«Kulloteni kopenë e Perëndisë»
«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»
«Kulloteni kopenë e Perëndisë»
«Jeni gjithmonë pranë për të na dëgjuar dhe për të na thënë fjalë nga Bibla që na japin zemër.»—Pamela.
«Faleminderit për gjithçka që bëni për ne. Është me të vërtetë e rëndësishme.»—Roberti.
PAMELA dhe Roberti u nxitën t’u shkruanin këto fjalë çmueshmërie pleqve të krishterë të kongregacioneve përkatëse. Edhe shërbëtorë të tjerë të Perëndisë në mbarë botën janë mirënjohës për mbështetjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që marrin nga ata që ‘kullotin kopenë e Perëndisë’. (1 Pjetrit 5:2) Vërtet, populli i Jehovait është mirënjohës për gjërat e shumta që bëjnë pleqtë për dobinë e tyre dhe për mënyrën se si i bëjnë këto gjëra.
‘Kanë shumë për të bërë’
Pleqve të krishterë u janë besuar shumë përgjegjësi. (Luka 12:48) Ata përgatitin fjalime për mbledhjet e kongregacionit dhe marrin pjesë duke predikuar publikisht lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Në detyrat e tyre përfshihen vizitat baritore te bashkëbesimtarët. Pleqtë u kushtojnë kohë atyre që kanë nevojë për vëmendje të veçantë, të moshuarve dhe të tjerëve, pa lënë pas dore mirëqenien frymore dhe materiale të familjeve të tyre. (Jobi 29:12-15; 1 Timoteut 3:4, 5; 5:8) Disa pleq ndihmojnë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Të tjerë shërbejnë në Komitetet e Lidhjes me Spitalet ose janë pjesëtarë të Grupeve që Vizitojnë Pacientët. Po ashtu, shumë prej tyre kryejnë punë vullnetare në asamble dhe në kongrese. Po, pleqtë kanë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Korintasve 15:58) Nuk është për t’u çuditur që këta pleq të papërtuar çmohen shumë nga ata që janë nën kujdesin e tyre.—1 Selanikasve 5:12, 13.
Pleqtë, të cilët i vizitojnë rregullisht të bashkëkrishterët në shtëpitë e tyre ose diku tjetër për t’i forcuar frymësisht, janë burim inkurajimi. «Nëse nuk do të ishte mbështetja dhe inkurajimi i dashur i pleqve,—tha Tomasi, i cili u rrit në një shtëpi pa baba,—nuk mendoj se sot do të isha duke i shërbyer Jehovait si një shërbëtor në kohë të plotë.» Shumë të rinj, të rritur në familje me një prind, pranojnë se vëmendja që iu tregua nga pleqtë i ndihmoi të zhvillojnë një marrëdhënie personale me Perëndinë.
Vizitat baritore vlerësohen shumë edhe nga të moshuarit në kongregacion. Një çift misionarësh në mes të 80-ave, pas vizitës që u bënë dy pleq,
shkruan: «Duam të shprehim çmueshmërinë për vizitën tuaj shumë të mirëpritur. Pasi ikët, lexuam përsëri shkrimet që shqyrtuat me ne. Nuk do t’i harrojmë kurrë fjalët tuaja inkurajuese.» Një vejushë 70-vjeçare u shkroi pleqve: «I isha lutur Jehovait për ndihmë dhe ai më dërgoi në shtëpi ju të dy, o vëllezër. Vizita juaj ishte një bekim nga Jehovai!» A keni nxjerrë dobi kohët e fundit nga ndonjë vizitë që ju kanë bërë pleqtë e kongregacionit? Sigurisht, të gjithë i çmojmë përpjekjet e tyre për të kullotur kopenë që kanë nën kujdes.Barinj që imitojnë Perëndinë dhe Krishtin
Jehovai është një bari i dashur. (Psalmi 23:1-4; Jeremia 31:10; 1 Pjetrit 2:25) Edhe Jezu Krishti është një Bari frymor i jashtëzakonshëm. Në të vërtetë, ai quhet «bariu i shkëlqyer», ‘bariu i madh’ dhe «kryebariu». (Gjoni 10:11; Hebrenjve 13:20; 1 Pjetrit 5:4) Në ç’mënyrë i trajtoi Jezui ata që dëshironin të bëheshin dishepuj të tij? Ai u bëri ftesën e ngrohtë: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj.»—Mateu 11:28.
Pleqtë sot, në mënyrë të ngjashme përpiqen të jenë burim freskimi dhe mbrojtjeje për kopenë. Këta burra ‘janë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur’. (Isaia 32:2) Këta mbrojtës dashamirës sjellin freskim, fitojnë respektin e kopesë dhe marrin miratimin e Jehovait.—Filipianëve 2:29; 1 Timoteut 5:17.
Mbështetje të vlefshme nga gratë e tyre
Populli i Jehovait është mirënjohës për pleqtë e krishterë dhe për mbështetjen e dashur që këta burra marrin nga gratë e tyre. Për t’i mbështetur burrat, nga këto gra shpesh kërkohen sakrifica. Ndonjëherë, ato janë në shtëpi, kurse burrat e tyre po kujdesen për gjërat e kongregacionit ose po bëjnë vizita baritore. Ndonjëherë, planet personale të bëra me kujdes lihen mënjanë, për shkak se lind ndonjë problem urgjent në kongregacion. «Megjithatë,—thotë Mishela,—kur e shoh sa i zënë është im shoq me përgatitjen për mbledhjet ose me bërjen e vizitave baritore, mbaj në mendje se po punon për Jehovain dhe përpiqem ta mbështes sa më shumë të mundem.»
Sherla, edhe kjo e martuar me një plak, pohoi: «E di se vëllezërit dhe motrat në kongregacion kanë nevojë të flasin me pleqtë dhe dua që ta ndiejnë se mund të vijnë tek im shoq sa herë që kanë nevojë për të.» Gratë që i mbështetin si Mishela dhe Sherla burrat e tyre bëjnë me gatishmëri sakrifica në mënyrë që burrat e tyre të kujdesen për delet e Perëndisë. Gratë e pleqve janë të çmuara për frymën e mbështetjes ndaj burrave të tyre.
Gjithsesi, një plak i zënë nuk duhet t’i lërë pas dore nevojat frymore dhe nevojat e tjera të gruas e të fëmijëve. Një plak i martuar duhet të jetë ‘i lirë nga akuza, burrë i një gruaje të vetme, që ka fëmijë besimtarë, të paakuzuar si të shfrenuar ose të pashtruar’. (Titit 1:6) Ai duhet të kujdeset për familjen sipas asaj mënyre hyjnore që kërkohet nga Shkrimet për mbikëqyrësit e krishterë.—1 Timoteut 3:1-7.
Për një plak që është i zënë, një grua që e mbështet ka shumë vlerë. Kështu mendojnë pleqtë e kujdesshëm. Është pikërisht siç thuhet në Bibël: «A ka gjetur njeriu një grua të mirë? Ka gjetur një gjë të mirë.» (Fjalët e urta 18:22, BR) Me fjalë dhe me vepra, këta pleq u tregojnë grave të tyre çmueshmëri të përzemërt. Përveç lutjeve të zjarrta dhe studimit të këndshëm së bashku, këto çifte të krishtere lënë kohë mënjanë për të gëzuar gjëra të tilla, si: një shëtitje në plazh, një ekskursion në pyll ose një shëtitje në park. Po, pleqtë provojnë gëzim kur u tregojnë grave të tyre kujdes të dashur.—1 Pjetrit 3:7.
Pleqtë që në mënyrë altruiste kullotin kopenë e Perëndisë janë burim freskimi frymor për popullin e Jehovait. Ata janë vërtet «dhurata [në] njerëz», një bekim për kongregacionin!—Efesianëve 4:8, 11-13.