Të mos braktisim mbledhjet
Të mos braktisim mbledhjet
‘TË MOS braktisim mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa,—thonë Shkrimet,—por të inkurajojmë njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikojmë që dita po afrohet.’ (Hebrenjve 10:25) Është e qartë, adhuruesit e vërtetë duhet të mblidhen në një vend adhurimi ‘për t’u interesuar për njëri-tjetrin, që të nxiten për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’.—Hebrenjve 10:24.
KUR apostulli Pavël shkroi fjalët e mësipërme në shekullin e parë të erës sonë, në Jerusalem për judenjtë shërbente si vend adhurimi një tempull madhështor. Kishte edhe sinagoga. Jezui ‘kishte mësuar në sinagogë dhe në tempull, ku mblidheshin të gjithë judenjtë’.—Gjoni 18:20.
Ç’lloj vendesh për t’u mbledhur kishte në mendje Pavli kur i këshilloi të krishterët të mblidheshin për të inkurajuar njëri-tjetrin? Ndërtesat e mëdha fetare të të ashtuquajturit krishterim, a kanë ndonjë precedent nga tempulli i Jerusalemit? Kur u përdorën për herë të parë këto objekte fetare gjigante nga të ashtuquajturit të krishterë?
‘Një shtëpi për emrin e Perëndisë’
Udhëzimet e para lidhur me një vend për të adhuruar Perëndinë gjenden në librin biblik të Eksodit. Perëndia Jehova e urdhëroi popullin e tij të zgjedhur, izraelitët, të ndërtonin ‘tabernakullin’ ose «çadrën e mbledhjes». Aty duhej të qëndronin Eksodi, kapitujt 25-27; 40:33-38) Në Bibël kjo çadër quhet gjithashtu ‘tabernakulli i Zotit’ dhe ‘shtëpia e Zotit’.—1 Samuelit 1:9, 24.
arka e besëlidhjes dhe pajisje të ndryshme të shenjta. ‘Lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin’ sapo u përfundua më 1512 p.e.s. Për më tepër se katër shekuj, ajo çadër e transportueshme shërbeu si elementi kryesor në rregullimin e bërë nga Perëndia për t’iu afruar atij. (Më vonë, kur Davidi ishte mbret në Jerusalem, shprehu një dëshirë të madhe për të ndërtuar një shtëpi të përhershme për lavdi të Jehovait. Meqenëse, Davidi kishte qenë njeri i luftës, Jehovai i tha: «Nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim.» Në vend të tij, Ai zgjodhi Solomonin, birin e Davidit për të ndërtuar tempullin. (1 Kronikave 22:6-10) Solomoni e përuroi tempullin në vitin 1026 p.e.s., pas një periudhe ndërtimi e cila zgjati shtatë vjet e gjysmë. Jehovai e miratoi këtë ndërtesë, duke thënë: «Kam shenjtëruar këtë tempull që ti ke ndërtuar për t’i vënë emrin tim për gjithnjë; aty do të jenë përgjithnjë sytë dhe zemra ime.» (1 Mbretërve 9:3) Për aq kohë sa izraelitët të qëndronin besnikë, Jehovai do ta tregonte pëlqimin e tij ndaj kësaj shtëpie. Megjithatë, nëse largoheshin nga ajo që ishte e drejtë, Jehovai nuk do ta tregonte më pëlqimin e tij nga ky vend dhe ‘tempulli do të ishte një vend i shkretë’.—1 Mbretërve 9:4-9; 2 Kronikave 7:16, 19, 20.
Në fakt, me kalimin e kohës, izraelitët u larguan nga adhurimi i vërtetë. (2 Mbretërve 21:1-5) ‘Atëherë [Jehovai] bëri që të dilte kundër tyre mbreti i Kaldeasve i cili . . . i vuri zjarrin shtëpisë së Perëndisë, rrëzoi muret e Jerusalemit, u vuri flakën të gjitha pallateve të tij dhe shkatërroi të gjitha sendet me vlerë. Përveç kësaj Nabukodonosori internoi në Babiloni ata që i kishin shpëtuar shpatës; këta u bënë shërbëtorë të tij dhe të bijve të tij.’ Sipas Biblës, kjo ndodhi në vitin 607 p.e.s.—2 Kronikave 36:15-21; Jeremia 52:12-14.
Ashtu siç ishte parathënë nga profeti Isaia, Perëndia ngriti mbretin Kir të Persisë për të çliruar judenjtë nga fuqia babilonase. (Isaia 45:1) Pas një mërgimi 70 vjeçar, ata u kthyen në Jerusalem në vitin 537 p.e.s. me qëllim që të rindërtonin tempullin. (Ezdra 1:1-6; 2:1, 2; Jeremia 29:10) Pas shumë vonesash gjatë ndërtimit, tempulli më në fund përfundoi në vitin 515 p.e.s. dhe adhurimi i pastër i Perëndisë u rivendos. Edhe pse nuk ishte po aq e lavdishme sa tempulli i Solomonit, ndërtesa qëndroi pothuaj për 600 vjet. Gjithsesi, edhe ky tempull u katandis në gjendje të keqe, sepse izraelitët e lanë pas dore adhurimin e Jehovait. Kur Jezu Krishti u shfaq në skenën tokësore, tempulli po rindërtohej dalëngadalë nga mbreti Herod. Çfarë do të ndodhte me këtë tempull?
‘Nuk do të lihet gur mbi gur’
Duke folur për tempullin në Jerusalem, Jezui u tha dishepujve: «Këtu nuk do të lihet kurrsesi gur mbi gur pa u rrëzuar.» (Mateu 24:1, 2) Në vërtetësi të këtyre fjalëve, vendi që njihej prej shekujsh si qendra e adhurimit të Perëndisë u shkatërrua në vitin 70 të e.s. nga trupat romake, të cilat erdhën për të shtypur revoltën e judenjve. * Ai tempull nuk u rindërtua më kurrë. Në shekullin e shtatë, u ngrit një ndërtesë e shenjtë për myslimanët e njohur si Kubeja e Shkëmbit dhe ajo qëndron sot e kësaj dite mbi ish-vendin e adhurimit të judenjve.
Si do ta bënin adhurimin ithtarët e Jezuit? A do të vazhdonin ta adhuronin Perëndinë, të krishterët e hershëm me prejardhje judaike, në tempullin që shpejt do të shkatërrohej? Ku do ta adhuronin Perëndinë të krishterët jojudenj? A do të shërbenin ndërtesat e të ashtuquajturit krishterim si zëvendësuese të tempullit? Biseda e Jezuit me një grua samaritane na jep kuptueshmëri për këtë çështje.
Prej shekujsh, samaritanët adhuronin Perëndinë në një tempull të madh mbi malin Gerizim në Samari. «Paraardhësit tanë adhuruan në këtë mal,—i tha gruaja samaritane Jezuit,—kurse ju thoni se vendi ku njerëzit duhet të adhurojnë është në Jerusalem.» Jezui iu përgjigj: «Besomë, o grua, se po vjen ora kur ju nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.» Nuk do të ishte më i nevojshëm një tempull fizik për adhurimin e Jehovait, sepse Jezui shpjegoi: «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:20, 21, 24) Apostulli Pavël u tha më vonë banorëve të Athinës: «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, Ky, duke qenë Zotëri i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë me dorë.»—Veprat 17:24.
Është e qartë, ndërtesat fetare të të ashtuquajturit krishterim nuk kanë asnjë lidhje me tempullin e epokës para krishterimit. Gjithashtu, të krishterët e shekullit të parë nuk kishin pse të ndërtonin vende të tilla. Megjithatë, pas vdekjes së apostujve, siç ishte parathënë, ndodhi largimi nga mësimet e vërteta, pra apostazia. (Veprat 20:29, 30) Shumë vjet para se perandori romak Kostandini të bëhej në dukje i krishterë në vitin 313 të e.s., të ashtuquajturit të krishterë kishin filluar të largoheshin nga ajo që kishte mësuar Jezui.
Kostandini ndihmoi në shkrirjen e «krishterimit» me fenë pagane romake. Në një enciklopedi (The Encyclopædia Britannica) thuhet: «Vetë Kostandini autorizoi ndërtimin e tri bazilikave të krishtere shumë të mëdha në Romë: atë të shën Pjetrit, të shën Pavlit Jashtë Mureve dhe të shën Gjonit në Laterano. Ai . . . krijoi planimetrinë në trajtë kryqi, e cila u bë e zakonshme për kishat në Evropën Perëndimore gjatë gjithë mesjetës.» Bazilika e rindërtuar e shën Pjetrit në Romë shihet ende si qendra e Kishës Katolike të Romës.
«Kisha adoptoi disa zakone fetare dhe forma adhurimi që ishin të zakonshme në Romën e para krishterimit [pagane]»—thotë historiani Uill Duranti. Kjo përfshiu edhe «arkitekturën e bazilikës». Nga shekulli i 10-të deri në shekullin e 15-të, pati një lulëzim në ndërtimin e kishave dhe të katedraleve, ku rëndësi të madhe i kushtohej arkitekturës. Pikërisht në këtë kohë u ngritën shumë prej ndërtesave të të ashtuquajturit krishterim, të cilat tani konsiderohen si monumente artistike.
A gjejnë gjithmonë njerëzit freskim dhe inkurajim frymor ngaqë adhurojnë në kishë? «Për mua kisha përfaqësonte gjithçka që është e mërzitshme dhe e lodhshme në një fe,—thotë Fransiskoja nga Brazili.—Mesha ishte një ceremoni monotone e pakuptimtë, e cila nuk bënte asgjë për të plotësuar nevojat e mia të vërteta. Ishte një çlirim kur mbaronte.» Gjithsesi,
besimtarët e vërtetë janë të urdhëruar të mblidhen bashkë. Si duhet të mblidhen ata?‘Kongregacioni që është në shtëpinë e tyre’
Shembulli se si duhet të mblidhen të krishterët del nga shqyrtimi i asaj se si mblidheshin besimtarët e shekullit të parë. Shkrimet tregojnë se zakonisht mblidheshin në shtëpi private. Për shembull, apostulli Pavël shkroi: «Bëjuni të fala nga unë Priskës dhe Akuilës, bashkëpunëtorëve të mi në Krishtin Jezu, . . . dhe përshëndetni kongregacionin që është në shtëpinë e tyre.» (Romakëve 16:3, 5; Kolosianëve 4:15; Filemonit 2) Fjala greke e përkthyer «kongregacion» (ek·kle·siʹa) në disa përkthime në shqip është përkthyer «kishë», si për shembull në përkthimin Diodati i Ri. Por ky term i referohet një grupi njerëzish të mbledhur për një qëllim të përbashkët, dhe jo një ndërtese. (Veprat 8:1; 13:1) Adhurimi i praktikuar nga të krishterët e vërtetë nuk kërkon ndërtesa fetare plot stoli.
Si drejtoheshin mbledhjet në kongregacionet e të krishterëve të hershëm? Dishepulli Jakov, për t’iu referuar një mbledhjeje të krishterë, përdor një formë të fjalës greke sy·na·go·geʹ. (Jakovi 2:2) Kjo fjalë greke do të thotë «mbledhje» dhe zëvendësohet në mënyrë të ndërsjellë me fjalën ek·kle·siʹa. Sidoqoftë, me kalimin e kohës termi «sinagogë» mori kuptimin e vendit ose të ndërtesës ku mbahej mbledhja. Të krishterët e parë judenj e dinin mirë se çfarë bëhej në një sinagogë. *
Kur judenjtë mblidheshin në tempullin e Jerusalemit me rastin e festave vjetore, sinagogat shërbenin si vende për të mësuar për Jehovain dhe për të fituar një arsimim për Ligjin. Gjërat që bëheshin në sinagogë duket se ishin lutja dhe leximi i Shkrimeve, si dhe shtjellimi dhe nxitja me anë të tyre. Kur Pavli dhe të tjerë me të hynë në një sinagogë në Antioki, «të parët e sinagogës u dërguan atyre, duke u thënë: ‘Burra, vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë inkurajimi për popullin, thuajeni’ ». (Veprat 13:15) Kur të krishterët e parë judenj mblidheshin në shtëpi private, pa dyshim ndiqnin këtë shembull, duke mësuar Shkrimet dhe duke i bërë ndërtuese mbledhjet nga ana frymore.
Kongregacione për të inkurajuar të pranishmit
Ashtu si të krishterët e hershëm, sot Dëshmitarët e Jehovait mblidhen në vende të thjeshta adhurimi për të marrë udhëzime nga Bibla dhe për të gëzuar shoqërinë e shëndetshme. Për shumë vite ata mblidheshin vetëm në shtëpi private dhe një gjë të tillë e bëjnë ende në disa vende. Por tani numri i kongregacioneve është rritur në më tepër se 90.000 dhe vendet e tyre kryesore të mbledhjeve quhen Salla Mbretërie. Këto ndërtesa nuk janë sa për të tërhequr vëmendjen nga pamja e jashtme dhe as nuk kanë pamjen e kishave. Ato janë godina praktike dhe modeste në të cilat 100 deri 200 njerëz kanë mundësi të mblidhen në mbledhjet javore, me qëllim që të dëgjojnë dhe të mësojnë nga Fjala e Perëndisë.
Pjesa më e madhe e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait mblidhen tri herë në javë. Njëra mbledhje është një fjalim publik rreth një teme aktuale me interes. Pas saj bëhet një studim i bazuar në një temë ose profeci biblike, duke përdorur revistën Kulla e Rojës si material kryesor. Mbledhja tjetër është një shkollë që ka si qëllim të stërvitë të pranishmit se si ta paraqesin mesazhin e Biblës. Pas saj ka një mbledhje e cila përqendrohet në mënyrë të veçantë në dhënien e këshillave praktike për shërbimin e krishterë. Gjithashtu, një herë në javë Dëshmitarët mblidhen për një studim të Biblës nëpër grupe të vogla në shtëpi private. Të gjitha këto mbledhje janë të hapura për publikun. Nuk mblidhen kurrë para.
Franciskoja, i përmendur më parë, zbuloi se mbledhjet në Sallën e Mbretërisë janë shumë të dobishme. Ai thotë: «Vendi i parë i mbledhjes që vizitova ishte një ndërtesë e rehatshme në qendër të qytetit dhe u largova nga salla me një përshtypje të mirë. Të pranishmit ishin miqësorë dhe munda të ndieja dashurinë midis tyre. Mezi prisja të shkoja përsëri. Në fakt, që atëherë nuk kam munguar në asnjë mbledhje. Këto mbledhje të krishtere janë të gjalla dhe plotësojnë nevojën time frymore. Edhe kur për ndonjë arsye ndihem i shkurajuar, shkoj në Sallën e Mbretërisë, i sigurt se do të kthehem në shtëpi i inkurajuar.»
Në mbledhjet e krishtere të Dëshmitarëve të Jehovait do të gjeni arsimim biblik, shoqëri ndërtuese dhe do të keni mundësinë të lëvdoni Perëndinë. Ju ftojmë me ngrohtësi të merrni pjesë në Sallën e Mbretërisë që është më pranë shtëpisë suaj. Do të mbeteni të kënaqur.
[Shënimet]
^ par. 11 Tempulli u shkatërrua plotësisht nga romakët. Muri i Vajtimit, tek i cili vijnë për t’u lutur shumë judenj nga largësi të mëdha, nuk është pjesë e atij tempulli. Është vetëm një pjesë e murit të oborrit të tempullit.
^ par. 20 Ka të ngjarë që sinagogat u ngritën gjatë mërgimit 70-vjeçar në Babiloni, atëherë kur nuk ekzistonte ndonjë tempull ose u ngritën pak pas kthimit nga mërgimi teksa tempulli po rindërtohej. Në shekullin e parë, çdo qytet në Palestinë kishte sinagogën e tij, qytetet e mëdha kishin më shumë se një.
[Figurat në faqet 4, 5]
Tabernakulli dhe, më vonë, tempujt shërbyen si qendra të shkëlqyera për adhurimin e Jehovait
[Figura në faqen 6]
Bazilika e shën Pjetrit në Romë
[Figura në faqen 7]
Të krishterët e hershëm mblidheshin në shtëpi private
[Figurat në faqet 8, 9]
Dëshmitarët e Jehovait i mbajnë mbledhjet në shtëpi private dhe në Salla Mbretërie