Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngushëllim në kohë krizash

Ngushëllim në kohë krizash

Ngushëllim në kohë krizash

LAJMET e ditëve të sotme sigurisht që nuk janë ngushëlluese. Një njeri tha: «Ngjarjet e sotme janë kaq të zymta saqë shpesh nuk jemi në gjendje për të vendosur nëse t’i shohim apo jo lajmet e orës gjashtë.» Bota është e tejmbushur me luftëra, akte terroriste, vuajtje, krime dhe sëmundje​—gjëra të këqija, që shumë shpejt mund të ndikojnë drejtpërdrejt mbi ne, në qoftë se nuk e kanë bërë tashmë.

Në Bibël ishte parashikuar me saktësi kjo gjendje. Duke përshkruar kohën tonë, Jezui tha se do të kishte luftëra të mëdha, murtaja, mungesa ushqimi dhe tërmete. (Luka 21:10, 11) Ngjashëm, apostulli Pavël shkroi për ‘kohët kritike, të vështira për t’u përballuar’, kur njerëzit do të ishin të egër, të dashuruar pas parave dhe pa dashuri për mirësinë. Ai e quajti këtë periudhë «ditët e fundit».​—2 Timoteut 3:1-5.

Pra, përshkrimi i kushteve të botës në lajme ngjason në disa mënyra me atë që ishte parashikuar në Bibël. Por vetëm në bërjen e këtij përshkrimi ngjasojnë. Në Bibël paraqitet një pikëpamje që lajmet nuk e paraqesin. Me anë të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, mund të arrijmë të kuptojmë jo vetëm përse ka kaq shumë ligësi, por edhe se si do të jetë e ardhmja.

Çfarë mendon Perëndia për ligësinë?

Në Bibël shpjegohet se çfarë mendon Perëndia për kushtet e dëshpëruara të ditëve të sotme. Ndonëse parashikoi problemet e tanishme, ai nuk i miraton dhe as nuk ka ndër mend t’i lejojë gjithnjë ato. «Perëndia është dashuri»,​—shkroi apostulli Gjon. (1 Gjonit 4:8) Jehovai kujdeset shumë për njerëzit dhe ai e urren të keqen. Mund t’i drejtohemi fare mirë Perëndisë për ngushëllim, sepse ai është i mirë dhe i dhembshur dhe ka fuqinë dhe dëshirën për ta zhdukur ligësinë nga toka. Psalmisti shkroi: «[Mbreti qiellor i caktuar nga Perëndia] do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.»​—Psalmi 72:12-14.

A ju vjen keq për ata që vuajnë? Sigurisht që po. Empatia është një cilësi që Jehovai e ka vendosur brenda nesh, sepse jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26, 27) Prandaj mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk është i pandjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve. Jezui, i cili e njihte Jehovain në mënyrën më intime se çdo person tjetër, i mësoi të tjerët se Jehovai interesohet shumë për ne dhe ai është plot dhembshuri të butë.​—Mateu 10:29, 31.

Vetë krijimi është një dëshmi se Perëndia kujdeset për njerëzimin. Jezui tha se Perëndia «e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mateu 5:45) Apostulli Pavël u tha njerëzve të qytetit të Listrës: «[Perëndia] nuk e la veten pa dëshmi, meqë bëri mirë, duke ju dhënë shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat tuaja plot e përplot me ushqim dhe hare.»​—Veprat 14:17.

Kush është përgjegjës për ligësinë?

Është për t’u vërejtur se Pavli u tha gjithashtu njerëzve në Listra: «Në brezat që shkuan, [Perëndia] i lejoi të gjitha kombet të vazhdonin udhët e tyre.» Pra, kombet​—vetë njerëzit​—janë në një masë të madhe përgjegjës për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden. Nuk i duhet vënë faji Perëndisë.​—Veprat 14:16.

Pse Jehovai lejon që të ndodhin gjëra të këqija? A do të bëjë ndonjëherë diçka kundër tyre? Përgjigjja për këto pyetje mund të gjendet vetëm në Fjalën e Perëndisë. Kjo sepse përgjigja lidhet ngushtë me një person tjetër frymor dhe me një çështje që u ngrit nga ai në sferën e padukshme frymore.

[Figurat në faqen 4]

Njerëzit kanë empati ndaj njëri-tjetrit. A është Perëndia më pak i ndjeshëm ndaj vuajtjeve njerëzore?

[Burimet e figurave në faqen 2]

KAPAKU: Tanku: UN PHOTO 158181/J. Isaac; tërmeti: San Hong R-C Picture Company

[Burimi i figurës në faqen 3]

Sipër, majtas, Kroaci: UN PHOTO 159208/S. Whitehouse; fëmijë i uritur: UN PHOTO 146150 NGA O. MONSEN