Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbështetës të adhurimit të vërtetë: Në të kaluarën dhe tani

Mbështetës të adhurimit të vërtetë: Në të kaluarën dhe tani

Mbështetës të adhurimit të vërtetë: Në të kaluarën dhe tani

A E KUJTONI emrin e një personi që qau për qytetin e lashtë të Jerusalemit? ‘Jezui,​—mund të thoni.’ E në të vërtetë Jezui veproi në këtë mënyrë. (Luka 19:28, 41) Megjithatë, në mënyrë të ngjashme, shekuj para ardhjes së Jezuit në tokë, një tjetër shërbëtor besnik i Perëndisë qau për Jerusalemin. Emri i tij ishte Nehemia.​—Nehemia 1:3, 4.

Çfarë e shtyu Neheminë të ishte kaq i trishtuar, saqë të qante për Jerusalemin? Çfarë bëri ai për dobinë e qytetit dhe të banorëve të tij? Dhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij? Për t’i dhënë përgjigje, le të rishikojmë disa nga ngjarjet e kohës së tij.

Një njeri me ndjenja dhe i veprimit

Nehemia u caktua guvernator i Jerusalemit, por para kësaj ai kishte qenë një zyrtar i lartë në oborrin pers në qytetin e Shushanit. Megjithatë, jeta e tij e rehatshme nuk e zvogëloi merakun që kishte për mirëqenien e vëllezërve të tij judenj në Jerusalemin e largët. Në fakt, gjëja e parë që ai bëri kur një delegacion jude nga Jerusalemi vizitoi Shushanin ishte ‘t’i pyeste lidhur me judenjtë që kishin shpëtuar, që ishin kthyer gjallë nga robëria dhe lidhur me Jerusalemin’. (Nehemia 1:2) Kur vizitorët iu përgjigjën se populli i Jerusalemit ishte «në një varfëri të madhe» dhe që muri i qytetit ishte «plot me të çara», Nehemia ‘u ul dhe qau; pastaj mbajti zi disa ditë me radhë’. Pas kësaj ai i shprehu ndjenjat e tij të trishtimit në një lutje të ndier nga zemra drejtuar Jehovait. (Nehemia 1:3-11) Pse ishte kaq i trishtuar Nehemia? Për shkak se Jerusalemi ishte qendra e adhurimit të Jehovait në tokë dhe ishte lënë pas dore. (1 Mbretërve 11:36) Për më tepër, gjendja e mjerë e qytetit ishte një pasqyrim i gjendjes së mjerë frymore të banorëve të tij.​—Nehemia 1:6, 7.

Meraku i Nehemisë për Jerusalemin dhe keqardhja e tij për judenjtë që jetonin atje e shtyu atë të ofronte shërbimin e vet. Me t’i dhënë leje mbreti pers që t’i linte detyrat e tij, Nehemia filloi të programonte udhëtimin e gjatë për në Jerusalem. (Nehemia 2:5, 6) Ai dëshironte të jepte forcën, kohën dhe aftësitë e tij për të mbështetur punën rindërtuese që nevojitej. Brenda pak ditëve nga mbërritja e tij, ai tashmë kishte gati një plan për të rindërtuar të gjithë murin e Jerusalemit.​—Nehemia 2:11-18.

Nehemia e ndau detyrën e madhe të rindërtimit të murit midis shumë familjeve, të cilat punonin që të gjitha krah për krah. * Më shumë se 40 grupe të ndryshme ishin caktuar të rindërtonin secili «një pjesë të matur». Rezultati? Me gjithë këta punëtorë, duke përfshirë prindërit e shoqëruar nga fëmijët, të cilët jepnin kohën dhe energjinë e tyre, një detyrë në dukje shumë e vështirë u bë e mundur. (Nehemia 3:11, 12, 19, 20, BR) Brenda dy muajve të mbushur me aktivitet i gjithë muri ishte i rindërtuar! Nehemia shkroi se edhe ata që i ishin kundërvënë punës rindërtuese u detyruan të pranonin se «kjo vepër ishte kryer me ndihmën e Perëndisë tonë».​—Nehemia 6:15, 16.

Një shembull që duhet kujtuar

Nehemia kontribuoi jo vetëm me kohën dhe aftësitë e tij organizative. Ai, gjithashtu, përdori mjetet e tij materiale për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Përdori paratë e tij për të riblerë vëllezërit judenj nga skllavëria. Dha para borxh pa interes. Nuk i ‘rëndoi’ kurrë judenjtë duke u kërkuar një pagë si qeveritar, e cila ishte diçka që i takonte. Në vend të kësaj, ai mbajti shtëpinë hapur për të ushqyer «njëqind e pesëdhjetë judenj dhe zyrtarë, përveç atyre që vinin nga kombet fqinje». Çdo ditë ai përgatiste ‘një ka dhe gjashtë krerë të zgjedhur dhe zogj’ për të ftuarit. Përveç kësaj, një herë në çdo dhjetë ditë u jepte atyre «lloj lloj vere me shumicë», të gjitha me shpenzimet e tij.​—Nehemia 5:8, 10, 14-18.

Ç’shembull të spikatshëm të bujarisë la Nehemia për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë në atë kohë dhe tani! Ky shërbëtor i guximshëm i Perëndisë i përdori lirisht dhe me dëshirë burimet e tij materiale për të mbështetur punëtorët në mënyrë që të përparonte adhurimi i pastër. Në mënyrë të përshtatshme, ai mundi t’i kërkonte Jehovait: «Më kujto, o Perëndia im, për tërë të mirat që i kam bërë këtij populli.» (Nehemia 5:19) Sigurisht që Jehovai do ta bëjë këtë.​—Hebrenjve 6:10.

Shembulli i Nehemisë ndiqet sot

Të ngrohet zemra kur sheh popullin e Jehovait sot që në mënyrë të ngjashme shfaq ndjenja të ngrohta, gatishmëri për të vepruar dhe një qëndrim vetësakrifikues në dobi të adhurimit të vërtetë. Kur dëgjojmë që bashkëbesimtarët vuajnë nga vështirësitë, jemi thellësisht të merakosur për mirëqenien e tyre. (Romakëve 12:15) Ashtu si Nehemia, i drejtohemi Jehovait në lutje për të mbështetur vëllezërit tanë të besimit që vuajnë, duke i kërkuar: «Të lutem qofshin veshët e tu të vëmendshëm ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së shërbëtorëve të tu që ndiejnë kënaqësi kur kanë frikë prej emrit tënd.»​—Nehemia 1:11; Kolosianëve 4:2.

Megjithatë, meraku ynë për mirëqenien frymore dhe fizike të vëllezërve tanë të krishterë dhe për përparimin e adhurimit të vërtetë nuk ka të bëjë vetëm me ndjenjat. Ai na shtyn edhe që të veprojmë. Ata persona, të cilëve ua lejojnë rrethanat, nxiten nga dashuria që të lënë rehatinë relative të shtëpive të tyre dhe, shumë ngjashëm Nehemisë, të transferohen në vende të tjera për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Pa u stepur nga kushtet më pak të rehatshme të jetesës që mund të hasin në disa pjesë të botës, këta vullnetarë mbështetin përparimin e adhurimit të vërtetë atje, duke shërbyer krah për krah me vëllezërit e tyre të krishterë. Fryma e vetësakrifikimit që shfaqin është vërtetë për t’u lavdëruar.

Të bëjmë pjesën tonë në vendin ku banojmë

Në mënyrë të kuptueshme, shumica prej nesh nuk janë në gjendje të transferohen në një vend tjetër. Ne e mbështetim adhurimin e vërtetë në vendin ku banojmë. Kjo gjë ilustrohet edhe në librin e Nehemisë. Vini re hollësinë që shton Nehemia rreth disa familjeve besnike që morën pjesë në veprën rindërtuese. Ai shkroi: «Pranë tyre punonte për riparimet, përballë shtëpisë së tij, Jedajahu, bir i Harumafit . . . Mbas tyre Beniamini dhe Hashubi punuan për riparimet përballë shtëpisë së tyre. Mbas tyre Azaria, bir i Maasejahut, që ishte bir i Ananiahut, punoi për riparimet afër shtëpisë së tij.» (Nehemia 3:10, 23, 28-30) Ata burra dhe familjet e tyre kontribuan pa masë për të çuar përpara adhurimin e vërtetë duke bërë pjesën e tyre në veprën rindërtuese pranë shtëpisë së vet.

Sot, shumë prej nesh e mbështetim adhurimin e vërtetë në vendin ku banojmë në mënyra nga më të ndryshmet. Marrim pjesë në projektet për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, në përpjekjet për të lehtësuar dhimbjen e shkaktuar nga katastrofat dhe ç’është më e rëndësishmja, në veprën e predikimit të Mbretërisë. Përveç kësaj, jemi ose nuk jemi në gjendje të marrim pjesë personalisht në ndërtim ose në veprën e dhënies së ndihmës, të gjithë ne kemi një dëshirë të sinqertë që të mbështetim adhurimin e vërtetë me burimet tona materiale, ashtu si bëri me bujari Nehemia në ditët e tij.​—Shih kutinë «Karakteristika të dhënies vullnetare».

Të gjesh fondet e nevojshme për të financuar aktivitetet në rritje të shtypjes së literaturës, përpjekjet për të dhënë ndihmë në katastrofa dhe shumë shërbime të tjera që kryen rreth e rrotull globit, herë-herë mund të duket e vështirë. Sidoqoftë, sillni ndër mend se detyra e rindërtimit të murit të stërmadh të Jerusalemit dukej gjithashtu shumë e vështirë. (Nehemia 4:10) Megjithatë, puna u krye për shkak se detyra ishte ndarë midis shumë familjeve që u treguan të gatshme. Në mënyrë të ngjashme sot, gjetja e burimeve të konsiderueshme për të përmbushur veprimtaritë tona mbarëbotërore do të bëhet e mundur nëse secili prej nesh vazhdon të kujdeset për një pjesë të punës.

Kutia «Mënyrat që zgjedhin disa për të dhënë» tregon mënyra të ndryshme në të cilat mund të mbështetet financiarisht vepra e Mbretërisë. Gjatë vitit të kaluar, shumë veta brenda popullit të Perëndisë kanë dhënë një mbështetje të tillë dhe Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait dëshiron ta përdorë këtë mundësi për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që janë shtyrë nga zemra të marrin pjesë në këtë dhënie vullnetare. Mbi të gjitha, falënderojmë Jehovain për bekimin e pasur që ka derdhur mbi përpjekjet me gjithë zemër që bën populli i tij për të nxitur adhurimin e vërtetë në të gjithë botën. Po, kur meditojmë se si na ka drejtuar dora e Jehovait përgjatë viteve, nxitemi që t’u bëjmë jehonë fjalëve të Nehemisë, i cili me mirënjohje tha: «Dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua.»​—Nehemia 2:18.

[Shënimi]

^ par. 7 Nehemia 3:5 vëren se disa judenj të shquar, «fisnikët», nuk pranuan të merrnin pjesë në punë, por bënë përjashtim. Njerëz nga mjedise të ndryshme, priftërinj, argjendarë, parfumierë, princër e tregtarë, që të gjithë e mbështetën projektin.​—Vargjet 1, 8, 9, 32.

[Kutia dhe figurat në faqet 28, 29]

Mënyrat që zgjedhin disa për të dhënë

KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Shumë veta lënë mënjanë ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kutitë e kontributeve të quajtura «Kontribute për veprën mbarëbotërore​—Mateu 24:14».

Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këtë sasi parash ose selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait ose zyrës lokale të degës. Dhuratat vullnetare në para mund të dërgohen drejtpërdrejt në adresën: Treasurer’s Office, Watch Tower Bible and Tract Society of Pensilvania, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483, ose në zyrën e degës që shërben në vendin tuaj. Mund të dhurohen, gjithashtu, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara. Këto kontribute duhet të shoqërohen nga një letër e shkurtër që thotë se këto janë dhurata pa kusht.

RREGULLIMI PËR DHURIMET ME KUSHT

Paratë mund të dhurohen sipas një rregullimi të veçantë, sipas së cilit, nëse dhuruesi ka ndonjë nevojë personale, dhurata mund t’i kthehet. Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Thesarit në adresën e treguar më sipër.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve pa kusht dhe dhurimeve me kusht në para, ka edhe metoda të tjera dhënieje për të ndihmuar shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një police sigurimi për jetën ose i një plan pensioni.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitave ose llogaritë individuale të pensioneve mund t’i lihen në mirëbesim ose t’i bëhen të pagueshme, pas vdekjes, Shoqatës Watch Tower, sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Pronat e paluajtshme që mund të shiten, mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower ose duke bërë një dhuratë pa kusht, ose duke i rezervuar një pronë për jetën dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë aty gjatë jetës së tij ose të saj. Kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj, para se të kaloni një pronë të paluajtshme.

Dhurimi i të ardhurave vjetore: Një dhuratë vjetore është një rregullim ku dikush i transferon para ose sigurime Shoqatës Watch Tower. Si shkëmbim, dhuruesi ose dikush i përcaktuar nga dhuruesi, merr një pagesë të caktuar vjetore, për çdo vit të jetës. Dhuruesi merr një taksë mbi të ardhurat, e cila zbritet nga viti në të cilin është përcaktuar e ardhura vjetore.

Testamente dhe lënie në mirëbesim: Pronat ose paratë mund t’i lihen në trashëgimi Shoqatës Watch Tower me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një marrëveshje mirëbesimi në dobi të një organizate fetare mund të sjellë disa përfitime nga taksat.

Meqë përdoret termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë t’i sjellin dobi veprës mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies së planifikuar, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua si përgjigje ndaj shumë pyetjeve që erdhën lidhur me dhurimet, testamentet dhe lëniet në mirëbesim. Ajo përmban, gjithashtu, informacion të dobishëm shtesë lidhur me planifikimin për pronat, planifikimin financiar dhe për taksat. Ajo i informon individët për një shumëllojshmëri mënyrash në të cilat mund të bëhen dhurimet, qoftë tani, qoftë si një trashëgimi pas vdekjes. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje drejtpërdrejt Zyrës së Dhënies së Planifikuar.

Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me Zyrën e Dhënies së Planifikuar, shumë veta kanë qenë në gjendje t’i ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën dhe në të njëjtën kohë, të rritin përfitimet nga taksat. Zyra e Dhënies së Planifikuar duhet të informohet dhe të marrë një kopje të çdo dokumenti përkatës që ka të bëjë me këto rregullime. Nëse jeni të interesuar për këto rregullime të dhënies së planifikuar, duhet të kontaktoni Zyrën e Dhënies së Planifikuar, qoftë duke shkruar, qoftë me telefon, në adresën e treguar më poshtë ose në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin tuaj.

Charitable Planning Office

Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania

100 Watchtower Drive

Patterson, New York 12563-9204

Telefon: (1) (845) 306-0707

[Kutia në faqen 30]

Karakteristika të dhënies vullnetare

Në letrat e tij drejtuar korintasve, apostulli Pavël përmendi tri karakteristika domethënëse të dhënies vullnetare. (1) Kur shkroi për mbledhjen e parave, Pavli udhëzoi: «Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë diçka mënjanë në shtëpinë e vet.» (1 Korintasve 16:2a) Pra, dhënia duhet planifikuar që më përpara dhe duhet bërë në mënyrë të rregullt. (2) Pavli, gjithashtu, shkroi që çdo person duhet të japë «sipas të ardhurave të tij». (1 Korintasve 16:2b, Dio) Me fjalë të tjera, një individ që dëshiron të marrë pjesë në dhënien vullnetare mund ta bëjë këtë në raport të drejtë me atë që ka. Edhe kur një i krishterë fiton veçse pak, sasia e vogël që ai mund të kontribuojë çmohet nga Jehovai. (Luka 21:1-4) (3) Më tej Pavli shkroi: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet, jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Të krishterët e sinqertë japin nga zemra, me gëzim.

[Figurat në faqen 26]

Nehemia ishte një burrë me ndjenja dhe i veprimit

[Figurat në faqen 30]

Kontributet vullnetare përdoren për shtypjen e literaturës, për ndihmën në rast katastrofash, për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe për shërbime të tjera të dobishme përreth globit.