A janë duke vepruar forcat e së keqes?
A janë duke vepruar forcat e së keqes?
«Bota është nën pështjellim, sikur forca të mistershme po përpiqen me shumë kujdes të bllokojnë të gjitha daljet në rast urgjence.»—Zhan-Klod Sulëri, gazetar.
‘Ndjenjat e paaftësisë së individit priren ta bëjnë të mendojë se mbi të po ushtron ndikim një e keqe që po e mbizotëron.’—Xhozef Bartën, historian.
LLAHTARIA e papërshkrueshme e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 bëri që shumë njerëz të mendojnë seriozisht. Majkëll Praus, duke shkruar në gazetën Financial Times të Anglisë, tha: «Asnjë kafshë nuk do të vepronte ose nuk mund të vepronte në një mënyrë kaq barbare.» Në një artikull të gazetës New York Times, theksohej se përveç planifikimit të sulmit, «është po aq e rëndësishme të mbajmë parasysh edhe shkallën e urrejtjes që duhej për ta kryer atë. Është një urrejtje e cila i tejkalon praktikat e zakonshme të luftës, që nuk njeh kufij dhe që nuk i përmbahet asnjë marrëveshjeje».
Njerëz të bindjeve të ndryshme kanë menduar se ka mundësi që të jetë duke vepruar ndonjë forcë e ligë. Një biznesmen nga Sarajeva, i cili ishte dëshmitar i llahtarive të urrejtjes etnike në Bosnjë, pohoi: «Pas një viti lufte në Bosnjë, besoj se është Satanai ai që i mban nën kontroll gjërat. Kjo është çmenduri e vërtetë.»
Kur e pyetën nëse besonte te Djalli, historiani Zhan Dëlymo u përgjigj: «Si mund ta mohoj forcën e së keqes kur shoh atë që po ndodh dhe atë që ka ndodhur që kur kam lindur: Luftën e Dytë Botërore, me më shumë se 40 milionë viktima; Aushvicin dhe kampet e përqendrimit; gjenocidin në Kamboxhia; tiraninë gjakatare të regjimit të Çausheskut; torturën si sistem qeverisjeje në shumë vende anembanë botës. Lista e llahtarive është e pafund. . . . Prandaj besoj se kemi arsye t’i quajmë akte të tilla ‘djallëzore’, jo se ato frymëzohen nga një Djall me brirë dhe me këmbë dythundrake, por nga një Djall që është simbol i frymës dhe i forcës të së keqes që po vepron në botë.»
Ashtu si Zhan Dëlymoja, shumë njerëz i përshkruajnë si «djallëzore» gjërat e tmerrshme që po ndodhin sot në shoqërinë njerëzore, që nga rrethi familjar e deri në skenën ndërkombëtare. Por, çfarë do të thotë kjo? A duhet menduar se këto llahtari shkaktohen nga forca abstrakte të së keqes? A veprojnë forca reale keqdashëse që i shtyjnë njerëzit të kryejnë krime të urryera, krime këto që janë shumë më tepër se e keqja e zakonshme e njeriut? A janë të organizuara e të mbikëqyrura këto forca nga një princ i së keqes—Satana Djalli?
[Burimi i figurës në faqen 3]
Fëmijët: Foto e U.S. Coast Guard