Si mund t’i bëjmë ditët tona të vlefshme para Jehovait?
Si mund t’i bëjmë ditët tona të vlefshme para Jehovait?
«Kanë humbur dje, diku midis lindjes dhe perëndimit të diellit, dy orë të arta, secila me gjashtëdhjetë minuta prej diamanti. Nuk jepet asnjë shpërblim për gjetjen e tyre, sepse kanë humbur përgjithmonë.»—Lidia Sigërni, autore amerikane (1791-1865).
DITËT e jetës duket që janë pak dhe kalojnë me shpejtësi. Psalmisti David u përsiat për faktin se sa e shkurtër është jeta dhe u nxit të lutej: «O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam. Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje.» Shqetësimi i Davidit ishte që të jetonte në një mënyrë të tillë që t’i pëlqente Perëndisë, si me fjalë edhe me vepra. Duke shprehur se varej nga Jehovai, ai tha: «Shpresa ime është te ti.» (Psalmi 39:4, 5, 7) Jehovai e dëgjoi. Ai i mati vërtet veprat e Davidit dhe e shpërbleu në përputhje me to.
Është e lehtë të jesh i zënë në çdo minutë të ditës dhe të rrëmbehesh nga një jetë që është me ritëm të shpejtë dhe plot aktivitete. Kjo mund të na shkaktojë shqetësim plot ankth, veçanërisht kur kemi kaq shumë gjëra për të bërë e për të provuar, por kaq pak kohë për t’i bërë ato. A kemi të njëjtin shqetësim si mbreti David, pra të jetojmë me synimin për të pasur miratimin e Perëndisë? Sigurisht, Jehovai vëren dhe shqyrton me kujdes secilin prej nesh. Jobi, një njeri që i frikësohej Perëndisë, e pranoi rreth 3.600 vjet më parë se Jehovai i shihte udhët e tij dhe i numëronte të gjithë hapat e tij. Jobi bëri këtë pyetje retorike: «Si do t’i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?» (Jobi 31:4-6, 14) Është e mundur t’i bëjmë ditët të vlefshme para Perëndisë duke vendosur në vend të parë gjërat frymore, duke iu bindur urdhërimeve të tij dhe duke e përdorur kohën me mençuri. Le t’i shqyrtojmë më nga afër këto çështje.
Të bëjmë gjërat frymore shqetësimin tonë kryesor në jetë
Shkrimet e frymëzuara me të drejtë na nxitin të vendosim në vend të parë gjërat frymore kur thonë: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» Cilat janë këto gjëra të rëndësishme? Përgjigjja përfshin ‘njohurinë e saktë dhe aftësinë e plotë dalluese’. (Filipianëve 1:9, 10) Për të marrë njohuri për qëllimet e Jehovait kërkohet që ta përdorim me mençuri kohën. Megjithatë, duke pasur si shqetësim kryesor gjërat frymore, kjo gjë do të na sigurojë një jetë që është shpërblyese dhe e kënaqshme.
Apostulli Pavël na kujton që ‘të vazhdojmë të sigurohemi se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’. Të vazhdojmë të sigurohemi duhet të përfshijë një vetëshqyrtim të motiveve dhe të dëshirave të zemrës. Apostulli thotë më tej: «Vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.» (Efesianëve 5:10, 17) Atëherë, çfarë është e pranueshme për Jehovain? Një proverb biblik përgjigjet: «Dituria [mençuria, BR] është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.» (Fjalët e urta 4:7, 8) Jehovai gëzohet për një person i cili fiton dhe shfaq mençuri hyjnore. (Fjalët e urta 23:15) Bukuria e një mençurie të tillë është se atë nuk mund të ta heqë dikush ose nuk mund të shkatërrohet. Në fakt, ajo bëhet një mbrojtje «nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija».—Fjalët e urta 2:10-15.
Sa e mençur është pra, që t’i rezistojmë çdo prirjeje për të pasur një qëndrim moskokëçarës për gjërat frymore. Duhet të kultivojmë një qëndrim mirënjohës për thëniet e Jehovait dhe një frikë të shëndetshme për të. (Fjalët e urta 23:17, 18) Ndërkohë që kjo prirje mendore mund të fitohet në çdo periudhë të jetës, është më mirë që gjatë rinisë ta rrënjosim këtë model të drejtë dhe t’i ngulitim parimet biblike në personalitetin tonë. «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate»—thotë mbreti i mençur Solomon.—Predikuesi 12:1.
Mënyra më e afërt për të kultivuar çmueshmëri për Jehovain është t’i lutemi atij personalisht çdo ditë. Davidi e pranoi sa e rëndësishme ishte të kishte besim te Jehovai, sepse ai u lut: «O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi.» (Psalmi 39:12) Marrëdhënia e ngushtë me Perëndinë, a i prek emocionet tona deri në atë pikë sa të derdhim lotë? Vërtet, sa më shumë komunikojmë me Jehovain për gjëra intime të zemrës dhe meditojmë për Fjalën e tij, aq më shumë afrohet ndaj nesh.—Jakovit 4:8.
Të mësojmë bindjen
Moisiu ishte një tjetër njeri me besim, i cili pranoi se ishte i varur nga Perëndia. Ashtu si Davidi, Moisiu mundi të shihte se jeta është plot me telashe. Prandaj, ai i kërkoi Perëndisë t’i tregonte se si ‘t’i numëronte ditët e tij për të pasur një zemër të urtë [me mençuri, BR]’. (Psalm 90:10-12) Një zemër me mençuri do të arrihej vetëm duke mësuar dhe duke jetuar në përputhje me ligjet dhe parimet e Jehovait. Moisiu e dinte këtë dhe si rrjedhojë u përpoq t’ia nguliste këtë të vërtetë jetësore kombit të Izraelit duke u përsëritur atyre ligjet dhe rregullat e Perëndisë para se të merrnin në zotërim Tokën e Premtuar. Çdo mbret njerëzor, të cilin Jehovai do ta zgjidhte më vonë për të sunduar në Izrael, duhej të shkruante për veten e tij një kopje të Ligjit dhe duhej ta lexonte gjithë ditët e jetës së tij. Përse? Që të mësonte t’i frikësohej Perëndisë. Kjo do të ishte provë e bindjes së mbretit. Ajo do ta mbronte që zemra e tij të mos lartësohej mbi vëllezërit dhe gjithashtu do t’i zgjaste ditët në mbretërinë e tij. (Ligji i përtërirë 17:18-20) Ky premtim u përsërit kur Jehovai i tha birit të Davidit, Solomonit: «Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t’i zgjatur ditët e tua.»—1 Mbretërve 3:10-14.
Bindja është një gjë serioze për Perëndinë. Nëse do t’i shihnim si të parëndësishme disa aspekte të kërkesave dhe të urdhërimeve të Jehovait, sigurisht që ai do ta vërente këtë qëndrim. (Fjalët e urta 15:3) Duke e ditur këtë do të nxitemi të mbajmë një vlerësim të lartë për të gjitha udhëzimet e Jehovait, edhe pse mund të mos jetë e lehtë të veprojmë kështu. Satanai bën gjithçka që mundet ‘për të na e prerë rrugën’, ndërsa përpiqemi t’u vëmë veshin ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë.—1 Selanikasve 2:18.
Është veçanërisht e rëndësishme t’i bindemi këshillës biblike që të mblidhemi për të adhuruar dhe për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin. (Ligji i përtërirë 31:12, 13; Hebrenjve 10:24, 25) Prandaj bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A kam vendosmërinë dhe këmbënguljen e domosdoshme për të bërë atë që ka vërtet vlerë?’ Po të linim pas dore shoqërinë dhe arsimimin në mbledhjet e krishtere, për t’u përpjekur që të kishim siguri financiare, marrëdhënia jonë me Jehovain do të dobësohej. Apostulli Pavël shkroi: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat e pranishme. Sepse [Jehovai] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’» (Hebrenjve 13:5) Bindja me gatishmëri ndaj urdhërimeve të Jehovait tregon besim të patundur se ai do të kujdeset për ne.
Jezui mësoi bindjen dhe nxori dobi nga kjo. Po kështu mund të veprojmë edhe ne. (Hebrenjve 5:8) Sa më shumë kultivojmë bindjen, aq më të lehtë do ta kemi të bindemi edhe për gjëra të vogla. Vërtet, për shkak të besnikërisë sonë, mund të na duhet të përballojmë situata kur të tjerët na trajtojnë në mënyrë të pakëndshme e madje të ashpër. Veçanërisht kjo mund të ndodhë në punë, në shkollë ose në një shtëpi të ndarë nga ana fetare. Sidoqoftë, gjejmë ngushëllim në shpalljen e bërë izraelitëve që nëse ‘do ta donin Zotin, do t’i bindeshin zërit të tij dhe do të qëndronin të lidhur ngushtë me të, ai do të ishte jeta e tyre dhe gjatësia e ditëve të tyre’. (Ligji i përtërirë 30:20) I njëjti premtim vlen edhe për ne.
Ta përdorim kohën me mençuri
Përdorimi i mençur i kohës do të na ndihmojë gjithashtu t’i bëjmë ditët tona të vlefshme para Jehovait. Ndërsa paratë mund të ruhen, koha duhet përdorur, përndryshe do të humbasë. Çdo orë që kalon ikën përgjithmonë. Meqenëse ka gjithmonë për të bërë më shumë sesa kemi mundësi, a po e përdorim kohën në përputhje me synimet tona në jetë? Një synim kryesor për të gjithë të krishterët duhet të jetë pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
Do ta përdorim me mençuri kohën vetëm pasi të jemi plotësisht të vetëdijshëm për vlerën e saj. Në mënyrë të përshtatshme, te Efesianëve 5:16 na jepet nxitja ‘për ta blerë kohën e duhur për veten tonë’ dhe kjo nënkupton të heqim dorë nga gjërat më pak të rëndësishme. Do të thotë të pakësojmë veprimtaritë që na marrin kohë. Shikimi i tepruar i televizorit ose endjet e tepërta në Internet, leximi i materialeve shekullare të padobishme ose kalimi i tepërt i kohës pas zbavitjeve dhe dëfrimeve, mund të na lënë të sfilitur. Veç kësaj, grumbullimi i tepërt i zotërimeve materiale mund të na harxhojë kohën që duhet për të fituar një zemër me mençuri.
Ata që janë të mendimit se duhet bërë një programim i kujdesshëm i kohës, thonë: «Është e pamundur ta përdorni mirë kohën nëse nuk keni vënë synime të përcaktuara mirë.» Ata sugjerojnë pesë kritere për vendosjen e synimeve: të jenë specifike, që mund të maten, të arritshme, realiste dhe të programuara.
Një synim me vlerë është të përmirësojmë leximin e Biblës. Hapi i parë është të vendosim synim specifik, ta lexojmë të gjithë Biblën. Hapi tjetër është të vendosim synim të matshëm. Në këtë mënyrë mund të matim përparimin tonë. Synimet duhet të na inkurajojnë për të bërë shumë përpjekje dhe duhet të na rritin nga ana frymore. Gjithashtu, ato duhet të jenë të arritshme dhe realiste. Duhen marrë parasysh aftësitë personale dhe koha që kemi në dispozicion. Për disa mund të duhet më shumë kohë për të arritur synimin. Së fundi, synimi duhet programuar. Duke caktuar një datë për të arritur diçka mund të jemi më të motivuar për ta përfunduar atë.
Të gjithë pjesëtarët e familjes botërore Bethel, të cilët shërbejnë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait ose në një nga degët e saj në mbarë botën, kanë synimin specifik për ta lexuar të gjithë Biblën gjatë vitit të parë në Bethel. Ata e kuptojnë se leximi dobiprurës i Biblës i ndihmon në rritjen frymore dhe në një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain, i cili po i mëson t’i sjellin dobi vetes. (Isaia 48:17) A mund ta vëmë edhe ne si synim leximin e rregullt të Biblës?
Dobitë që vijnë kur i bëjmë ditët tona të vlefshme
Kur i kushtojmë vëmendje kryesore gjërave frymore do të kemi bekime të shumanshme. Së pari, do të jemi më të kënaqur për arritjet tona dhe që kemi një qëllim në jetë. Komunikimi i rregullt me Jehovain me anë të lutjes së përzemërt na afron më shumë me të. Vetë fakti se po lutemi tregon besimin tonë në të. Leximi i përditshëm i Biblës dhe i botimeve të bazuara në të, të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», tregon gatishmërinë tonë për të dëgjuar Perëndinë ndërsa na flet. (Mateu 24:45-47) Kjo na ndihmon të fitojmë një zemër me mençuri, në mënyrë që të marrim vendime të drejta e të bëjmë zgjedhjet e duhura në jetë.—Psalmi1:1-3.
Provojmë shumë kënaqësi kur i bindemi urdhërimeve të Jehovait, sepse kjo gjë nuk është një barrë. (1 Gjonit 5:3) Kur e bëjmë çdo ditë të vlefshme para Jehovait, forcojmë marrëdhënien tonë me të. Bëhemi edhe një mbështetje e vërtetë frymore për të bashkëkrishterët. Veprime të tilla gëzojnë zemrën e Perëndisë Jehova. (Fjalët e urta 27:11) Dhe nuk ka shpërblim më të madh sesa të gëzosh miratimin e Jehovait tani e përgjithmonë!
[Figura në faqen 21]
Të krishterët i marrin me seriozitet gjërat frymore
[Figurat në faqen 22]
A po e përdorni kohën me mençuri?
[Figura në faqen 23]
Kur e bëjmë çdo ditë të vlefshme para Jehovait, forcojmë marrëdhënien tonë me të