Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të krishterët kanë nevojë për njëri-tjetrin

Të krishterët kanë nevojë për njëri-tjetrin

Të krishterët kanë nevojë për njëri-tjetrin

«Jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit.»​—EFESIANËVE 4:25.

1. Çfarë thotë një enciklopedi për trupin njerëzor?

TRUPI i njeriut është një mrekulli e krijimit. Një enciklopedi, The World Book Encyclopedia, thotë: «Nganjëherë njerëzit e quajnë trupin njerëzor një makinë, makinën më të mrekullueshme që është ndërtuar ndonjëherë. Sigurisht, trupi njerëzor nuk është një makinë. Por mund të krahasohet me një të tillë në shumë drejtime. Ashtu si një makinë, trupi është i përbërë nga shumë pjesë. Secila pjesë e trupit, ashtu si çdo pjesë e makinës, bën punë të veçanta. Por të gjitha pjesët punojnë së bashku dhe kështu e bëjnë trupin ose makinën të funksionojë mirë.»

2. Në cilin drejtim janë të ngjashëm trupi i njeriut dhe kongregacioni i krishterë?

2 Po, trupi i njeriut ka shumë pjesë ose gjymtyrë, dhe secila prej tyre kryen diçka të nevojshme. S’ka as edhe një venë, muskul ose pjesë tjetër të trupit që të jetë pa ndonjë qëllim. Në mënyrë të ngjashme, secili pjesëtar i kongregacionit të krishterë mund t’i shtojë diçka bukurisë dhe shëndetit frymor të kongregacionit. (1 Korintasve 12:14-26) Ndonëse pjesëtarët e kongregacionit nuk duhet të ndihen më lart se pjesëtarët e tjerë, askush nuk duhet ta shohë veten si të parëndësishëm.​—Romakëve 12:3.

3. Si e tregon Efesianëve 4:25 se të krishterët kanë nevojë për njëri-tjetrin?

3 Sikurse gjymtyrët e ndërvarura të trupit njerëzor, të krishterët kanë nevojë për njëri-tjetrin. Apostulli Pavël u tha bashkëbesimtarëve të mirosur nga fryma: «Tani që keni flakur tej pavërtetësinë, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij, sepse ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit.» (Efesianëve 4:25) Meqë ‘i përkasin njëri-tjetrit’, ka komunikim të vërtetë dhe bashkëpunim të plotë midis pjesëtarëve të Izraelit frymor, pra «trupit të Krishtit». Po, secili prej tyre u përket gjithë të tjerëve. (Efesianëve 4:11-13) Në unitet me ta bashkëpunojnë të lumtur edhe të krishterët e vërtetë që kanë shpresë tokësore.

4. Në cilat drejtime mund t’i ndihmojmë të sapoardhurit?

4 Çdo vit pagëzohen mijëra veta që shpresojnë të jetojnë në një parajsë tokësore. Pjesëtarët e tjerë të kongregacionit me gëzim i ndihmojnë që të ‘sulen drejt pjekurisë’. (Hebrenjve 6:1-3) Kjo ndihmë mund të përfshijë t’u përgjigjen pyetjeve biblike ose të sigurojnë ndihmë praktike në shërbim. Këta të sapoardhur mund t’i ndihmojmë duke lënë një shembull të shkëlqyer me anë të pjesëmarrjes së rregullt në mbledhjet e krishtere. Në kohë shqetësimesh mund t’i inkurajojmë ose ndoshta t’i ngushëllojmë. (1 Selanikasve 5:14, 15) Duhet të kërkojmë mënyra se si t’i ndihmojmë të tjerët që të «vazhdojnë të ecin në të vërtetën». (3 Gjonit 4) Qofshim të rinj ose të moshuar, që sapo kemi filluar të ecim në të vërtetën ose që kemi ecur në të për vite të tëra, mund t’ua shtojmë mirëqenien frymore bashkëbesimtarëve. Në të vërtetë, ata kanë nevojë për ne.

Ata dhanë ndihmën e nevojshme

5. Si e ndihmuan Pavlin Akuila dhe Prishila?

5 Çiftet e krishtere të martuara janë ndër ata që gjejnë kënaqësi duke ndihmuar bashkëbesimtarët. Për shembull, Akuila dhe gruaja e tij Prishila (Priska) ndihmuan Pavlin. E mirëpritën në shtëpinë e tyre, punuan me të për të bërë tenda dhe e ndihmuan të ndërtonte kongregacionin e ri në Korint. (Veprat 18:1-4) Madje, në ndonjë mënyrë që nuk na është treguar, vunë jetën e tyre në rrezik për Pavlin. Ata jetonin në Romë kur Pavli u tha të krishterëve të atjeshëm: «Bëjuni të fala nga unë Priskës dhe Akuilës, bashkëpunëtorëve të mi në Krishtin Jezu, që vunë kokën e tyre në rrezik për shpirtin tim, të cilëve u jap falënderime jo vetëm unë, por edhe të gjitha kongregacionet e kombeve.» (Romakëve 16:3, 4) Ashtu si Akuila dhe Prishila, disa të krishterë të sotëm i ndërtojnë kongregacionet dhe i ndihmojnë bashkadhuruesit në mënyra të ndryshme. E bëjnë këtë disa herë madje duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të mos i lënë shërbëtorët e tjerë të Perëndisë të pambrojtur përballë mizorisë ose vdekjes nga duart e përndjekësve.

6. Çfarë ndihme mori Apoli?

6 Veç kësaj, Akuila dhe Prishila ndihmuan të krishterin gojëtar Apolin, i cili po u mësonte banorëve të Efesit për Jezu Krishtin. Në atë kohë, Apoli njihte vetëm pagëzimin e kryer nga Gjoni si simbol të pendimit për mëkatet e bëra kundër besëlidhjes së Ligjit. Duke e kuptuar se Apoli kishte nevojë për ndihmë, Akuila dhe Prishila «i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë». Ka shumë të ngjarë t’i kenë shpjeguar se pagëzimi i krishterë përfshinte zhytjen në ujë dhe marrjen e frymës së shenjtë që do të derdhej mbi të. Apoli e zbatoi atë që mësoi. Më vonë, në Akai «i ndihmoi shumë ata që kishin besuar për shkak të dashamirësisë së pamerituar [të Perëndisë]; sepse në mënyrë të zjarrtë, ai provoi plotësisht në publik se judenjtë e kishin gabim, ndërsa u tregonte me anë të Shkrimeve se Jezui ishte Krishti». (Veprat 18:24-28) Komentet e bëra nga bashkadhuruesit shpesh mund të na ndihmojnë për të rritur kuptueshmërinë tonë për Fjalën e Perëndisë. Edhe në këtë drejtim kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Siguruan ndihmë nga ana materiale

7. Si reaguan filipianët kur të bashkëkrishterët patën nevojë për ndihmë nga ana materiale?

7 Pjesëtarët e kongregacionit të krishterë në Filipi e donin shumë Pavlin dhe i dërguan gjëra të nevojshme materiale gjatë qëndrimit të tij në Selanik. (Filipianëve 4:15, 16) Kur vëllezërit në Jerusalem kishin nevojë për ndihmë nga ana materiale, filipianët shfaqën gatishmëri për të kontribuar madje përtej mundësive të tyre. Pavli e çmoi aq shumë frymën e shkëlqyer të vëllezërve dhe motrave të tij në Filipi, saqë i përmendi si shembull për besimtarët e tjerë.​—2 Korintasve 8:1-6.

8. Çfarë fryme shfaqi Epafroditi?

8 Kur Pavli gjendej nën vargonjtë e burgut, filipianët jo vetëm që i dërguan dhurata materiale, por edhe nisën të dërguarin e tyre Epafroditin. «Për shkak të veprës së Zotërisë [Epafroditi] u gjend fare pranë vdekjes, duke vënë në rrezik shpirtin e tij,​—tha Pavli,​—që të mbushte plotësisht mungesën tuaj këtu, për të më shërbyer personalisht.» (Filipianëve 2:25-30; 4:18) Nuk na thuhet nëse Epafroditi ishte plak a shërbëtor ndihmës. Megjithatë, ishte një i krishterë vetëmohues e i dobishëm, dhe Pavli kishte vërtet nevojë për të. A ka ndonjë si Epafroditi në kongregacionin tuaj?

Ata ishin «ndihmë fuqizuese»

9. Çfarë shembulli kemi nga Aristarku?

9 Vëllezërit e dashur dhe motrat e dashura si Akuila, Prishila dhe Epafroditi çmohen shumë në çdo kongregacion. Disa nga bashkadhuruesit tanë mund të jenë ngjashëm të krishterit të shekullit të parë, me emrin Aristark. Ai dhe të tjerë ishin «një ndihmë fuqizuese», ndoshta burim ngushëllimi ose ndihme në gjërat themelore e praktike. (Kolosianëve 4:10, 11) Duke e ndihmuar Pavlin, Aristarku tregoi se ishte një mik i vërtetë në kohë nevoje. Ai ishte lloji i personit që përmendet te Proverbat (Fjalët e urta) 17:17, ku thuhet: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë dhe është një vëlla i lindur për kohë ankthi.» (BR) A nuk duhet që të gjithë të përpiqemi fort të jemi «ndihmë fuqizuese» për të bashkëkrishterët? Duhet të ndihmojmë në mënyrë të veçantë ata që po kalojnë vështirësi.

10. Cilin shembull dha Pjetri për pleqtë e krishterë?

10 Në veçanti pleqtë e krishterë duhet të jenë ndihmë fuqizuese për vëllezërit dhe motrat e tyre frymore. Krishti i tha apostullit Pjetër: «Forco vëllezërit e tu.» (Luka 22:32) Pjetri ishte në gjendje ta bënte këtë, sepse shfaqi karakter të fortë e të palëkundur, veçanërisht pas ringjalljes së Jezuit. Pleq, përpiquni fort me të gjitha mënyrat të bëni të njëjtën gjë me gatishmëri dhe me butësi, sepse bashkëbesimtarët tuaj kanë nevojë për ju.​—Veprat 20:28-30; 1 Pjetrit 5:2, 3.

11. Si mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar frymën që shfaqi Timoteu?

11 Timoteu, shok udhëtimi i Pavlit, ishte një plak që interesohej thellësisht për të krishterët e tjerë. Ndonëse kishte disa probleme shëndetësore, Timoteu shfaqi besim me gjithë shpirt dhe ‘u skllavërua bashkë me Pavlin për të çuar përpara lajmin e mirë’. Prandaj apostulli mundi t’u thoshte filipianëve: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si të tijën, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja.» (Filipianëve 2:20, 22; 1 Timoteut 5:23; 2 Timoteut 1:5) Mund të jemi një bekim për ata që adhurojnë Jehovain bashkë me ne duke shfaqur një frymë si ajo e Timoteut. Është e vërtetë që duhet t’u bëjmë ballë dobësive tona njerëzore dhe sprovave të ndryshme, por në të njëjtën kohë, mund e duhet të shfaqim besim të fortë dhe interesim të dashur për vëllezërit e motrat tona frymore. Duhet të mos e harrojmë kurrë se ata kanë nevojë për ne.

Gra që u kujdesën për të tjerët

12. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Dorkës?

12 Një ndër gratë e perëndishme që u kujdesën për të tjerët ishte Dorka. Kur vdiq ajo, dishepujt thirrën Pjetrin dhe e çuan në një dhomë të sipërme. Atje, «të gjitha vejushat dolën para tij, duke qarë e duke treguar shumë rroba të brendshme e veshje që Dorka bënte ndërsa ishte me to». Dorka u kthye përsëri në jetë dhe pa dyshim vazhdoi ‘të bënte vepra të mira dhe të jepte lëmosha në mënyrë të bollshme’. Në kongregacionin e sotëm të krishterë ka gra si Dorka që mund të bëjnë veshje ose gjëra të tjera të dashura për ata që janë në nevojë. Sigurisht, veprat e tyre të mira kryesisht kanë të bëjnë me përkrahjen e interesave të Mbretërisë dhe me pjesëmarrjen në veprën e bërjes së dishepujve.​—Veprat 9:36-42; Mateu 6:33; 28:19, 20.

13. Si tregoi Lidia interes për të bashkëkrishterët?

13 Edhe një grua tjetër me frikë Perëndie, me emrin Lidia, kujdesej për të tjerët. E lindur në Tiatirë, ajo jetonte në Filipi kur Pavli predikoi atje rreth vitit 50 të e.s. Ka të ngjarë që Lidia të ishte prozelite judeje, por në Filipi mund të ketë pasur pak judenj dhe asnjë sinagogë. Ajo dhe gra të tjera të përkushtuara ishin mbledhur për të adhuruar pranë një lumi, kur apostulli u shpalli lajmin e mirë. Tregimi thotë: «Jehovai ia hapi plotësisht zemrën [Lidias] për t’u kushtuar vëmendje gjërave që po thoshte Pavli. Tani, kur ajo dhe ata të shtëpisë së saj u pagëzuan, na tha me përgjërim: ‘Nëse më keni gjykuar se jam e besueshme për Jehovain, hyni në shtëpinë time e rrini.’ Dhe na detyroi të venim.» (Veprat 16:12-15) Duke qenë se Lidia donte të bënte gjëra të mira për të tjerët, ia doli mbanë ta bindte Pavlin dhe shokët e tij që të qëndronin në shtëpinë e saj. Sa e çmojmë kur një mikpritje të ngjashme e tregojnë të krishterët e dashur dhe dashamirës sot!​—Romakëve 12:13; 1 Pjetrit 4:9.

Kemi nevojë edhe për ju të rinj

14. Si i trajtoi Jezu Krishti të rinjtë?

14 Kongregacioni i krishterë filloi me Birin e dashur e të përzemërt të Perëndisë, Jezu Krishtin. Njerëzit ndiheshin rehat me të, sepse ai ishte i dashur dhe i dhembshur. Në një rast, kur disa filluan t’i sillnin fëmijët e vegjël te Jezui, dishepujt e tij u përpoqën t’i largonin. Por Jezui tha: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni, sepse të këtillëve u përket mbretëria e Perëndisë. Vërtet po ju them: Kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë kurrsesi në të.» (Marku 10:13-15) Për të marrë bekimet e Mbretërisë, duhet të jemi të përulur e të gatshëm për të mësuar siç janë fëmijët e vegjël. Jezui e tregoi dashurinë për të vegjlit duke i marrë në krahë e duke i bekuar. (Marku 10:16) Ç’të themi për ju të rinj sot? Jini të sigurt se kongregacioni ju do e ka nevojë për ju!

15. Cilat fakte për jetën e Jezuit janë të dokumentuara te Luka 2:40-52 dhe ç’shembull la ai për të rinjtë?

15 Kur Jezui ishte ende i ri, tregoi dashuri për Perëndinë e për Shkrimet. Kur ishte 12 vjeç, ai bashkë me prindërit, Jozefin dhe Marinë, udhëtuan nga qyteti i tyre Nazareti për në Jerusalem për të kremtuar Pashkën. Udhës kur po ktheheshin, prindërit e Jezuit morën vesh se ai nuk ishte midis grupit me të cilin po udhëtonte. Në fund e gjetën të ulur në një nga sallat e tempullit, duke dëgjuar mësuesit judenj e duke u bërë pyetje. I habitur që Jozefi dhe Maria nuk kishin ditur ku ta gjenin, Jezui i pyeti: «A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» Ai u kthye në shtëpi me prindërit e tij, qëndroi i nënshtruar ndaj tyre dhe vazhdoi të rritej në mençuri dhe në shtat. (Luka 2:40-52) Ç’shembull të shkëlqyer la Jezui për të rinjtë tanë! Patjetër që ata duhet t’u binden prindërve dhe të jenë të interesuar për të mësuar rreth gjërave frymore.​—Ligji i përtërirë 5:16; Efesianëve 6:1-3.

16. (a) Çfarë thirrën disa djem kur Jezui po jepte dëshmi në tempull? (b) Çfarë privilegji kanë të rinjtë e krishterë sot?

16 Si i ri, mund të japësh dëshmi për Jehovain në shkollë dhe nga shtëpia në shtëpi bashkë me prindërit e tu. (Isaia 43:10-12; Veprat 20:20, 21) Kur Jezui po predikonte e po shëronte njerëz në tempull pak para se të vdiste, disa djem thirrën: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!» Të zemëruar nga kjo, krerët e priftërinjve dhe skribët protestuan: «A e dëgjon se ç’po thonë këta?» Jezui u përgjigj: «Po. Nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave të gjirit ti ke sjellë lëvdim?’» (Mateu 21:15-17) Ashtu si ata fëmijë, ju të rinj në kongregacion keni privilegjin e madh të lëvdoni Perëndinë dhe Birin e tij. Ne ju duam dhe kemi nevojë që ju të jeni përkrah nesh si lajmëtarë të Mbretërisë.

Kur godasin katastrofat

17, 18. (a) Pse Pavli organizoi mbledhjen e kontributeve për të krishterët në Jude? (b) Çfarë ndikimi patën te të krishterët judenj dhe johebrenj kontributet vullnetare që u dhanë për besimtarët judenj?

17 Cilatdo qofshin rrethanat tona, dashuria na nxit që t’i ndihmojmë të bashkëkrishterët që janë në nevojë. (Gjoni 13:34, 35; Jakovit 2:14-17) Ishte dashuria për vëllezërit e për motrat e tij në Jude që e shtyu Pavlin të organizonte mbledhjen e ndihmave për ta te kongregacionet në Akai, Galati, Maqedoni dhe në krahinën e Azisë. Përndjekja, trazirat civile dhe zia e bukës që po kalonin dishepujt në Jerusalem mund të kenë sjellë si pasojë ato që Pavli i quajti «vuajtje», ‘shtrëngime’ dhe ‘plaçkitje të zotërimeve të tyre’. (Hebrenjve 10:32-34; Veprat 11:27–12:1) Prandaj ai mbikëqyri mbledhjen e një fondi për të krishterët e varfër në Jude.​—1 Korintasve 16:1-3; 2 Korintasve 8:1-4, 13-15; 9:1, 2, 7.

18 Kontributet vullnetare të të shenjtëve në Jude dëshmuan se ekzistonte një lidhje vëllazërore midis adhuruesve judenj e johebrenj të Jehovait. Edhe shpërndarja e kontributeve u dha mundësi të krishterëve johebrenj t’u tregonin bashkadhuruesve të tyre judenj mirënjohjen për pasuritë frymore që kishin marrë prej tyre. Prandaj, pati një ndarje si në kuptimin material, ashtu edhe në kuptimin frymor. (Romakëve 15:26, 27) Edhe sot kontributet për bashkëbesimtarët në nevojë janë vullnetare dhe motivohen nga dashuria. (Marku 12:28-31) Kemi nevojë për njëri-tjetrin edhe në këtë drejtim, në mënyrë që të ketë barazi ‘dhe ai që ka pak të mos ketë fare pak’.​—2 Korintasve 8:15.

19, 20. Jep një shembull që tregon se si populli i Jehovait siguron ndihmë kur ndodhin katastrofa.

19 Duke qenë të vetëdijshëm se të krishterët kanë nevojë për njëri-tjetrin, jemi të shpejtë për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve dhe motrave tona në besim. Për shembull, shqyrtoni çfarë ndodhi kur tërmete shkretuese dhe shkarje të dheut goditën Salvadorin në fillim të vitit 2001. Në një raport thuhej: «Vëllezërit nga çdo anë e Salvadorit bënë përpjekje për të ndihmuar. Grupe vëllezërish nga Guatemala, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kanadaja erdhën të na ndihmonin. . . . Brenda një kohe shumë të shkurtër u ngritën më shumë se 500 shtëpi dhe 3 Salla të këndshme Mbretërie. Është dhënë dëshmi shumë e madhe nga puna e palodhur dhe nga bashkëpunimi i këtyre vëllezërve vetëmohues.»

20 Në një raport nga Afrika e Jugut thuhej: «Përmbytjet e tmerrshme që shkretuan pjesë të mëdha të Mozambikut prekën edhe shumë nga vëllezërit tanë të krishterë. Dega në Mozambik mori masa që të kujdesej për pjesën më të madhe të nevojave të tyre. Por kërkuan që t’u dërgonim rroba në gjendje të mirë për vëllezërit në nevojë. Mblodhëm mjaft veshje sa për t’u dërguar vëllezërve tanë në Mozambik një kontejner 12 metra të gjatë plot me rroba.» Po, edhe në këto mënyra kemi nevojë për njëri-tjetrin.

21. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

21 Siç u vu re më sipër, të gjitha pjesët e trupit të njeriut janë të rëndësishme. E njëjta gjë patjetër që është e vërtetë për kongregacionin e krishterë. Të gjithë pjesëtarët e tij kanë nevojë për njëri-tjetrin. Kanë nevojë edhe që të vazhdojnë të shërbejnë në unitet. Artikulli vijues do të trajtojë disa faktorë që e bëjnë të mundur këtë.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë ngjashmërie ka ndërmjet trupit të njeriut dhe kongregacionit të krishterë?

• Si reaguan të krishterët e hershëm kur bashkëbesimtarët e tyre patën nevojë për ndihmë?

• Cilët janë disa shembuj biblikë që tregojnë se të krishterët ndihmojnë dhe kanë nevojë për njëri-tjetrin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Akuila dhe Prishila interesoheshin për të tjerët

[Figurat në faqen 12]

Shërbëtorët e Jehovait ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të tjerët kur godasin katastrofat