Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Sipas Zbulesës 20:8, a duhet të arrijmë në përfundimin se në sprovën e fundit numri i njerëzve që do të mashtrohen nga Satanai do të jetë tejet i madh?

Zbulesa 20:8 përshkruan sulmin e fundit të Satanait, në fund të sundimit njëmijëvjeçar të Mbretërisë së Mesisë, kundër njerëzve që jetojnë në tokë. Duke folur për Satanain, vargu thotë: «Do të dalë për të mashtruar ato kombe që janë në të katër cepat e dheut, Gog dhe Magog, që t’i mbledhë së bashku për luftë. Numri i këtyre është si rëra e detit.»

Me gjithë përparimet në metodat dhe në pajisjet shkencore, «rëra e detit» mbetet një sasi ose numër i panjohur. Prandaj, mund të thuhet se kjo shprehje përshkruan një numër të papërcaktuar e të panjohur. Por, a nënkupton ajo një numër tejet të madh, të jashtëzakonshëm ose madje astronomik apo është thjesht një numër i panjohur, por i konsiderueshëm?

Në Bibël, shprehja «si rëra e detit» përdoret në shumë mënyra. Për shembull, te Zanafilla 41:49, lexojmë: «Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari, sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme.» Këtu theksi vihet te fakti se sasia ishte e pallogaritshme. Në mënyrë të ngjashme, Jehovai tha: «Ashtu si nuk mund të njehsohet [llogaritet, BR] ushtria e qiellit as të matet rëra e detit, ashtu unë do t’i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim.» Ashtu si është e sigurt se yjet në qiell dhe rëra e detit janë të pallogaritshme, po kështu është e sigurt se Jehovai do ta përmbushë premtimin e tij ndaj Davidit.​—Jeremia 33:22.

Shpesh shprehja «si rëra e detit» i referohet diçkaje me sasi ose me masë të konsiderueshme e mbresëlënëse. Izraelitët në Gilgal ishin shumë të shqetësuar nga ushtria filisteje e mbledhur në Mikmash, e cila ‘për nga numri i madh ishte si kokrrizat e rërës në breg të detit’. (1 Samuelit 13: 5, 6, BR; Gjykatësit [Gjyqtarët] 7:12, BR) Po ashtu, «Perëndia vazhdoi t’i jepte Solomonit mençuri dhe kuptueshmëri shumë të madhe, si edhe një zemër me shumë gjykim të thellë, ashtu si rëra që gjendet në breg të detit». (1 Mbretërve 4:29, BR) Edhe pse sasia për të cilën flitej në çdo rast ishte e konsiderueshme, prapëseprapë ajo ishte e përcaktueshme.

Shprehja «si rëra e detit» mund edhe të nënkuptojë një numër të panjohur, pa dhënë idenë se është tejet e madhe. Jehovai i tha Abrahamit: «Do ta shumoj sigurisht farën tënde si yjet e qiejve dhe si kokrrizat e rërës në breg të detit; fara jote do të shtjerë në dorë portat e armiqve të vet.» (Zanafilla 22:17, BR) Kur Jehovai ia përsëriti këtë premtim nipit të Abrahamit, Jakobit, ai përdori shprehjen «si grimcat e pluhurit të tokës», të cilën Jakobi e përsëriti me fjalët «si kokrrizat e rërës së detit». (Zanafilla 28:14; 32:12, BR) Siç u bë e qartë më vonë, përveç Jezu Krishtit, «fara» e Abrahamit përbëhet edhe nga 144.000 veta, të cilët Jezui i quajti «kope e vogël».​—Luka 12:32; Galatasve 3:16, 29; Zbulesa 7:4; 14:1, 3.

Çfarë mësojmë nga këta shembuj? Që shprehja «si rëra e detit» nuk ka gjithnjë kuptimin e një numri astronomik të pafund; as nuk përdoret gjithnjë për të përshkruar diçka me madhësi tejet të madhe ose të jashtëzakonshme. Shpesh, ajo përshkruan një numër të panjohur, por të konsiderueshëm. Prandaj, është e arsyeshme të besojmë se turma rebele që do ta përkrahë Satanain në sulmin e tij të fundit kundër popullit të Perëndisë, nuk do të jetë tejet e madhe, por e konsiderueshme dhe e mjaftueshme për të përbërë një kërcënim. Megjithatë, tani për tani, numri mbetet i panjohur.