Vendet e adhurimit: A na nevojiten?
Vendet e adhurimit: A na nevojiten?
‘Mijëra pelegrinë nga anë të ndryshme të vendit, të veshur me petka plot ngjyra, grupe indianësh që ekzekutonin nën ritmet e daulleve kërcimet që besohet se i përkasin kohës para pushtimit spanjoll, si dhe besimtarë që me shumë dhembje e përpjekje ecnin në gjunjë përmes turmës drejt vendit të shenjtë, mbushën hyrjen dhe rrugët përreth bazilikës.’
KËSHTU e përshkroi gazeta El Economista një turmë jashtëzakonisht të madhe njerëzish në dhjetor të vitit 2001. Në atë kohë rreth tre milionë njerëz vizituan bazilikën në qytetin e Meksikos për të treguar besimin e tyre në Virgjëreshën e Guadalupës. Edhe ndërtesa të tjera fetare të tilla, si Bazilika e shën Pjetrit në Romë, tërheqin shumë vizitorë.
Ndërtesat fetare zënë një vend të veçantë në zemrat e shumë njerëzve që dëshirojnë të adhurojnë Perëndinë. «Për mua, kisha ishte vendi ku mund të gjendesha pranë Perëndisë,—thotë Maria nga Brazili,—ajo ishte vend i shenjtë. Besoja se duke shkuar në kishë pastroja shpirtin dhe se ishte mëkat po të mos shkoja në meshë dhe në rrëfim çdo të diel.» Konsuela nga Meksika tregon: «Kisha më ngjallte një emocion të thellë; e vlerësoja shumë atë. Kur isha atje ndihesha sikur isha në parajsë.»
Ndonëse disa u japin rëndësi të madhe kishave, të tjerë kanë dyshime nëse janë të nevojshme si vende adhurimi. Duke folur për pjesëmarrjen e ulët në kishë, Piter Siberti, një prift katolik në Angli, thotë: «[Njerëzit] zgjedhin ato veçori të fesë të cilat u pëlqejnë. Shumë të moshuar janë katolikë dhe jetojnë në përputhje me fenë e tyre, por mes të rinjve nuk ekziston ndjenja e angazhimit për gjërat fetare.» Në gazetën Daily Telegraph të Londrës të 20 nëntorit 1998, theksohej: «Që nga viti 1979 në Angli janë mbyllur
rreth 1.500 kisha, në krahasim me 495 kisha që janë hapur dhe 150 të tjera që janë rindërtuar.»Në vitin 1997, në gazetën Süddeutsche Zeitung të Munihut, në Gjermani, raportohej: «Kishat po kthehen në kinema dhe në apartamente: Besimtarët nuk po shkojnë më atje, vendet e adhurimit po përdoren për qëllime të tjera. . . . Ajo që tashmë është bërë diçka e zakonshme në Holandë ose në Angli, tani po bëhet edhe në Gjermani.» Aty shtohet: «Në Gjermani, kushdo mund të zbulojë rreth 30 ose 40 shitje të bujshme të kishave brenda pak viteve të fundit.»
A janë ndërtesat fetare vërtet të nevojshme për të adhuruar Perëndinë? A kanë ndonjë precedent në Shkrime bazilikat dhe kishat plot stoli? Çfarë lloj ndërtesash kanë lidhje me adhurimin e Perëndisë së gjallë e të vërtetë? Çfarë mund të mësojmë prej tyre në lidhje me nevojën për të pasur vende adhurimi dhe se çfarë duhet të bëhet aty?