Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A do të përbënte një formë ekumenizmi po të blihej një ndërtesë nga një grup tjetër fetar dhe të kthehej në Sallë Mbretërie?

Në përgjithësi Dëshmitarët e Jehovait i shmangin këto marrëveshje me fetë e tjera. Megjithatë, një veprim i tillë tregtar mund të mos përbëjë një akt ekumenizmi. Ai mund të shihet thjesht si një marrëveshje biznesi e cila bëhet vetëm një herë. Kongregacioni vendës i Dëshmitarëve të Jehovait nuk po bashkëpunon me ndonjë grup tjetër fetar për të ndërtuar një vend adhurimi që do të përdoret nga të dyja palët.

Çfarë përbën një akt ekumenizmi në sytë e Jehovait? Shqyrtoni se ç’drejtim dha apostulli Pavël: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse, ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? Për më tepër, ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit? Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? Dhe ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? . . . ‘Prandaj dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,​—thotë Jehovai,​—dhe mjaft e prekët gjënë e ndyrë’; ‘dhe unë do t’ju pranoj’.» (2 Korintasve 6:14-17) Çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët «lidhje» dhe «pjesë»?

Lidhja që përmend Pavli duket qartë se përfshin adhurimin dhe veprimtaritë frymore së bashku me idhujtarët dhe jobesimtarët. Ai i paralajmëroi korintasit që të mos ‘merrnin pjesë në tryezën e demonëve’. (1 Korintasve 10:20, 21) Prandaj, akt ekumenizmi do të thotë të marrësh pjesë në adhurim ose të kesh shoqërim frymor me organizata të tjera fetare. (Eksodi 20:5; 23:13; 34:12) Kur blihet një ndërtesë që ishte përdorur nga një organizatë fetare, kjo bëhet thjesht për të blerë strukturën bazë që nevojitet për një Sallë Mbretërie. Para se të përdoret si Sallë Mbretërie, ajo pastrohet nga çdo mbeturinë e adhurimit të rremë. Pasi është sistemuar në këtë mënyrë, i kushtohet Jehovait për t’u përdorur vetëm për adhurimin e tij. Nuk ka asnjë pjesë ose lidhje midis adhurimit të vërtetë dhe atij të rremë.

Kur diskutohen hollësitë rreth kësaj blerjeje, kontakti me palën tjetër duhet mbajtur në minimum dhe duhet të jetë vetëm për çështje tregtie. Pjesëtarët e kongregacionit të krishterë bëjnë mirë të mbajnë në mend paralajmërimin e Pavlit për të mos ‘u futur nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët’. Ndonëse nuk ndihemi më të lartë se ata që kanë besim tjetër, nuk shoqërohemi me ta dhe nuk ndikohemi për t’u bashkuar me adhurimin e tyre. *

Po në rastin kur një kongregacion do të marrë me qira një ndërtesë që i përket ndonjë organizate fetare? Qiraja normalisht kërkon kontakt të rregullt dhe kjo gjë duhet shmangur. Madje edhe për ta marrë me qira për një rast të vetëm këtë ndërtesë, trupi i pleqve duhet të shqyrtojë sa vijon: A do të ketë ndonjë idhull ose simbol fetar brenda ose jashtë ndërtesës? Si do ta shohin njerëzit në atë lagje faktin që po përdorim ndërtesën? A do të pengohet ndonjëri në kongregacion ngaqë po përdorim këtë ndërtesë? (Mateu 18:6; 1 Korintasve 8:7-13) Pleqtë i peshojnë këta faktorë dhe pastaj vendosin në bazë të tyre. Edhe vetë ndërgjegjja e tyre, si dhe ajo e kongregacionit në përgjithësi, duhet marrë parasysh kur vendoset nëse duhet blerë ose jo dhe nëse duhet kthyer një ndërtesë e tillë në Sallë Mbretërie.

[Shënimi]

^ par. 6 Shih Kullën e Rojës të 15 prillit 1999, në faqet 28 dhe 29, për informacion lidhur me marrëveshjet tregtare me organizatat që Jehovai nuk i miraton.

[Figura në faqen 27]

Kjo ndërtesë, e cila më parë ishte një sinagogë, u ble dhe u restaurua si Sallë Mbretërie