Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A është e gabuar të vëmë bast, në qoftë se bëhet fjalë vetëm për një shumë të vogël parash?
Fjala e Perëndisë nuk flet me hollësi për bixhozin, por ama thotë mjaft sa për të treguar se çdo lloj bixhozi është në kundërshtim me parimet e Biblës. * Për shembull, pranohet nga të gjithë se bixhozi nxit lakminë. Vetëm ky fakt mjafton si një arsye e rëndësishme për të krishterët, pasi Bibla thotë se ‘lakmitarët’ nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë dhe e klasifikon lakminë bashkë me idhujtarinë.—1 Korintasve 6:9, 10; Kolosianëve 3:5.
Bixhozi nxit edhe frymën e unit e një frymë jo të shëndetshme konkurrence, një dëshirë të fortë për të fituar. Apostulli Pavël paralajmëroi kundër këtyre gjërave kur shkroi: «Le të mos kemi frymën e unit, duke ngjallur konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur smirë njëri-tjetrin.» (Galatasve 5:26) Më tej, bixhozi nxit te disa veta një mbështetje besëtyte te fati i mirë. Ata që luajnë bixhoz zhvillojnë çdo lloj besëtytnie, duke shpresuar që t’u sjellin fat. Ata na kujtojnë izraelitët jobesnikë që ‘shtronin një tryezë për perëndinë e Fatit të Mirë dhe që mbushnin verë të përzier për perëndinë e Riskut’.—Isaia 65:11, BR.
Disa mund të arsyetojnë se të vësh baste me shuma të vogla parash kur luan në mënyrë miqësore një lojë me letra ose shah, tavllë a lojëra të ngjashme me këto, me të afërmit ose miqtë e ngushtë, është vetëm zbavitje e padëmshme. Vërtet, dikush që vë bast me shuma të vogla parash mund të mos e shohë veten si lakmitar, me frymë uni ose konkurrence a besëtyt. Megjithatë, çfarë ndikimi mund të ketë ky bixhoz tek ata me të cilët po luan? Shumë bixhozçinj që janë në varësi të bixhozit filluan duke vënë baste të vogla ‘vetëm për zbavitje’. (Luka 16:10) Një zbavitje në dukje e padëmshme doli se ishte diçka shumë më e rrezikshme në rastin e tyre.
Është veçanërisht kështu kur kemi të bëjmë me fëmijë. Shumë fëmijë kanë ndier entuziazmin e fitimit në një bast të vogël dhe janë tunduar të vazhdojnë me shuma më të mëdha. (1 Timoteut 6:10) Një studim afatgjatë, i botuar në Shtetet e Bashkuara nga një ent (Arizona Council on Compulsive Gambling), vërteton se shumë që janë të varur ndaj bixhozit filluan në moshë të hershme «duke vënë baste të vogla për ngjarje sportive ose kur luanin me letra me miqtë a të afërmit». Një raport tjetër thotë se «fëmijët fillojnë të luajnë bixhoz në shtëpi, zakonisht duke luajtur me letra me familjen dhe miqtë». Raporti shton se «tridhjetë për qind e fëmijëve të cilët luanin bixhoz e filluan këtë para se të mbushnin njëmbëdhjetë vjeç». Shumë bixhozçinj adoleshentë e financojnë këtë ves me krime ose imoralitet, sipas studimit Why Do People Gamble Too Much—Pathological and Problem Gambling (Përse njerëzit luajnë kaq shumë bixhoz: Bixhozi patologjik dhe me probleme). Ç’pasoja tragjike nga diçka që në fillim mund të jetë dukur e padëmshme!
Meqë po jetojmë në një botë që tashmë ka shumë kurthe dhe tundime, pse ta vëmë veten në rrezik ndaj një kurthi tjetër pa qenë nevoja? (Fjalët e urta 27:12) Bixhozi, janë ose jo të pranishëm fëmijët, si për shuma të vogla a të mëdha, vë në rrezik gjendjen frymore dhe duhet shmangur. Të krishterët që e kanë qejf lojën me letra ose shahun, tavllën, a lojërat e ngjashme me këto si zbavitje, duhen këshilluar që më mirë të mbajnë një tabelë ku të shënojnë me laps rezultatet ose të luajnë vetëm për t’u zbavitur, pa i mbajtur shënim ato. Të krishterët e mençur që kujdesen për gjendjen e tyre frymore, si dhe për atë të miqve e të familjes, e shmangin praktikën e bixhozit, qoftë edhe për shuma të vogla parash.
[Shënimi]
^ par. 3 Një enciklopedi, World Book Encyclopedia e përkufizon bixhozin si «të vësh bast për rezultatin e një loje, ngjarjeje ose ndodhie të rastit». Më tej thotë se «ata që luajnë bixhoz në përgjithësi vënë baste me para në . . . lojëra të fatit të tilla, si: lotaritë, lojërat me letra dhe me zare».