Satanai—Një mit apo një qenie reale e ligë?
Satanai—Një mit apo një qenie reale e ligë?
ORIGJINA e së keqes u ka interesuar mendimtarëve që në kohët më të hershme. Në një fjalor, A Dictionary of the Bible, nga Xhejms Hastings, thuhet: «Në fillim të vetëdijes së tij, njeriut iu desh të përballonte forca të cilat nuk ishte në gjendje t’i kontrollonte dhe që ushtronin një ndikim të dëmshëm ose shkatërrimtar.» Në të njëjtën vepër referimi thuhet gjithashtu: «Njerëzimi i hershëm kërkonte në mënyrë instinktive shkaqet dhe i interpretonte forcat e fenomenet e tjera të natyrës si persona.»
Sipas historianëve, besimi në perënditë demonë dhe në frymërat e këqija mund të gjendet në historinë më të hershme të Mesopotamisë. Babilonasit e lashtë besonin se bota e përtejme ose «vendi nga ku nuk kthehesh më», mbikëqyrej nga Nergali, një hyjni i dhunshëm i njohur si «ai që djeg». Po ashtu, ata u frikësoheshin demonëve, të cilët përpiqeshin t’i qetësonin me anë të formulave magjike. Në mitologjinë egjiptiane, Sethi ishte perëndia i së keqes, «i cili përshkruhej sikur kishte tiparet e një bishe të çuditshme me turi të hollë dhe të lakuar, veshë të drejtë me cepa dhe bisht të fortë si sfurk».—Larousse Encyclopedia of Mythology.
Megjithëse grekët dhe romakët kishin hyjni mirëdashëse e keqdashëse, ata nuk kishin një kryeperëndi të keq. Filozofët e tyre mësonin se ekzistonin dy parime të kundërta. Sipas Empedoklit, ato ishin Dashuria dhe Mosmarrëveshja. Sipas Platonit, bota kishte dy «Shpirtëra», njëri shkaktonte të mirën, ndërsa tjetri të keqen. Ashtu siç pohon Zhorzh Minua në librin e tij Le Diable (Djalli), «feja pagane klasike [greko-romake] nuk e pranonte ekzistencën e një Djalli».
Në Iran, feja zoroastriane mësonte se hyjnia më e lartë Ahura Mazda, ose Ormazdi, krijoi Angra Majniun, ose Ahrimanin, i cili zgjodhi të bënte të këqija dhe në këtë mënyrë u bë Fryma Shkatërruese ose Shkatërruesi.
Në judaizëm, kishte një përshkrim të thjeshtë të Satanait si Kundërshtari i Perëndisë, i cili shkaktoi mëkatin. Por pas disa shekujsh, ky përshkrim u ndot me ide pagane. Në një enciklopedi (Encyclopaedia Judaica) pohohet: «Një ndryshim i madh kishte ndodhur . . . në shekujt e fundit p.e.s. Në këtë periudhë feja [judaike] . . . adoptoi shumë tipare të sistemit dualist në të cilin Perëndia dhe forcat e së mirës e të së vërtetës, kundërshtoheshin në qiell e në tokë nga forcat e fuqishme të së keqes e të mashtrimit. Kjo duket se ka ndodhur nën ndikimin e fesë perse.» Në një tjetër enciklopedi (Concise Jewish Encyclopedia) thuhet: «Mbrojtja nga d[emonët]
ishte e mundur nëse zbatoheshin Dhjetë Urdhrat dhe nëse përdoreshin hajmalitë.»Teologjia e krishterë apostate
Ashtu si judaizmi adoptoi koncepte jo biblike lidhur me Satanain dhe demonët, të krishterët apostatë përpunuan ide jobiblike. Në një fjalor, The Anchor Bible Dictionary, thuhet: «Një nga më ekstremet e ideve të lashta teologjike është se Perëndia e shpengoi popullin e tij duke paguar Satanain për çlirimin e tij.» Kjo ide u propozua nga Ireneu (shekulli i dytë i e.s.). Ajo u zhvillua më tej nga Origjeni (shekulli i tretë i e.s.), i cili pohonte se «djalli kishte fituar mbi njerëzit një pretendim ligjor» dhe i cili e konsideronte «vdekjen e Krishtit . . . si një shpërblesë paguar djallit».—History of Dogma (Historia e dogmës), nga Adolf Harnak.
Sipas një enciklopedie (The Catholic Encyclopedia), «për rreth një mijë vjet [ideja se shpërblesa iu pagua Djallit] luajti një rol të rëndësishëm në historinë e teologjisë» dhe ajo mbeti pjesë e besimit të kishës. Etër të tjerë të kishës, përfshirë Agustinin (shekulli i katërt dhe i pestë i e.s.), adoptuan idenë se shpërblesa iu pagua Satanait. Më në fund, rreth shekullit të 12-të të e.s., teologët katolikë Anselmi dhe Abelardi arritën në përfundimin se flijimi i Krishtit nuk iu ofrua Satanait, por Perëndisë.
Besëtytnitë mesjetare
Megjithëse shumica e këshillave të Kishës Katolike mbetën dukshëm të heshtur lidhur me subjektin e Satanait, në vitin 1215 të e.s., Këshilli i Katërt Lateran paraqiti atë që një enciklopedi (The New Catholic Encyclopedia) e quan «shpallje solemne e besimit». Në kanunin 1 thuhet: «Djalli dhe demonët e tjerë u krijuan të mirë nga Perëndia, por ata u bënë të këqij me vullnetin e tyre.» Aty shtohet se ata përpiqen me zell që të tundojnë njerëzimin. Ky mendimi i fundit u ngulit në mendjen e shumë njerëzve gjatë Mesjetës. Satanai qëndronte pas çdo gjëje që dukej e pazakontë, si për shembull: një sëmundje e pashpjegueshme, një vdekje e papritur ose të korra të pakta. Në vitin 1233 të e.s., papa Gregori IX nxori disa dekrete kundër heretikëve, përfshirë një dekret kundër luciferianëve, të cilët mendohej se ishin adhurues të Djallit.
Besimi se njerëzit mund të pushtoheshin nga Djalli ose nga demonët e tij shkaktoi paranojë kolektive, pra një frikë histerike nga shtrigëria dhe magjia. Nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 17-të, frika nga shtrigat u përhap në Evropë dhe arriti në Amerikën Veriore bashkë me kolonizatorët evropianë. Edhe reformatorët protestantë, Martin Luteri dhe Xhon Kalvini, e miratuan gjuetinë e shtrigave. Në Evropë proceset gjyqësore ndaj shtrigave, të bazuara vetëm në thashetheme ose në denoncime keqdashëse, drejtoheshin si nga inkuizicioni edhe nga gjykatat shekullare. Për t’i detyruar të rrëfenin «fajin» përdorej gjerësisht tortura.
Ata që shpalleshin fajtorë mund të dënoheshin me vdekje, ose duke i djegur, ose me varje si në Angli dhe në Skoci. Në lidhje me numrin e viktimave, në një enciklopedi (The World Book Encyclopedia), pohohet: «Sipas disa historianëve, nga viti 1484 deri në vitin 1782, kisha e krishtere vrau nën akuzën e shtrigërisë rreth 300.000 gra.» Nëse Satanai qëndronte pas kësaj tragjedie mesjetare, cilat ishin veglat e tij
—viktimat apo përndjekësit fetarë fanatikë të viktimave?Besimi ose mosbesimi i sotëm
Shekulli i 18-të qe dëshmitar i lulëzimit të mendimit racional, i njohur si iluminizmi. Në Encyclopedia Britannica pohohet: «Filozofia dhe teologjia e iluminizmit u përpoqën ta flaknin nga ndërgjegjja e krishterë figurën e djallit, duke e quajtur produkt të fantazisë mitologjike të mesjetës.» Kisha Katolike e Romës reagoi ndaj kësaj dhe në Këshillin e Parë të Vatikanit (1869-1870) ripohoi besimin e saj në ekzistencën e Satana Djallit, duke e përsëritur jo me aq siguri këtë besim në Këshillin e Dytë të Vatikanit (1962-1965).
Siç pranohet në New Catholic Encyclopedia, zyrtarisht «Kisha është e palëkundur në besimin në ekzistencën e engjëjve dhe të demonëve.» Megjithatë, në një fjalor francez të katolicizmit (Theo), pranohet se «shumë të krishterë sot nuk mendojnë se shkaku i së keqes në botë është djalli». Gjatë viteve të fundit teologët katolikë e kanë trajtuar me kujdes këtë situatë e cila luhatet midis doktrinës zyrtare katolike dhe mendimit të ditëve moderne. «Teologjia e krishterë liberale,—pohohet në Encyclopedia Britannica,—atë që thuhet në Bibël për Satanain, priret ta konsiderojë si ‘gjuhë e figurshme’, e cila nuk duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë—por përkundrazi, si një përpjekje mitologjike për të shprehur realitetin dhe shtrirjen e së keqes në univers.» Për protestantët, në të njëjtën vepër referimi pohohet: «Protestantizmi i sotëm liberal priret ta mohojë nevojën e besimit në ekzistencën e djallit si person.» Por, a duhet ta konsiderojnë të krishterët e vërtetë atë që thotë Bibla për Satanain thjesht si ‘gjuhë të figurshme’?
Çfarë mësohet në Shkrime
Filozofia dhe teologjia njerëzore nuk kanë dhënë një shpjegim më të mirë se ai që jepet në Bibël për origjinën e të keqes. Ajo që thuhet në Shkrime për Satanain është thelbësore për të kuptuar origjinën e së keqes dhe të vuajtjeve njerëzore, si dhe arsyen pse dhuna më e paimagjinueshme keqësohet çdo vit.
Disa mund të bëjnë pyetjen: ‘Nëse Perëndia është Krijuesi i mirë e i dashur, si mundi të krijonte një frymë të ligë siç është Satanai? Në Bibël shpallet parimi se të gjitha veprat e Perëndisë Jehova janë të përsosura dhe se të gjitha krijesat e tij inteligjente janë të pajisura me vullnet të lirë. (Ligji i përtërirë 30:19; 32:4; Jozueu 24:15; 1 Mbretërve 18:21) Prandaj, personi frymor i cili u bë Satana duhet të jetë krijuar i përsosur dhe duhet të jetë larguar me vullnet të lirë nga udha e së vërtetës dhe e drejtësisë.—Gjoni 8:44; Jakovit 1:14, 15.
Udha rebele e Satanait, ngjan në shumë drejtime me atë të ‘mbretit të Tiros’, i cili përshkruhej në mënyrë poetike si «i përsosur nga bukuria» dhe ‘i përsosur në rrugët e tij qysh nga dita që u krijua, deri sa nuk u zbulua tek ai çoroditja’. (Ezekieli 28:11-19) Satanai nuk vuri në diskutim faktin se Jehovai ishte më i larti dhe Krijuesi. Si mund ta bënte këtë, përderisa ishte krijuar nga Perëndia? Gjithsesi, Satanai sfidoi mënyrën se si po e ushtronte Jehovai sovranitetin. Në kopshtin e Edenit, Satanai la të kuptohej se Perëndia po i mbante çiftit të parë njerëzor diçka që u takonte dhe nga e cila varej mirëqenia e tyre. (Zanafilla 3:1-5) Ai arriti të shkaktonte rebelimin e Adamit dhe të Evës kundër sovranitetit të drejtë të Jehovait duke sjellë mëkatin dhe vdekjen mbi ta e mbi pasardhësit e tyre. (Zanafilla 3:6-19; Romakëve 5:12) Kështu pra, Bibla tregon se Satanai është shkaku kryesor i vuajtjeve njerëzore.
Pak para Përmbytjes, në rebelimin e Satanait u përfshinë edhe engjëj të tjerë. Ata morën trajtën e trupave njerëzore që të kënaqnin urinë për kënaqësi seksuale me vajzat e njerëzve. (Zanafilla 6:1-4) Gjatë Përmbytjes, këta engjëj renegatë u kthyen në sferën frymore, por jo në «vendin e tyre fillestar» me Perëndinë në qiell. (Juda 6) Ata u hodhën në një gjendje errësire të dendur frymore. (1 Pjetrit 3:19, 20; 2 Pjetrit 2:4) Ata u bënë demonë, të cilët nuk shërbejnë më nën sovranitetin e Jehovait, por jetojnë të nënshtruar ndaj Satanait. Ndonëse në të vërtetë demonët nuk janë më në gjendje të materializohen përsëri, ata ende mund të ushtrojnë ndikim të madh në mendjen dhe në jetën e njerëzve dhe pa dyshim janë përgjegjës për pjesën më të madhe të dhunës që po shohim sot.—Mateu 12:43-45; Luka 8:27-33.
Fundi i sundimit të Satanait është afër
Është e qartë se forcat e së keqes janë duke vepruar sot në botë. Apostulli Gjon shkroi: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»—1 Gjonit 5:19.
Sidoqoftë, profecia biblike e përmbushur tregon se Djalli po i intensifikon mjerimet mbi tokë, sepse e di se i ka mbetur vetëm ‘një periudhë e shkurtër kohe’ për të sjellë shkretim para se të burgoset. (Zbulesa 12:7-12; 20:1-3) Fundi i sundimit të Satanait do të shënojë fillimin e një bote të re të drejtë, në të cilën «nuk do të ketë më» as lotë, as vdekje dhe as dhembje. Pastaj, vullneti i Perëndisë ‘do të bëhet, si në qiell, edhe mbi tokë’.—Zbulesa 21:1-4; Mateu 6:10.
[Figurat në faqen 4]
Babilonasit besonin te Nergali (në cep majtas), një hyjni e dhunshme; Platoni (majtas) besonte në ekzistencën e dy «Shpirtrave» të kundërt
[Burimet]
Cilindër: Muzeu i Luvrit, Paris; Platoni: Muzeu Arkeologjik Kombëtar, Athinë, Greqi
[Figurat në faqen 5]
Ireneu, Origjeni dhe Agustini mësonin se shpërblesa iu pagua Djallit
[Burimet]
Origjeni: Culver Pictures; Agustini: Nga libri Great Men and Famous Women
[Figura në faqen 6]
Frika nga shtrigat çoi në ekzekutimin e qindra mijëra njerëzve
[Burimi]
Nga libri Bildersaal deutscher Geschichte