mrekullueshme të fuqisë së tij. Sa na e forcojnë besimin këto tregime, kur lëmë kohë për t’i studiuar e për të medituar rreth tyre! (2 Pjetrit 2:9) Nga ana tjetër, besimi i fortë na jep fuqi që t’i bindemi Jehovait, edhe kur kërkesat e tij duket sikur shkojnë kundër arsyetimit njerëzor. (Fjalët e urta 3:5, 6) Prandaj pyetni veten: ‘A po përpiqem ta forcoj besimin tim duke studiuar me zell Biblën, duke u lutur e duke medituar, si edhe duke u shoqëruar rregullisht me popullin e Perëndisë?’—Hebrenjve 10:24, 25; 12:1-3.
Bindja forcon shpresën
21. Çfarë bekimesh, të tanishme dhe të ardhme, do t’u vijnë atyre që i binden Jehovait?
21 Ata që e bëjnë bindjen ndaj Jehovait mënyrën e tyre të jetesës e provojnë që tani përmbushjen e Fjalëve të urta 1:33, ku thuhet: «Ai që më dëgjon [duke u bindur] do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe.» Sa e mrekullueshme do të jetë mënyra se si do të zbatohen këto fjalë ngushëlluese gjatë ditës së hakmarrjes së Jehovait që po vjen! Në të vërtetë, Jezui u tha dishepujve: «Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» (Luka 21:28) Është e qartë se vetëm ata që i binden Perëndisë do të tregojnë besim e do t’ua vënë veshin këtyre fjalëve.—Mateu 7:21.
22. (a) Cilën arsye për siguri ka populli i Jehovait? (b) Cilat çështje do të trajtohen në artikullin vijues?
22 Një arsye tjetër për të pasur siguri është se «Zoti nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve». (Amosi 3:7) Sot Jehovai nuk frymëzon profetë si në të kaluarën, por në vend të kësaj, ka caktuar klasën e skllavit të besueshëm për t’u siguruar ushqim frymor në kohën e duhur atyre të shtëpisë së tij. (Mateu 24:45-47) Sa e rëndësishme është, pra, që të kemi një qëndrim të bindur ndaj atij «skllavi»! Siç do ta tregojë artikulli vijues, kjo bindje pasqyron edhe qëndrimin tonë ndaj Jezuit, zotërisë së ‘skllavit’. Atij «do t’i përkasë bindja e popujve».—Zanafilla 49:10, BR.
[Shënimet]
^ par. 1 Ndonëse shpesh përshkruhet si shpend i ndrojtur, «klloçka lufton për të mbrojtur të vegjlit e saj derisa ngordh»,—thotë botimi i një shoqate për mbrojtjen e kafshëve.
^ par. 16 Jeremia 38:19 zbulon se një numër judenjsh «kaluan nga ana» e kaldeasve dhe shpëtuan nga vdekja, por jo nga mërgimi. Nuk na thuhet nëse u dorëzuan si pasojë e fjalëve të Jeremisë. Megjithatë fakti që mbijetuan vërtetoi fjalët e profetit.
A ju kujtohet?
• Cila ishte pasoja e mosbindjes së vazhdueshme të Izraelit?
• Si u ndikua mbreti Jehoas nga shoqëritë e tij, në fillim të jetës së tij dhe më vonë?
• Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga Baruku?
• Pse shërbëtorët e bindur të Jehovait nuk kanë arsye për të pasur frikë ndërsa sistemi i tanishëm i afrohet fundit?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 13]
Nën udhëheqjen e Jehojadës, Jehoasi i ri i bindej Jehovait
[Figura në faqen 15]
Shoqëritë e këqija ndikuan te Jehoasi deri aty sa vrau profetin e Perëndisë
[Figura në faqen 16]
A do t’i ishit bindur Jehovait dhe të kishit parë vetë fuqinë e tij të mrekullueshme shpëtuese?