Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A jemi gjithmonë të detyruar t’i mbajmë zotimet ndaj Perëndisë?
Sipas Shkrimeve, një zotim është një premtim solemn ndaj Perëndisë për të kryer një veprim, për të bërë një ofertë, për të filluar një shërbim a për të pranuar një përgjegjësi ose për t’u përmbajtur nga disa gjëra që në vetvete nuk janë të paligjshme. Bibla përmban tregime ku flitet për zotime që ishin të kushtëzuara, sepse ato përfshinin premtimin për ta mbajtur fjalën e dhënë nëse Perëndia bënte i pari diçka. Për shembull, Hana, e ëma e profetit Samuel, «lidhi një kusht [u zotua, BR], duke thënë: ‘O Zot i ushtrive, nëse . . . nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t’i japësh shërbëtores sate një fëmije mashkull, unë do t’ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës se tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij.’ » (1 Samuelit 1:11) Gjithashtu, Bibla tregon se zotimet janë të vullnetshme. Sa të detyruar jemi për t’i mbajtur zotimet ndaj Perëndisë?
«Kur i ke bërë një zotim Perëndisë,—thotë mbreti Solomon i Izraelit të lashtë,—mos humb kohë ta plotësosh.» Ai shton: «Plotëso zotimin që ke marrë. Më mirë të mos marrësh zotime se sa t’i bësh dhe të mos i plotësosh.» (Predikuesi 5:4, 5) Ligji që i ishte dhënë Izraelit me anë të Moisiut thotë: «Në rast se merr një zotim para Jehovait, Perëndisë tënd, nuk duhet të tregohesh i ngadalshëm për ta paguar, sepse Jehovai, Perëndia yt, do ta kërkojë patjetër nga ti, dhe kjo do të ishte mëkat nga ana jote.» (Ligji i përtërirë 23:21, BR) Është e qartë se marrja e një zotimi para Perëndisë është një çështje serioze. Ai duhet bërë me motivin e duhur dhe personi që e merr zotimin nuk duhet të ketë asnjë dyshim lidhur me aftësinë për të plotësuar çfarëdo gjëje që premton gjatë zotimit. Përndryshe, është më mirë të mos e marrë zotimin. Gjithsesi, a jemi të detyruar të mbajmë çdo zotim pasi tashmë e kemi marrë?
Ç’të themi nëse një zotim kërkon që personi të bëjë diçka për të cilën më vonë mëson se nuk është në përputhje me vullnetin e Perëndisë? Po sikur ky të ishte një zotim që do të lidhte në ndonjë mënyrë imoralitetin me adhurimin e vërtetë? (Ligji i përtërirë 23:18) Sigurisht që nuk jemi të detyruar ta mbajmë këtë zotim. Për më tepër, nën Ligjin e Moisiut, zotimi i bërë nga një grua mund të bëhej i pavlefshëm nga i ati ose burri i saj.—Numrat 30:3-15.
Të shqyrtojmë edhe rastin e një individi i cili ka marrë një zotim para Perëndisë për të mbetur beqar, por që tani ndodhet para një dileme. Zotimi e ka vënë në një pozitë të tillë ku mendon se mbajtja e tij po e çon deri aty sa të shkelë normat hyjnore për moralin. A duhet të përpiqet ai ende ta plotësojë zotimin? A nuk do të ishte më mirë për të ta mbronte veten që të mos bëhej fajtor për imoralitet duke mos e plotësuar zotimin, por në vend të kësaj t’i përgjërohej Perëndisë për mëshirë dhe t’i kërkonte falje? Vetëm ai mund të vendosë për këtë gjë. Asnjë njeri tjetër nuk mund ta marrë vendimin për të.
Ç’të themi nëse një person merr një zotim për të cilin më vonë e kupton se e bëri rrëmbimthi? A duhet të përpiqet ende për ta përmbushur zotimin? Nuk ishte e lehtë për Jefteun ta mbante zotimin që i bëri Perëndisë, por ai e mbajti pikë për pikë atë. (Gjyqtarët 11:30-40) Mospërmbushja e një zotimi nga një person mund ta bëjë Perëndinë ‘të zemërohet’ dhe ta hedhë poshtë gjithçka që ka bërë individi. (Predikuesi 5:6) Duke e marrë lehtë përmbushjen e zotimeve kjo mund të sjellë si pasojë mosmiratimin e Perëndisë.
Jezu Krishti tha: «Por fjala juaj Po, le të jetë Po, Jo-ja juaj, Jo; sepse ajo që është më tepër se këto është nga i ligu.» (Mateu 5:37) Një i krishterë nuk duhet të shqetësohet vetëm që t’i përmbushë zotimet ndaj Perëndisë, por edhe të tregohet i besueshëm në të gjitha fjalët e tij, si ndaj Perëndisë edhe ndaj njerëzve. Po sikur të ndodhet në një situatë në të cilën ka bërë një marrëveshje me një person, dhe ky veprim në fillim dukej i mirë, por pas një hetimi më nga afër duket jo i mençur? Ai nuk duhet t’i shohë lehtë këto gjëra. Por pasi ta ketë diskutuar në mënyrë të sinqertë çështjen, individi tjetër mund të vendosë ta çlirojë atë nga detyrimi.—Psalmi 15:4; Fjalët e urta 6:2, 3.
Cili duhet të jetë shqetësimi ynë kryesor lidhur me zotimet dhe gjithçka tjetër? Të përpiqemi gjithnjë të mbajmë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë Jehova.
[Figurat në faqet 30, 31]
Hana nuk ngurroi të përmbushte zotimin e saj
[Figurat në faqet 30, 31]
Edhe pse ishte e vështirë, Jefteu e përmbushi zotimin e tij