Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sallat e Mbretërisë janë të hapura për këdo

Sallat e Mbretërisë janë të hapura për këdo

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Sallat e Mbretërisë janë të hapura për këdo

NDËRSA i stërviste dishepujt e tij për shërbimin publik, Jezu Krishti i inkurajoi ‘të predikonin nga tarracat’. (Mateu 10:27) Vërtet, ata do ta kryenin shërbimin e tyre të krishterë haptazi, në sytë e të gjithëve. Duke pasqyruar frymën e kësaj këshille, veprimtaria e Dëshmitarëve të Jehovait kryhet po ashtu haptazi. Kjo gjë ka bërë të mundur që Dëshmitarët të mposhtin kundërshtimin dhe të shihen në mënyrë pozitive.

Edhe pse mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait janë të hapura për të gjithë njerëzit, paragjykimet i bëjnë disa njerëz të ngurrojnë për të hyrë në një Sallë Mbretërie. Kështu ka ndodhur në Finlandë. Të tjerët janë thjesht të ndrojtur për të shkuar në vende ku nuk kanë shkuar ndonjëherë. Kur ndërtohet një Sallë e re Mbretërie ose kur rinovohet një e mëparshme, zakonisht organizohet një pritje, në të cilën mund të marrin pjesë të gjithë ata që janë të interesuar. Një përpjekje e veçantë mund të bëhet që të ftohen fqinjët për të vizituar Sallën e Mbretërisë dhe për t’u njohur me veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait.

Në një vend, Dëshmitarët organizuan një fushatë me revista në të njëjtën ditë që kishin edhe një rast të tillë në Sallën e tyre të re të Mbretërisë. Dy Dëshmitarë takuan një burrë të moshuar, i cili u tha se i pëlqente të lexonte revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Vëllezërit i treguan për aktivitetin që do të kishin në Sallën e Mbretërisë dhe madje u treguan të gatshëm ta shoqëronin për në Sallë. Burri u shpreh se do të ishte i lumtur që të shkonte me ta. Gruaja e tij, pasi e kishte dëgjuar bisedën, thirri: «Mos ik pa mua!»

Kur po hynte në Sallën e Mbretërisë burri pa përreth dhe tha: «Këtu s’qenka fare errët! Ua! Sa bukur qenka dhe është e ndriçuar mirë! Më kishin thënë se Salla e Mbretërisë do të ishte e errët.» Të dy kaluan mjaft kohë atje dhe kërkuan ca nga literatura që ishte ekspozuar.

Një kongregacion dëshironte të njoftonte në gazetën lokale se me rastin e kushtimit të një Salle të re Mbretërie kushdo që donte mund të vinte për ta vizituar. Sapo mori vesh për këtë ngjarje, drejtuesja e gazetës propozoi që të shkruhej një artikull. Vëllezërit pranuan dhe pas një kohe të shkurtër, në gazetë doli një artikull lavdërues gjysmë faqe, që jepte një reportazh për këtë rast dhe përshkruante veprimtaritë e kongregacionit lokal të Dëshmitarëve të Jehovait.

Pas botimit të artikullit, një Dëshmitare e moshuar takoi një fqinjën e vet e cila i tha: «Kishte një artikull të mrekullueshëm rreth Dëshmitarëve të Jehovait sot në gazetë!» Motra pati rastin për t’i dhënë dëshmi dhe më vonë i dha broshurën Dëshmitarët e Jehovait në shekullin e njëzetë.

Përveç faktit që janë qartësuar disa paragjykime rreth Dëshmitarëve të Jehovait, rregullime të tilla si ato të përmendura më lart dhe programet e kushtimit të Sallave të reja të Mbretërisë, kanë nxitur lajmëtarët për të ftuar më shumë njerëz që të ndjekin mbledhjet. Vërtet, në shumë vende, duke përfshirë Finlandën, njerëzit kanë mësuar se Sallat Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait janë të hapura për këdo.