Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngushëllim në njohurinë e saktë të Perëndisë

Ngushëllim në njohurinë e saktë të Perëndisë

Ngushëllim në njohurinë e saktë të Perëndisë

PËR disa njerëz ngre pyetje shqetësuese ajo që thuhet në Bibël për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë. Ata bëjnë pyetjen: Nëse Perëndia do që të zhdukë të keqen, di se si ta bëjë këtë dhe ka fuqinë për ta bërë, pse atëherë e keqja vazhdon të jetë me bollëk? E kanë problem t’i përshtatin midis tyre këto tri pohime: (1) Perëndia është i plotfuqishëm; (2) Perëndia është i dashur dhe i mirë; dhe (3) ngjarje katastrofike vazhdojnë të ndodhin. Ata arsyetojnë që, meqenëse pohimi i fundit është në mënyrë të pamohueshme i vërtetë, atëherë të paktën një nga dy të tjerët nuk mund të jetë i vërtetë. Sipas tyre, ose Perëndia nuk është në gjendje të ndalë të keqen ose ai nuk do t’ia dijë për të.

Disa ditë pas shkatërrimit të Qendrës Tregtare Botërore në Nju-Jork, një udhëheqës fetar i shquar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha: «Gjatë jetës sime më kanë pyetur . . . me qindra herë se përse Perëndia i lejon tragjeditë dhe vuajtjet. Duhet ta pranoj se në të vërtetë nuk e di përgjigjen plotësisht, as për të kënaqur veten time.»

Në përgjigje të këtij komenti, një profesor teologjie shkroi se i bëri shumë përshtypje «teologjia e mirë» që predikoi ky udhëheqës fetar. Gjithashtu, ai miratoi pikëpamjen e një studiuesi i cili shkroi: «Fakti se nuk mund të kuptojmë shkakun e vuajtjeve është pjesë e faktit se nuk mund të kuptojmë Perëndinë.» Por a është vërtet e pamundur të kuptojmë pse e lejon Perëndia të keqen?

Burimi i së keqes

Ndryshe nga ajo që mund të thonë udhëheqësit fetarë, në Bibël është e mundur të kuptojmë pse Perëndia e lejon të keqen. Një gjë kryesore për të kuptuar këtë çështje është të dimë se Jehovai nuk krijoi një botë të ligë. Ai e krijoi çiftin e parë njerëzor të përsosur, pa mëkat. Jehovai vështroi veprën e tij krijuese dhe pa se ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:26, 31) Qëllimi i tij ishte që Adami dhe Eva ta shtrinin Parajsën e Edenit në mbarë tokën dhe ta mbushnin me njerëz të lumtur nën mbrojtjen e sovranitetit të tij të dashur.​—Isaia 45:18.

E keqja filloi me një krijesë frymore, i cili megjithëse në fillim ishte besnik ndaj Perëndisë, zhvilloi një dëshirë për t’u adhuruar nga të tjerët. (Jakovit 1:14, 15) Rebelimi i tij u shfaq në tokë kur e shtyu çiftin e parë njerëzor të bashkohej me të për të kundërshtuar Perëndinë. Në vend që t’i nënshtroheshin urdhrit të qartë të Perëndisë për të mos ngrënë ose për të mos prekur frytin e pemës së njohjes të së mirës e të së keqes, Adami dhe Eva morën ca dhe hëngrën. (Zanafilla 3:1-6) Duke bërë kështu, ata jo vetëm që nuk iu bindën Perëndisë, por edhe treguan se dëshironin të ishin të pavarur nga ai.

U ngrit një çështje morale

Ky rebelim në Eden ngriti një çështje morale, një sfidë me rëndësi universale. Rebelët njerëzorë vunë në diskutim faktin nëse Jehovai po e ushtronte siç duhej sundimin mbi krijesat e tij. A kishte të drejtë Krijuesi që të kërkonte bindje të plotë nga njerëzimi? A do të ishin më mirë njerëzit po të vepronit në mënyrë të pavarur?

Jehovai e trajtoi këtë sfidë ndaj sundimit të tij në një mënyrë e cila tregoi ekuilibrin e tij të përsosur të dashurisë, drejtësisë, mençurisë dhe fuqisë. Ai mund të kishte përdorur fuqinë e tij për ta shtypur menjëherë rebelimin. Kjo mund të ishte dukur e drejtë, pasi ai e kishte të drejtën të vepronte kështu. Por, duke vepruar në këtë mënyrë nuk do t’i ishte përgjigjur çështjeve morale që ishin ngritur. Nga ana tjetër, Perëndia thjesht mund të kishte mbyllur sytë para mëkatit. Sot, një mënyrë e tillë të vepruari disave mund t’u duket si zgjidhje e dashur. Megjithatë, edhe kjo gjë nuk do t’i jepte përgjigje pohimit të Satanait se njerëzit do të ishin më mirë po të sundonin vetë. Për më tepër, a nuk do të nxiste një mënyrë e tillë të vepruari edhe persona të tjerë që të largoheshin nga udha e Jehovait? Pasojat do të ishin vuajtje të pafund.

Me mençuri, Jehovai i ka lejuar njerëzit që të jenë të pavarur për një farë kohe. Edhe pse kjo ka nënkuptuar të lejojë përkohësisht të keqen, në këtë mënyrë njerëzit kanë pasur mundësi të tregojnë nëse mund të qeverisen vetë me sukses të pavarur nga Perëndia, duke jetuar sipas parimeve të veta për atë që është e drejtë dhe e gabuar. Cili ka qenë përfundimi? Historia njerëzore është karakterizuar shpesh nga luftërat, padrejtësitë, shtypjet dhe nga vuajtjet. Dështimi përfundimtar i rebelimit kundër Jehovait do t’u japë zgjidhje një herë e përgjithmonë çështjeve të ngritura në Eden.

Ndërkohë, Perëndia e ka treguar dashurinë e tij duke dhënë Birin e tij, Jezu Krishtin, i cili dha jetën e tij njerëzore si flijim shpërblyes. Kjo u jep mundësi njerëzve të bindur që të çlirohen nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes që erdhi si pasojë e mosbindjes së Adamit. Shpërblesa ka hapur rrugën drejt jetës së përhershme për të gjithë ata që ushtrojnë besim te Jezui.​—Gjoni 3:16.

Nga Jehovai kemi sigurinë që na ngushëllon se vuajtjet njerëzore janë të përkohshme. «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më,​—shkroi psalmisti,​—po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.»​—Psalmi 37:10, 11.

Një e ardhme me lumturi dhe siguri

Plotësimi i profecive të Biblës tregon se është afër koha kur Perëndia do t’u japë fund sëmundjeve, brengave dhe vdekjes. Vëreni se çfarë përshkrimi paraprak të mrekullueshëm të gjërave që do të vijnë iu dha në një vegim apostullit Gjon. Ai shkroi: «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re; sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar dhe deti nuk është më. . . . Dhe vetë Perëndia do të jetë me [njerëzimin]. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» Në një deklaratë në të cilën theksohet besueshmëria e këtyre premtimeve, Gjonit iu tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.»​—Zbulesa 21:1-5.

Ç’të themi për miliarda njerëz të pafajshëm që kanë vdekur që nga koha e rebelimit në Eden? Jehovai premtoi se ai do t’i sjellë përsëri në jetë njerëzit që tani po flenë në vdekje. Apostulli Pavël shkroi: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Këta njerëz do të kenë perspektivën që të jetojnë në një botë në të cilën «ka për të banuar drejtësia».​—2 Pjetrit 3:13.

Ashtu si një atë i dashur do të lejonte që fëmija e tij të bënte një operacion të dhimbshëm po ta dinte se do t’i sillte dobi të qëndrueshme, në të njëjtën mënyrë Jehovai ka lejuar që njerëzit të provojnë ekzistencën e përkohshme të së keqes në tokë. Gjithsesi, të gjithë ata që përpiqen të bëjnë vullnetin e Perëndisë i pret një përjetësi me bekime. Pavli shpjegoi: «Krijesa i ishte nënshtruar kotësisë, jo me vullnetin e vet, por prej atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»​—Rom. 8:20, 21.

Ky është vërtet një lajm, jo si lajmet që shohim në televizor apo lexojmë nëpër gazeta, por një lajm i mirë. Ai është lajmi më i mirë nga «Perëndia i çdo ngushëllimi», i cili kujdeset vërtet për ne.​—2 Korintasve 1:3.

[Figurat në faqen 6]

Koha ka treguar se njerëzimi nuk mund të qeverisë me sukses vetveten i pavarur nga Perëndia

[Burimet]

Familje somaleze: UN PHOTO 159849/M. GRANT; bomba atomike: foto e USAF; kamp përqendrimi: foto e Arkivit Kombëtar të SHBA-së