Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Forconi duart tuaja

Forconi duart tuaja

Forconi duart tuaja

NË Bibël fjala dorë përmendet me qindra herë. Idiomat me këtë fjalë përdoren në shumë mënyra. Për shembull duart e pastra nënkuptojnë pafajësi. (2 Samuel 22:21; Psalmi 24:3, 4) Hapja e dorës do të thotë të tregosh bujari ndaj të tjerëve. (Ligji i përtërirë 15:11; Psalmi 145:16) Në hebraisht, një njeri që e vë jetën në rrezik thuhet se e vendos shpirtin e tij në pëllëmbë të dorës. (1 Samuel 19:5) T’i lëshosh duart do të thotë të shkurajohesh. (2 Kronikave 15:7) Dhe t’i forcosh duart do të thotë të bëhesh i fortë e të marrësh fuqi me qëllim që të veprosh.​—1 Samueli 23:16.

Sot ekziston një nevojë urgjente që të forcojmë duart tona pra, të bëhemi të fortë. Po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Kur shkurajohemi prirja njerëzore është që të dorëzohemi, si të thuash t’i lëshojmë duart poshtë pa pasur fuqi. Është e zakonshme të shohësh të rinj që lënë shkollën, bashkëshortë që lënë familjet dhe nëna që braktisin fëmijët e tyre. Si të krishterë kemi nevojë të bëhemi të fortë për të përballuar sprovat të cilat i hasim në shërbimin që i bëjmë Perëndisë. (Mateu 24:13) Duke bërë kështu, gëzojmë zemrën e Jehovait.​—Fjalët e urta 27:11.

Si mund t’i forcojmë duart

Në ditët e Ezdrës, judenjtë duhet të forconin duart e tyre me qëllim që të përfundonin rindërtimin e tempullit të Jehovait në Jerusalem. Si i forcuan duart? Tregimi thotë: «Ata vazhduan të kremtonin me gëzim festën e kuleçëve të ndormë për shtatë ditë, sepse Jehovai bëri që të gëzonin. Ai ia kishte kthyer zemrën mbretit të Asirisë drejt tyre që t’ua forconte duart për punën e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë, Perëndisë së Izraelit.» (Ezdra 6:22, BR) Pa dyshim, ishte për shkak të forcës së tij aktive që Jehovai ngriti ‘mbretin e Asirisë’ të lejonte popullin e Perëndisë të kthehej. Ai ngriti moralin e njerëzve, kështu që ata përfunduan punën që kishin filluar.

Më vonë kur muret e Jerusalemit kishin nevojë të meremetoheshin, Nehemia forcoi duart e vëllezërve të tij për të kryer këtë punë. Lexojmë: «U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë. Atëherë ata thanë: ‘Të ngrihemi dhe t’i vihemi ndërtimit!’ Kështu morën kurajë për t’i forcuar duart e tyre për këtë detyrë të rëndësishme.» Duke forcuar duart, Nehemia dhe judenjtë e tjerë ishin në gjendje të rindërtonin muret e Jerusalemit brenda një periudhe të jashtëzakonshme prej 52 ditësh.​—Nehemia 2:18; 6:9, 15.

Ngjashëm, Jehovai na forcon duart për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mateu 24:14) E bën këtë duke ‘na pajisur me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij’. (Hebrenjve 13:21) Ai ka vendosur në duart tona vegla të cilësisë më të mirë. Kemi Biblën dhe libra, revista, broshura, fletushka, kaseta dhe videokaseta, të gjitha të bazuara në Bibël, që t’i përdorim për t’u predikuar njerëzve në të gjithë botën. Në fakt, botimet tona janë në dispozicion në rreth 380 gjuhë. Përveç kësaj, me anë të mbledhjeve të kongregacionit, asambleve dhe kongreseve, Jehovai siguron arsimim dhe stërvitje teokratike për të treguar mënyrën se si t’i përdorim këto pajisje të shkëlqyera që të përmbushim shërbimin tonë.

Ndonëse Jehovai na forcon në kaq shumë mënyra, ai gjithashtu pret nga ne që të ushtrojmë veten tonë. Kujtoni çfarë i tha profeti Elise mbretit Jehoas i cili kishte ardhur tek ai për të kërkuar ndihmë, që të luftonte kundër pushtuesve sirianë. Eliseu i tha mbretit të merrte disa shigjeta dhe të godiste tokën me to. Tregimi në Bibël thotë: «Ai goditi tri herë dhe u ndal. E njeriu i Perëndisë së vërtetë u indinjua me të, prandaj tha: ‘Duhej të goditje pesë ose gjashtë herë! Vetëm atëherë kishe për ta goditur Sirinë deri në atë pikë sa të merrte fund, por tani do ta godasësh Sirinë vetëm tri herë.’ » (2 Mbretërve 13:18, 19, BR) Duke dështuar që të ushtronte veten e tij me zell, Jehoasi pati vetëm një sukses të kufizuar mbi sirianët.

I njëjti parim zbatohet për ne nëse duam të kryejmë atë që Jehovai na ka dhënë për të bërë. Në vend që të shqetësohemi për pengesat që na zënë rrugën ose sa i vështirë mund të jetë caktimi, ne duhet të punojmë me zell dhe me gjithë zemër. Kemi nevojë të bëhemi të fortë dhe t’i drejtohemi Jehovait për ndihmë.​—Isaia 35:3, 4.

Jehovai do t’i forcojë duart tona

Jehovai pa dyshim do të na ndihmojë dhe do t’i forcojë duart tona për të bërë vullnetin e tij. Natyrisht Perëndia nuk do të kryejë mrekulli dhe të bëjë çdo gjë për ne. Ai pret që ne të bëjmë pjesën tonë: të lexojmë Biblën çdo ditë, të përgatitemi dhe të ndjekim mbledhjet rregullisht, të marrim pjesë në shërbim sa më shpesh të jetë e mundur dhe t’i lutemi vazhdimisht. Nëse me besueshmëri dhe me zell bëjmë pjesën tonë për aq kohë sa kemi mundësi, Jehovai do të na japë fuqinë për të bërë atë që pret nga ne.​—Filipianëve 4:13.

Shqyrtoni rastin e një të krishteri i cili brenda vitit humbi gruan dhe nënën e tij. Ende nuk i ishte lehtësuar dhimbja kur nusja e djalit e braktisi burrin e saj dhe u largua nga rruga e krishterë. «Mësova që nuk mund të zgjedhim sprovat tona, as kohën kur këto të ndodhin, as se sa shpesh të ndodhin»,​—tha ky vëlla. Ku e gjen forcën për të vazhduar përpara? «Lutja dhe studimi personal kanë qenë si jeleku i shpëtimit që të mban në sipërfaqe të ujit. Më ka sjellë ngushëllim edhe përkrahja e vëllezërve dhe motrave frymore. Para së gjithash, kam arritur të kuptoj rëndësinë e kultivimit të një marrëdhënie të mirë personale me Jehovain para se të dalin në pah vështirësitë.»

Çfarëdolloj gjëje që të kalojmë në jetë, le të jemi të vendosur për të besuar plotësisht te Jehovai dhe të nxjerrim dobi nga të gjitha masat që ai merr për të na forcuar duart. Atëherë do të jemi në gjendje t’i bëjmë Jehovait shërbim të cilësisë më të lartë dhe në këtë mënyrë t’i sjellim lëvdim dhe nderim emrit të tij të çmuar.​—Hebrenjve 13:15.

[Figura në faqen 31]

Duke mos e ushtruar veten me zell, Jehoasi pati vetëm sukses të kufizuar në luftën kundër sirianëve