Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kohë për t’u gëzuar në Ballkan

Një kohë për t’u gëzuar në Ballkan

Një kohë për t’u gëzuar në Ballkan

Ishte viti 1922. Në Insbruk të Austrisë po mbahej një mbledhje e Studentëve të zellshëm të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Në auditor ndodhej Franc Brandi, një i ri nga qyteti Apatin i Vojvodinës në Serbi. Në çastin kur oratori përmendi emrin e Perëndisë, Jehova, një turmë filloi të lëshonte britma mospëlqimi, duke ia bërë të pamundur të vazhdonte fjalimin dhe mbledhja u ndërpre. Megjithatë ajo që Franci dëgjoi i bëri shumë përshtypje dhe ai nisi predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Këto ishin fillimet modeste të rritjes frymore emocionuese në një nga vendet e Ballkanit.

SOT shumë njerëzve, emri Jugosllavi u sjell ndër mend pamje lufte dhe gjakderdhjeje. Vijnë në mendje pamjet e trishtueshme të masakrave të tmerrshme, të refugjatëve të dëshpëruar, të shtëpive të shkatërruara dhe të jetimëve të angështuar. Fjalët nuk mund të përshkruajnë dhembjen dhe mjerimin therës që shkaktoi lufta, e cila përfshiu gadishullin e Ballkanit nga viti 1991 deri në vitin 1995. Kjo luftë shkatërroi të gjitha shpresat për një të ardhme të begatë e pa probleme, që do të arrihej me anë të përpjekjeve njerëzore. Si pasojë e luftës, njerëzit në ish-Jugosllavi po vuajnë nga vështirësitë ekonomike dhe nga varfëria në kulm. *

Për shkak të këtyre vuajtjeve, një person vështirë se do të priste të gjente njerëz të lumtur në këtë anë të botës. Edhe pse mund të duket e çuditshme, njerëz të tillë ekzistojnë vërtet. Në fakt, ata përjetuan një ditë gëzimi të veçantë nga fundi i shekullit të 20-të. Ç’lidhje kishte me të gjithë këtë Franc Brandi, i riu i përmendur në fillim?

Rritja frymore në Ballkan

Franc Brandi ishte shumë i emocionuar për të vërtetat e reja që kishte dëgjuar dhe vendosi se duhej të shpërndante lajmin e mirë. Ai gjeti punë si berber në Maribor, qytet në Slloveni pranë kufirit me Austrinë, dhe filloi t’u predikonte klientëve, të cilët zakonisht uleshin dhe dëgjonin me qetësi ndërsa rruheshin. Falë përpjekjeve të tij, në fund të viteve 20 të shekullit të 20-të, në Maribor kishte një grup të vogël me lajmëtarë të Mbretërisë. Fjalimet biblike mbaheshin në një restorant, i cili u quajt më vonë në mënyrë të përshtatshme Restorant me prodhime deti Novi svet (Bota e Re).

Me kalimin e kohës, lajmi i mirë u përhap në mbarë vendin. Si mjet për këtë shtrirje shërbeu përdorimi i «Foto-Dramës së Krijimit» (një realizim me filmime, diapozitiva dhe regjistrime, i cili zgjaste tetë orë). Pastaj, në vitet 30-të, kur Dëshmitarët e Jehovait u vunë nën përndjekje të ashpër në Gjermani, radhët e Dëshmitarëve në Mbretërinë e Jugosllavisë u forcuan me pionierë gjermanë që ishin larguar nga vendi i tyre. Duke lënë mënjanë rehatitë personale, ata bënë përpjekje që të arrinin të predikonin në viset më të largëta të këtij vendi malor. Fillimisht u duk sikur nuk pati shumë reagim ndaj mesazhit të tyre. Në fillim të viteve 40, në shërbimin në fushë, raportonin vetëm 150 lajmëtarë.

Në vitin 1941, nisi një përndjekje e ashpër e cila zgjati deri në vitin 1952. Çfarë gëzimi ishte kur më në fund, më 9 shtator 1953, nën regjimin komunist të gjeneralit Tito, Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan ligjërisht! Atë vit kishte 914 lajmëtarë të lajmit të mirë dhe numri u rrit në mënyrë të rregullt. Në vitin 1991, numri i lajmëtarëve ishte rritur në 7.420 veta dhe në atë vit 16.072 veta ndoqën Përkujtimin.

Kongresi i parë ndërkombëtar i Dëshmitarëve të Jehovait në këtë vend u mbajt në Zagreb të Kroacisë, nga 16 deri më 18 gusht 1991. Në të morën pjesë, nga vendi dhe jashtë tij, 14.684 veta. Ky kongres i paharrueshëm përgatiti popullin e Jehovait për sprovat që po e prisnin. Midis automjeteve të fundit që kaluan pikën e kontrollit ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë ishin autobusët që po çonin delegatët serbë në shtëpitë e tyre. Pasi kaloi autobusi i fundit, kufiri u mbyll dhe filloi lufta.

Populli i Jehovait ka shumë arsye për t’u gëzuar

Vitet e luftës ishin një kohë sprovash të ashpra për Dëshmitarët e Jehovait në Ballkan. Gjithsesi, ata kanë shumë arsye për t’u gëzuar, sepse Jehovai e ka bekuar popullin e tij atje me një rritje të shkëlqyer. Që prej vitit 1991, në zonën e ish-Jugosllavisë numri i lajmëtarëve të Mbretërisë është rritur me më shumë se 80 për qind. Në vitin e shërbimit 2001 u arrit një maksimum prej 13.472 vetash.

Zyrat në Zagreb dhe në Beograd (Serbi) kujdeseshin për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë ish-Jugosllavinë. Për shkak të rritjes dhe të ndryshimeve politike, ishte e nevojshme të ngriheshin zyra të reja në Lubianë (Slloveni) dhe në Shkup (Maqedoni), përveç zyrave të reja ekzistuese në Beograd dhe në Zagreb. Në të gjitha këto zyra po shërbejnë afërsisht 140 pjesëtarë. Shumica e tyre janë të rinj dhe plot zell e dashuri për Jehovain. Një numër i madh prej tyre janë të përfshirë në përkthimin e botimeve ndihmëse për studimin e Biblës në gjuhët kroate, maqedonase, serbe dhe sllovene. Çfarë bekimi është që pjesa më e madhe e revistave dhe e literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait në këto gjuhë po botohen njëkohësisht me botimin origjinal në anglisht! Këto botime ndihmojnë shumë njerëz që të gjejnë ngushëllim dhe shpresë.

Një arsye tjetër për t’u gëzuar është mbështetja që kanë dhënë në mënyrë altruiste shumë shërbëtorë në kohë të plotë që kanë ardhur nga vendet e tjera. Vitet e fundit janë ndërtuar disa Salla të shkëlqyera Mbretërie, duke ia shtuar gëzimin kongregacioneve. Megjithatë ata i priste edhe më shumë gëzim. Si ishte e mundur kjo?

Një projekt unik

Shumë lajmëtarë shpesh pyetnin veten: ‘A do ta kemi ndonjëherë në gjuhën tonë Përkthimin Bota e Re?’ Vit pas viti ata pritnin me shpresë se mos dëgjonin një njoftim të tillë në ndonjë kongres krahinor. Sidoqoftë, si mund të ndërmerrej një projekt i tillë madhështor, duke pasur parasysh se skuadrat në këto gjuhë ishin formuar vetëm pak vite më parë dhe kishte relativisht pak përkthyes?

Pas shqyrtimit të gjërave, Trupi Udhëheqës miratoi një projekt të përbashkët sipas të cilit skuadrat e përkthimit në gjuhën kroate, maqedonase dhe serbe do të bashkëpunonin ngushtë e në këtë mënyrë do të nxirrnin dobi nga puna dhe nga sugjerimet e njëri-tjetrit. Skuadra kroate duhej të merrte drejtimin.

Një ditë gëzimi

Dëshmitarët e Jehovait në Ballkan nuk do ta harrojnë kurrë 23 korrikun e vitit 1999. Kongreset krahinore «Fjala profetike e Perëndisë» duhej të mbaheshin njëkohësisht në Beograd, Sarajevë (Bosnjë-Hercegovinë), Shkup dhe Zagreb. Për ca kohë nuk ishte e sigurt nëse kongresi do të mbahej në Beograd, sepse gjatë bombardimeve të NATO-s, nuk lejoheshin mbledhje publike. Sa të lumtur ishin vëllezërit që kishin mundësinë të shoqëroheshin me njëri-tjetrin pas disa muajsh gjendjeje pasigurie! Megjithatë, realiteti e kaloi atë që pritej.

Të premten pasdite, në të katër qytetet e kongresit u bë një njoftim i veçantë. Të 13.497 delegatët po prisnin në heshtje se çfarë do të thuhej. Më në fund oratori nxori Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhët kroate e serbe dhe i tha auditorit se përkthimi në gjuhën maqedonase po ecte mirë. Delegatët nuk mundën ta përmbanin më veten. Duartrokitja gjëmuese nuk e linte oratorin të mbaronte njoftimin. Në kongresin e Sarajevës, në auditor ra një heshtje e papritur, sepse ishin plotësisht të befasuar. Ajo u pasua nga një duartrokitje e gjatë. Në Beograd, në shumë fytyra rrodhën lot gëzimi dhe oratori u ndërpre nga duartrokitjet e vazhdueshme përpara se të mund të mbaronte njoftimin. Sa të lumtur ishin të gjithë!

Kjo dhuratë kishte një vlerë të dyfishtë, sepse Dëshmitarët e Jehovait kishin siguruar të drejtën për të shtypur një përkthim të Biblës në gjuhët kroate dhe serbe. Kështu, Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke në këto dy gjuhë ishte bashkuar secili në një vëllim të vetëm bashkë me një përkthim të Shkrimeve Hebraike në të njëjtën gjuhë. Për më tepër, Bibla në serbisht ishte shtypur si me shkronja latine, edhe me shkronja cirilike.

Duke qenë mirënjohës për të gjitha bekimet dhe udhëheqjen që ka marrë, populli i Jehovait në Ballkan është vërtet në një mendje me fjalët e Davidit: «Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti [Jehova] je me mua.» Edhe pse vazhdojnë të hasin shumë vështirësi, ata janë të vendosur që ta bëjnë ‘gëzimin e Zotit fuqinë e tyre’.​—Psalmi 23:4; Nehemia. 8:10.

[Shënimi]

^ par. 3 Ish-Jugosllavia përbëhej nga gjashtë republika​—Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.

[Figura në faqen 20]

Grupi i parë i lajmëtarëve nga Maribori i Sllovenisë, duke predikuar në territore të largëta