Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të jenë xhelozë të krishterët?

A duhet të jenë xhelozë të krishterët?

A duhet të jenë xhelozë të krishterët?

A ËSHTË xhelozia një cilësi që duhet ta kultivojnë të krishterët? Si të krishterë jemi të inkurajuar ‘të ndjekim dashurinë’ dhe na thuhet se «dashuria nuk është xheloze». (1 Korintasve 13:4; 14:1) Gjithashtu na thuhet se «Zoti . . . është një Perëndi xheloz» dhe jemi urdhëruar ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’. (Eksodi 34:14; Efesianëve 5:1) Këto vargje të Biblës ngrenë disa pyetje në mendjet e disa njerëzve. Përse?

Sepse qoftë në gjuhën hebraike, qoftë në gjuhën greke fjalët e përkthyera «xhelozi» kanë shumë kuptime. Ato mund të kenë ngjyrim pozitiv ose negativ, në varësi të përdorimit të tyre. Për shembull, fjala hebraike e përkthyer «xhelozi» mund të nënkuptojë «ngulmim për përkushtim të veçantë; mostolerim i asnjë rivaliteti; zell; pasion; xhelozi [e drejtë ose mëkatare]; smirë». Fjala përkatëse greke ka kuptim të ngjashëm. Këto fjalë mund t’i referohen një emocioni të shtrembëruar, jo të ekuilibruar ndaj një rivali të supozuar ose ndaj dikujt që besohet se po gëzon një avantazh. (Fjalët e urta 27:4) Ato mund t’i referohen edhe shprehjes pozitive të një cilësie të mirë të dhënë nga Perëndia​—me dëshirën për të mbrojtur dikë të dashur nga ndonjë dëmtim.​—2 Korintasve 11:2.

Shembulli më i lartë

Jehovai lë shembullin më të lartë se si të ushtrohet xhelozia e përshtatshme. Motivet e tij janë të kulluara e të pastra, të nxitura nga dëshira për ta mbrojtur popullin e tij nga korruptimi frymor dhe moral. Ai thotë për popullin e tij të lashtë, të quajtur në mënyrë figurative Sioni: «Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të.» (Zakaria 8:2) Ashtu si një atë i dashur është gjithmonë syçelë për të mbrojtur fëmijët nga ndonjë dëmtim, Jehovai është syçelë për t’i mbrojtur shërbëtorët e tij nga rreziqet fizike dhe frymore.

Për ta mbrojtur popullin e tij, Jehovai dha Fjalën e tij, Biblën. Në të gjendet shumë inkurajim që populli i tij të ecë me mençuri, dhe ajo është plot me shembuj të individëve që ecën në këtë mënyrë. Tek Isaia 48:17, lexojmë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.» Sa ngushëlluese është të dimë se xhelozia e nxit atë të kujdeset për ne e të na ruajë! Nëse ai nuk do të ishte xheloz në këtë mënyrë pozitive, do të pësonim shumë dëmtime për shkak të mungesës së përvojës. Shprehjet e xhelozisë së Jehovait nuk janë aspak egoiste.

Atëherë, pra, cili është ndryshimi midis xhelozisë së perëndishme dhe xhelozisë së papërshtatshme? Për ta zbuluar, le të shqyrtojmë shembullin e Miriamit dhe të Finehasit. Vëreni se nga çfarë u nxitën ata.

Miriami dhe Finehasi

Miriami ishte motra më e madhe e Moisiut dhe e Aaronit, udhëheqësit e izraelitëve gjatë Eksodit. Kur izraelitët ishin në shkretëtirë, Miriami u bë xheloze ndaj vëllait të saj Moisiut. Në dokumentimin biblik lexojmë: «Miriami dhe Aaroni iu kundërvunë Moisiut me fjalë për shkak të gruas etiopase me të cilën qe martuar . . . Dhe i thanë: ‘Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?’ » Me sa duket, Miriami mori drejtimin në këtë revoltë kundër Moisiut, sepse Jehovai disiplinoi Miriamin, me sëmundjen e lebrës që zgjati një javë, për shkak të sjelljes së saj pa respekt dhe jo Aaronin.​—Numrat 12:1-15.

Çfarë e shtyu Miriamin të vepronte kundër Moisiut? A ishte shqetësimi për adhurimin e vërtetë dhe dëshira për t’i mbrojtur izraelitët nga ndonjë dëmtim? Sigurisht që jo. Me sa duket Miriami kishte lejuar që në zemrën e saj të shpërthente një dëshirë e gabuar për më shumë prestigj dhe autoritet. Duke qenë profeteshë në Izrael, gëzonte respekt të madh nga populli, veçanërisht nga gratë. Ajo i udhëhoqi ato me muzikë dhe këngë pas shpëtimit të Izraelit me anë të një mrekullie në Detin e Kuq. Megjithatë, ndoshta tani Miriami ishte tepër e shqetësuar se mos humbiste sadopak pozitën e saj nga një rivale e supozuar, gruaja e Moisiut. E nxitur nga xhelozia egoiste, nxiti revoltën kundër Moisiut, të emëruarit të Jehovait.​—Eksodi 15:1, 20, 21.

Nga ana tjetër, Finehasi veproi i nxitur nga një motiv i ndryshëm. Pak para se të hynin në Tokën e Premtuar, kur Izraeli kishte fushuar në rrafshinat e Moabit, gratë moabite dhe midianite joshën shumë meshkuj izraelitë që të kryenin imoralitet dhe idhujtari. Për të pastruar kampin dhe për të larguar zemërimin e zjarrtë të Jehovait, gjykatësit e Izraelit u urdhëruan të vritnin të gjithë burrat që në këtë mënyrë ishin larguar nga udha e drejtë. Prijësi nga fisi i Simeonit, Zimri, në mënyrë të pacipë e për qëllime imorale, solli në kamp «para syve të . . . tërë asamblesë së bijve të Izraelit» gruan midianite Kozbi. Finehasi veproi me vendosmëri. I shtyrë nga ndjenja e xhelozisë ose e zellit për adhurimin e Jehovait dhe nga dëshira për të ruajtur pastërtinë morale të kampit, ai i ekzekutoi kurvarët në tendën e tyre. U lavdërua për ‘zemërimin e tij xheloz’, «duke mos lejuar asnjë rivalitet» (BR) kundrejt Jehovait. Veprimi i menjëhershëm i Finehasit ndali plagën ndëshkuese e cila kishte marrë jetën e 24.000 vetave dhe Jehovai e shpërbleu atë me një besëlidhje që priftëria të mbetej në linjën e tij në kohë të pacaktuar.​—Numrat 25:4-13; The New English Bible.

Cili ishte ndryshimi midis këtyre dy shprehjeve të xhelozisë? Miriami veproi kundër vëllait të saj nga xhelozia egoiste, kurse Finehasi vuri në vend drejtësinë duke u bazuar në xhelozinë e perëndishme. Ka raste kur, ashtu si Finehasi, edhe ne duhet të ndihemi të nxitur për të folur haptas ose për të marrë ndonjë veprim në mbrojtje të emrit të Jehovait, adhurimit dhe popullit të tij.

Xhelozia e papërshtatshme

Megjithatë, a është e mundur të kemi ndjenja xhelozie të papërshtatshme ose të gabuar? Po. Kjo ndodhi në përgjithësi me judenjtë në shekullin e parë. Ata e ruanin me xhelozi Ligjin e dhënë nga Perëndia dhe traditat e tyre. Në përpjekje për të mbrojtur Ligjin, ata formuan rregulla dhe kufizime të hollësishme të panumërta, të cilat u bënë një barrë e rëndë për njerëzit. (Mateu 23:4) Duke mos qenë të aftë ose të gatshëm të pranonin se tashmë Perëndia e kishte zëvendësuar Ligjin e Moisiut me realitetin, hije e të cilit kishte qenë Ligji, xhelozia e tyre në mënyrë të gabuar i shtyu të shfrenin tërbimin e pakontrolluar ndaj ithtarëve të Jezu Krishtit. Apostulli Pavël, i cili dikur kishte një besnikëri xheloze ndaj Ligjit, por në drejtimin e gabuar, vuri në dukje se njerëzit që po mbronin Ligjin kishin «zell [xhelozi] për Perëndinë; por jo sipas njohurisë së saktë».​—Romakëve 10:2; Galatasve 1:14.

Madje edhe shumë judenj që u bënë të krishterë, e kishin të vështirë të çliroheshin nga ky zell i tepruar për Ligjin. Pas udhëtimit të tij të tretë misionar, Pavli i bëri një raport trupit udhëheqës të shekullit të parë për kthimin në besim të njerëzve të kombeve. Në atë kohë, mijëra judenj të krishterë ishin «të gjithë të zellshëm për Ligjin». (Veprat 21:20) Kjo ndodhi disa vite pasi trupi udhëheqës kishte vendosur se të krishterët johebrenj nuk duhej të rrethpriteshin. Çështjet lidhur me zbatimin e Ligjit po shkaktonin konflikte në kongregacion. (Veprat 15:1, 2, 28, 29; Galatasve 4:9, 10; 5:7-12) Mungesa e plotë e kuptueshmërisë për atë se si po e trajtonte Jehovai tani popullin e tij bëri që disa të krishterë judenj ngulnin këmbë në pikëpamjet e tyre, duke i kritikuar të tjerët.​—Kolosianëve 2:17; Hebrenjve 10:1.

Pra, duhet të shmangim grackën që të mos përpiqemi të mbrojmë me xhelozi idetë ose zakonet tona të cilat i kemi për zemër, por që nuk janë të bazuara fort në Fjalën e Perëndisë. Bëjmë mirë të pranojmë kuptueshmërinë e përmirësuar rreth Fjalës së Perëndisë të marrë nëpërmjet kanalit që po përdor sot Jehovai.

Të jemi xhelozë për Jehovain

Megjithatë, xhelozia e perëndishme ka vend në adhurimin e vërtetë. Kur kemi prirjen për t’i dhënë tepër rëndësi emrit ose të drejtave tona, atëherë xhelozia e perëndishme e tërheq vëmendjen tonë drejt Jehovait. Ajo na shtyn që të kërkojmë mënyra për të shpallur të vërtetën për të, duke mbrojtur udhët dhe popullin e tij.

Akikon, një Dëshmitarë të Jehovait në shërbim të plotëkohor, e kundërshtoi me vrazhdësi një pronare shtëpie e cila kishte ide të gabuara për ligjin e Perëndisë për gjakun. Akikoja me takt mbrojti fjalën e Perëndisë, duke përmendur edhe ndërlikimet dhe problemet mjekësore që shoqërojnë transfuzionet e gjakut. E nxitur nga dëshira e zjarrtë për të folur për Jehovain, e drejtoi bisedën te arsyeja kryesore e vërtetë e kundërshtimeve të gruas​—mungesa e besimit në ekzistencën e një Krijuesi. Akikoja arsyetoi me pronaren e shtëpisë se si krijimi mbështet besimin te një Krijues. Mbrojtja e saj e guximshme çoi jo vetëm në heqjen e paragjykimeve të pabazuara, por edhe në një studim biblik me gruan. Pronarja e shtëpisë, dikur e zemëruar, sot është një lavdëruese e Jehovait.

Xhelozia ose zelli i përshtatshëm për adhurimin e vërtetë na nxit të jemi syçelë dhe të shfrytëzojmë rastet për të folur dhe për ta mbrojtur besimin tonë në punë, në shkollë, në dyqan dhe kur jemi duke udhëtuar. Midori, për shembull, është e vendosur t’u flasë për besimin e saj shokëve të punës. Një kolege e cila ishte rreth të 40-ve tha se nuk donte të kishte të bënte fare me Dëshmitarët e Jehovait. Më vonë, gjatë një bisede tjetër, gruaja po ankohej, sepse vajza e saj po zhvillonte disa tipare të papëlqyeshme në personalitetin e saj. Midori i tregoi librin Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, * dhe u ofrua të organizonte një studim të këtij libri me vajzën e saj. U fillua një studim, por mamaja nuk merrte pjesë në bisedë. Midori vendosi t’i tregonte gruas videokasetën Dëshmitarët e Jehovait​Organizata pas emrit.* Kjo e ndihmoi të largonte shumë nga përshtypjet e gabuara. E prekur nga ajo që pa, tha: ‘Dua të jem si Dëshmitarët e Jehovait.’ Ajo u bashkua me vajzën në studimin e Biblës.

Xhelozia e përshtatshme ka vendin e saj edhe në kongregacionin e krishterë. Ajo nxit një frymë të ngrohtë dashurie e interesimi dhe na shtyn t’u rezistojmë ndikimeve përçarëse që do t’i dëmtonin vëllezërit tanë frymorë, si për shembull: thashethemet e dëmshme dhe mendimet apostate. Xhelozia e perëndishme na nxit të mbështetim vendimet e pleqve, të cilët ndonjëherë e shohin të nevojshme të qortojnë keqbërësit. (1 Korintasve 5:11-13; 1 Timoteut 5:20) Duke shkruar për ndjenjat e tij të xhelozisë për bashkëbesimtarët në kongregacionin e Korintit, Pavli tha: «Jam xheloz për ju me një xhelozi hyjnore, pasi ju fejova personalisht me një burrë të vetëm, që t’ju paraqes para Krishtit si një virgjëreshë të dëlirë.» (2 Korintasve 11:2) Pra, xhelozia na nxit gjithashtu të bëjmë gjithçka që mundim për të mbrojtur pastërtinë doktrinale, frymore dhe morale të të gjithëve në kongregacion.

Po, xhelozia e motivuar në mënyrë të përshtatshme, pra, xhelozia e perëndishme, ka një ndikim të shëndetshëm te të tjerët. Ajo sjell miratimin e Jehovait dhe duhet të jetë një nga cilësitë që vërehen te të krishterët sot.​—Gjoni 2:17.

[Shënimi]

^ par. 20 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 29]

Veprimet e Finehasit bazoheshin në xhelozinë e perëndishme

[Figurat në faqen 30]

Të shmangim grackën e xhelozisë së papërshtatshme

[Figurat në faqen 31]

Xhelozia e perëndishme na nxit të flasim për besimin dhe të çmojmë vëllazërinë tonë