Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj që e duan të vërtetën

Të rinj që e duan të vërtetën

Të rinj që e duan të vërtetën

«SI MUNDET një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër?»​—pyeti një psalmist hebre mijëra vjet më parë. (Psalmi 119:9) Kjo është një pyetje që vlen edhe sot pasi të rinjtë përballojnë shumë probleme në botë. Marrëdhëniet seksuale me shumë partnerë i kanë vënë shumë të rinj para rrezikut të SIDA-s, duke qenë se rreth gjysma e të infektuarve me këtë sëmundje të tmerrshme janë të moshave 15 deri 24 vjeç. Edhe abuzimi me drogën shkakton shumë probleme, duke u marrë jetën shumë të rinjve. Muzika degraduese, filmat, shfaqjet televizive dhe videokasetat e dhunshme e imorale, si dhe pornografia në Internet ushtrojnë një ndikim shkatërrues te të rinjtë. Prandaj, pyetja që bëri psalmisti u intereson seriozisht shumë prindërve dhe të rinjve sot.

Vetë psalmisti dha këtë përgjigje për pyetjen e tij: «Duke e ruajtur me fjalën tënde.» Sigurisht që Fjala e Perëndisë, Bibla, përmban udhëzime të shkëlqyera për të rinjtë dhe, duke i ndjekur ato, shumë të rinj po bëjnë një jetë të suksesshme. (Psalmi 119:105) Le të shqyrtojmë disa shembuj të rinjsh që e duan Perëndinë dhe të cilët përpiqen të qëndrojnë të fortë frymësisht në një botë materialiste e të dhënë pas kënaqësive.

Janë mirënjohës për udhëheqjen e prindërve

Hakob Emanueli ishte për disa vjet një pionier në kohë të plotë para se të shërbente në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë. Ai kujton me mirënjohje se si zhvilloi dashuri për shërbimin ndaj Perëndisë: «Megjithëse shumë vëllezër frymorë me përvojë, me të cilët kam lidhur miqësi, më kanë ndihmuar shumë, prindërit e mi kanë ndikuar më shumë nga të gjithë. Dhe të gjithë ata më kanë motivuar që ta dua veprën e predikimit. Më drejtuan drejt udhës së drejtë me qetësi; nuk kam menduar asnjëherë se më kanë detyruar.»

Davidi, i cili tashmë ka kaluar disa vite në shërbimin në kohë të plotë, kujton sa mbresë i la fakti që prindërit e tij filluan të shërbejnë si pionierë specialë në kohën kur ai dhe vëllai i tij ishin të vegjël. Kur babai i tij vdiq, mamaja e vazhdoi shërbimin si pioniere speciale. Përveçse predikoi lajmin e mirë, ajo edhe u kujdes për ta. «Ata kurrë nuk më detyruan që të jem pionier,​—thotë Davidi,​—por si familje provonim aq shumë gëzim në shërbimin në kohë të plotë, saqë shoqëria dhe ambienti më nxitën që të shërbeja edhe unë në kohë të plotë.» Davidi thotë lidhur me rëndësinë e udhëheqjes dhe të vëmendjes së mirë nga ana e prindërve: «Çdo mbrëmje, mamaja na lexonte histori që gjendeshin në librin Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar. * Mënyra se si i tregonte na ndihmoi që të kishim dëshirë për të marrë ushqim frymor.

Çmueshmëri për mbledhjet

Disa të rinj e kanë të vështirë të çmojnë mbledhjet e krishtere. Ata i ndjekin mbledhjet sepse prindërit i marrin me vete. Gjithsesi, nëse vazhdojnë të ndjekin mbledhjet, me kalimin e kohës mund të arrijnë t’i duan ato. Të shqyrtojmë Alfredon, i cili filloi shërbimin në kohë të plotë kur ishte 11 vjeç. Ai e pranon se kur ishte rreth 5 vjeç, përpiqej të mos shkonte në mbledhje, sepse atje e zinte gjumi, por prindërit nuk e lejonin të flinte gjatë mbledhjeve. Ai kujton: «Kur u bëra më i madh, pak nga pak interesohesha më shumë për mbledhjet, veçanërisht pasi mësova të lexoj e të shkruaj, sepse atëherë fillova të komentoja me fjalët e mia.»

Sintia, një vajzë 17-vjeçare e cila shërben si pioniere e rregullt, tregon se si shoqëria e mirë luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e dashurisë për shërbimin ndaj Perëndisë. Ajo thotë: «Marrëdhënia e mirë me vëllezërit dhe ndjekja e rregullt e mbledhjeve ka bërë që të mos e ndiej mungesën e shoqërisë nga bota dhe të veprimtarive që janë të zakonshme për të rinjtë, si për shembull shkuarja në diskotekë. Dëgjimi i komenteve dhe i përvojave në mbledhje bëri të lindë tek unë dëshira për t’i dhënë Jehovait gjithçka që kam dhe mendoj se gjëja më e mirë që kam është rinia ime. Prandaj vendosa ta përdorja atë në shërbim të tij.»

Megjithatë ajo pranon: «Ishte një kohë, para se të pagëzohesha, kur e kisha të lehtë t’i shmangia mbledhjet duke përdorur si justifikime detyrat e shtëpisë ose veprimtari të tjera shkollore. Mungova në disa mbledhje, dhe kjo filloi të ndikonte tek unë nga ana frymore. Fillova të shoqërohesha me një djalë që nuk studionte Biblën. Falë Jehovait i ndreqa gjërat në kohë.»

Një vendim personal

Kur e pyesim Pablon, një tjetër të ri që po i shërben Jehovait në kohë të plotë, se cili është sipas tij çelësi për të zhvilluar një dashuri për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, ai thotë: «Mendoj se janë dy gjëra: studimi i rregullt personal dhe zelli për veprën e predikimit. U jam mirënjohës prindërve që më kanë mësuar të vërtetën për Jehovain dhe mendoj se kjo është gjëja më e mirë që mundën të më jepnin. Sidoqoftë, kam nevojë të bindem vetë se përse e dua Jehovain. Për këtë është e nevojshme të njoh ‘gjerësinë dhe thellësinë’ e së vërtetës biblike. Vetëm kështu arrijmë të ndiejmë një dëshirë të madhe për Fjalën e Perëndisë, e cila ndez brenda nesh ‘një zjarr flakërues’ për t’u folur të tjerëve rreth tij. Ky zell për veprën e predikimit do ta mbajë të gjallë çmueshmërinë tonë për të vërtetën.»​—Efesianëve 3:18; Jeremia 20:9.

Hakob Emanueli, i përmendur më parë, kujton gjithashtu se sa e rëndësishme është të zgjedhim vetë për t’i shërbyer Jehovait. Ai thotë se prindërit kurrë nuk e detyruan të pagëzohej. «Besoj se kjo ishte mënyra më e mirë, pasi unë pashë rezultatet e mira. Për shembull, disa të rinj me të cilët shoqërohesha shumë vendosën të pagëzoheshin së bashku. Megjithëse kjo ishte një gjë e shkëlqyer, kuptova se disa u pagëzuan vetëm për hir të emocioneve të çastit dhe pak kohë më vonë zelli i tyre ra në veprimtaritë ndaj Mbretërisë. Në rastin tim, prindërit nuk më detyruan që të vendosja t’i kushtohesha Jehovait. Ky ishte një vendim personal.»

Roli i kongregacionit

Disa të rinj e kanë mësuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë vetë, pa ndihmën e prindërve. Sigurisht që në rrethana të tilla është e vështirë të mësosh për të bërë atë që është e drejtë dhe të ngulmosh në të.

Noeja kujton se sa shumë dobi i solli e vërteta. Që në moshë shumë të re, ai kishte prirjen të zemërohej dhe të ishte i dhunshëm. Kur në moshën 14-vjeçare filloi të studionte Biblën, temperamenti i tij filloi të përmirësohej. Prindërit e tij, të cilët në atë kohë nuk kishin interes për Biblën, u ndien shumë mirënjohës për këtë gjë. Ndërsa Noeja përparonte frymësisht, ai donte ta përdorte jetën e tij në mënyrë më të plotë në shërbim të Perëndisë. Tani shërben në kohë të plotë.

Në mënyrë të ngjashme, Alehandro filloi të kishte interes për të vërtetën e krishterë kur ishte shumë i ri, megjithëse prindërit nuk ishin të interesuar. Duke shprehur çmueshmërinë për të vërtetën, ai thotë: «U rrita në një familje katolike tradicionale. Por prirjet e mia ndaj ateizmit komunist u rritën që kur kisha nuk iu përgjigj pyetjeve që më kishin shqetësuar që në moshë shumë të re. Organizata e Jehovait më ndihmoi të merrja njohuri për Perëndinë. Kjo njohuri më shpëtoi jetën në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi nëse nuk do të kisha studiuar Biblën, ndoshta do të isha përzier me imoralitetin, alkoolin ose drogën. Madje mund të kisha marrë pjesë në ndonjë grup revolucionarësh, duke pasur pasoja të trishtueshme.»

Si mund të ngulmojë një i ri në kërkimin e së vërtetës dhe të kapet fort pas saj pa pasur mbështetjen e prindërve? Natyrisht, pleqtë dhe të tjerët në kongregacion luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Noeja kujton: «Kurrë nuk jam ndier vetëm, sepse Jehovai më ka qenë gjithmonë shumë pranë. Po ashtu kam pasur përkrahjen e shumë vëllezërve të dashur dhe motrave të dashura, të cilët janë bërë baballarët, nënat dhe vëllezërit e mi frymorë.» Tani ai shërben në Bethel dhe përdor kohën e tij në shërbim të Perëndisë. Ngjashëm, Alehandro tregon: «Diçka për të cilën do të jem gjithnjë mirënjohës është se u bekova me një trup pleqsh në kongregacionin tim, të cilët treguan interes të dashur për mua si individ. Jam veçanërisht mirënjohës për këtë, pasi, kur fillova të studioja Biblën, në moshën 16-vjeçare, edhe unë ndihesha i shqetësuar si gjithë të rinjtë. Familjet në kongregacion nuk më braktisën kurrë. Ishte gjithmonë dikush që do të më mirëpriste e do të ndante me mua jo vetëm shtëpinë dhe ushqimin, por edhe zemrën.» Alehandro shërben në kohë të plotë prej 13 vjetësh.

Disa njerëz mendojnë se feja është vetëm për të moshuarit. Megjithatë, shumë të rinj e kanë mësuar të vërtetën biblike në moshë të njomë dhe kanë arritur ta duan Jehovain e t’i qëndrojnë besnik atij. Për këta të rinj mund të zbatohen fjalët e Davidit të dokumentuara te Psalmi 110:3: «Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.»

Kërkohen përpjekje dhe vendosmëri që të rinjtë ta mësojnë të vërtetën dhe të qëndrojnë pas saj të patundur. Çfarë gëzimi është të shohësh se shumë prej tyre po qëndrojnë shumë afër organizatës së Jehovait, duke ndjekur rregullisht mbledhjet dhe duke studiuar me zell Biblën. Duke vepruar në këtë mënyrë, kanë arritur të kultivojnë një dashuri të vërtetë për Fjalën e Perëndisë dhe për shërbimin ndaj tij!​—Psalmi 119:15, 16.

[Shënimi]

^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait më 1958, anglisht; tani nuk shtypet më.