Përpjekje që nxitin norma të mira morale
Përpjekje që nxitin norma të mira morale
Nga fundi i vitit 2001, ata që po dëgjonin radion kombëtare të Mozambikut, dëgjuan këtë njoftim:
«Presidenti i Republikës vizitoi ndërtesat e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Maputo. Ai e inkurajoi këtë kongregacion fetar që të shtonte përpjekjet për nxitjen e normave të mira morale brenda familjeve dhe në arsimimin e të rriturve me anë të programeve për të mësuar shkrim e lexim. Nga këto programe kanë përfituar tashmë rreth 10.000 njerëz. Sipas presidentit Shisano, nisma të tilla janë për t’u lavdëruar, sepse janë një kontribut i vlefshëm për shoqërinë në zgjidhjen e problemeve të arsimimit, të cilat hasen ende në këtë vend.»
Njoftimi vazhdoi me fragmentin vijues të regjistruar nga fjalimi i presidentit: «Për ne është mjaft inkurajuese të shohim interesimin e shumë njerëzve për të mësuar shkrim e lexim. Kjo tregon se qytetarët e thjeshtë do të na ndihmojnë të ulim përqindjen e analfabetizmit. Prandaj, do të dëshiroja vetëm t’i inkurajoja Dëshmitarët e Jehovait që t’i bënin më intensive programet për të mësuar shkrim e lexim, në çfarëdo gjuhe. Ajo që është vërtet e rëndësishme, është të ketë njerëz që dinë shkrim e lexim dhe që të komunikojnë më lehtë e në të ardhmen të kenë një pjesëmarrje më të madhe në fushën e arsimimit.»
Dëshmitarët e Jehovait në Mozambik mbajnë kurse për të mësuar shkrim e lexim në 850 vende në mbarë kombin, në mënyrë që njerëzit ta lexojnë vetë Fjalën e Perëndisë. Veç kësaj, çdo javë drejtojnë rreth 50.000 studime biblike në shtëpi pa pagesë. E gjithë kjo është pjesë e një programi mbarëbotëror arsimimi biblik, i cili tani shtrihet në 235 vende. (Mateu 24:14) Edhe ju mund të përfitoni nga ky program. Ju lutemi të ndiheni të lirë të kontaktoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.