Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kultivoni bindjen ndërsa afrohet fundi

Kultivoni bindjen ndërsa afrohet fundi

Kultivoni bindjen ndërsa afrohet fundi

«[Shilohut] do t’i përkasë bindja e popujve.»​—ZANAFILLA 49:10, BR.

1. (a) Çfarë ka përfshirë shpesh në të kaluarën bindja ndaj Jehovait? (b) Cilën profeci tha Jakobi lidhur me bindjen?

BINDJA ndaj Jehovait shpesh ka përfshirë bindjen ndaj përfaqësuesve të tij. Ndër këta përfaqësues kanë qenë engjëjt, patriarkët, gjykatësit, priftërinjtë, profetët dhe mbretërit. Madje froni i mbretërve të Izraelit quhej froni i Jehovait. (1 Kronikave 29:23) Por, mjerisht shumë sundimtarë të Izraelit nuk iu bindën Perëndisë, duke sjellë mjerim mbi veten dhe mbi nënshtetasit e tyre. Megjithatë, Jehovai nuk i la pa shpresë shërbëtorët e tij besnikë. I ngushëlloi me premtimin se do të vendoste një Mbret të pakorruptueshëm, të cilit të drejtët do t’i bindeshin me kënaqësi. (Isaia 9:5, 6 [9:6, 7, BR]) Para se të vdiste, patriarku Jakob profetizoi për këtë sundimtar të ardhshëm duke thënë: «Skeptri nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu; atij do t’i përkasë bindja e popujve.»​—Zanafilla 49:10, BR.

2. Cila është domethënia e termit «Shiloh» dhe çfarë do të përfshinte sundimi i tij mbretëror?

2 «Shiloh» është një term hebraik që do të thotë «Ai e të cilit është» ose «Ai të cilit i përket». Po, Shilohu do të trashëgonte të drejtën e plotë për të sunduar, e simbolizuar nga skeptri, si edhe pushtetin për të komanduar, e përfaqësuar nga shkopi i komandantit. Për më tepër, sundimi i tij mbretëror do të përfshinte jo vetëm pasardhësit e Jakobit, por të gjithë ‘popujt’. Kjo është në harmoni me premtimin që Jehovai i bëri Abrahamit: «Fara jote do të shtjerë në dorë portat e armiqve të vet. Me anë të farës sate me siguri do të bekohen të gjitha kombet e tokës.» (Zanafilla 22:17, 18, BR) Jehovai e ripohoi identitetin e kësaj ‘fare’ në vitin 29 të e.s., kur mirosi me frymë të shenjtë Jezuin nga Nazareti.​—Luka 3:21-23, 34; Galatasve 3:16.

Mbretëria e parë e Jezuit

3. Cilin sundim mori Jezui kur u ngjit në qiell?

3 Kur u ngjit në qiell, Jezui nuk e mori menjëherë skeptrin e sundimit mbi popujt e botës. (Psalmi 110:1) Megjithatë mori një ‘mbretëri’ me nënshtetas që i bindeshin. Apostulli Pavël e identifikoi këtë mbretëri kur shkroi: «[Perëndia] na çliroi [ne të krishterëve të mirosur me frymë] nga autoriteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij.» (Kolosianëve 1:13) Ky çlirim filloi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u derdh fryma e shenjtë mbi ithtarët besnikë të Jezuit.​—Veprat 2:1-4; 1 Pjetrit 2:9.

4. Në cilat mënyra e shfaqën bindjen e tyre dishepujt e hershëm të Jezuit dhe si i identifikoi Jezui ata si grup?

4 Si «ambasadorë në vend të Krishtit», me bindje dishepujt e mirosur nga fryma filluan të mblidhnin të tjerë që do të bëheshin «bashkëqytetarë» me ta në atë mbretëri frymore. (2 Korintasve 5:20; Efesianëve 2:19; Veprat 1:8) Përveç kësaj, këta duhej të mbeteshin «të bashkuar siç duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën linjë mendimi», me qëllim që të kishin miratimin e Mbretit të tyre Jezu Krisht. (1 Korintasve 1:10) Si grup, ata përbënin një ‘skllav të besueshëm e të matur’ ose një klasë kujdestari të besueshëm.​—Mateu 24:45; Luka 12:42.

Të bekuar ngaqë i binden ‘kujdestarit’ të Perëndisë

5. Si e ka mësuar Jehovai popullin e tij që nga kohët e lashta?

5 Jehovai i ka siguruar gjithnjë mësues popullit të tij. Për shembull, pasi judenjtë u kthyen nga Babilonia, Ezdra dhe disa burra të tjerë të kualifikuar jo vetëm që ia lexuan Ligjin e Perëndisë popullit, por ‘e shtjelluan’ atë ligj, ‘duke i dhënë domethënie e kuptueshmëri’ Fjalës së Perëndisë.​—Nehemia 8:8, BR.

6, 7. Si ka siguruar klasa e skllavit ushqim frymor në kohën e duhur nëpërmjet Trupit Udhëheqës dhe pse është me vend nënshtrimi ndaj klasës së skllavit?

6 Në shekullin e parë, kur u ngrit çështja e rrethprerjes në vitin 49 të e.s., trupi udhëheqës i asaj klase të hershme të skllavit e shqyrtoi në lutje çështjen dhe nxori një përfundim sipas Shkrimeve. Kur ata e njoftuan vendimin me anë të një letre, kongregacionet iu bindën drejtimit që u dha dhe patën shumë bekime nga Perëndia. (Veprat 15:6-15, 22-29; 16:4, 5) Po ashtu në kohët tona, nëpërmjet Trupit të tij Udhëheqës skllavi i besueshëm ka qartësuar çështje të tilla të rëndësishme, si: asnjanësia e krishterë, shenjtëria e gjakut dhe përdorimi i drogës e i duhanit. (Isaia 2:4; Veprat 21:25; 2 Korintasve 7:1) Jehovai e ka bekuar popullin e tij sepse i është bindur Fjalës së tij dhe skllavit të besueshëm.

7 Duke iu nënshtruar klasës së skllavit, populli i Perëndisë tregon edhe nënshtrimin ndaj Zotërisë, Jezu Krishtit. Ky nënshtrim ka marrë edhe më shumë domethënie në kohët tona për shkak të autoritetit më të madh që i është dhënë Jezuit, siç ishte parathënë në profecinë që tha Jakobi në shtratin e vdekjes.

Shilohu bëhet sundimtari legjitim i tokës

8. Si dhe kur u zgjerua autoriteti i Krishtit?

8 Profecia e Jakobit parathoshte se Shilohu do të komandonte ‘bindjen e popujve’. Është e qartë se sundimi i Krishtit do të shtrihej përtej Izraelit frymor. Çfarë do të përfshinte? Zbulesa 11:15 përgjigjet: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij dhe ai do të sundojë si mbret në jetë të jetëve.» Bibla zbulon se Jezui e mori këtë autoritet në fund të ‘shtatë kohëve’ profetike ose siç quhen ndryshe ‘kohëve të caktuara të kombeve’, në vitin 1914. * (Danieli 4:16, 17; Luka 21:24) Atë vit filloi ‘prania’ e padukshme e Krishtit si Mbret mesianik, e po ashtu filloi koha e tij për të ‘sunduar në mes të armiqve të tij’.​—Mateu 24:3; Psalmi 110:2.

9. Çfarë bëri Jezui kur mori Mbretërinë e tij dhe ç’pasojë të tërthortë pati kjo për njerëzimin, e sidomos për dishepujt e tij?

9 Veprimi i parë që bëri Jezui pasi mori pushtetin mbretëror ishte që të hidhte «poshtë në tokë» vetë personifikimin e mosbindjes, Satanain, si edhe demonët e tij. Që nga ajo kohë, këto frymëra të liga i kanë shkaktuar njerëzimit mjerime të papara ndonjëherë. Për më tepër, kanë krijuar një mjedis në të cilin është një sfidë t’i bindesh Jehovait. (Zbulesa 12:7-12; 2 Timoteut 3:1-5) Në të vërtetë, shënjestra kryesore e luftës së Satanait janë të mirosurit e Jehovait, «të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin», si edhe shokët e tyre nga ‘delet e tjera’.​—Zbulesa 12:17; Gjoni 10:16.

10. Përmbushja e cilave profeci biblike garanton dështimin e luftës së Satanait kundër të krishterëve të vërtetë?

10 Megjithatë Satanai është i destinuar të dështojë, sepse kjo është ‘dita e Zotërisë’ dhe asgjë nuk mund ta pengojë Jezuin që ‘të plotësojë fitoren e tij’. (Zbulesa 1:10; 6:2) Jezui, për shembull, do të sigurojë vulosjen përfundimtare të 144.000 izraelitëve frymorë. Gjithashtu do të mbrojë ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. (Zbulesa 7:1-4, 9, 14-16) Mirëpo, ndryshe nga shokët e tyre të mirosur, këta të fundit do të bëhen nënshtetasit e bindur tokësorë të Jezuit. (Danieli 7:13, 14) Shfaqja e tyre në skenën botërore tashmë është një dëshmi e dukshme se Shilohu është vërtet Sundimtar mbi ‘mbretërinë e botës’.​—Zbulesa 11:15.

Tani është koha ‘t’i bindemi lajmit të mirë’

11, 12. (a) Vetëm cilët do të mbijetojnë në fundin e sistemit të tanishëm? (b) Çfarë tiparesh të personalitetit zhvillojnë ata që përvetësojnë «frymën e botës»?

11 Të gjithë ata që duan jetën e përhershme duhet të mësojnë bindjen, pasi Bibla thotë qartë se ‘ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu’ nuk do të mbijetojnë në ditën e hakmarrjes së Perëndisë. (2 Selanikasve 1:8) Sidoqoftë, mjedisi i tanishëm i lig dhe fryma e rebelimit kundër ligjeve e parimeve biblike që ekziston në të e bëjnë një sfidë bindjen ndaj lajmit të mirë.

12 Bibla e përshkruan këtë frymë rebelimi kundër Perëndisë si ‘fryma e botës’. (1 Korintasve 2:12) Duke shpjeguar se ç’pasoja ka kjo frymë te njerëzit, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të shekullit të parë në Efes duke u thënë: «[Ju] ecnit dikur sipas sistemit të kësaj bote, sipas sundimtarit të autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes. Po, mes tyre, të gjithë ne dikur silleshim në harmoni me dëshirat e trupit tonë, duke bërë vullnetin e trupit e të mendimeve dhe ishim prej natyre fëmijë të zemërimit, sikurse edhe të tjerët.»​—Efesianëve 2:2, 3.

13. Si mund t’i kundërvihen me sukses të krishterët frymës së botës dhe me cilat rrjedhoja të dobishme?

13 Lumturisht, të krishterët efesianë nuk mbetën skllevër të asaj fryme të mosbindjes. Përkundrazi, u bënë fëmijë të bindur të Perëndisë duke iu nënshtruar frymës së tij dhe duke korrur frytet e saj të shëndetshme e të shumta. (Galatasve 5:22, 23) Në mënyrë të ngjashme sot, fryma e Perëndisë, e cila është forca më e fuqishme në univers, po ndihmon miliona veta që të bëhen të bindur ndaj Jehovait. Rrjedhoja është se mund të kenë «deri në fund sigurinë e plotë të shpresës».​—Hebrenjve 6:11; Zakaria 4:6.

14. Si i paralajmëroi Jezui të gjithë të krishterët që do të jetonin në ditët e fundit për gjërat specifike që do t’ua vinin në provë bindjen?

14 Nuk duhet të harrojmë edhe se kemi mbështetjen e fuqishme të Shilohut, i cili bashkë me Atin e tij nuk do të lërë që asnjë armik, demonik ose njerëzor, të na e vërë në provë bindjen përtej asaj që mund të mbajmë. (1 Korintasve 10:13) Madje për të na ndihmuar në luftën tonë frymore, Jezui përshkroi disa probleme specifike që do të hasnim gjatë këtyre ditëve të fundit. Këtë e bëri me anë të shtatë letrave, të cilat ia dha në një vegim apostullit Gjon. (Zbulesa 1:10, 11) Sigurisht që ato përmbanin këshilla jetësore për të krishterët në atë kohë, por zbatimin kryesor e kanë në «ditën e Zotërisë», që nga viti 1914. Sa e përshtatshme është, pra, t’u kushtojmë vëmendje këtyre mesazheve! *

Shmangni apatinë, imoralitetin dhe materializmin

15. Pse duhet të ruhemi nga problemi që kishte prekur kongregacionin e Efesit dhe si mund ta bëjmë këtë? (2 Pjetrit 1:5-8)

15 Letra e parë e Jezuit ishte për kongregacionin e Efesit. Pasi e lavdëroi kongregacionin për qëndrueshmërinë që tregonte, Jezui tha: «Megjithatë, kam këtë kundër teje: e ke lënë dashurinë që kishe në fillim.» (Zbulesa 2:1-4) Sot, disa të krishterë që njëherë e një kohë ishin të zellshëm e kanë humbur në mënyrë të ngjashme dashurinë e zjarrtë që kishin më parë për Perëndinë. Humbja e kësaj dashurie mund të çojë në ftohjen e marrëdhënies që ka një njeri me Perëndinë dhe është një gjë që i duhet kushtuar vëmendje urgjentisht. Si mund të rigjallërohet kjo dashuri? Duke studiuar rregullisht Biblën, duke qenë të pranishëm në mbledhje, duke u lutur e duke medituar. (1 Gjonit 5:3) Është e vërtetë se kjo kërkon «përpjekje të zellshme», por patjetër që ia vlen t’i bëjmë këto përpjekje. (2 Pjetrit 1:5-8) Nëse një vetëshqyrtim i ndershëm zbulon se dashuria jote është ftohur, atëherë ndreqe menjëherë këtë gjendje, duke iu bindur thirrjes së Jezuit: «Kujtohu prej nga ke rënë dhe pendohu e bëj veprat e mëparshme.»​—Zbulesa 2:5.

16. Çfarë ndikimesh të rrezikshme frymësisht ekzistonin në kongregacionet e Pergamit e të Tiatirës dhe pse fjalët që u drejtoi Jezui atyre janë të përshtatshme sot?

16 Të krishterët në Pergam dhe Tiatirë u lavdëruan për besnikërinë, qëndrueshmërinë dhe zellin e tyre. (Zbulesa 2:12, 13, 18, 19) Megjithatë, ata ishin ndikuar nga disa që shfaqnin frymën e ligë të Balaamit dhe të Jezabelës. Me anë të imoralitetit seksual dhe të adhurimit të Baalit, këta ndikuan për keq në Izraelin e lashtë, duke e korruptuar atë. (Numrat 31:16; 1 Mbretërve 16:30, 31; Zbulesa 2:14, 16, 20-23) Por, ç’të themi për kohën tonë, për «ditën e Zotërisë»? A janë të dukshme të njëjtat ndikime të liga? Po, sepse imoraliteti është në të vërtetë shkaku kryesor i përjashtimeve në popullin e Perëndisë. Sa e rëndësishme është, pra, që të shmangim shoqërimin me të gjithë ata individë, brenda e jashtë kongregacionit, që ndikojnë për keq nga ana morale, duke korruptuar njerëzit! (1 Korintasve 5:9-11; 15:33) Ata që duan të jenë nënshtetas të bindur të Shilohut do të shmangin, gjithashtu, zbavitjen e diskutueshme si dhe pornografinë nëpër botime e në Internet.​—Amosi 5:15; Mateu 5:28, 29.

17. Si ishte pikëpamja dhe qëndrimi i atyre në Sardë e në Laodice, në krahasim me pikëpamjen e Jezuit për gjendjen e tyre frymore?

17 Me përjashtim të disa individëve, kongregacioni i Sardës nuk mori fare lavdërim. Ai kishte «emrin» ose pamjen sikur ishte gjallë, por apatia frymore ishte rrënjosur kaq thellë, saqë për Jezuin ai kongregacion ishte «i vdekur». Bindja ndaj lajmit të mirë ishte vetëm mekanike. Çfarë denoncimi! (Zbulesa 3:1-3) Kongregacioni në Laodice ishte në një gjendje të ngjashme. Mburrej për pasuritë materiale, duke thënë «jam i pasur», por për Krishtin ishte «i mjerë dhe i ngratë, i varfër, i verbër e lakuriq».​—Zbulesa 3:14-17.

18. Si mund ta shmangë një njeri që të bëhet i vakët frymësisht në sy të Perëndisë?

18 Edhe sot ka disa të krishterë që njëherë e një kohë ishin besnikë, por që kanë rënë në të njëjtën rrugë mosbindjeje. Ndoshta kanë lejuar që fryma e botës t’ua mpijë ndjenjën e urgjencës, e kështu kanë zhvilluar nga ana frymore një qëndrim të vakët ndaj studimit biblik, lutjes, mbledhjeve të krishtere dhe ndaj shërbimit. (2 Pjetrit 3:3, 4, 11, 12) Sa e rëndësishme është që këta individë t’i binden Krishtit duke investuar në pasuri frymore, po, ‘duke blerë nga Krishti ar të kulluar në zjarr’! (Zbulesa 3:18) Kjo pasuri e vërtetë përfshin të jemi ‘të pasur në vepra të shkëlqyera, dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët’. Duke investuar në këto burime vërtet të çmuara, ‘mbledhim për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokim jetën e vërtetë’.​—1 Timoteut 6:17-19.

Të lavdëruar për bindjen e tyre

19. Çfarë lavdërimesh dhe nxitjesh u dha Jezui të krishterëve në Smirnë dhe në Filadelfia?

19 Kongregacionet e Smirnës dhe të Filadelfias dallohen si shembuj për sa i përket bindjes, sepse letrat që u dërgoi Jezui nuk përmbanin asnjë qortim. Të krishterëve në Smirnë ai u tha: «E di shtrëngimin dhe varfërinë tënde, por ti je i pasur.» (Zbulesa 2:9) Sa ndryshe ishin nga ata në Laodice, të cilët mburreshin për pasuritë në botë, por në të vërtetë ishin të varfër! Sigurisht, Djalli nuk kënaqej kur disa tregoheshin të besueshëm e të bindur ndaj Krishtit. Prandaj, Jezui paralajmëroi: «Mos ki frikë nga gjërat që do të vuash pas pak kohe. Ja, Djalli do të vazhdojë të hedhë disa nga ju në burg, me qëllim që të sprovoheni plotësisht e të keni shtrëngim për dhjetë ditë. Tregohu i besueshëm deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» (Zbulesa 2:10) Në mënyrë të ngjashme Jezui i lavdëroi ata në Filadelfia duke u thënë: «E mbajte fjalën time [ose m’u binde] dhe nuk e mohove emrin tim. Po vij me të shpejtë. Vazhdo të mbash fort atë që ke, me qëllim që askush të mos marrë kurorën tënde.»​—Zbulesa 3:8, 11.

20. Si e kanë mbajtur fjalën e Jezuit miliona veta sot, edhe kur janë gjendur në cilat rrethana?

20 Në «ditën e Zotërisë», pra duke filluar nga viti 1914, mbetja besimplotë dhe shokët e tyre nga delet e tjera, të cilët tani janë me miliona, e kanë mbajtur gjithashtu fjalën e Jezuit, duke marrë pjesë me zell në shërbim dhe duke mbajtur besnikërinë e tyre. Ashtu si vëllezërit e tyre të shekullit të parë, disa kanë vuajtur për shkak se i binden Krishtit, madje i kanë hedhur nëpër burgje e kampe përqendrimi. Të tjerë e kanë mbajtur fjalën e Jezuit duke e pasur ‘syrin të thjeshtë’, edhe pse janë të rrethuar nga pasuria dhe lakmia. (Mateu 6:22, 23) Po, në çdo mjedis dhe në çdo rrethanë, të krishterët e vërtetë me anë të bindjes së tyre vazhdojnë t’ia gëzojnë zemrën Jehovait.​—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.

21. (a) Cilin detyrim frymor do të vazhdojë të përmbushë klasa e skllavit? (b) Si mund ta tregojmë se vërtet duam t’i bindemi Shilohut?

21 Ndërsa i afrohemi shtrëngimit të madh, «skllavi i besueshëm dhe i matur» mbetet i vendosur që të mos bëjë kompromis me bindjen e tij ndaj Zotërisë, Krishtit. Kjo përfshin përgatitjen e ushqimit frymor në kohën e duhur për shërbëtorët e shtëpisë së Perëndisë. Prandaj, le të vazhdojmë të çmojmë organizatën e mrekullueshme teokratike të Jehovait dhe gjërat që siguron ajo. Në këtë mënyrë tregojmë nënshtrimin tonë ndaj Shilohut, i cili do t’i shpërblejë me jetë të përhershme të gjithë nënshtetasit e tij të bindur.​—Mateu 24:45-47; 25:40; Gjoni 5:22-24.

[Shënimet]

^ par. 8 Për një shpjegim të ‘shtatë kohëve’, shih kapitullin 10 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 14 Për një trajtim të hollësishëm të të shtatë letrave, të lutemi shih librin Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht, duke filluar në faqen 33.

A ju kujtohet?

• Cilin rol do të luante Jezui, siç ishte parathënë në profecinë e Jakobit kur ishte në shtratin e vdekjes?

• Në ç’mënyrë e pranojmë Jezuin si Shilohu dhe cilën frymë duhet të shmangim?

• Çfarë këshillash të përshtatshme për ditët tona kanë letrat që iu dërguan shtatë kongregacioneve të Zbulesës?

• Në ç’mënyra mund t’i imitojmë të krishterët në kongregacionet e Smirnës dhe Filadelfias së lashtë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 18]

Jehovai e bekon popullin e tij sepse i bindet ‘kujdestarit’ të besueshëm

[Figura në faqen 19]

Ndikimi i Satanait e bën një sfidë bindjen ndaj Perëndisë

[Figurat në faqen 21]

Një marrëdhënie e fortë me Jehovain na ndihmon t’i bindemi atij