Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Koha më e mirë për të jetuar

Koha më e mirë për të jetuar

Koha më e mirë për të jetuar

KUR gjendeni në situata sprovuese, a dëshironi me zjarr të kthehen ditët e lumtura që shkuan? Nëse është kështu, shqyrtoni fjalët e mbretit të mençur Solomon: «Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’, sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.»​—Predikuesi 7:10.

Përse Solomoni na jep këtë këshillë? Sepse ai e dinte se një pikëpamje realiste për të kaluarën është një ndihmë e vlefshme për të përballuar me sukses situatat e pafavorshme në të cilat mund të ndodhemi. Ata që e kthejnë kokën me dëshirim nga ditët e lumtura që shkuan, mund të harrojnë se në të vërtetë edhe ato ditë ishin të mbushura me probleme e shqetësime dhe që jeta në fakt nuk ka qenë kurrë e përsosur. E kaluara mund të ketë pasur disa gjëra që ishin më të mira, por ka shumë të ngjarë të ketë pasur edhe gjëra të tjera që nuk shkonin siç duhet. Siç tha dhe Solomoni, nuk është diçka e mençur që duke u larguar nga realiteti, të jetojmë me të kaluarën, pasi është e qartë që nuk mund ta kthejmë prapa rrjedhën e kohës.

Por, a mund të na sjellë ndonjë dëm nëse shohim vazhdimisht me nostalgji gjërat që shkuan? Po, nëse kjo na pengon për të qenë elastik dhe për t’u përshtatur me të tashmen ose nëse nuk na lejon të vlerësojmë kohën në të cilën po jetojmë dhe shpresën që mund të kemi.

Në të vërtetë, pavarësisht nga problemet botërore që po shtohen, tani është koha më e mirë për të jetuar. Pse? Sepse po i afrohemi përmbushjes së qëllimit të Perëndisë për tokën dhe bekimeve që do të sjellë sundimi paqësor i Mbretërisë së tij. Bibla premton: «Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:4) Në atë kohë, kur kushtet do të jenë shumë më të mira, askush nuk do të ketë arsye për të dëshiruar me zjarr ditët e lumtura që shkuan.