Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të gjejmë kënaqësi në studimin personal të Fjalës së Perëndisë

Të gjejmë kënaqësi në studimin personal të Fjalës së Perëndisë

Të gjejmë kënaqësi në studimin personal të Fjalës së Perëndisë

«Do të meditoj për tërë veprat e tua, dhe për mënyrën se si vepron do të mendoj.»​—PSALMI 77:12, BR.

1, 2. (a) Përse duhet të lëmë kohë mënjanë për të medituar? (b) Ç’do të thotë «meditoj» dhe «përsiatem»?

SI DISHEPUJ të Jezu Krishtit, duhet të shqetësohemi thellë për marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe për arsyet se përse po i shërbejmë Atij. Megjithatë, sot shumica e njerëzve jetojnë me një ritëm kaq të shpejtë, saqë nuk lënë mënjanë kohë për meditim. Ata janë krejtësisht të zhytur në aktivitete të ethshme për gjërat materiale, për blerjen e artikujve të konsumit dhe për kërkimin e pamend të kënaqësive. Si mund t’i shmangim këto përpjekje që nuk të çojnë gjëkundi? Ashtu si çdo ditë lëmë mënjanë kohë të caktuar për aktivitetet thelbësore, si ngrënia dhe fjetja, po në të njëjtën mënyrë duhet të lëmë mënjanë kohë çdo ditë për të medituar për veprat e Jehovait dhe për mënyrën se si vepron ai.​—Ligji i përtërirë 8:3; Mateu 4:4.

2 A ndalemi ndonjëherë për të medituar? Ç’do të thotë të meditosh? Një fjalor e përkufizon fjalën «meditoj» si «përqendroj mendimet mbi diçka; mendoj thellë ose përsiatem». Nga ana tjetër, fjala «përsiatem» sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe do të thotë «mendohem thellë për diçka, e rrah mirë me mend». Ç’domethënie ka kjo për ne?

3. Me çfarë lidhet drejtpërdrejt përparimi frymor?

3 Pikësëpari, ajo duhet të na kujtojë atë që i shkroi apostulli Pavël bashkëshërbëtorit të tij Timote: «Derisa të vij, vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. . . . Përsiatu në këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.» Po, pritej që të bëhej përparim dhe fjalët e Pavlit tregonin se kishte një lidhje të drejtpërdrejtë midis përsiatjes mbi gjërat frymore dhe përparimit. E njëjta gjë është e vërtetë edhe sot. Për të provuar kënaqësinë që vjen kur bëjmë përparim frymor, duhet ‘të përsiatemi’ e ‘të zhytemi’ gjithmonë në gjërat që kanë të bëjnë me Fjalën e Perëndisë.​—1 Timoteut 4:13-15.

4. Cilat mjete mund të përdorni që t’ju ndihmojnë të përsiateni rregullisht në Fjalën e Jehovait?

4 Se cila është koha më e mirë për të medituar, kjo varet nga ne dhe nga programi i familjes sonë. Shumë veta përsiaten në një shkrim biblik herët në mëngjes kur lexojnë broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Në të vërtetë, rreth 20.000 vullnetarë në shtëpitë Bethel përreth botës e fillojnë ditën me një shqyrtim prej 15 minutash të shkrimit biblik të asaj dite. Ndërkohë që çdo mëngjes vetëm pak veta në familjen Bethel bëjnë një koment, të tjerët përsiaten në atë që thuhet dhe lexohet. Dëshmitarë të tjerë përsiaten në Fjalën e Perëndisë gjatë udhës për në punë. Ata dëgjojnë audiokasetat e Biblës dhe të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, të cilat janë në dispozicion në disa gjuhë. Shumë amvisa e bëjnë këtë gjë, teksa bëjnë punët e shtëpisë. Në të vërtetë, të gjithë ata po imitojnë psalmistin Asaf, i cili shkroi: «Do të kujtoj mënyrën se si vepron Jah, sepse do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve më parë. Do të meditoj për tërë veprat e tua, dhe për mënyrën se si vepron do të mendoj.»​—Psalmi 77:11, 12, BR.

Qëndrimi i drejtë sjell rezultate pozitive

5. Pse duhet të jetë i rëndësishëm për ne studimi personal?

5 Në epokën tonë moderne me televizorë, video dhe kompjutera, shumica e njerëzve nuk lexojnë më kaq shumë. Patjetër që kjo gjë nuk duhet të jetë e vërtetë edhe për Dëshmitarët e Jehovait. Në fund të fundit, leximi i Biblës është si një litar shpëtimi që na afron drejt Jehovait. Mijëra vjet më parë Josiu pasoi Moisiun si udhëheqës i Izraelit. Për të marrë bekimin e Jehovait, Josiu duhej ta lexonte vetë Fjalën e Perëndisë. (Josiu 1:8; Psalmi 1:1, 2) Kjo është ende një kërkesë për ditët e sotme. Gjithsesi, disave, për shkak të arsimimit të kufizuar, leximi mund t’u duket i vështirë ose i mundimshëm. Atëherë, çfarë mund të na ndihmojë që të kemi dëshirë për ta lexuar dhe për ta studiuar Fjalën e Perëndisë? Përgjigjja mund të gjendet te fjalët e mbretit Solomon, të cilat janë të dokumentuara te Proverbat [Fjalët e urta] 2:1-6. Le të hapim Biblën dhe të lexojmë këto vargje sipas Përkthimit Bota e Re. Pastaj do t’i diskutojmë së bashku.

6. Ç’qëndrim duhet të shfaqim ndaj njohurisë së Perëndisë?

6 Në fillim aty gjejmë këtë nxitje: «Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse i ruan si thesar brenda teje urdhërimet e mia, që me veshin tënd t’i kushtosh vëmendje mençurisë, për ta prirur zemrën drejt aftësisë dalluese; . . . » (Proverbat 2:1, 2) Çfarë mësojmë nga këto fjalë? Që përgjegjësinë për ta studiuar Fjalën e Perëndisë e ka secili prej nesh. Vini re fjalinë në mënyrën kushtore «nëse i pranon fjalët e mia». Fjala «nëse» vlen për t’u theksuar, sepse shumica e njerëzimit nuk i kushton vëmendje Fjalës së Perëndisë. Që të gjejmë gëzim në studimin e Fjalës së Perëndisë, duhet të jemi të gatshëm t’i pranojmë fjalët e Jehovait dhe t’i trajtojmë si një thesar që nuk duam ta humbim. Kurrë nuk duhet të lejojmë që rutina e përditshme të na bëjë kaq të zënë e të shpërqendruar, saqë të fillojmë ta shohim Fjalën e Perëndisë me mospërfillje ose madje me dyshim.​—Romakëve 3:3, 4.

7. Pse duhet të jemi të pranishëm në mbledhjet e krishtere kurdo që kemi mundësi dhe pse duhet t’u kushtojmë vëmendje atyre?

7 A ‘kushtojmë vëmendje’ me të vërtetë dhe a dëgjojmë me kujdes kur Fjala e Perëndisë shtjellohet në mbledhjet e krishtere? (Efesianëve 4:20, 21) A e ‘pririm zemrën’ në mënyrë që të fitojmë aftësi dalluese? Ndoshta oratori nuk është nga ata më me përvojë, por kur trajton Fjalën e Perëndisë, ai meriton vëmendjen tonë të plotë. Sigurisht, për t’i kushtuar vëmendje mençurisë së Jehovait, duhet të jemi të pranishëm në mbledhjet e krishtere kurdo që kemi mundësi. (Proverbat 18:1) Përfytyroni zhgënjimin e ndokujt që mund të ketë munguar në mbledhjen që u mbajt në Jerusalem, në një dhomë të sipërme në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.! Edhe pse mbledhjet tona nuk janë po kaq të jashtëzakonshme sa ajo mbledhje, në to shqyrtohet Bibla, libri ynë kryesor. Pra, çdo mbledhje mund të jetë një bekim për ne, në qoftë se i kushtojmë vëmendje dhe në qoftë se i ndjekim ato duke lexuar në kopjen tonë të Biblës.​—Veprat 2:1-4; Hebrenjve 10:24, 25.

8, 9. (a) Çfarë kërkohet nga ne lidhur me studimin personal? (b) Si do ta krahasonit vlerën e arit me kuptueshmërinë e njohurisë së Perëndisë?

8 Fjalët vijuese të mbretit të mençur janë: «Për më tepër, nëse i thërret kuptueshmërisë dhe nëse e ngre zërin për aftësi dalluese, . . . » (Proverbat 2:3) Ç’qëndrim ose ç’frymë na shprehin këto fjalë? Sigurisht, dëshirën e zjarrtë për të kuptuar Fjalën e Jehovait. Ato përfshijnë gatishmërinë për ta studiuar me qëllimin që të fitojmë aftësi dalluese, që të dallojmë se cili është vullneti i Jehovait. Kjo, patjetër kërkon përpjekje dhe kjo gjë na çon te fjalët dhe tek ilustrimi vijues i Solomonit.​—Efesianëve 5:15-17.

9 Ai vazhdon: «Nëse vazhdon t’i kërkosh si argjendin dhe nëse vazhdon të rrëmosh për to si për thesare të fshehura, . . . » (Proverbat 2:4) Kjo na bën të mendojmë për arritjet e atyre njerëzve të cilët për shekuj të tërë kanë kërkuar nëpër miniera të ashtuquajturat metale të çmuara, argjendin dhe arin. Disa njerëz kanë vrarë njëri-tjetrin për ar. Të tjerë e kanë kaluar gjithë jetën duke u përpjekur për ta gjetur atë. Sidoqoftë, çfarë vlere të vërtetë ka ari? Sikur të kishit humbur në një shkretëtirë dhe të ishit duke vdekur nga etja, çfarë do të zgjidhnit: një kallëp ar apo një gotë ujë? Prapëseprapë, me sa zell e kanë kërkuar njerëzit arin, vlera e të cilit luhatet sipas vlerësimeve njerëzore! * Me sa më shumë zell duhet ta kërkojmë mençurinë, aftësinë dalluese dhe kuptueshmërinë e Perëndisë dhe të vullnetit të tij. Por cilat janë dobitë e një kërkimi të tillë?​—Psalmi 19:7-10; Proverbat 3:13-18.

10. Çfarë mund të gjejmë nëse studiojmë Fjalën e Perëndisë?

10 Solomoni vazhdon të shtjellojë: «Atëherë do të kuptosh frikën e Jehovait dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë.» (Proverbat 2:5) Sa të mahnit mendimi se njerëzit mëkatarë mund të gjejnë «njohurinë e Perëndisë» Jehova, Zotërisë Sovran të universit! (Psalmi 73:28; Veprat 4:24) Filozofët dhe të ashtuquajturit njerëz të mençur të botës, prej shekujsh janë përpjekur të kuptojnë misteret e jetës dhe të universit. Megjithatë, nuk kanë arritur të gjejnë «njohurinë e Perëndisë». Përse? Sepse ata e hedhin poshtë si tepër të thjeshtë dhe si rrjedhim nuk arrijnë ta pranojnë dhe ta kuptojnë atë, ndonëse ajo ka qenë në dispozicion prej mijëra vjetësh në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.​—1 Korintasve 1:18-21.

11. Cilat janë disa dobi të studimit personal?

11 Këtu Solomoni thekson një arsye tjetër: «Jehovai vetë jep mençuri; prej gojës së tij del njohuri dhe aftësi dalluese.» (Proverbat 2:6) Jehovai i jep lirisht dhe me bujari, mençuri, njohuri dhe aftësi dalluese, kujtdo që është i gatshëm t’i kërkojë ato. Patjetër që kemi çdo arsye për ta çmuar studimin personal të Fjalës së Perëndisë, edhe sikur të kërkojë përpjekje, disiplinë dhe sakrificë. Për më tepër, ne kemi kopje të shtypura të Biblës dhe nuk na duhet të bëjmë kopje të shkruara me dorë, siç bënin disa në kohët e lashta.​—Ligji i përtërirë 17:18, 19.

Të ecim denjësisht për Jehovain

12. Cili duhet të jetë motivi ynë kur kërkojmë njohurinë e Perëndisë?

12 Me cilin motiv duhet ta bëjmë studimin personal? Për t’u dukur më të mirë se të tjerët? Për të treguar para të tjerëve se kemi më shumë njohuri? Për t’u bërë në të vërtetë enciklopedi biblike me dy këmbë? Jo. Synimi ynë është të jemi të krishterë që ecin sipas Biblës, që flasin për të dhe që e vënë në praktikë, duke qenë gjithmonë gati për t’i ndihmuar të tjerët, me të njëjtën frymë freskuese si Krishti. (Mateu 11:28-30) Apostulli Pavël paralajmëroi: «Njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.» (1 Korintasve 8:1) Prandaj, duhet të kemi qëndrimin e përulur që shfaqi Moisiu kur i tha Jehovait: «Më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu.» (Eksodi [Dalja] 33:13) Po, duhet ta dëshirojmë njohurinë me qëllimin për t’i pëlqyer Perëndisë, dhe jo për t’u bërë përshtypje njerëzve. Duam të jemi shërbëtorë të denjë e të përulur të Perëndisë. Si mund ta arrijmë këtë synim?

13. Çfarë nevojitet për t’u bërë shërbëtor i denjë i Perëndisë?

13 Pavli e këshilloi Timoteun se si t’i pëlqente Perëndisë, duke i thënë: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.» (2 Timoteut 2:15) Shprehja «që e përdor drejt» vjen nga një folje e përbërë greke që dikur kishte kuptimin «që e pret drejt» ose ‘pres drejt’. (Kingdom Interlinear) Sipas disa studiuesve, ajo jep idenë e një rrobaqepësi që pret pëlhurën sipas një modeli, të një bujku që hap brazda në një fushë e kështu me radhë. Në cilindo rast, ajo që del përfundimisht duhet të jetë pa dredha ose e drejtë. Pika është se për të qenë shërbëtor i denjë dhe i miratuar i Perëndisë, Timoteu duhej ‘të bënte çmos’ për të qenë i sigurt se mësimdhënia dhe sjellja e tij ishin në përputhje me fjalën e së vërtetës.​—1 Timoteut 4:16.

14. Në ç’mënyrë duhet të ndikojë studimi personal në gjërat që bëjmë dhe themi?

14 Pavli theksoi të njëjtën pikë kur i nxiti të bashkëkrishterët në Kolose që ‘të ecnin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqenin plotësisht atij’ ‘duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke u rritur në njohurinë e saktë të Perëndisë’. (Kolosianëve 1:10) Këtu Pavli e lidh të qenët i denjë për Jehovain me ‘dhënien fryt në çdo vepër të mirë’, si dhe me ‘rritjen në njohurinë e saktë të Perëndisë’. Me fjalë të tjera, ajo që ka rëndësi për Jehovain nuk është vetëm sa shumë e vlerësojmë njohurinë, por edhe sa ngushtë i përmbahemi Fjalës së Perëndisë në gjërat që bëjmë dhe themi. (Romakëve 2:21, 22) Kjo do të thotë që nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë, studimi personal duhet të ndikojë në mënyrën e të menduarit dhe në sjelljen tonë.

15. Në ç’mënyrë mund të mbrojmë e të mbajmë nën kontroll mendjen dhe mendimet tona?

15 Sot, Satanai është i vendosur të shkatërrojë gjendjen tonë frymore duke nxitur një betejë në mendjen tonë. (Romakëve 7:14-25) Prandaj, duhet t’i mbrojmë dhe t’i mbajmë nën kontroll mendjen dhe mendimet në mënyrë që të jemi të denjë për Perëndinë tonë, Jehova. Arma që kemi është ‘njohuria e Perëndisë’, e cila është në gjendje ‘ta çojë në robëri çdo mendim, për ta bërë të bindur ndaj Krishtit’. Kjo është një arsye më tepër që t’i kushtojmë vëmendje studimit të përditshëm të Biblës, ndërkohë që duam të heqim nga mendja mendimet egoiste dhe mishore.​—2 Korintasve 10:5.

Mjete ndihmëse për të kuptuar

16. Si mund t’i sjellim dobi vetes ndërsa Jehovai na mëson?

16 Mësimet e Jehovait sjellin dobi frymore dhe fizike. Ato nuk janë teologji e pafrytshme akademike. Prandaj, lexojmë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.» (Isaia 48:17) Si na ndihmon Jehovai që të ecim në udhën e tij dobiprurëse? Së pari, ne kemi Fjalën e tij të frymëzuar, Biblën e Shenjtë. Ky është libri ynë kryesor, të cilit i drejtohemi vazhdimisht. Ja përse është mirë që në mbledhjet e krishtere t’i kushtojmë vëmendje asaj që thuhet duke mbajtur Biblën të hapur. Rezultatet dobiprurëse që vijnë kur veprojmë në këtë mënyrë, mund të shihen nga tregimi i eunukut etiopas, që gjendet i dokumentuar te Veprat kapitulli 8.

17. Çfarë ndodhi në rastin e eunukut etiopas dhe çfarë tregon kjo?

17 Eunuku etiopas ishte një i kthyer në judaizëm. Ai besonte me sinqeritet te Perëndia dhe i studionte Shkrimet. Teksa po udhëtonte me karrocën e tij, ai po lexonte tekstin e Isaisë në kohën kur Filipi vrapoi afër tij dhe e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Si u përgjigj eunuku? «‘Në të vërtetë, si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?’ Dhe iu përgjërua Filipit të hipte e të ulej me të.» Pastaj Filipi, i drejtuar nga fryma e shenjtë, e ndihmoi eunukun ta kuptonte profecinë e Isaisë. (Veprat 8:27-35) Çfarë tregon kjo? Që leximi personal i Biblës nuk mjafton. Jehovai, me anë të frymës së tij, përdor klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur për të na ndihmuar ta kuptojmë Fjalën e tij në kohën e duhur. Në ç’mënyrë bëhet kjo?​—Mateu 24:45-47; Luka 12:42.

18. Në ç’mënyrë na ndihmon klasa e skllavit të besueshëm e të matur?

18 Megjithëse klasa e skllavit quhet ‘e besueshme dhe e matur’, Jezui nuk tha se ajo nuk do të gabonte kurrë. Ky grup vëllezërish të mirosur të besueshëm, prapëseprapë përbëhet nga të krishterë të papërsosur. Me gjithë qëllimet më të mira, ata mund të gabojnë, ashtu siç gabuan ndonjëherë disa burra në shekullin e parë. (Veprat 10:9-15; Galatasve 2:8, 11-14) Gjithsesi, motivi i tyre është i pastër dhe Jehovai po i përdor për të na pajisur me mjete ndihmëse për studimin e Biblës që të na ndërtojnë besimin në Fjalën dhe në premtimet e Perëndisë. Mjeti kryesor që na ka dhënë skllavi për studimin personal është Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta. Tani ky përkthim është në dispozicion, i tëri ose pjesërisht, në 42 gjuhë dhe janë shtypur 114 milionë kopje në disa botime. Si mund ta përdorim me efektshmëri në studimin tonë personal?​—2 Timoteut 3:14-17.

19. Cilat janë disa veçori të Përkthimit Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta​Me referime, të cilat mund të jenë të dobishme në studimin personal?

19 Le të marrim për shembull, Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta​Me referime (anglisht). Në të ka kolona me referime, shënime në fund të faqeve, një tregues të vogël alfabetik të fjalëve biblike me titull «Renditja e fjalëve biblike», «Renditja e fjalëve në fund të faqeve», një shtojcë që trajton gjerësisht 43 tema. Po ashtu janë përfshirë harta dhe skica. Gjithashtu ka një «Parathënie», në të cilën shpjegohen burimet e shumta që janë përdorur për këtë përkthim unik të Biblës. Nëse ai është në dispozicion në një gjuhë që e kuptoni, përpiquni t’i njihni mirë me çdo mënyrë këto veçori të përkthimit dhe përdorini ato. Sidoqoftë, Bibla është pikënisja e programit të studimit dhe Përkthimi Bota e Re është një version që i vë theksin siç duhet emrit hyjnor, ndërsa nxjerr në pah sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.​—Psalmi 149:1-9; Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10.

20. Cilat pyetje rreth studimit personal kërkojnë tani përgjigje?

20 Tani, ndoshta mund të pyesim: ‘Për çfarë ndihme të mëtejshme kemi nevojë që ta kuptojmë Biblën? Si mund ta programojmë kohën për studimin personal? Si mund ta bëjmë studimin më të efektshëm? Si duhet të ndikojë studimi te të tjerët?’ Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim këto aspekte jetësore për përparimin tonë të krishterë.

[Shënimi]

^ par. 9 Që nga vitit 1979 vlera e arit është luhatur nga një maksimum prej 850 dollarë për 31 gramë në vitin 1980, në një minimum prej 252,8 dollarë për 31 gramë në vitin 1999.

A ju kujtohet?

• Ç’do të thotë «meditoj» dhe «përsiatem»?

• Ç’qëndrim duhet të kemi ndaj studimit të fjalës së Perëndisë?

• Ç’motiv duhet të kemi në studimin personal?

• Cilat mjete ndihmëse kemi për të kuptuar Biblën?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Pjesëtarët e familjes Bethel e shohin forcuese nga ana frymore të fillojnë çdo ditë duke shqyrtuar një shkrim nga Bibla

[Figurat në faqen 15]

Mund të blihet kohë me vlerë duke dëgjuar kasetat biblike ndërsa jemi duke udhëtuar

[Figura në faqen 16]

Njerëzit kanë punuar fort dhe për një kohë të gjatë për të nxjerrë ar. Sa shumë përpiqemi për të studiuar Fjalën e Perëndisë?

[Burimi]

Me mirësjelljen e California State Parks, 2002

[Figurat në faqen 17]

Bibla është një thesar që mund të na çojë në jetën e përhershme