Një privilegj për të marrë pjesë në rritjen e pas luftës
Jetëshkrim
Një privilegj për të marrë pjesë në rritjen e pas luftës
TREGUAR NGA FILIP S. HOFMAN
Në maj të vitit 1945, sapo kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Atë dhjetor, Nejthën H. Nori, i cili mbikëqyrte veprën mbarëbotërore të predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait, vizitoi Danimarkën bashkë me sekretarin e tij 25 vjeçar, Milton G. Henshelin. Për atë vizitë, që mezi e prisnim, u mor me qira një sallë e madhe. Për ne të rinjtë, ishte veçanërisht nxitës fjalimi i vëlla Henshelit, pasi ai ishte moshatar me ne dhe kishte zgjedhur temën: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.»—Predikuesi 12:1.
GJATË asaj vizite, mësuam se po ndodhnin gjëra emocionuese për të çuar përpara veprën mbarëbotërore të predikimit dhe se ne mund të merrnim pjesë në to. (Mateu 24:14) Për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte hapur një shkollë e re që do të stërviste për veprën misionare, burra e gra që ishin në moshë të re. Vëlla Nori theksoi se nëse do të ftoheshim, duhej të na jepnin «vetëm një biletë vajtjeje» dhe që nuk do të dinim se ku do të përfundonim. Megjithatë, disa prej nesh e plotësuan kërkesën.
Para se të përshkruaj përvojat e pas Luftës së Dytë Botërore, më lejoni të kthehem pas në kohën e lindjes sime më 1919. Pati disa ngjarje para dhe gjatë luftës, të cilat ndikuan shumë në jetën time.
Mësoj të vërtetën nga «një dele e zezë»
Kur mamaja ishte shtatzënë me mua, fëmijën e parë, ajo u lut që nëse do të ishte djalë, të
bëhej misionar. Vëllai i saj ishte një Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, por pjesëtarët e familjes e konsideronin atë si «delja e zezë». Shtëpia jonë ishte pranë Kopenhagenit dhe kur Studentët e Biblës kishin atje kongreset vjetore, mamaja ftonte për të ndenjur me ne dajë Thomasin, i cili jetonte disi larg nga ne. Rreth vitit 1930, njohuria e jashtëzakonshme për Biblën dhe arsyetimet e tij logjike e bindën mamanë që të bëhej Studente e Biblës.Mamaja e donte Biblën. Duke ndjekur urdhrin te Ligji i përtërirë 6:7, ajo e mësonte motrën time dhe mua ‘kur rrinte ulur në shtëpinë e saj, kur ecte rrugës, kur binte në shtrat dhe kur çohej’. Me kalimin e kohës, unë fillova të merrja pjesë në predikimin shtëpi më shtëpi. Më pëlqente shumë të trajtoja tema të tilla si shpirti i pavdekshëm dhe ferri i zjarrtë, të cilat kishat ua mësonin njerëzve. Isha në gjendje të tregoja me efektshmëri nga Bibla se këto mësime ishin të gabuara.—Psalmi 146:3, 4; Predikuesi 9:5, 10; Ezekieli 18:4.
Familja jonë bëhet e bashkuar
Pas kongresit në Kopenhagen më 1937, kishte nevojë për ndihmë të përkohshme në depon e literaturës në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Danimarkë. Sapo kisha mbaruar studimet në një kolegj për biznes dhe nuk kisha detyrime, prandaj u ofrova për të ndihmuar te depoja. Kur shërbimi te depoja mbaroi, më kërkuan që të ndihmoja në zyrën e degës. Menjëherë pas kësaj, u largova nga shtëpia dhe u transferova në Kopenhagen, megjithëse nuk isha pagëzuar ende. Shoqërimi i përditshëm me të krishterë të pjekur më ndihmoi të përparoja frymësisht. Vitin vijues, më 1 janar 1938, simbolizova kushtimin tim ndaj Perëndisë Jehova me anë të pagëzimit në ujë.
Në shtator të vitit 1939, filloi Lufta e Dytë Botërore. Pastaj, më 9 prill të vitit 1940, trupat gjermane pushtuan Danimarkën. Meqenëse danezëve iu lejua shumë liri veprimi, ne mundëm të vazhdonim veprën e predikimit.
Atëherë ndodhi diçka e mrekullueshme. Babai u bë një Dëshmitar besnik dhe aktiv, duke e bërë të plotë lumturinë familjare. Si rrjedhim, kur unë bashkë me katër danezë të tjerë u ftuam për të ndjekur klasën e tetë të Shkollës së Galaadit, e gjithë familja më mbështeti. Kursi pesëmujor i shkollës, i cili filloi në shtator të vitit 1946, u mbajt në kompleksin e bukur
me godina jashtë Lansingut Jugor në shtetin e Nju-Jorkut.Galaadi dhe stërvitja pas tij
Galaadi të jepte mundësi të bëje miq të rinj të mrekullueshëm. Një mbrëmje kur po shëtitja rreth kompleksit me Harold Kingun nga Anglia, po flitnim se ku mund të na dërgonin pasi të mbaronim stërvitjen. «S’besoj se i kam parë për herë të fundit shkëmbinjtë e bardhë të Doverit»,—tha Haroldi. Kishte të drejtë, por kaluan 17 vjet para se t’i shihte përsëri ata shkëmbinj ku katër vjet e gjysmë të atyre viteve i kaloi i vetëm në izolim në një burg kinez! *
Pasi u diplomuam, më dërguan në Teksas, SHBA, për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues, që të vizitoja kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait për t’i ndihmuar nga ana frymore. Më pritën krahëhapur. Për vëllezërit në Teksas ishte diçka interesante të kishin mes tyre një djalosh evropian i cili sapo kishte mbaruar Shkollën e Galaadit. Por vetëm pas shtatë muajsh në Teksas, më thirrën në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin të Nju-Jorkut. Atje, vëlla Nori më caktoi në zyrë që të mësoja se si bëhej puna në të gjitha repartet. Pastaj, kur të kthehesha në Danimarkë, duhej t’i zbatoja ato që kisha mësuar, duke u siguruar që gjithçka të bëhej në të njëjtën mënyrë si në Bruklin. Ideja ishte që të njësoheshin veprimet në degët në mbarë botën për të pasur më shumë rendiment. Më vonë, vëlla Nori më transferoi në Gjermani.
Zbatoj udhëzimet nëpër degë
Kur arrita në Visbaden të Gjermanisë në korrik të vitit 1949, shumë qytete gjermane ishin ende gërmadha. Ata që merrnin drejtimin në veprën e predikimit ishin burra që ishin përndjekur që nga koha kur Hitleri hipi në pushtet më 1933. Disa kishin qenë nëpër burgje dhe kampe përqendrimi për tetë deri dhjetë vjet ose edhe më shumë! Punova me këta shërbëtorë të Jehovait për tre vjet e gjysmë. Shembulli i tyre unik më kujton një koment të historianes gjermane Gabriele Jonan, e cila shkroi: «Pa shembullin e këtij grupi të krishterësh të palëkundur nën diktaturën nacional-socialiste, pas asaj që ndodhi në Aushvic dhe pas Holokaustit, do të mendonim se ishte krejt e pamundur të zbatonim mësimet e krishtere të Jezuit.»
Puna në degë ishte po ajo që bëja në Danimarkë: të vendosja një mënyrë të re, të njëtrajtshme për të trajtuar çështjet organizative. Sapo vëllezërit gjermanë e kuptuan se rregullimet nuk ishin aspak kritika ndaj punës së tyre, por se kishte ardhur koha për bashkëpunim më të ngushtë midis degëve dhe selive të ndryshme, ata u mbushën me entuziazëm dhe frymë të shkëlqyer bashkëpunimi.
Në vitin 1952, mbërriti një letër nga zyra e vëlla Norit i cili më kërkonte të transferohesha në Bern të Zvicrës. U caktova për të shërbyer si mbikëqyrës i degës atje, duke filluar nga 1 janari 1953.
Ende gëzime në Zvicër
Jo shumë kohë pasi arrita në Zvicër, gjatë një kongresi takova Esterën dhe s’kaloi shumë kohë e u fejuam. Në gusht të vitit 1954, vëlla
Nori kërkoi që të shkoja në Bruklin, ku më treguan për një punë të re emocionuese. Meqenëse numri dhe madhësitë e zyrave të degëve nëpër botë ishin rritur shumë, po vendosej një rregullim i ri. Bota u nda në zona, ku në secilën do të shërbente një mbikëqyrës zone. Më caktuan për të shërbyer në dy zona: në Evropë dhe në zonën e Mesdheut.Menjëherë pas vizitës sime të shkurtër në Bruklin, u ktheva në Zvicër dhe u përgatita për veprën e zonës. Estera dhe unë u martuam dhe ajo u bashkua me mua për të shërbyer në zyrën e degës në Zvicër. Gjatë udhëtimit tim të parë shkova në shtëpitë misionare dhe në degën e Italisë, të Greqisë, të Qipros, të vendeve të Lindjes së Mesme dhe përgjatë bregut të Afrikës Veriore, si dhe të Spanjës dhe Portugalisë—gjithsej 13 vende. Pas një vizite në Bern, udhëtimi im vazhdoi nëpër të gjitha vendet e tjera evropiane në perëndim të Perdes së Hekurt. Gjatë vitit tonë të parë të martesës, isha larg shtëpisë gjashtë muaj duke u shërbyer vëllezërve të krishterë.
Ndryshojnë rrethanat
Më 1957, Estera mori vesh se ishte shtatzënë dhe duke qenë se dega nuk është një vend për prindër me fëmijë, vendosëm të transferoheshim në Danimarkë, ku babai na mirëpriti për të ndenjur me të. Estera kujdesej për vajzën tonë Rakelën dhe për babain, kurse unë ndihmoja me punën time në zyrën e degës të sapondërtuar. Shërbeja si instruktor në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për mbikëqyrësit e kongregacionit dhe gjithashtu vazhdoja të shërbeja si mbikëqyrës zone.
Vepra e zonës nënkuptonte periudha të gjata udhëtimesh, të cilat mjerisht çuan në mungesa të gjata nga vajza ime. Kjo pati pasojat e veta. Njëherë kalova ca kohë në Paris ku ngritëm një shtypshkronjë të vogël. Estera dhe Rakela u nisën me tren për të më takuar dhe erdhën në Gar-dë-Nord. Leopold Zhontèja nga dega e shoqatës dhe unë shkuam atje për t’i takuar. Rakela qëndroi në shkallën e vagonit të trenit, shikoi Leopoldin, pastaj mua dhe përsëri Leopoldin e pastaj iu hodh në krahë Leopoldit!
Një ndryshim tjetër dramatik ndodhi kur në moshën 45- vjeçare e lashë shërbimin në kohë të plotë që të punoja për të mbajtur familjen. Meqë kisha përvojë si shërbëtor i Dëshmitarëve të Jehovait, arrita të gjeja punë si manaxher eksporti.
Pasi kisha punuar në të njëjtën shoqëri për rreth nëntë vjet dhe pasi Rakela mbaroi shkollën, vendosëm t’i përgjigjeshim nxitjes për t’u transferuar atje ku nevoja për predikues të Mbretërisë ishte më e madhe.Pasi shqyrtova mundësitë për në Norvegji, pyeta në një agjenci punësimi nëse mund të më gjenin punë atje. Përgjigja nuk ishte inkurajuese. Nuk kishte shumë shpresë për një 55- vjeçar. Megjithatë, komunikova me zyrën e degës në Oslo dhe pastaj mora me qira një shtëpi pranë qytetit Drobak, duke pasur besim se do të shfaqej vetë një mundësi pune. Një mundësi u shfaq dhe pas kësaj filloi një periudhë shumë e këndshme shërbimi të Mbretërisë, në Norvegji.
Periudhat më të bukura ishin kur pjesa më e madhe e kongregacionit tonë ndërmerrte udhëtime në veri për të punuar territore të pacaktuara. Merrnim me qira kabina te një kamp pushimi dhe çdo ditë vizitonim fermat e shpërndara nëpër malet madhështore. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme t’u flitje këtyre njerëzve miqësor për Mbretërinë e Perëndisë. Lamë shumë literaturë, por për rivizitat duhej pritur deri vitin tjetër. Sidoqoftë, njerëzit nuk na harruan! Estera dhe Rakela kujtojnë ende kohën kur u kthyem dhe na përqafuan si pjesëtarë të familjes që nuk i shihnin prej kohësh. Pas tre vjetësh në Norvegji, u kthyem në Danimarkë.
Gëzimet e jetës familjare
Shpejt Rakela u fejua me Nils Hojerin, një pionier i zellshëm në kohë të plotë. Pasi u martuan, Nilsi dhe Rakela vazhduan si pionierë derisa u lindën fëmijët. Nilsi ka qenë dhe është një burrë i mirë dhe një baba i shkëlqyer, që interesohet vërtet për familjen. Një mëngjes herët ai mori djalin e tij me biçikletë në plazh për të parë lindjen e diellit. Një fqinjë e pyeti djalin se çfarë bënë atje. Ai u përgjigj: «Iu lutëm Jehovait.»
Pak vite më vonë, Estera dhe unë qemë dëshmitarë të pagëzimit të dy nipërve tanë më të mëdhenj, Beniaminit dhe Nadjës. Midis vëzhguesve ishte Nilsi, i cili papritur qëndroi përballë meje. Më shikoi dhe tha: «Burrat e vërtetë nuk qajnë.» Por një çast më vonë po qanim që të dy në krahët e njëri-tjetrit. Ç’gëzim të kesh një dhëndër me të cilin mund të qeshësh e të qash!
I përshtatemi ende rrethanave
Një bekim tjetër ishte kur na kërkuan që Estera dhe unë të ktheheshim për të shërbyer në zyrën e degës në Danimarkë. Në atë kohë po bëheshin përgatitjet për të ndërtuar një ndërtesë shumë më të madhe të degës në Holbek. Pata privilegjin të merrja pjesë në mbikëqyrjen e punës së ndërtimit, e cila u bë e gjitha nga punëtorë vullnetarë pa pagesë. Megjithë dimrin e ashpër, në fund të vitit 1982, përfundoi pjesa kryesore e projektit dhe të gjithë ishim të kënaqur që u transferuam në ndërtesa më të mëdha e më të mira.
Shpejt u përfshiva në një punë në zyrë, gjë që më dha shumë kënaqësi, kurse Estera punonte si centraliste. Gjithsesi, me kalimin e kohës iu desh të operohej për të vënë një protezë në eshtrat e legenit dhe një vit e gjysmë më vonë u operua nga fshikëza e tëmthit. Megjithë kujdesin mirëdashës që na u tregua nga personeli i degës, vendosëm se do të ishte më mirë për të gjithë nëse do të largoheshim nga dega. U transferuam në kongregacionin ku bënte pjesë vajza jonë bashkë me familjen e saj.
Tani Estera nuk është mirë me shëndetin. Gjithsesi, mund të them vërtet se gjatë të gjitha viteve të shërbimit së bashku, me kaq shumë ndryshime rrethanash, ajo ka qenë një mbështetje dhe shoqe e mrekullueshme. Edhe pse kemi rënë nga shëndeti, që të dy marrim pjesë ende në mënyrë modeste në veprën e predikimit. Kur mendoj për jetën time, kujtoj me mirënjohje fjalët e psalmistit: «O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri.»—Psalmi 71:17.
[Shënimi]
^ par. 15 Shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 1963, faqet 437-442, anglisht.
[Figura në faqen 24]
Duke shkarkuar një ngarkesë me literaturë në degën e Gjermanisë që po ndërtohej në vitin 1949
[Figura në faqen 25]
Shokët e mi të punës përfshinin Dëshmitarë si këta të mbijetuar nga kampet e përqendrimit
[Figurat në faqen 26]
Me Esterën sot dhe ditën e dasmës në Bethelin e Bernit, tetor 1955