Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të krishterë asnjanës në ditët e fundit

Të krishterë asnjanës në ditët e fundit

Të krishterë asnjanës në ditët e fundit

«Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»​—GJONI 17:16.

1, 2. Çfarë tha Jezui për marrëdhënien që do të kishin ithtarët e tij me botën dhe cilat pyetje ngrenë fjalët e tij?

NATËN e fundit të jetës si njeri i përsosur, Jezui bëri një lutje të gjatë në prani të dishepujve të tij. Gjatë lutjes, tha diçka që përshkruan jetën e të gjithë të krishterëve të vërtetë. Duke folur për ithtarët e tij, tha: «U kam dhënë atyre fjalën tënde, por bota i ka urryer, sepse nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës. Të kërkoj, jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»​—Gjoni 17:14-16.

2 Dy herë me radhë Jezui tha se ithtarët e tij nuk do të ishin pjesë e botës. Për më tepër, ky fakt do të çonte në tensione, pra bota do t’i urrente ata. Megjithatë, të krishterët nuk do të kishin pse të tmerroheshin, pasi Jehovai do t’i ruante. (Fjalët e urta [Proverbat] 18:10; Mateu 24:9, 13) Duke pasur parasysh fjalët e Jezuit, mund të pyesim: ‘Pse të krishterët e vërtetë nuk janë pjesë e botës? Çfarë do të thotë të mos jesh pjesë e botës? Në qoftë se bota i urren të krishterët, si e shohin ata botën? Në veçanti, si i shohin qeveritë e botës?’ Përgjigjet biblike për këto pyetje janë të rëndësishme, sepse ndikojnë te të gjithë ne.

«Jemi nga Perëndia»

3. (a) Çfarë na bën të ndarë nga bota? (b) Çfarë dëshmie ka se bota është «nën pushtetin e të ligut»?

3 Marrëdhënia e ngushtë që kemi me Jehovain është një arsye pse nuk jemi pjesë e botës. Apostulli Gjon shkroi: «Ne e dimë se jemi nga Perëndia, por e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Fjalët e Gjonit lidhur me botën janë qartësisht të vërteta. Luftërat, krimi, mizoria, shtypja, pandershmëria dhe imoraliteti, që janë kaq të përhapura sot, japin dëshmi për ndikimin e Satanait, jo të Perëndisë. (Gjoni 12:31; 2 Korintasve 4:4; Efesianëve 6:12) Kur një njeri bëhet Dëshmitar i Jehovait, nuk i praktikon e nuk i miraton këto praktika të gabuara dhe kjo e bën të mos jetë pjesë e botës.​—Romakëve 12:2; 13:12-14; 1 Korintasve 6:9-11; 1 Gjonit 3:10-12.

4. Në cilat mënyra e tregojmë se i përkasim Jehovait?

4 Gjoni tha se ndryshe nga bota, të krishterët ‘janë nga Perëndia’. Të gjithë ata që i kushtohen Jehovait i përkasin atij. Apostulli Pavël tha: «Edhe nëse jetojmë, jetojmë për Jehovain, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain. Pra, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait.» (Romakëve 14:8; Psalmi 116:15) Duke qenë se i përkasim Jehovait, i japim atij përkushtim të veçantë. (Eksodi [Dalja] 20:4-6) Prandaj, një i krishterë i vërtetë nuk ia kushton jetën e tij ndonjë kauze në botë. Po ashtu, ndonëse i respekton emblemat kombëtare, ai nuk i adhuron ato, as me veprime e as në zemrën e tij. Natyrisht që nuk adhuron yje sporti ose idhuj të tjerë modernë. Patjetër, e respekton të drejtën e të tjerëve për të bërë si të dëshirojnë, por ai vetë adhuron vetëm Krijuesin. (Mateu 4:10; Zbulesa 19:10) Edhe kjo e bën të ndarë nga bota.

«Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote»

5, 6. Në ç’mënyrë nënshtrimi ndaj Mbretërisë së Perëndisë na bën të ndarë nga bota?

5 Të krishterët janë ithtarë të Krishtit Jezu dhe nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë e kjo i bën po ashtu të mos jenë pjesë e botës. Kur Jezui ishte duke u gjykuar para Ponc Pilatit, i tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të kishin luftuar që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është prej këtej.» (Gjoni 18:36) Mbretëria është mjeti me të cilin do të shenjtërohet emri i Jehovait, do të shfajësohet sovraniteti i tij dhe do të bëhet vullneti i tij në tokë, si në qiell. (Mateu 6:9, 10) Gjatë gjithë shërbimit, Jezui e predikoi lajmin e mirë të Mbretërisë dhe tha se ky lajm do të shpallej nga ithtarët e tij deri në fund të sistemit. (Mateu 4:23; 24:14) Në vitin 1914 u përmbushën fjalët profetike të Zbulesës 11:15, ku thuhet: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij dhe ai do të sundojë si mbret në jetë të jetëve.» Shumë shpejt, kjo Mbretëri qiellore do të jetë e vetmja fuqi sunduese mbi njerëzimin. (Danieli 2:44) Në një të ardhme, edhe sundimtarët botërorë do të jenë të detyruar ta pranojnë autoritetin e kësaj mbretërie.​—Psalmi 2:6-12.

6 Duke pasur gjithë këtë në mendje, të krishterët e vërtetë sot janë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë dhe ndjekin këshillën e Jezuit ‘duke vazhduar të kërkojnë më parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’. (Mateu 6:33) Kjo nuk i bën jobesnikë ndaj vendit në të cilin jetojnë, por i bën të ndarë frymësisht nga bota. Detyra kryesore e të krishterëve sot, ashtu siç ishte në shekullin e parë, është ‘të japin dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë’. (Veprat 28:23) Asnjë qeveri njerëzore nuk ka të drejtën ta pengojë këtë vepër të caktuar nga Perëndia.

7. Përse të krishterët e vërtetë janë asnjanës dhe si e kanë treguar këtë?

7 Në harmoni me faktin që i përkasin Jehovait dhe janë ithtarë të Jezuit e nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait kanë qëndruar asnjanës në konfliktet kombëtare e ndërkombëtare të shekullit të 20-të e të 21-të. Nuk kanë mbajtur anën e askujt, nuk kanë marrë armë kundër askujt dhe nuk kanë përhapur propagandë për asnjë kauzë të botës. Duke shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme besimin përballë kundërshtimit në dukje mbytës, ata kanë ndjekur parimet që u thanë sundimtarëve nazistë të Gjermanisë në vitin 1934: «Nuk kemi asnjë interes në çështjet politike, por i jemi kushtuar tërësisht mbretërisë së Perëndisë nën Krishtin si Mbret. Nuk do t’i shkaktojmë dëm askujt. Do të na pëlqente shumë të banonim në paqe dhe t’u bënim mirë të gjithë njerëzve, për aq sa kemi mundësi.»

Ambasadorë dhe të dërguar për Krishtin

8, 9. Në cilën mënyrë Dëshmitarët e Jehovait sot janë ambasadorë dhe të dërguar e si ndikon kjo në marrëdhëniet e tyre me kombet?

8 Pavli e përshkroi veten e tij dhe të bashkëkrishterët e mirosur si «ambasadorë në vend të Krishtit, sikur Perëndia të ishte duke u përgjëruar nëpërmjet nesh». (2 Korintasve 5:20; Efesianëve 6:20) Që nga viti 1914, të krishterët e mirosur nga fryma mund të quhen në mënyrë të përshtatshme ambasadorë për Mbretërinë e Perëndisë, ‘bij’ të së cilës janë. (Mateu 13:38; Filipianëve 3:20; Zbulesa 5:9, 10) Më tej, Jehovai ka nxjerrë nga kombet ‘një shumicë të madhe’ nga ‘delet e tjera’, të krishterë me shpresë tokësore, për të mbështetur bijtë e mirosur në veprën e tyre si ambasadorë. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Këto «dele të tjera» mund të quhen «të dërguar» të Mbretërisë së Perëndisë.

9 Një ambasador dhe personeli i tij nuk përzihen me çështjet e vendit ku shërbejnë. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët janë asnjanës në çështjet politike të kombeve të botës. Ata nuk marrin anën e asnjë grupi kombëtar, racial, shoqëror ose ekonomik. (Veprat 10:34, 35) Përkundrazi, ‘bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’. (Galatasve 6:10) Asnjanësia e Dëshmitarëve të Jehovait nënkupton se askush nuk mund ta hedhë poshtë me të drejtë mesazhin e tyre duke thënë se shoqërohen me palën kundërshtare të ndonjë grupimi racial, kombëtar ose fisnor.

Identifikohen nga dashuria

10. Sa e rëndësishme është dashuria për një të krishterë?

10 Përveç atyre që u thanë më lart, të krishterët janë asnjanës në çështjet e botës për shkak të marrëdhënieve të tyre me të krishterët e tjerë. Jezui u tha ithtarëve të tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Dashuria vëllazërore është një faktor kyç për të qenë i krishterë. (1 Gjonit 3:14) Marrëdhënia që ka një i krishterë me të krishterët e tjerë, është e lidhur ngushtë me marrëdhënien që ai ka me Jehovain e me Jezuin. Dashuria e tij nuk kufizohet vetëm tek ata që janë në kongregacionin e tij. Ajo përfshin «gjithë vëllazërinë [e tij] nëpër botë».​—1 Pjetrit 5:9.

11. Si ndikon në sjelljen e Dëshmitarëve të Jehovait dashuria që kanë për njëri-tjetrin?

11 Sot Dëshmitarët e Jehovait e tregojnë dashurinë e tyre vëllazërore duke përmbushur fjalët e Isaisë 2:4, ku thuhet: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» Të mësuar nga Jehovai, të krishterët e vërtetë janë në paqe me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. (Isaia 54:13) Duke qenë se e duan Perëndinë dhe vëllezërit e tyre, për ta do të ishte e pamendueshme të merrnin armët kundër të bashkëkrishterëve ose kujtdo tjetër në vende të tjera. Paqja dhe uniteti i tyre është pjesë thelbësore e adhurimit që bëjnë, një tregues se kanë vërtet frymën e Perëndisë. (Psalmi 133:1; Mikea 2:12; Mateu 22:37-39; Kolosianëve 3:14) Ata ‘përpiqen të gjejnë paqen dhe ta ndjekin atë’, duke e ditur se «sytë e Jehovait janë ndaj të drejtëve».​—Psalmi 34:14, 15, BR.

Si e shohin të krishterët botën?

12. Cilin qëndrim të Jehovait ndaj njerëzve në botë imitojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe si e bëjnë këtë?

12 Jehovai ka shpallur një gjykim të pafavorshëm mbi këtë botë, por nuk i ka gjykuar ende të gjithë individët që janë në botë. Këtë do ta bëjë me anë të Jezuit dhe në kohën e duhur sipas Tij. (Psalmi 67:3, 4; Mateu 25:31-46; 2 Pjetrit 3:10) Ndërkohë, ai tregon shumë dashuri ndaj njerëzimit. Madje dha Birin e tij të vetëmlindur, në mënyrë që kushdo të ketë mundësi të marrë jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Si të krishterë, ne e imitojmë dashurinë e Perëndisë duke u folur të tjerëve për masat që ka marrë Perëndia për shpëtim, edhe pse shpesh përpjekjet tona për ta bërë këtë hidhen poshtë.

13. Si duhet t’i shohim sundimtarët në botë?

13 Si duhet t’i shohim sundimtarët në botë? Pavli iu përgjigj kësaj pyetjeje kur shkroi: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia; autoritetet ekzistuese janë vendosur në pozitat e tyre relative nga Perëndia.» (Romakëve 13:1, 2) Njerëzit kanë pozita «relative» autoriteti, (më të madh ose më të vogël ndaj njëri-tjetrit, por gjithnjë më të ulët se Jehovai) sepse i Plotfuqishmi i lejon që t’i kenë këto pozita. Një i krishterë i nënshtrohet autoritetit në botë, sepse ky është një aspekt i bindjes së tij ndaj Jehovait. Por, ç’të themi në qoftë se krijohet një konflikt ndërmjet kërkesave të Perëndisë dhe atyre të një qeverie njerëzore?

Ligji i Perëndisë dhe ai i Cezarit

14, 15. (a) Në ç’mënyrë Danieli pati mundësi të shmangte një konflikt për sa i përket bindjes? (b) Cilin qëndrim morën tre hebrenjtë kur nuk mund të shmangej dot konflikti në çështjen e bindjes?

14 Danieli dhe tre shokët e tij sigurojnë një shembull të shkëlqyer se si ta ekuilibrojmë nënshtrimin ndaj qeverive njerëzore me nënshtrimin ndaj autoritetit të Perëndisë. Kur katër të rinjtë hebrenj u gjendën në mërgim në Babiloni, iu bindën ligjeve të vendit dhe shumë shpejt u zgjodhën për të marrë stërvitje të veçantë. Duke e kuptuar se stërvitja kishte të ngjarë të çonte në një konflikt me Ligjin e Jehovait, Danieli e diskutoi çështjen me zyrtarin që ishte përgjegjës. Për pasojë, u morën masa të veçanta për të respektuar ndërgjegjen e katër hebrenjve. (Danieli 1:8-17) Dëshmitarët e Jehovait ndjekin shembullin e Danielit kur u shpjegojnë me takt pozitën e tyre zyrtarëve, me qëllim që të shmangin problemet e panevojshme.

15 Mirëpo, në një rast më vonë lindi një konflikt për sa i përket nënshtrimit, konflikt që nuk mund të shmangej. Mbreti babilonas ngriti një idhull të madh në rrafshinën e Durës dhe i urdhëroi zyrtarët e lartë, duke përfshirë edhe administratorët e provincave, që të mblidheshin për përurimin e tij. Në këtë kohë, tre miqtë e Danielit ishin caktuar administratorë të provincës së Babilonisë, prandaj urdhri zbatohej edhe për ta. Në njëfarë pike gjatë kësaj ngjarjeje, të gjithë ata që ishin mbledhur duhej të përkuleshin para shëmbëlltyrës. Por hebrenjtë e dinin se kjo do të ishte kundër ligjit të Perëndisë. (Ligji i përtërirë 5:8-10) Prandaj, kur gjithë të tjerët u përkulën, ata qëndruan në këmbë. Duke mos iu bindur urdhrit të mbretit rrezikuan të vdisnin në mënyrë të tmerrshme dhe jeta e tyre shpëtoi vetëm me anë të një mrekullie. Por ata zgjodhën më mirë të rrezikonin të vdisnin, sesa të mos i bindeshin Jehovait.​—Danieli 2:49–3:29.

16, 17. Si u përgjigjën apostujt kur iu dha urdhri të mos predikonin më, dhe përse u përgjigjën ashtu?

16 Në shekullin e parë, apostujt e Jezu Krishtit u thirrën para udhëheqësve judenj në Jerusalem dhe iu urdhërua të mos predikonin në emër të Jezuit. Si reaguan ata? Jezui u kishte caktuar detyrën të bënin dishepuj nga të gjitha kombet e kjo do të përfshinte Judenë. U kishte thënë edhe se do të ishin dëshmitarët e tij në Jerusalem dhe në pjesën tjetër të botës. (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Apostujt e dinin se urdhrat e Jezuit përfaqësonin vullnetin e Perëndisë për ta. (Gjoni 5:30; 8:28) Prandaj, ata thanë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»​—Veprat 4:19, 20; 5:29.

17 Apostujt nuk po tregoheshin rebelë. (Fjalët e urta 24:21) Megjithatë, kur sundimtarët njerëzorë i ndaluan të bënin vullnetin e Perëndisë, ata mundën të thoshin vetëm ‘duhet t’i bindemi Perëndisë, jo njerëzve’. Jezui tha se duhet ‘t’i paguajmë Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë’. (Marku 12:17) Në qoftë se shkelim një urdhër hyjnor, sepse një njeri na thotë ta bëjmë këtë, po i japim njerëzve atë që i përket Perëndisë. Në vend të kësaj, ne i paguajmë çdo gjë që i përket Cezarit, por pranojmë autoritetin suprem të Jehovait. Ai është Sovrani Universal, Krijuesi, vetë Burimi i autoritetit.​—Zbulesa 4:11.

Do të qëndrojmë të palëkundur

18, 19. Cilin qëndrim të shkëlqyer kanë marrë shumë nga vëllezërit tanë dhe si mund ta ndjekim shembullin e tyre?

18 Tani për tani, shumica e qeverive në botë e pranojnë qëndrimin asnjanës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe për këtë jemi mirënjohës. Por në disa vende Dëshmitarët e Jehovait kanë hasur kundërshtim të ashpër. Gjatë gjithë shekullit të 20-të dhe duke vazhduar deri më sot, disa vëllezër e motra kanë luftuar me forcë, në kuptimin frymor duke luftuar «luftën e shkëlqyer të besimit».​—1 Timoteut 6:12.

19 Si mund të qëndrojmë të palëkundur si ata? Së pari, mbajmë parasysh se duhet ta presim kundërshtimin. Nuk duhet të tronditemi ose të habitemi kur hasim kundërshtim. Pavli e paralajmëroi Timoteun: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:12; 1 Pjetrit 4:12) Në një botë ku mbretëron ndikimi i Satanait, si mund të mendojmë që nuk duhet të hasim kundërshtim? (Zbulesa 12:17) Për sa kohë të jemi besimplotë, do të ketë gjithnjë ndonjë person që ‘i vjen çudi dhe vazhdon të na shajë’.​—1 Pjetrit 4:4.

20. Për cilat të vërteta forcuese rikujtohemi?

20 Së dyti, jemi të bindur se Jehovai dhe engjëjt e tij do të na mbështetin. Siç tha Eliseu i lashtësisë, «ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». (2 Mbretërve 6:16; Psalmi 34:7) Ndoshta Jehovai, për një qëllim të mirë, lejon që presioni nga kundërshtarët të vazhdojë për njëfarë kohe. Megjithatë, do të na japë gjithnjë forcën e nevojshme për të qëndruar. (Isaia 41:9, 10) Disa kanë dhënë edhe jetën, por kjo nuk na tmerron. Jezui tha: «Mos u frikësoni prej atyre që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin; por më tepër kini frikë prej atij që mund të shkatërrojë si shpirtin dhe trupin në Gehenë.» (Mateu 10:16-23, 28) Në këtë sistem jemi vetëm «banorë të përkohshëm». Kohën që kemi në të e përdorim për ‘të rrokur jetën e vërtetë’, jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë. (1 Pjetrit 2:11; 1 Timoteut 6:19) Asnjë njeri nuk mund të na e heqë këtë shpërblim, për sa kohë që mbetemi besnikë ndaj Perëndisë.

21. Çfarë duhet të mbajmë gjithnjë në mend?

21 Prandaj, le të mbajmë mend marrëdhënien e privilegjuar që kemi me Perëndinë Jehova. Ta çmojmë gjithnjë bekimin për të qenë ithtarë të Krishtit dhe nënshtetas të Mbretërisë. T’i duam me gjithë zemër vëllezërit tanë dhe të kënaqemi gjithnjë nga dashuria që marrim prej tyre. Mbi të gjitha, le t’ua vëmë veshin fjalëve të psalmistit: «Shpreso te Jehovai; ji i guximshëm dhe zemra jote le të jetë e fortë. Po, shpreso te Jehovai.» (Psalmi 27:14, BR; Isaia 54:17) Atëherë, ashtu si shumë e shumë të krishterë para nesh, me shpresën tonë të sigurt do të qëndrojmë të palëkundur: të krishterë besimplotë asnjanës që nuk janë pjesë e botës.

A mund të shpjegoni?

• Si na bën të ndarë nga kjo botë marrëdhënia jonë me Jehovain?

• Si mbajmë qëndrim asnjanës në këtë botë, duke qenë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë?

• Në ç’mënyrë dashuria për vëllezërit na mban asnjanës, të ndarë nga bota?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Si ndikon nënshtrimi ndaj Mbretërisë së Perëndisë në marrëdhënien që kemi me botën?

[Figura në faqen 16]

Një hutu dhe një tutsi që punojnë të lumtur së bashku

[Figura në faqen 17]

Vëllezër të krishterë, hebrenj dhe arabë

[Figura në faqen 17]

Të krishterë serbë, boshnjakë dhe kroatë gëzojnë shoqërinë e njëri-tjetrit

[Figura në faqen 18]

Cili është drejtimi i duhur që duhet të ndjekim kur sundimtarët na urdhërojnë të thyejmë ligjin e Perëndisë?