Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një caktim misionar u bë shtëpia jonë

Një caktim misionar u bë shtëpia jonë

Jetëshkrim

Një caktim misionar u bë shtëpia jonë

TREGUAR NGA DIK UOLLDRONI

Ishte e diel pasdite, shtator 1953. Ishim të sapoardhur në Afrikën Jugperëndimore (Namibia e sotme). Kishim më pak se një javë që ishim në këtë shtet dhe ishim gati të drejtonim një mbledhje publike në kryeqytetin Uind’hok. Çfarë na kishte shtyrë të transferoheshim nga Australia në këtë vend afrikan? Unë dhe bashkëshortja ime, bashkë me tri motra në moshë të re kishim ardhur si misionarë të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.​—Mateu 24:14.

JETA ime filloi në një vend të largët, në Australi, në vitin historik 1914. Vitet e adoleshencës përkuan me Krizën e Madhe dhe duhej të bëja pjesën time për të mbajtur gjallë familjen. Punë nuk kishte, por unë sajova një mënyrë për të gjuajtur lepuj të egër, të cilët gjenden me shumicë në Australi. Kështu, një nga ndihmat më të mëdha që dhashë për rezervat ushqimore të familjes ishte furnizimi i vazhdueshëm me mish lepuri.

Aty nga viti 1939, në kohën kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, kisha arritur të gjeja punë në tramvajet dhe autobusët në qytetin e Melburnit. Ishin rreth 700 punëtorë që punonin me turne dhe në çdo turn takoja një shofer ose një fatorino tjetër. Shpesh i pyesja «Çfarë feje ke?» dhe i ftoja të më shpjegonin atë që besonin. Personi i vetëm që arriti të më jepte përgjigje të kënaqshme ishte një Dëshmitar i Jehovait. Ai më shpjegoi mesazhin e bazuar në Bibël për një tokë parajsore, ku njerëzit me frikë Perëndie do të jetojnë përgjithmonë.​—Psalmi 37:29.

Ndërkohë edhe mamaja u njoh me Dëshmitarët e Jehovait. Shpesh, kur kthehesha nga turni i fundit, gjeja gati ushqimin dhe një kopje të revistës Ngushëllim (tani Zgjohuni!). Ato që lexoja m’u dukën tërheqëse. Me kalimin e kohës, arrita në përfundimin se kjo ishte feja e vërtetë. Kështu, mora pjesë aktivisht në të dhe u pagëzova në maj të vitit 1940.

Në Melburn, kishte një shtëpi pionierësh ku jetonin rreth 25 Dëshmitarë të Jehovait që shërbenin në kohë të plotë. Shkova të jetoja me ta. Ditë pas dite dëgjoja përvojat e tyre emocionuese në veprën e predikimit dhe kështu në zemrën time u zhvillua dëshira për t’u bashkuar me radhët e tyre. Si përfundim, bëra një kërkesë për të filluar shërbimin si pionier. U pranova dhe më thirrën të shërbeja në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. Kështu, u bëra pjesë e familjes Bethel.

Burgosja dhe ndalimi

Një nga caktimet e mia në Bethel ishte të drejtoja një kantier sharrash. Atje prisnim drurë për të përftuar qymyr druri si lëndë të djegshme. Ai përdorej për automjetet e degës, pasi për shkak të luftës, në treg kishte mungesë benzine. Dymbëdhjetë prej nesh punonin në kantierin e sharrave dhe të gjithë duhej të kryenim shërbimin ushtarak. S’kaloi shumë kohë dhe na dënuan me gjashtë muaj burg pasi në përputhje me atë që thuhet në Bibël, nuk pranuam të kryenim shërbimin ushtarak. (Isaia 2:4) Na dërguan në një fermë të burgut për punë të detyruar. Çfarë pune na dhanë për të bërë? Për habinë tonë, duhet të prisnim drurë, pikërisht atë për të cilën ishim stërvitur të bënim në Bethel.

E bënim kaq mirë këtë punë, saqë drejtori i burgut na dha një Bibël dhe literaturën tonë biblike, pavarësisht nga urdhrat e rrepta që ishin dhënë për të mos na i lënë këto gjëra. Pikërisht gjatë kësaj kohe mora një mësim të dobishëm për marrëdhëniet midis njëri-tjetrit. Kur punoja në Bethel, ishte një vëlla, me të cilin vërtet nuk mund të shkoja mirë. Thjesht, personalitetet tona ishin shumë të ndryshme. Por, a e dini se kush ishte caktuar në të njëjtën qeli me mua? Po, pikërisht ai vëlla. Tani, kishim vërtet kohë për ta njohur njëri-tjetrin dhe si rezultat lidhëm një miqësi të ngushtë dhe të qëndrueshme.

Me kalimin e kohës, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Australi u ndalua. Të gjitha fondet u konfiskuan dhe vëllezërit e Bethelit kishin shumë pak nga ana financiare. Një herë, njëri prej tyre erdhi dhe më tha: «Dik, dua të shkoj dhe të predikoj pak në qytet, por nuk kam këpucë, kam vetëm çizmet e punës.» E ndihmova me kënaqësi dhe ai u nis për në qytet duke mbajtur veshur këpucët e mia.

Më vonë, morëm vesh se atë e kishin arrestuar dhe burgosur për shkak të predikimit. Nuk mund të rrija pa i dërguar një shënim të shkurtër: «Më vjen keq për ty. Por, më vjen mirë që nuk i kisha veshur unë këpucët e mia.» Por shpejt, më arrestuan dhe më burgosën edhe mua për herë të dytë, për shkak të qëndrimit tim asnjanës. Pas lirimit, më caktuan të kujdesesha për fermën që furnizonte me ushqim familjen Bethel. Në atë kohë, kishim fituar një çështje gjyqësore dhe ndalimi i vënë mbi aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait u hoq.

Martohem me një predikuese të zellshme

Kur punoja në fermë, fillova të mendoj seriozisht për martesën dhe më tërhoqi një motër e re pioniere, Korali Klogan. Në familjen e saj, e para që kishte treguar interes për mesazhin e Biblës kishte qenë gjyshja. Në shtratin e vdekjes, ajo i kishte thënë nënës së Koralisë, Verës: «Rriti fëmijët që ta duan dhe t’i shërbejnë Perëndisë dhe kështu, një ditë do të takohemi në tokën parajsore.» Më vonë, kur një pionier erdhi në shtëpinë e Verës dhe i tregoi asaj botimin Miliona që tani jetojnë nuk do të vdesin kurrë, fjalët e nënës filluan të merrnin një domethënie për të. Me anë të broshurës, ajo u bind se qëllimi i Perëndisë për njerëzit ishte që të gëzojnë jetën në një parajsë mbi tokë. (Zbulesa 21:4) Vera u pagëzua në fillimet e viteve 30 dhe ashtu siç e inkurajoi e ëma, i ndihmoi tri bijat e saj, Lusin, Xhinin dhe Koralinë, të zhvillonin dashuri për Perëndinë. Megjithatë, babai i Koralisë e kundërshtoi me forcë interesin fetar të familjes, ashtu siç Jezui paralajmëroi se mund të ndodhte brenda familjeve.​—Mateu 10:34-36.

Familja Klogan ishte një familje me talent në muzikë dhe secili nga fëmijët i binte një vegle muzikore. Koralija luante në violinë dhe më 1939, kur ishte 15 vjeçe, mori një diplomë në muzikë. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore bëri që ajo të mendonte seriozisht për të ardhmen e saj. Kishte ardhur koha që të merrte një vendim se çfarë do të bënte me jetën e saj. Nga njëra anë, përpara saj qëndronte mundësia për të bërë karrierë në muzikë. Tashmë, kishte marrë një ftesë për të luajtur në Orkestrën Simfonike të Melburnit. Por nga ana tjetër ishte mundësia për t’ia kushtuar kohën veprës madhështore të predikimit të mesazhit të Mbretërisë. Pas një meditimi të thellë, Koralija dhe dy motrat e saj u pagëzuan më 1940 dhe bënë përgatitje për të filluar veprën e shërbimit të plotkohor.

Shumë shpejt pasi kishte vendosur për të filluar shërbimin e plotkohor, asaj iu afrua një vëlla me përgjegjësi nga dega e Australisë, Llojd Berri, i cili më vonë shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai sapo kishte mbajtur një fjalim në Melburn dhe i tha Koralisë: «Po kthehem në Bethel. Pse nuk vjen me mua me tren dhe të bëhesh pjesë e familjes Bethel?» Ajo pranoi me gatishmëri.

Koralija dhe motrat e tjera të familjes Bethel luajtën një rol jetësor për t’u siguruar botime biblike vëllezërve në Australi, gjatë ndalimit në vitet e luftës. Në fakt, ato bënë pjesën më të madhe të shtypjes së botimeve, nën mbikëqyrjen e vëllait Malkom Veil. Librat Bota e re dhe Fëmijët shtypeshin dhe lidheshin e asnjë numër i revistës Kulla e Rojës nuk mbeti pa u shtypur gjatë më shumë se dy vjetëve që ndalimi ishte në fuqi.

Shtypshkronja duhej të ndryshonte vend gati 15 herë për t’i shpëtuar policisë. Në një rast, literatura biblike u shtyp në bodrumin e një ndërtese ku gjithashtu, për maskim, shtypej edhe literaturë e një lloji tjetër. Nëse kishte rrezik, motra që rrinte në dhomën e portierit mund të shtypte një buton dhe një zile binte në bodrum. Kështu, motrat atje mund t’i fshihnin botimet para se dikush të fillonte të bënte kontroll.

Gjatë një kontrolli të tillë, disa nga motrat u tmerruan kur panë se një kopje e revistës Kulla e Rojës ndodhej mbi tavolinë fare hapur e mund të shihej nga kushdo. Polici hyri, vuri çantën pikërisht mbi revistë dhe vazhdoi kontrollin. Duke mos gjetur asgjë, mori çantën dhe doli jashtë i inatosur.

Pasi u hoq ndalimi dhe prona e degës iu kthye vëllezërve, shumë prej tyre iu dha mundësia të shërbenin në fushë si pionierë specialë. Ishte koha kur Koralija doli vullnetare për të shkuar në Glen-Ines. Më 1 janar 1948, kur u martuam, edhe unë shkova atje. Në kohën kur përfunduam atë caktim, atje ishte formuar një kongregacion që lulëzonte.

Caktimi tjetër ishte Rokhempton, por atje nuk mundëm të gjenim strehim. Kështu, ngritëm një tendë në një fushë të hapur në fermën e një personi të interesuar. Ajo tendë do të ishte shtëpia jonë për nëntë muajt pasues. Mund të kishim qëndruar atje dhe më gjatë, por kur filloi stina e shirave, një stuhi tropikale e bëri tendën copë-copë dhe rrebeshet musonike e morën me vete. *

Transferimi në një caktim jashtë vendit

Kur ishim në Rokhempton, morëm një ftesë për të ndjekur klasën e 19-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit për stërvitje misionare. Dhe kështu, pasi u diplomuam më 1952, na caktuan në vendin që në atë kohë njihej si Afrika Jugperëndimore.

Pa vonesë, kleri i të ashtuquajturit krishterim e shfaqi hapur atë që mendonte për veprën tonë misionare. Çdo të diel, për gjashtë javë me radhë, nga katedrat e kishave ata i paralajmëronin bashkësitë e tyre për ne. U thoshin njerëzve të mos na e hapnin derën dhe të mos lejonin t’u lexonim diçka nga Bibla, sepse kjo do t’i pështjellonte. Në një zonë, shpërndamë disa botime, por pastori na ndoqi nga shtëpia në shtëpi dhe i mblodhi ato përsëri. Një ditë, patëm një bisedë në studion e këtij pastori dhe pamë se kishte një koleksion të tërë me librat tanë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe autoritetet vendase, gjithashtu, filluan të shfaqnin shqetësimin e tyre për veprimtaritë tona. Pa dyshim, nën nxitjen e klerit, ato dyshonin se ne mund të kishim lidhje me komunistët. Kështu, na morën shenjat e gishtërinjve dhe morën në pyetje disa prej njerëzve që kishim vizituar. Pavarësisht nga gjithë ky kundërshtim, pjesëmarrja në mbledhjet tona rritej vazhdimisht.

Që në fillim të qëndrimit tonë, zhvilluam një dëshirë të zjarrtë për të përhapur mesazhin e Biblës midis popullsive vendase të ovambos, hereros dhe namasë. Gjithsesi, kjo nuk qe e lehtë. Në atë kohë, Afrika Jugperëndimore ra nën juridiksionin e qeverisë së apartejdit të Afrikës së Jugut. Meqë ishim të bardhë, nuk na lejonin të dëshmonim në zonat e zezakëve pa një leje nga qeveria. Herë pas here, ua kërkuam këtë gjë, por autoritetet refuzonin të na e jepnin.

Pas dy vjetësh që kishim kaluar në atë caktim, patëm një surprizë. Koralija mbeti shtatzënë. Në tetor të vitit 1955, lindi vajza jonë Sharlota. Megjithëse nuk mund të vazhdonim më si misionarë, munda të gjeja një punë me orar të kufizuar dhe për njëfarë kohe vazhdova si pionier.

Një përgjigje për lutjet tona

Më 1960, hasëm një sfidë tjetër. Koralija mori një letër ku thuhej se mamaja e saj ishte kaq e sëmurë, saqë, nëse Koralija nuk kthehej në shtëpi, mund të mos e shihte më. Kështu menduam të largoheshim nga Afrika Jugperëndimore dhe të ktheheshim në Australi. Pikërisht atë javë që duhej të niseshim ndodhi diçka. Autoritetet vendase na dhanë lejen për të hyrë në zonën e Katuturasë të banuar nga popullsia me ngjyrë. Çfarë të bënim? Ta kthenim mbrapsht lejen pas shtatë vjet përpjekjesh për ta marrë? Ishte e lehtë të arsyetonim se të tjerët mund të vazhdonin aty ku e lamë ne. Por, a nuk ishte ky një bekim nga Jehovai, një përgjigje e lutjeve tona?

Shpejt, e mora vendimin se çfarë duhej të bëja. Unë do të qëndroja aty, pasi kishim frikë se po të niseshim të gjithë për në Australi, do të vinim në rrezik përpjekjet që kishim bërë për të fituar lejen e qëndrimit të përhershëm. Të nesërmen, anulova rezervimin që kisha bërë në anije dhe përcolla Koralinë dhe Sharlotën që u nisën në Australi për pushime të gjata.

Ndërkohë që ato ndodheshin larg, fillova të jepja dëshmi në zonat e banuara nga zezakët. Interesi që gjeta ishte i jashtëzakonshëm. Kur Koralija dhe Sharlota u kthyen, disa persona nga komunitetet e zezakëve ndiqnin mbledhjet tona.

Në atë kohë, kisha një makinë të vjetër që mund ta përdorja për të çuar të interesuarit në mbledhje. Bëja katër ose pesë rrugë për secilën mbledhje duke marrë shtatë, tetë ose nëntë persona në çdo rrugë. Kur personi i fundit dilte nga makina, Koralija pyeste me shaka: «Sa të tjerë ka ende nën ndenjësen e makinës?»

Për të qenë më të efektshëm në veprën e predikimit, kishim nevojë për literaturë në gjuhët e popullsisë vendëse. Kështu pata privilegjin të bëja rregullimet për përkthimin e fletushkës Jeta në një botë të re në katër gjuhë vendase: herero, nama, ndonga dhe kuaniama. Përkthyesit ishin njerëz të arsimuar, me të cilët studionim Biblën, por unë duhej të punoja përkrah tyre për t’u siguruar që çdo fjali të përkthehej saktë. Nama është një gjuhë me fjalor të kufizuar. Për shembull, po përpiqesha të shpjegoja pikën: «Në fillim, Adami ishte një njeri i përsosur.» Përkthyesi, kroi kokën dhe tha se nuk mund ta kujtonte fjalën «i përsosur» në këtë gjuhë. «E gjeta,​—tha ai më në fund.​—Në fillim, Adami ishte si një pjeshkë e pjekur.»

Të kënaqur në vendin e caktimit tonë

Kanë kaluar rreth 49 vjet që kur erdhëm për herë të parë në këtë vend, i cili tani quhet Namibi. Nuk është më e nevojshme një leje për të hyrë në zonat e komuniteteve me ngjyrë. Namibia qeveriset nga një qeveri e re që bazohet në një kushtetutë pa paragjykime raciale. Sot në Uind’hok, ka katër kongregacione që mblidhen në Salla Mbretërie të rehatshme.

Shpesh, kemi menduar për fjalët që dëgjuam në Galaad: «Bëjeni caktimin në një vend të huaj, shtëpinë tuaj.» Nga mënyra si Jehovai i ka drejtuar gjërat, jemi të bindur se ishte vullneti i tij që ky vend i huaj të bëhej shtëpia jonë. Kemi arritur të duam vëllezërit bashkë me kulturat e tyre të ndryshme e interesante. Kemi qeshur me ta në gëzimet e tyre dhe kemi qarë në hidhërimet e tyre. Disa nga ata që i merrnim me vete dhe ngjisheshin në makinën tonë ndërsa shkonim për në mbledhje, tani shërbejnë si shtylla në kongregacionet e tyre. Më 1953 kur erdhëm në këtë vend shumë të madh, ishin më pak se dhjetë lajmëtarë vendas që predikonin lajmin e mirë. Nga ai grup i vogël, numri i lajmëtarëve është rritur mbi 1.200. Në përmbushje të premtimit të tij, Jehovai ka bërë të ketë rritje atje ku ne dhe të tjerë kemi ‘mbjellë dhe ujitur’.​—1 Korintasve 3:6.

Kur hedhim një vështrim prapa, në vitet e shumta të shërbimit, në fillim në Australi dhe tani në Namibi, unë dhe Koralija përjetojmë një ndjenjë kënaqësie të thellë. Shpresojmë dhe lutemi që Jehovai të vazhdojë të na japë fuqinë për të bërë vullnetin e tij tani e përgjithmonë.

[Shënimi]

^ par. 22 Një histori emocionuese e çiftit Uolldron, në të cilën nuk përmenden emrat e tyre dhe ku tregohet qëndrueshmëria në këtë caktim të vështirë tregohet në revistën Kulla e Rojës së 1 dhjetorit 1952, faqet 707-708.

[Figura në faqet 26, 27]

Duke shkuar në caktimin tonë në Rokhempton, Australi

[Figura në faqen 27]

Në dok, gjatë rrugës për në shkollën e Galaadit

[Figura në faqen 28]

Predikimi në Namibi na sjell shumë gëzim