‘Stërvitu!’
‘Stërvitu!’
CITIUS, altius, fortius—më shpejt, më lart, më fort! Këto ishin idealet të cilat përpiqeshin t’i arrinin atletët në Greqinë dhe në Romën e lashtë. Prej shekujsh, në Olimp, në Delfi dhe në Neme, si dhe në Istëm të Korintit, bëheshin gara të mëdha atletike nën «bekimin» e perëndive dhe nën vështrimet e etura të mijëra spektatorëve. Privilegji për të konkurruar në këto lojëra ishte rrjedhojë e shumë viteve punë intensive. Fitorja do të mbulonte me lavdi fituesit dhe qytetin të cilit i përkitnin.
Nuk është për t’u çuditur që nisur nga një ambient i tillë kulturor shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke e krahasojnë garën frymore të të krishterëve me garat atletike. Si apostulli Pjetër, ashtu edhe apostulli Pavël, për të përcjellë mësime të fuqishme përdorën me mjeshtëri ilustrime të bazuara te lojërat. Në ditët tona vazhdon e njëjta garë intensive e krishterë. Të krishterët e shekullit të parë duhej të përballonin sistemin judaik; sot ne duhet ‘të ndeshemi’ me një sistem mbarëbotëror në prag të shkatërrimit. (2 Timoteut 2:5; 3:1-5) Disa mund të ndihen sikur për ta ‘gara e besimit’ është e pareshtur dhe rraskapitëse. (1 Timoteut 6:12, The New English Bible) Do të jetë shumë i dobishëm shqyrtimi i disa ngjashmërive midis garave atletike dhe garës së krishterë.
Një trajner i shkëlqyer
Suksesi i një atleti varet në një masë të madhe nga trajneri. Në lidhje me lojërat e lashta në Archaelogia Graeca thuhet: «Konkurruesit ishin të detyruar të betoheshin se kishin kaluar dhjetë muaj të tërë me ushtrime përgatitore.» Edhe të krishterët kanë nevojë për stërvitje të rreptë. Pavli e këshilloi Timoteun, një plak të krishterë: «Stërvitu duke pasur si synim devocionin hyjnor.» (1 Timoteut 4:7) Kush është trajneri i një «atleti» të krishterë? Askush tjetër përveçse vetë Perëndisë Jehova! Apostulli Pjetër shkroi: «Perëndia i gjithë dashamirësisë së pamerituar . . . do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë.»—1 Pjetrit 5:10.
Shprehja ‘do ta çojë deri në fund stërvitjen tuaj’ vjen nga një folje greke që sipas një fjalori (Theological Lexicon of the New Testament) në thelb do të thotë «ta bësh një objekt [ose një person] të përshtatshëm për qëllimin e tij, ta përgatitësh dhe ta përshtatësh sipas përdorimit të tij». Ngjashëm, në një fjalor tjetër të autorëve Lidell dhe Skot (Greek-English Lexicon) komentohet se kjo folje mund të përkufizohet si «përgatit, stërvit ose pajis plotësisht». Në ç’mënyrë Jehovai na ‘përgatit, na stërvit apo na pajis plotësisht’ për garën e krishterë që kërkon shumë përpjekje? Për të kuptuar ngjashmëritë, le të shqyrtojmë disa nga metodat që përdornin trajnerët.
Në librin The Olympic Games in Ancient Greece (Lojërat olimpike në Greqinë e lashtë), thuhet: «Ata që merreshin me stërvitjen e të rinjve përdornin dy metoda kryesore. Metoda e parë kishte si synim ta nxiste nxënësin që të bënte përpjekjet fizike më të mëdha që kishte mundësi, në mënyrë që të arrinte rezultatet më të mira dhe e dyta që të përmirësonte teknikën dhe stilin.»
Në mënyrë të ngjashme, Jehovai na nxit dhe na forcon që t’i përdorim plotësisht zotësitë tona dhe t’i përmirësojmë aftësitë në shërbimin ndaj tij. Perëndia ynë na fuqizon nëpërmjet Biblës, nëpërmjet organizatës së tij tokësore dhe nëpërmjet të bashkëkrishterëve të pjekur. Ndonjëherë na stërvit me anë të disiplinës. (Hebrenjve 12:6) Në raste të tjera, mund të lejojë sprova dhe vështirësi të ndryshme, me qëllim që të mund të zhvillojmë qëndrueshmëri. (Jakovit ) Ai na jep edhe forcën që na nevojitet. Profeti Isaia thotë: «Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.»— 1:2-4Isaia 40:31.
Mbi të gjitha, Perëndia na jep me bollëk frymën e tij të shenjtë, e cila na forcon që të vazhdojmë t’i bëjmë atij shërbim të pranueshëm. (Luka 11:13) Në shumë raste shërbëtorët e Perëndisë kanë duruar sprova besimi të vështira e për një kohë të gjatë. Ata që kanë bërë një gjë të tillë janë burra të zakonshëm dhe gra të zakonshme, si secili prej nesh. Por ata kanë mundur të durojnë si pasojë e mbështetjes te Perëndia. Vërtet, ‘fuqia përtej asaj që është normale është e Perëndisë dhe jo ajo që vjen prej tyre’.—2 Korintasve 4:7.
Një trajner që shfaq empati
Një studiues vëren se një nga detyrat e një trajneri të lashtë ishte që «të gjykonte llojin dhe numrin e ushtrimeve që nevojiteshin për një atlet të caktuar dhe për një sport të veçantë». Ndërsa na stërvit, Perëndia merr parasysh rrethanat, aftësitë, formimin dhe kufizimet tona individuale. Shumë shpesh, gjatë stërvitjes që na bën Jehovai, ne i lutemi ashtu si Jobi: «Mbaj mend, të lutem, që më ke bërë nga argjila.» (Jobi 10:9, BR) Si përgjigjet trajneri ynë dashamirës? Davidi shkroi për Jehovain: «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.»—Psalmi 103:14.
Mund të keni një problem serioz shëndeti që ju kufizon në atë që mund të bëni në shërbim ose ndoshta po luftoni me ndjenjën e paktë të respektit ndaj vetes. Ndoshta po përpiqeni t’i jepni fund një zakoni të keq ose ndiheni se nuk jeni në gjendje të përballoni presionet e bashkëmoshatarëve në lagje, në vendin e punës ose në shkollë. Sido që të jenë rrethanat, mos harroni kurrë se Jehovai i kupton problemet tuaja më mirë se kushdo tjetër—madje edhe më mirë se ju! Ashtu si një trajner që shqetësohet, ai është gjithmonë gati për t’ju ndihmuar nëse i afroheni.—Jakovit 4:8.
Trajnerët e lashtë «mund të dallonin rraskapitjen ose dobësinë që vinte jo nga ushtrimet, por nga shkaqe të tjera psikologjike, nga humori i keq, depresioni e kështu me radhë. . . . [Trajnerët] kishin autoritet aq të madh sa kontrollonin madje edhe jetën private të atletëve dhe ndërhynin atje ku mendonin se ishte e nevojshme».
A ndiheni ndonjëherë të rraskapitur ose të dobët për shkak të presioneve dhe të tundimeve të pareshtura të kësaj bote? Jehovai, si trajneri juaj, interesohet thellësisht për ju. (1 Pjetrit 5:7) Ai është i shpejtë të dallojë te ju çdo shenjë dobësie ose rraskapitjeje frymore. Ndonëse Jehovai e respekton vullnetin tonë të lirë dhe zgjedhjet personale, ngaqë shqetësohet për mirëqenien tonë të përjetshme, ai na siguron ndihmë dhe qortim të mjaftueshëm kur nevojitet. (Isaia 30:21) Në ç’mënyrë? Nëpërmjet Biblës dhe botimeve të bazuara në të, pleqve frymorë në kongregacion dhe vëllazërisë sonë të dashur.
«Vetëkontroll në çdo gjë»
Natyrisht që për të pasur sukses ishte e nevojshme më shumë sesa thjesht të kishe një trajner të mirë. Shumë varej nga vetë atleti dhe nga sa angazhohej ai në stërvitjen e rreptë. Regjimi ishte i rreptë, sepse stërvitja përfshinte të ishe i përkorë dhe të mbaje një dietë. Horaci, një poet i shekullit të parë p.e.s., tha se konkurruesit «ishin të përkorë ndaj grave dhe verës» në mënyrë që «të arrinin synimin aq të dëshiruar». Dhe sipas studiuesit biblik F. C. Kuk, pjesëmarrësit në lojëra duhej t’i nënshtroheshin «një diete kufizuese dhe të shëndetshme . . . për dhjetë muaj».
Pavli përdori këtë ngjashmëri kur u shkroi të krishterëve në Korint, një qytet që i njihte mirë lojërat istmike që zhvilloheshin aty afër: «Çdokush që merr pjesë në një garë, ushtron vetëkontroll në çdo gjë.» (1 Korintasve 9:25) Të krishterët e vërtetë shmangin mënyrën materialiste, imorale dhe të papastër të jetesës së botës. (Efesianëve 5:3-5; 1 Gjoni 2:15-17) Gjithashtu duhen zhveshur tiparet e paperëndishme dhe jobiblike e duhen zëvendësuar me cilësitë e krishtere.—Kolosianëve 3:9, 10, 12.
Si mund të bëhet kjo? Së pari, vëreni përgjigjen e Pavlit me anë të një ilustrimi të fuqishëm: «E rrah me grushta trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.»—1 Korintasve 9:27.
Çfarë pike të fuqishme theksoi Pavli këtu! Ai nuk po rekomandonte ndrydhjen e dëshirave të trupit. Përkundrazi, pranoi se edhe ai kishte konflikte brenda vetes. Ndonjëherë bënte gjëra që nuk donte t’i bënte dhe nuk bënte gjëra që dëshironte t’i bënte. Por ai luftoi për të mos lejuar kurrë që ta vinin poshtë dobësitë. Ai ‘e rrihte me grushta trupin e tij’, duke i mposhtur fuqimisht dëshirat dhe karakteristikat mishore.—Romakëve 7:21-25.
Të gjithë të krishterët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Pavli foli për ndryshimet që kishin bërë disa në Korint, të cilët më parë ishin përfshirë në kurvëri, idhujtari, homoseksualizëm, vjedhje e të tjera. Çfarë i ndihmoi të ndryshonin? Fuqia e Fjalës së Perëndisë dhe fryma e shenjtë bashkë me vendosmërinë e tyre për të vepruar në përputhje me të. «Mirëpo jeni larë,—tha Pavli,—jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.» (1 Korintasve 6:9-11) Në mënyrë të ngjashme, Pjetri shkroi për ata që i kishin braktisur këto zakone të këqija. Si të krishterë, ata të gjithë kishin bërë ndryshime rrënjësore.—1 Pjetrit 4:3, 4.
Përpjekje të drejtuara mirë
Pavli ilustroi vendosmërinë dhe përqendrimin tij të madh në ndjekjen e synimeve frymore duke thënë: «Mënyra se si i drejtoj goditjet është e atillë që të mos jem duke goditur ajrin.» (1 Korintasve 9:26) Si duhej t’i drejtonte goditjet një konkurrues? Në librin The Life of the Greek and Romans (Jeta e grekëve dhe e romakëve), jepet kjo përgjigje: «Kërkohej jo vetëm forcë goditëse, por edhe vëzhgim i mprehtë për të zbuluar pikat e dobëta të kundërshtarit. Po ashtu ishin të dobishme disa lëvizje të zhdërvjellëta të mësuara në shkollat e mundjes, si edhe shpejtësia për t’ia hedhur kundërshtarit.»
Një nga kundërshtarët tanë është mishi ynë i papërsosur. A e kemi kuptuar se kush janë ‘pikat tona të dobëta’? A jemi të gatshëm ta shohim veten tonë ashtu si na shohin të tjerët—veçanërisht ashtu siç mund të na shohë Satanai? Kjo kërkon që të analizojmë dhe të shqyrtojmë me ndershmëri veten tonë dhe të jemi të gatshëm për të bërë ndryshime. Mund ta gënjejmë shumë lehtë veten. (Jakovit 1:22) Sa e lehtë është të justifikojmë një veprim të pamençur! (1 Samuelit 15:13-15, 20, 21) Kjo është njësoj sikur ‘të godasësh ajrin’.
Në këto ditë të fundit, ata që duan t’i pëlqejnë Jehovait dhe të fitojnë jetën nuk duhet të ngurrojnë për të bërë zgjedhjen midis të së drejtës dhe të së gabuarës, midis kongregacionit të Perëndisë dhe botës së korruptuar. Ata nuk duhet të lëkunden, duke qenë ‘të pavendosur, të paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tyre’. (Jakovit 1:8) Nuk duhet t’i harxhojnë përpjekjet duke ndjekur synime të pafrytshme. Kur një individ ndjek këtë udhë të përcaktuar qartë dhe është i vendosur në të, ai do të jetë i lumtur dhe ‘përparimi i tij do të duket qartë për të gjithë’.—1 Timoteut 4:15.
Po, gara e krishterë vazhdon. Jehovai, Trajneri ynë i Madh, na jep me dashuri udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme që të qëndrojmë dhe të arrijmë së fundi fitoren. (Isaia 48:17) Ashtu si atletët e lashtësisë, duhet të kultivojmë vetëdisiplinë, vetëkontroll dhe vendosmëri në betejën e besimit. Përpjekjet tona të drejtuara mirë do të shpërblehen në mënyrë të bollshme.—Hebrenjve 11:6.
[Kutia në faqen 31]
‘Lyejeni me vaj’
Në Greqinë e lashtë, një pjesë e stërvitjes së atletëve bëhej nga vajosësi. Puna e tij ishte që t’i lyente me vaj trupat e burrave para se të bënin ushtrime. Trajnerët «vërenin se një masazh me mjeshtëri i muskujve para stërvitjes kishte ndikime të dobishme dhe se një masazh i kujdesshëm e i lehtë ndihmonte procesin e çlodhjes dhe të përtëritjes së një atleti, i cili kishte bërë një seancë të gjatë stërvitjeje»,—thuhet në librin The Olympic Games in Ancient Greece (Lojërat olimpike në Greqinë e lashtë).
Ashtu si lyerja e trupit me vaj të mirëfilltë mund të jetë qetësuese, kuruese dhe shëruese, kur një «atlet» i krishterë i lodhur, zbaton Fjalën e Perëndisë, ajo mund ta ndreqë, ta ngushëllojë dhe ta shërojë atë. Kështu, nën udhëheqjen e Jehovait pleqtë e kongregacionit këshillohen që të luten për këtë njeri, «duke e lyer me vaj në emër të Jehovait» në kuptimin figurativ, një masë thelbësore kjo për të kryer përtëritjen frymore.—Jakovit 5:13-15; Psalmi 141:5.
[Figura në faqen 31]
Pasi bëhej një flijim, atletët betoheshin se ishin stërvitur për dhjetë muaj
[Burimi]
Muzeu i Luvrit, Paris
[Burimi i figurës në faqen 29]
Copyright Muzeu Britanik